LAJMI I FUNDIT:

Përvjetori i bashkimit të Gjermanisë

A do të bashkohen Kosova e Shqipëria, dhe nëse po, kur do të ndodhë ky bashkim?

Shumë studiuesve të huaj që merren me Ballkanin u ka ra në sy dukuria se 20 vite më parë, pothuaj 100% e shqiptarëve të Kosovës dëshironte që Kosova të bëhej Shqipëri, ndërsa në Shqipëri pothuaj po kaq për qind ishin kundër kësaj. Në këto 20 vite ky raport po lëvizë në drejtim të kundërt. Sa më shumë që bie numri i kosovarëve që e duan bashkimin, aq më shumë shtohet interesimi i qytetarëve të Shqipërisë për bashkim.

Për të shpjeguar këtë dukuri në mënyrë të ftohtë duhet të shikojmë analogjitë në botë. Njëra prej qasjeve në teorinë e kombeve është ajo biologjike. Kombet si konstrukte politike, të gjalla, të lëvizshme, që lindin zhvillohen dhe dikur shuhen, studiohen sipas modelit të organizmave biologjikë. Këtë qasje ka edhe himni kombëtar shqiptar:


Se Zoti vetë e tha me gojë
Kombet shuhen përmbi dhe
Po Shqipëria do të rrojë
Për të, për të luftojmë ne.

Bashkimi gjerman 03.10.1990

Në historinë e kohës moderne ne kemi vetëm një rast të shuarjes së një kombi. Kjo ka ndodhur pikërisht ditën e sotme 21 vite më parë (3 Tetor 1990) kur u shua zyrtarisht kombi gjermano lindor. Lindja e këtij kombi pas Luftës së Dytë Botërore kishte ndodhur si rezultat i faktit që Gjermania e Hitlerit kishte humbur luftën.

Kemi shumë raste të tjera në botë ku projektet kombformuese u modifikuan gjatë zhvillimeve të tyre, por rasti gjerman është i vetëm. Ka dy arsye kryesore se pse kombi gjermano lindor është i vetmi që u shua.

I pari është fakti se kur ndodhi degëzimi i kombit gjerman në atë perëndimor e lindor, ky komb veç kishte qenë mirë i ngjizur në vetvete saqë kishte pretenduar ta sundonte botën. Ndarja e tij e dhunshme, pas katër dekadave rezultoi me një degë të fuqishme (atë perëndimore) dhe me një degë të dobët (atë lindore). Kombi gjermano lindor nuk ishte i vetmi komb socialist në botë, por ishte i vetmi që u lind, u zhvillua dhe u shua si komb socialist.

Në përgjithësi kombet socialiste: shqiptarët, serbët, bullgarët, rumunët, hungarezët, çekët, polakët, rusët, kinezët dhe kubanët kishin lindur para se ato të bëheshin kombe socialiste. Mbetët të shihet se çfarë do të ndodhë me koreano-verioret kur dhe nëse do të përmbyset socializmi atje: do të shuhet si komb duke u shkrirë në kombin koreano-jugor apo do të vazhdojë të mbijetojë si një komb demokratik.

Rast rumun

Rast jo tërësisht i ngjashëm me gjermanët është ai rumun. Krahina e Moldavisë pushtohet nga rusët pas Luftës së Dytë Botërore dhe bëhet republikë sovjetike. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik moldavët dalin komb në vete dhe nuk i bashkëngjiten Rumanisë.

Shumë studiues mendojnë se gjermanet u bashkuan ngase ndarja 40 vjeçare ishte e shkurtër karshi jetëgjatësisë së trungut të tyre të përbashkët. Por ky argument vlen edhe për rumunët. Madje këtu situata është edhe më ekstreme në këtë drejtim. Edhe pse si moldavët si gjermano lindorët de facto ishin të pushtuar nga rusët, nga aspekti formal, moldavët ishin brenda Bashkimit Sovjetik kurse gjermano lindorët jashtë tij, si komb i njohur ndërkombëtarisht. Moldavët lindën si komb tek më 1991. Arsyeja qëndron jo tek Gjermano lindorët e as të moldavët, por tek gjermano perëndimorët dhe rumunët.

Dy dekada më parë kombi 60 milionësh gjemano perëndimor ishte një komb i aftë për të futur në gjirin e vet popullsi 20 milionëshe që i takonte një kombi (gjermano lindor) të molisur të lindur e rritur si komb socialist, por kombi 20 e kusur milionësh rumun i lodhur nga katarzi socialist nuk ishte i gatshëm për të futur në gjirin e vet një popullsi katër milionëshe të gjuhës e të gjakut të vet.

Ritmet e zhvillimit të Shqipërisë dhe Kosovës

Tani t’i kthehemi rastit Kosovë-Shqipëri. Dy dekada më parë Shqipëria jo që nuk ishte një komb i aftë për të futur Kosovën në gjirin e saj, por ishte vetë lazëm që të futej në gjirin e kujtdo qoftë, por nuk kishte kombe të interesuar për këtë. Sot kombi shqiptar është këndellur dhe potenca e tij po shtohet. Oreksi zakonisht drejtohet tek njerëzit e gjuhës e të gjakut, por edhe drejt fqinjëve më të dobët.

Në anën tjetër kombi kosovar i lindur dhe i njohur nga më se 80 kombe tjera, edhe pse ende në inkubator po fillon ta shijojë ëmbëlsinë e të qenët komb i pavarur. Sa më shumë potencë do të fitojë kombi kosovar aq më i painteresuar do të jetë që të futet në gjirin e një kombi tjetër, përkundrazi do të jetë i interesuar që kombet më të dobëta t’i gllabërojë në gjirin e vet.

Në momentin e pikërishëm, bashkimi Kosovë – Shqipëri nuk po ndodhë për shkak se është forcuar kombi kosovar (sepse ai akoma është i dobët) dhe as për shkak se mund të mos jetë interes i aleatëve të kombit kosovar dhe atij shqiptar (të cilët janë të përbashkët), por për shkak se Shqipëria akoma nuk ka potencë ta gëlltisë Kosovën. Gëlltitja e Kosovës nga ana e Shqipërisë mund të ndodhe vetëm nëse Shqipëria ecën furishëm përpara ndërsa Kosova ngelë në vendnumëro ose edhe anasjelltë.