LAJMI I FUNDIT:

Përrallat e kryeministrit

Sot për disa momente në hotelin Grand, pata rastin të shohë një “ëndërr". Befas m’u bë sikur po jetoja në një shtet të Evropës, ku ofron perspektivë dhe ku niveli i papunësisë është në një shkallë shumë të ulët. Për pak momente u ndjeva i mburrur se sa Qeveri të përkushtuar paskemi dhe sa zhvillim të hovshëm paska sjellë qeveria e kryeministrit Thaçi.

Këto ishin ndjenjat që përjetova sot gjatë kohës sa përcillnim hapjen e një panairi të quajtur “Berëza e Punësimit 2009”, e organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

U ndjeva i tillë, atëherë kur kryeministri i Kosovës e mori fjalën në këtë konferencë, pas presidentit Sejdiu. Presidenti, edhe pse pati një fjalim bosh, në fund dha një mesazh për bizneset. Mesazhi i presidenti Sejdiu ishte i qartë se po ta punësonin vetëm nga një
qytetar, rreth 40 mijë biznese në Kosovë, kjo do të ndikojë në zbutjen e papunësisë.


Derisa kryeministri Thaçi, duke iu drejtuar të pranishmëve, qytetarë të papunë dhe disa përfaqësuesve të bizneseve, foli për zhvillimet dhe përkushtimin e Qeverisë për rritjen e vendeve të punës. Për shumë të arritura të Qeverisë të cilat kanë ndodhur pas shpalljes së pavarësisë, por të cilat nuk kishin emër.

Kryeministri, pas “përrallës” pak më të butë të presidentit Sejdiu, filloi të tregojë “përralla” aq të rënda sa i ngjanin atyre të Enver Hoxhës, kur ai u tregonte fëmijëve për Shqipërinë me lule. “Qeveria e Republikës së Kosovës është e zotuar, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar, Qeveria e Republikës së Kosovës po punon në të mirë të interesave të qytetarëve”, ky ishte refreni i zakonshëm i kryeministrit, pa përmendur asnjë projekt konkret.

Kryeministri shfrytëzoi rastin të mburret me iniciativën e AKB-së, e cila padyshim ka një rëndësi të veçantë në këtë vend me shkallën më të lartë të papunësisë, por që është shumë minor në krahasim me nevojat dhe me punën që duhet ta bëjë shteti në luftimin e varfërisë.

Kryeministri përshëndeti edhe punën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për përkushtimin dhe të arriturat e kësaj ministrie në punësimin sezonal të të rinjve!
E çuditshme apo jo?

Padyshim është e çuditshme, po të kujtohet intervista e ministrit Nenad Rashiq, të cilën e pati para dy-tre ditësh në KTV. Ministri Rashiq, megjithatë u tregua i sinqertë, duke e arsyetuar dështimin e shumë projekteve të kësaj ministrie për punësimin e të rinjve. Ai tha me keqardhje për qytetarët, se projektet e kësaj ministrie kanë dështuar për shkak të krizës globale. Ai nuk u mburr me një numër të vogël të të punësuarve në Afganistan, por pati guximin që në këtë intervistë të shprehë keqardhje për dështimet e kësaj ministrie për punësimet sezonale që kishin premtuar në Itali, Finlandë, Gjermani etj.

Duhet kujtuar se, pas ngjarjes më të rëndësishme në historinë e Kosovës, ditës së shpalljes së pavarësisë, mesazhet nga të gjithë miqtë e Kosovës kanë qenë të qarta: Përvishuni punës dhe ecni drejt zhvillimit ekonomik të vendit. Ky ishte mesazhi për ndërtimin e një shteti të ri, me stabilitet dhe perspektivë drejt Bashkimit Evropian.

A ndodhi kjo që u prit nga gjithë qytetarët dhe miqtë e këtij vendi?

Nëse behët një vlerësim për punën institucionale të Republikës së Kosovës në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, lehtësisht mund të thuhet se deri më tani nuk ka shkëndija inkurajuese për ditë më të mira. Qeveria ende po feston dhe propagandon me teori të thata, por nuk shihet të ketë përmirësuar diçka në jetën e qytetarëve. Këtë e dëshmon sot edhe fjalimi i kryeministrit, ku në mungesë të ndonjë iniciative ose strategjie të qeverisë për ta luftuar papunësinë, gjen rastin të mburret me iniciativa të tilla që, prapë po them, janë shumë minore në atë çfarë është pritur se do të ndodhë pas pavarësimit të vendit.

Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani nuk e kemi parë asnjë projekt i cili premton punësimin e qindra ose mijëra të rinjve. Nuk na ka ndodhur të shohim kryeministrin apo ministrat duke prerë shiritat e ndonjë fabrike të madhe që është ndërtuar në Kosovë. Nuk kemi parë asnjë kompani gjigande që ka filluar të derdhë kapitalin e vet në këtë vend. Nuk kemi vënë re ndryshime të mëdha në politikat fiskale që joshin investitorët. Nuk kemi lexuar ndonjë statistikë të zbutjes së shkallës së papunësisë, sikur as që e kemi dëgjuar për ndonjë strategji se si duhet të luftohet varfëria e këtij vendi që mbetet edhe më tej në listën e vendeve më të varfra në rajon. Madje, as nuk kemi vërejtur që është zvogëluar numri i atyre që në çdo skaj të Kosovës i sheh, duke zgjatur duart për t’i dhënë lëmosh.

Ato që vihen re çdo ditë, janë fushatat politike, ose propagandimi për ta shtuar elektoratin. Ndërsa mund të veçohet vetëm puna e dy ministrive: ajo e Transportit dhe e Arsimit.

Po ashtu, duhet të përmendim se deri më tani nuk e vërejtëm akoma se çfarë u bë me dhuratat e çmuara financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa vendeve evropiane, që u premtuan pas shpalljes së pavarësisë. Apo edhe këto të fundit nuk do të lënë gjurmë të thela në përmirësimin ekonomik të vendit, sikur edhe miliarda të tjerë që thuhet se janë investuar në Kosovë nga organizatat e huaja.

Si duket tani janë harruar ose nuk po i del kohë Qeverisë për t’u marrë me to! Këto donacione ishin piketime precize drejtuar institucioneve të Kosovës, se kah tash e tutje të orientohet opusi dhe të përmirësohet jeta e qytetarëve.

Aspak të rastësishme, këto ndihma miliardash u premtuan menjëherë pas njohjes së pavarësisë nga disa shtete. U premtuan për ta forcuar ekonomikisht këtë vend.
Nuk po e dimë se çfarë ndodhi me to? Ku janë 335 milionë dollarë që Amerika ia fali Kosovës? Çfarë ndodhi me 124.9 milionë euro të bashkimit Evropian të premtuara për vitin e parë të ndërtimit të shtetit ose çfarë do të bëhet me 335 milionë euro, me të cilat institucionet e Kosovës duhet të menaxhojnë deri në vitin 2011. Çfarë ndodhi me 12 milionë franga që Zvicra ia premtoi Kosovës.

Të gjitha këto shtete premtuan mjete për ta vënë një gur në themelin e ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës nga brenda.

Të gjitha këto ndihma të premtuara, cak kishin shtyllat më kryesore për rritjen e vendit tonë. Ekonomia, energjetika, bujqësia, sistemi gjyqësor, synonin të ishin fushat e goditura nga portofolat e këtyre vendeve. Në këtë mënyrë, duke investuar në këta sektorë pritjet ishin që të zvogëlohet shkalla e papunësisë dhe të rritet mirëqenia e qytetarëve.

Ndoshta dikush vlerëson se është herët të flitet për ndryshimet e vërejtura, mirëpo këtu akoma nuk shihet asnjë sinjal. Ndryshimet nuk po vihen re të kenë ndodhur. Institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë dhënë sinjale se iu kanë qasur si duhet sferës jetike për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Deri më tani mund të thuhet se nuk ka lëvizje në këtë drejtim. Të paktën jo tek ata që janë larg pushtetit nëse diçka ka ndryshuar tek pushtetarët.

Kjo mund të thuhet derisa presidenti, kryeministri dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë guximin të mburren me një projekt, ku kërkesat për punë janë aq të mëdha.

(Autori është kryeredaktor i revistës “Ekonomisti“)

Në trend

Më shumë
Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Magazina
Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Serbia
Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Drejtësi
Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Kronika e Zezë

"Fitore e shitur", Rezarti me akuza të forta për produksionin e BBVK: A jeni gati t'i nxirrni votat Drilon-Gjesti në gjykatë? Me qëllim i tërhiqnit kamerat për Drilonin

Magazina
Robert Nolfe thyen heshtjen: Parashqevia nuk u paraqit në gjykatë plot katër seanca, kam paguar qiranë 12 vite për të

Robert Nolfe thyen heshtjen: Parashqevia nuk u paraqit në gjykatë plot katër seanca, kam paguar qiranë 12 vite për të

Magazina
Kalo në kategori