LAJMI I FUNDIT:

Patetika e Tadiqit…

Po vazhdon "zhurnali". Ministri i Serbisë, që ka "sektor" Kosovën, Goran Bogdanoviqi ia dha një "fllad" të vetëve, paralajmëroi se më 25 shtator, në Asamblenë e OKB-së, Serbia , e "përgatitur mirë’, do të mbroj qëndrimet rreth Kosovës dhe presidentit Boris Tadiq. Ai "është i bindur se Serbia do të korrë edhe një fitore diplomatike për ruajtjen e integritetit të saj territorial". Ky papagall i Tadiqit, spikati se do të paraqesin "argumente të pamohueshme", të cilat, sipas tij janë "të bazuara në të drejtën ndërkombëtare".

Serbia bëri agresion ndaj Kosovës. E drejta ndërkombëtare nuk ia mban anën agresorit, ngase kësaj i thonë vrasje juridike. Faktet e provat juridike janë në anën e Kosovës, kjo është logjika juridike, i pëlqeu, apo jo Boris Tadiqit dhe ithtarëve të tij. Amerikanët, anglezët, francezët, gjermanët e të tjerët nuk janë budallenj që e njohën pavarësinë e Kosovës. Aktet e njohjes nuk ndodhën rastësisht. Kosovës i duhet edhe pak "statistikë", të përmbush limitin e njohjeve të reja, që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

S’është kjo e vetmja deklaratë "bombastike", krerët e Serbisë, Boris Tadiqi, ministri i tij Vuk Jeremiqi janë krekosur se do të triumfojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Nuk do mend, patetika e Tadiqit, në radhë të parë, ka për qëllim t’i qetësoj shpirtërat e trazuar. Tipat, si Tadiqi, që shtiren si proevropianë, s’janë gjë tjetër pos alter ego të Sllobodan Millosheviqit.


Politikanët serbë, që po lozin me ‘kartën" e Kosovës krekosen se kanë shumë "dëshmi", më ‘tepër kilogram material" se pala e Kosovës. Në akëcilën gjykatë, pra edhe në atë të Hagës, qëndrimet politike, thashethemet, pallavrat s’pinë ujë.

Sipas të drejtës romake, gjykatësit u janë drejtuar prokurorëve:"Daho mihi facta, tabo tebi ius" ("Mi jep provat, ta ndajë drejtësinë"). Ku me i marrë "argumentet e pamohueshme" Serbia, si t’i shpik ato! Gjykatësit, siç e thotë drejtësia, nuk gjykojnë ‘më të njofshëm", t’ia mbajnë anën të padrejtit.

Kanë mbetur më tepër se dy muaj, përkatësisht më 1 dhjetor, të nisë procesi i shekullit në Hagë që të shqyrtohet ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, këtij shteti më të ri në botë, pavarësinë e së cilës e kanë njohur, deri më tash 62 shtete, Amerika, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanada…E kanë njohur, u mor vesh, vendet më të fuqishme në botë. Ndonëse, siç dihet, vendimi i gjykatës së përmendur është këshilldhënës, s’është obligues, nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës.

Qëllimi i Serbisë është të përfitoj në kohë, të zvarris njohjet e reja, të ndikoj, nëse ka kaçik, tek të tjerët që të mos e ndërmarrin këtë hap, ngase po u shkelka e drejta ndërkombëtare, zhargon ky që është bërë refren jo vetëm i Tadiqit, por edhe i Jeremiqit kur u jepe rasti të flasin në ‘parlamentin e botës’, në OKB.

Assesi, në asnjë mënyrë, s’ka as mundësi teorike të ndodhë "restitutio in integrum" – kthimi në gjendjen e mëparshme. Serbia e ka përjetuar "tërmetin" më të madh, kur brenda një ditë, dy aleatët e saj, Mali i Zi dhe Maqedonia, ia kthyen shpinën, e njohën pavarësinë e Kosovës. Vërtetë, ka qenë shokuese për Serbinë që këto dy ish- republika ta ndërmarrin hapin që e kanë bërë. Në këtë kontekst, politika s’është matematikë, në politikë dy e dy s’bëjnë katër.

Dikur shqiptarët e Kosovës kanë qenë shtetas të krijesës së vetëquajtur Jugosllavi. Por, serbët që i kishin "dizgjinët në dorë" i vrisnin ‘shtetasit e Jugosllavisë", shqiptarët, mbi ta bënë krime më monstruoze, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Andaj, intervenimi i NATO-s në caqet serbe nuk ishte i rastësishëm.

Kosova ishte njëra nga tetë njësitë federale, pjesë konstitutive të federatës jugosllave, të përcaktuara dhe të garantuara me Kushtetutën e ‘ 74-ës. Ky është një fakt juridiko – kushtetues i padiskutueshëm.

Serbia bëri dhunë institucionale ndaj shqiptarëve, ngase ishte kolonizator. Ajo (Serbia) deshi t’i mbaj nën thundrën e vet edhe të tjerët, por Jugosllavia u shpërbë, u ndanë sllovenët, kroatët dhe të tjerët,i shpallën shtetet e tyre, Serbia mbeti e vetmuar dhe në emër të "bashkëllakut", Jugosllavisë, është anëtare e OKB-së.

Së këtejmi, është i njohur zhvillimi kushtetues juridik i Kosovës që nga viti 1946 e deri më 1974. Sipas Kushtetutës së RSFJ-së (1974), nenve 1 e 2, Kosova ishte pjesë përbërëse e federatës. Në nenin 5 të po asaj Kushtetute, Kosova kishte territorin e vet dhe kufijtë e vet, të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj.

Akademik Esat Stavileci në librin e tij "Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare" (2001), nxjerrë në pah një vistër argumentesh juridike që flasin në favor të Kosovës. Në faqen 227, ngre çështjen:Pse Kosova duhet të jetë shtet i pavarur? Ai vë në pah se Kosova ka individualitetin historik, gjeografik, strukturalo – nacional dhe politik, përkujton Dardaninë qysh nga periudha antike, Vilajetin e Kosovës nga Perandoria osmane. Më tej, ndodhi "gëlltitja" e pozitën kushtetuese të Kosovës sipas Kushtetutës së Jugosllavisë (1974) "të cilën Serbia e rrënoi në udhë jokushtetuese me amendamentet në Kushtetutën e vet (1989)…", qartësoi Stavileci.

Gjykata në Hagë, pos argumenteve valide që flasin në favor të Kosovës, duhet të merrë dosjet e proceseve gjyqësore, atë të Sllobodan Millosheviqit dhe të tjerëve që kanë të bëjnë me krimet kundër njerëzimit që i bënë "njerëzit e Millosheviqit" ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Politikanët tanë duhet të kalojnë në ofensivë, të thyejnë heshtjen dy mujore, ku s’pati akte të njohjes. T’i lënë anash inatet, ndërskamcat politike, ngase lufta vendimtare është për shtetin. Nuk është koha e pushtetit, por e shtetit. Diplomacia shqiptare mund të bëj edhe më tepër në sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Mbase, Shqipërisë, do t’i shkoj më tepër fjala, ngase është anëtare e NATO-s. Çka është njëherë, s’është përherë, thotë populli. Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta në intervistën për emisionin "Opinion" të TV Klanit, të premten (18 shtattor), është zotuar se do të bëjë gjithçka për të quar përpara procesin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës.

Ish i deleguari i OKB-së, Martii Ahtisaari i ka thënë troç Serbisë se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE). Sipas Ahtisaarit, kjo është një conditio sine qua non. Njëri nga kriteret, standardet e BE-së është që shteti kandidat s’bën të ketë problem me fqinjin.

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori