LAJMI I FUNDIT:

Për sipërfaqësoren, falsitetin dhe demonë të tjerë

Për sipërfaqësoren, falsitetin dhe demonë të tjerë

Rasti i nxënëses Duda Miftari, e filmuar nga shoqet e saj teksa sulmonte në mënyrë brutale, fizikisht e verbalisht, shoqen e saj të shkollës, ka pushtuar rrjetet sociale në hapësirat shqipfolëse. Shumë komente e mesazhe pozitive e ngushëlluese për viktimën, duke sitmgatizuar edhe më tepër autoren e sulmit, tashmë me stigmë permanente, agresivitet të theksuar dhe mungesën e edukatës e mirësjelljes.

Pa dashur assesi të mbroj sulmuesen dhe duke u solidarizuar plotësisht me kolegen e gjorë të Dudës, dua t’ua rikujtoj të gjithë apologjetëve të kulturës e edukatës, ministudentëve të psikologjisë e predikuesëve të etikës, që episode të tilla ka pothuajse çdo ditë mes gjinisë mashkullore që i takojnë grupmoshave të ndryshme, e asnjëherë nuk bëhet kaq bujë për dhunën e tepruar. Se, ata janë burra!? Burrat mund të rrihen me grushte, shqelma, se ju ka hije. Femrat, në optikën e banorëve të shtetit më të ri në botë, munden maksimum të kapen për flokësh dhe të bëjnë thashetheme duke parë filxhanët e kafesë. Unë nuk po e mbroj assesi dhunën: dhuna duhet të luftohet në të gjitha elementet e saj. Pikë.

Kam një pyetje për ombudspersonët e mirëqenies emocionale, apologjetët e kulturës, predikuesit e etikës dhe moralistët e shekullit: pse nuk u bë kaq bujë për rastin kur babai kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tij, vepër për të cilën u dënua në Gjermani me dënim të lehtësuar vetëm pse e kishte pranuar me arsyetimin se bashkëshortja e tij, nëna e vajzës, nuk respektonte përgjegjësitë martesore?! Jo, për gjëra të tilla nuk duhet të reagohet: evladi i vet është, janë çështje familjare!? E, në fakt jo.


Një fëmijë i abuzuar në familje në çfarëdolloj forme sjell atmosferë destruktive në shoqëri. Duda është vetëm një shembull sipërfaqësor. Por ne, kosovarët e prirë të predikojmë e të paragjykojmë, flasim vetëm për probleme të natyrës jo të rëndë, për fasadën e jo për brendinë e shtëpisë, për edukatën e mirëfilltë si koncept, por jo mënyrat konkrete si t’u mësohet brezave të rinj, pa dashur të bëhemi asnjëherë ne ndryshimi pozitiv që duam të shohim në shoqëri.

Kur jemi te rastet se sa shumë heshtet për dhunën e ushtruar ndaj femrave, do të më urrenin ekologët: do të duhej të zhvishnim pyjet për të prodhuar letër që të përfshiheshin të gjitha. U drejtohem femrave kosovare “të suksesshme” që suksesin e tyre e bartin në qafë si medaljon të shenjtë dhe i bëjnë vend në modestinë e shtirur e arrogancën ndaj kolegeve të tyre që kanë patur më pak fat se to.

Përpos rastit me përfundim fatal të Diana Kastratit, shumë pak është ngritur pluhur për femrat e abuzuara, keqtrajtuara, vrara. Për to nuk morën mundimin të reagojnë e të shkruajnë një rresht as pseudofeministet kosovare të cilat autodefinohen feministe vetëm pse kanë përfunduar një bachelor në universitet, flasin një anglishte të copëtuar dhe kanë llogari ne Facebook e Twitter ku postojnë fotot me mbishkrime: “And suddenly I felt nothing”. E jo, kolege të dashura, feminizmi do të duhej të na nxiste në luftimin e padrejtësive që u bëhen gjinisë sonë, të na ngjallte një empati, ndjenjë solidarizimi dhe humanizmi për të ndihmuar ato në tejkalimin e sfidave dhe problemeve.

Shoqëria jonë ende fatkeqësisht patriarkale në thelb e veshur, maskuar me Gucci, Prada e Versace, ka nevojë për më shumë femra model, të avancuara, intelektuale, mendjemprehta, te shkathëta në mënyrë që gjinia mashkullore e këtij shteti të kuptojë njëherë e përgjithmonë që iku periudha e atyre femrave që qysh gjatë ceremonisë tradicionale të martesës quheshin “rob”, e përmes këngëve popullore të shoqëruara me defe ilustroheshin si kukulla te bukura që duhet të mbyllin gojën në “derë të huj”. Një femër bashkëkohore, e pajisur me dije dhe jo vetëm diploma, që punon jashtë shtëpisë dhe merr pjesë në rendimentet e ekonomisë familjare, është shumë më tepër se “rob” dhe shpeshherë është mashkulli që zgjedh të jetojë me të ai që spostohet në “derë të huj”. Rolet kanë ndërruar në shoqëri, por jo edhe mentaliteti I veshur me tirqi, nuanca të qarta të dominimit mashkullor.

Feministet italiane kanë kritikuar Oriana Fallacin, gazetaren italiane, një prej femrave të para reportere nga fronti i luftës, në vend se t’i ofronin mbështetjen e tyre, sepse Oriana i ka dëshmuar botës mbarë se femrat mund të punojnë punët e njëjta me meshkujt dhe të jenë të guximshme po aq sa ata. Miti i Orianës nuk është krijuar nga fakulteti i mjekësisë i lënë në gjysmë për t’iu përkushtuar profesionit të gazetarisë, por për guximin dhe vendosmërinë e saj që të shpaloste të vërtetën duke intervistuar personalitete të spikatura e akterë politikë, nga Arafati te Ayatollah Khomeini.

Ajo çfarë unë kërkoj nga simotrat e mia është që të bëhen zëri që qëmton të vërtetën përtej frazës së thatë “Hetimet vazhdojnë”, e të bëhen promovuese të vlerave njerëzore dhe etiko-pedagogjike në çdo rreth në të cilin veprojnë, në mënyrë që rastet e izoluara si ky I Dudës mos të lënë në hije problemet e vërteta. Është koha që femra në Kosovë të mos kënaqet me përfaqësimin përmes koutave rozë, por të insistojë që të arrihet barazia gjinore e bazuar në meritokraci. Për gjininë e ngjyrës së kaltër, lista e kërkesave do të ishte e gjatë por si fillim, ideja se një femër respektohet duke i ofruar kafenë pesëdhjetë centëshe duhet të çrrënjoset. Ajo kafe di të shndërrohet në helm kur shoqërohet me fjalë jo-inkurajuese e poshtëruese.

Në trend

Më shumë
Gjesti bëhet pishman: Rizartë, t’kisha me të hjekë prej këtu, mos të të shoh më kurrë në krevet me mua

Gjesti bëhet pishman: Rizartë, t’kisha me të hjekë prej këtu, mos të të shoh më kurrë në krevet me mua

Magazina
Një përmbledhje – edhe përmes grafikëve – se si Ukraina ka ndryshuar në tri vitet që nga pushtimi në shkallë të plotë nga Rusia

Një përmbledhje – edhe përmes grafikëve – se si Ukraina ka ndryshuar në tri vitet që nga pushtimi në shkallë të plotë nga Rusia

Botë
Gjesti pasi Rizarta ndan kufirin e shtratit: Nata është pa kontrollë

Gjesti pasi Rizarta ndan kufirin e shtratit: Nata është pa kontrollë

Magazina
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Sociale
“Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”, komandant Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

“Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”, komandant Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Drejtësi
Xavi kandidat i fortë për të marrë drejtimin e gjigantit anglez sezonin e ardhshëm

Xavi kandidat i fortë për të marrë drejtimin e gjigantit anglez sezonin e ardhshëm

Premier League
Kalo në kategori