Burimi: The Guardian (Titulli: Message to Netanyahu: Sinwar’s death is a chance to stop the war and bring the hostages home. Seize it)
Përkthimi: Telegrafi.com
Një ditë e mirë për botën, tha Joe Biden. Dita më e mirë e jetës sime, tha Mohammedi, një 22-vjeçar palestinez në Gazë, i cili refuzoi t’i tregonte mbiemrin New York Times-it, nga frika e ndëshkimit nga Hamasi për fjalët e tij. Një ditë për të festuar, thanë shumica e izraelitëve.
Gjithë këta po reagonin ndaj vdekjes së Yahya Sinwarit, liderit të Hamasit dhe arkitektit të masakrës së 7 tetorit ku u vranë 1,200 izraelitë, gjë që çoi vitin e fundit drejt shkatërrimit, në një luftë që ka kthyer Gazën në rrënoja dhe ka marrë jetën e mijëra e mijëra civilëve palestinezë. Siç tha Mohammedi: “[Ai] e nisi luftën, na shpërndau dhe na detyroi të zhvendoseshim, pa ujë, ushqim ose para … Ai është ai që e nxiti Izraelin ta bëjë këtë”.
Shpresa që Mohammedi, Bideni dhe liderët anembanë botës kanë tani është se vdekja e Sinwarit mund të mundësojë që kjo shfaqje horrori të përfundojë. Ata po ia lejojnë vetes të ndiejnë atë që është ndoshta ndjenja më e rrallë në Lindjen e Mesme: optimizmi. Dhe, ka arsye për të. Problemi është se i njëjti grup faktesh mund të shërbejë si përbërës për një mall shumë më të njohur në Lindjen e Mesme: pesimizmin.
Le të fillojmë me aspektin shpresëdhënës. Kjo bazohet në faktin e thjeshtë se në përpjekjet disamujore për të ndërmjetësuar armëpushimin, Sinwari ishte pengesë, ose duke i thënë jo kushteve të negociuara nga diplomatët amerikanë ose ata të Katarit, ose duke u bërë i paqasshëm kur kërkohej vendimi. Kërkesa e tij që Izraeli të pranojë përfundimin e përhershëm të armiqësive në vend të një pauze të përkohshme, si dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza – duke lejuar kështu Hamasin që të riorganizohej dhe të rikthente kontrollin – garantonte që asnjë marrëveshje nuk mund të bëhej. Tani që ai nuk është më, ajo pengesë është larguar.
Sipas optimistëve, ajo që ka lënë ai është një organizatë e çrregullt, me një vakum të pushtetit në majë. Vdekjet e Sinwarit dhe të liderit të krahut ushtarak të Hamasit në korrik, Mohammed Deif, lënë pak individë me ndikim në Gazë. Presioni i pamëshirshëm ushtarak i Izraelit ka goditur rëndë Hamasin, siç u dëshmua nga fakti që, në momentet e tij të fundit, Sinwari nuk ishte në një post komandimi të mbrojtur mirë, duke drejtuar forcat e tij, por duke vrapuar shtëpi më shtëpi, i vetëm, i kufizuar në përpjekje për të zmbrapsur me shkop një dron izraelit.
Sipas aspektit optimist, kushdo që do të marrë vendin e tij do të jetë shumë i dobët për të vazhduar me vijën e ashpër që ai mbante. Ata mund të jenë të gatshëm të pranojnë kushtet e armëpushimit që edhe Izraeli mund t’i pranojë: për shembull, një numër i reduktuar të burgosurish palestinezë të lirohen nga burgjet izraelite, në këmbim të pengjeve të mbetura, si dhe pranimin e një roli për teknokratët palestinezë, të pavarur nga Hamasi, për të menaxhuar Gazën pas luftës. Një marrëveshje e tillë mund të bëhej më tërheqëse për ata që e nënshkruajnë, me premtimin për dalje të sigurt nga Gaza dhe vendosje në Katar.
Presioni për të pranuar një marrëveshje të tillë do të vinte jo vetëm nga ato shtete arabe që herë pas here kanë qenë mbështetës të Hamasit, por edhe nga rrugët, nga njerëz si Mohammedi. Ai nuk është i vetmi në mesin e palestinezëve që përbuzin Sinwar për hakmarrjen e tmerrshme dhe të pashmangshme izraelite që solli mbi Gazën dhe, shumë kohë përpara kësaj, për aktet që e bënë të famshëm si Kasapi i Kan Junisit: tortura dhe vrasjet sadiste që i kreu mbi ata palestinezë që i akuzoi për bashkëpunim me Izraelin.
Sigurisht, janë dy palë në çdo negociatë dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka qenë më pak kokëfortë në refuzimin e një marrëveshjeje që mund të përfundonte luftën, edhe pse kjo ka zemëruar shumicën e publikut izraelit dhe, sidomos, familjet e 101 pengjeve që mbeten ende në Gazë. Aspekti optimist sugjeron se, me vdekjen e Sinwarit, Netanyahu mund të lëkundet, sepse tani ai mund të pretendojë “fitoren e plotë” – që ka qenë prej kohësh parakushti i tij për përfundimin e luftës. Me fotografinë që dëshironte – të armikut kryesor të vendit të vrarë – të qasshme në çdo telefon të izraelitëve, Netanyahu do të ketë hapësirë për të bërë kompromis.
Ky, pra, është skenari shpresëdhënës. Pikëpamja e kundërt i sheh të gjitha këto fakte përmes një lente të kundërt dhe më të errët. Së pari, nuk sheh asgjë inkurajuese në boshllëkun që la Sinwari. Mungesa e tij do të thotë se tani nuk ka asnjë adresë për negociatorët, nuk mbeti askush me autoritet për të rënë dakord për një marrëveshje të besueshme. Përkundrazi, liderët e Hamasit që mbeten do të ndihen të detyruar të përputhen me qëndrimin e palëkundur të Sinwarit, veçanërisht për shkak të mënyrës së vdekjes së tij.
Shumë palestinezë dhe mbështetës arabë të tyre, e shohin atë pamje nga droni, të momenteve të fundit të Sinwarit, si një akt heroik: njeriu i fundit qëndron në këmbë, lufton deri në fund, bie si dëshmor. Në vend që të fshihej nën tokë apo të jetonte në luks në shtetet e Gjirit, si shumë nga liderët e tjerë të Hamasit, ai vdiq në vijën e frontit. Në rrjetet sociale arabe, legjenda e tij tashmë është krijuar – dhe cilido zyrtar izraelit që mendoi se ishte një ide e mirë të publikonte ato pamje, mund të përjetojë pendesë për vendimin që ka marrë.
Brenda Hamasit, me siguri do të ketë dëshirë për hakmarrje. Mënyra e mundshme për kundërsulm nga hakmarrësit e Sinwarit, do të ishte lëndimi ose vrasja e pengjeve izraelite që Hamasi mban, një perspektivë që ka tmerruar së fundmi familjet e pengjeve.
Kjo na çon te pala tjetër thelbësore për çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Njoftimi i Netanyahut për vdekjen e Sinwarit përfshinte gjuhën e krijuar për të shuar çdo shpresë se konflikti do të mbarojë shpejt. Ishte “fillimi i fundit”, tha ai, por jo më shumë se kaq. Përveç lirimit të pengjeve dhe dorëzimit të Hamasit, “duke lënë armët”, lufta do të vazhdojë.
Mund të kuptoni pse e tha këtë. Netanyahu ndjen se po ecën përpara, se pozicioni i tij personal është forcuar. Ai tani mund të paraqitet si vrasësi i dragojve – Sinwarit në Rafah, liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në Bejrut – dhe si njeriu që sfidoi kundërshtarët, vetëm për të triumfuar në fund. Mbështetësit e tij nuk vonojnë të theksojnë se liderët botërorë, përfshirë Bidenin, kishin këshilluar Netanyahun që të qëndronte larg Rafahut: po të kishte dëgjuar, thonë ata, Sinwari do të ishte ende gjallë.
Sipas kësaj logjike, pse do t’i nënshtrohej tani presionit të ShBA-së për të shfrytëzuar momentin dhe për të pranuar një marrëveshje? Në fund të fundit, ai është mësuar të injorojë Uashingtonin dhe të paguajë çmim të vogël për këtë. Shembulli i fundit erdhi këtë javë, kur sekretari amerikan i Shtetit dhe sekretari i Mbrojtjes dërguan një letër të përbashkët duke kërkuar që Izraeli të rrisë furnizimin me ndihma humanitare në Gazë, edhe pse shenjat në terren sugjerojnë se Netanyahu po ndjek, të paktën pjesërisht, të ashtuquajturin plan të gjeneralëve, i cili kërkon që veriu i Gazës të pastrohet nga civilët dhe ata që mbeten të konsiderohen pjesë e Hamasit, përpara se t’u ofrohet një zgjedhje: dorëzohuni ose vdisni nga uria.
Që Netanyahu të ndryshojë kursin, ai duhet të shkëputet nga partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë që e kanë lejuar të shmangë zgjedhjet nga të cilat ai ka frikë, duke e mbajtur atë në detyrë – dhe që besojnë se tani, kur Hamasi është i dobësuar, është pikërisht momenti për ta goditur edhe më fort – dhe të japë një fitore diplomatike për një administratë demokratike vetëm pak më shumë se dy javë përpara zgjedhjeve në të cilat ai dëshiron që Kamala Harris të humbasë dhe Donald Trumpi të fitojë. A duket i mundshëm një ndryshim i tillë dramatik nga ana e kryeministrit?
Sigurisht, shumica do të thoshin jo. Zakonisht ata që vënë bast te optimizmi, janë ata që humbasin në Lindjen e Mesme. Por, izraelitët e shumtë që kundërshtojnë Netanyahun, tani e kanë një mundësi. Ata mund të pranojnë se kryeministri ka shënuar disa fitore taktike, ndaj kërkojnë që ai t’i përdorë ato për të marrë përfitime strategjike – duke filluar nga marrëveshja për armëpushim dhe kthimi i pengjeve, por më pas duke lëvizur drejt një procesi diplomatik që ofron një të ardhme të ndryshme për Izraelin dhe fqinjët e tij. Duke kanalizuar një epokë më të hershme, mesazhi i tyre mund të jetë: me vdekjen e Sinwarit, ke arritur fitoren tënde totale – tani fitoje paqen. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZyrtare: Kosova humbet me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Rumanisë
Të gjitha dënimet që UEFA ia shqiptoi Rumanisë për ndeshjen Kosovës
Kosova në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror
Situatë dramatike në Beograd dhe Novi Sad, protestuesit u përplasen me policinë - Vuçiq thërret takim urgjent
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
Publikohet pamjet e kamerave që dëshmojnë se bileta e Xhenetës nuk u ndërrua gjatë mbrëmjes kur ajo u eliminua
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian