Ka dalë në treg numri i radhës i “Charlie Hebdo”. Kush priste që “gazeta e papërgjegjshme” – siç e emërton ajo veten në krye të faqes së parë – të ndërronte kurs, do të mbetet i zhgënjyer. Nga zyrat e gazetës “Liberation”, ku po punojnë aktualisht, gazetarët e karikaturistët e mbetur të “Charlie”-t kanë bërë një numër, që ata e përcaktuan “mes haresë dhe dhimbjes”. Janë sërish tetë faqe, është sërish në kopertinë, një karikaturë për Muhamedin, por në vend të 60 mijë kopjeve të zakonshme është kaluar në tre milionë të tilla, ndërsa vetë revista nuk botohet më vetëm në frëngjisht, por në 16 gjuhë të ndryshme.
Pas ngjarjes së dhimbshme të 7 janarit, kur thuajse e gjithë redaksia e “Charlie Hebdo” u pushkatua në tryezën e punës, gjithçka që lidhet me trashëgiminë dhe imazhin e kësaj reviste dikur të vogël parisiane, përbën një bombë të vërtetë me sahat. Përtej faktit se janë vrarë 17 persona me pasaportën franceze në xhep (e jo 17 indigjenë të një fisi të humbur në Afrikë), kriza e shkaktuar nga masakra e Parisit futi në një shteg të rrezikshëm të gjitha marrëdhëniet mes Perëndimit dhe botës islame.
Krerët e shteteve të moderuara myslimane që marshuan krah Hollande, Merkel e Cameron, nuk mundën të mbulojnë acarimin e Erdoganit, ftohtësinë e vendeve arabe të Gjirit, apo kërcënimet e rinovuara të al -Qaeda-s dhe ISIS-it. Duket sikur u hap edhe një herë Kutia e famshme e Pandorës dhe e gjitha kjo pikënisjen e ka te vullneti i demokracive perëndimore për të mos lëshuar në parimet e lirisë së fjalës dhe për të mos çeduar përballë presionit të radikalizmit islamik.
Pyetja në kokën e këtij shkrimi është më shumë një dilemë. Një nga ato dilema që, prej disa ditësh, ka gërryer seriozisht qetësinë dhe ekuilibrin e shumë prej rrjeteve televizive e gazetave gjigante të Amerikës, Britanisë dhe Evropës. A duhet të dalë me atë kopertinë revista satirike franceze, edhe pas asaj që ndodhi? A duhen botuar karikaturat e “Charlie”-t? A duhet të ketë një çfarëdo reflektimi, apo më saktë vetëfrenimi, në këtë stoicizëm profesional, që ka kushtuar jetë njerëzish dhe acarim nervash në të gjitha paralelet e meridianët?
Më tej akoma, çështja shtrohet jashtë mureve të redaksive të medias. Çfarë duhet të bëjë Evropa e sotme, në fakt Perëndimi, me 7 janarin që tronditi Francën dhe bashkë me të, edhe pjesën tjetër të globit? Kryebashkiaku i Roterdamit, një holandez me origjinë të qartë marokene (quhet Ahmed Aboutaleb), e ka një ide. Ai ka ftuar “të bëjnë valixhet gati, të gjithë ata që nuk e pëlqejnë Perëndimin”. Madje ka qenë shumë i “ngjyrosur” në fjalë, sesa kaq. Në krah të tij është vënë menjëherë kryetari kontrovers i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson.
Këto reagime nga “barku” i kontinentit të vjetër, janë një ndër shembujt e fortë të këtyre orëve, se sa fort dhe rëndë e ka goditur botën e pasur, masakrimi makabër i 17 gazetarëve, hebrenjve e njerëzve të thjeshtë në mes të kryeqytetit perëndimor të kulturës, Parisit. Por, edhe sesa thellë dhe në brendësi është tronditur paqja evropiane sot. Rritja e lëvizjeve ksenofobe si Pegida në Gjermani, ose tonet e ashpërsuara të Frontit Kombëtar në Francë apo partive të tjera të djathta, janë vetëm njëra anë e problemit.
7 janari ka futur në dilemë vetë filozofinë e bashkëjetesës mes feve dhe kombësive në Evropën Perëndimore, e cila ka qenë një formulë magjike prej shumë dekadash në Francë, Gjermani e vendet e tjera të mëdha të kontinentit. Trysnia për një “zgjidhje tjetër” ndaj emigrantëve, myslimanëve e përgjithësisht të ardhurve, nuk ka qenë kurrë më e fortë se tani. E, me zgjidhjen tjetër, nënkuptohet dora e fortë, përballja dhe përplasja. Një skenar që do të gëzonte shumë kokat e nxehta të radikalëve në Mosul apo Raka të Sirisë, të cilët janë edhe autorët e vërtetë të 7 janarit francez.
Liria e shtypit është një gur kilometrik në shoqëritë e sotme demokratike. Pa të, vetë ekzistenca e një demokracie është fasadë, iluzion. Por, kur kolosët mediatikë në SHBA e Britani vendosin të aplikojnë një rrjetë autocensure mbi profesionin e tyre, kjo është një shenjë se problemi është më i komplikuar sesa duket. Formalisht CNN e BBC, apo edhe New York Times e Washington Post kanë deklaruar se po përpiqen të mbrojnë korrespondentët e tyre në zonat e luftës, por duket se sulmi mbi “Charlie Hebdo” ka prodhuar një ndjenjë të kuptueshme frike në shoqërinë e sotme perëndimore, së cilës i bashkëngjitet natyrshëm edhe dilema tjetër, po aq serioze dhe hamletiane: a duhet të ketë vërtet një shtyp më të përgjegjshëm e më pak të skajshëm se ai i gazetarëve francezë? Këta të fundit, sot e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Tani i takon pjesës tjetër të botës të reflektojë. /Gazeta Shqip/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania