LAJMI I FUNDIT:

Po kontestohet apo sfidohet Republika!?

Po kontestohet apo sfidohet Republika!?

Presidenti amerikan, Abraham Linkoln, në kohën kur kishte marrë besimin e qytetarëve për të drejtuar vendin, kishte thënë: Asnjë qeveri në botë nuk mund t’i kënaqë të gjithë dhe për gjithë kohën. Por, përgjatë gjithë kohës sa ishte president, nuk harroi se ishin qytetarët (votuesit) ata që vendosen të jetë në krye të shtetit.

Duke e njohur nevojën për qeverisje të mirë, duke sjellë sa më afër qytetarëve vendimmarrjen për të gjithë, pa përjashtim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka garantuar edhe përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumicë, në veçanti atyre serbë në qeverisjen e vendit. Ishte ëndërr e gjatë Republika, por tani kur e kemi realitet, përfaqësuesit e pakicës serbe, respektivisht të Listës Serbe, duke harruar frymën e kompromisit dhe hapat për gjithë-përfshirje, na e kontestojnë duke e quajtur edhe “Kosova i Metohija” dhe po e sfidojnë duke mos respektuar as simbolet shtetërore.

Bërja e Republikës filloi qysh nga përfundimi i luftës, Qershor 1999. Brenda qarqeve serbe, në referim të Rezolutës 1244, pranohej krijimi i një administrate të përkohshme në Kosovë, së bashku me praninë civile ndërkombëtare, ku populli i Kosovës do mund të gëzonte një autonomi të gjerë në kuadër të RFJ-së. Krejt e kundërta e kësaj, për zyrtarët shqiptarë ishte dhe mbetet se Rezoluta 1244 përcaktoi se Kosova ka një territor të ndarë dhe të pavarur nga ai i Serbisë, njëjtë si çdo vend tjetër i pavarur.


Përfaqësuesit serbë në ekzekutivin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta kuptuar çdoherë rëndësinë e statusit ‘republikë’ dhe simboleve ‘shtetërore’, duhet kujtuar të paktën për këto momentume juridiko-politike: (1) Rezoluta 1244 e mundësoi që armata serbe të largohej jashtë nga territori i Kosovës, të vetëqeverisej nga përfaqësuesit e tyre, dhe të garantoheshin kufijtë nga NATO-KFOR; (2) Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në Shkurt 2008; (3) Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duke vërtetuar se shpallja e Pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare; dhe (4) Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve me Serbinë, që nënkupton njohje dhe respektim zyrtar i pikave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rendi Kushtetues në drejtim të zbatimit dhe respektimit të kushtetutshmërisë, në veçanti në pjesën veriore të vendit, jo vetëm që është sfiduar por në raste edhe nuk është respektuar. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka përcaktuar një rend kushtetues dhe platformë politike, për të gjithë, pa përjashtim, pavarësisht faktit të shumicës dërmuese shqiptare. Dhe, për më tepër, sado që mund të tingëllojë degresive, zyrtarizimi i flamurit shtetëror, pa asnjë simbol kombëtar shqiptar, nënkuptonte evitimin e çdo lloj lëndim ndjenjash të mundshëm të pakicave që jetojnë në Kosovë. E, vendosja e flamurit serb gjithandej territorit shtetëror në vendbanime serbe, e veçanërisht në institucione publike të Republikës së Kosovës, por që drejtohen nga zyrtarë publikë të nacionalitetit serb, në shkallë të lartë shkel kushtetutshmërinë në vend.

Shembuj të vendeve me përzierje etnike janë edhe; Belgjika e cila në përbërje etnike ka afërsisht 60 për qind qytetarë flamanë (holandisht-folës), afër 40 për qind qytetarë valunë (frëngjisht-folës) dhe diku 1 për qind gjermanë etnikë, me një flamur krejt neutral për nga elementi etnik; Zvicra (konfederata helvetike) po ashtu ka përbërje etnike, ku dominon komuniteti gjerman me mbi 65 për qind të popullsisë, francezë me rreth 20 për qind, italianë 8 për qind dhe të tjerë; Bosnja dhe Hercegovina po ashtu me një përbërje etnike me mbi 45 për qind boshnjakë, mbi 35 për qind serbë, dhe me mbi 14 për qind kroatë e të tjerë.

Shembuj si këto, bazuar në përbërjet demografike të etnive, zyrtarët shtetërorë në institucionet publike respektojnë flamurin shtetëror i cili është krejtësisht neutral në aspekt të identifikimit kombëtar të grupeve etnike që bashkëjetojnë atje. Por, shembull i tillë të respektimit të simboleve shtetërore, pra flamurit, dhe kushtetutshmërisë, nuk po haset në Republikën tonë, dhe kjo ndodh jo vetëm gjatë betejave politike, por ndodh edhe më tepër në demokraci të brishta, si e jona, ku vullneti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të prijësit politikë. Për hir të së vërtetës, që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës me 15 qershor 2008, mos respektimi i dispozitave kushtetuese ka ndodhur edhe nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës që veçohen rastet sipas Gjykatës Kushtetuese, i ish-Kryetarit Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli dhe ish-Rektorit të Universitetit Publik të Prizrenit, ku ishte konstatuar se përbënte shkelje të Kushtetutës kur ishte zgjedhur për rektor të UPZ-së, një shtetasi i huaj, i cili do të duhej të ishte të paktën për pesë (5) vite banor i Kosovës.

Andaj, respekto Kushtetutën respekto simbolet!