LAJMI I FUNDIT:

Panariti: Bashkia projekt për rehabilitimin e liqenit

Panariti: Bashkia projekt për rehabilitimin e liqenit

Bashkia e Tiranës ka vendosur të ndërhyjë për shpëtimin e liqenit artificial nga tharja dhe degradimi i plotë.

Specialistë të këtij institucioni kanë nisur inventarizimin e të gjitha ndërhyrjeve të paligjshme që ndotin liqenin dhe që vijnë kryesisht nga dhjetra subjekte private, aktivitete biznesi, lokale, por edhe firma ndërtimi përreth Parkut Kombëtar.

“Prej dy ditësh grupet e inspektimit janë në terren, kanë evidentuar pikat e shkarkimit të ujrave të zeza, kanë piketuar vendet ku po bëhet mbathja me inerte e liqenit për të fituar terren dhe që ka cuar edhe në kufizimin e sipërfaqes së liqenit. Lajmërimiet janë bërë, njëkohësisht janë evidentuar edhe shkarkimet e ujrave të zeza. Masat afatshkurtra do jenë: Ndalimi i depozitimit të inerteve dhe bllokimi i menjëhershën të ujrave të zeza në liqen”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti.

Zoti Panaritit shtoi se rehabilitimi i plotë i liqenit kërkon së pari rikonstruksion të rrjetit ujor që lidhte dikur liqenin artificial me liqenin e Farkës, nga ku mundësohej furnizimi i rregullt me ujë përgjatë gjithë vitit.


“Këtë liqen nuk mund ta mbushë vetëm uji i shiut, pra balancën hidrike e siguron nga liqeni i Farkës, po kështu dhe oksigjenimin. Ndërhyrja është afatmesme, kërkohet të shihet ku ka ndodhur dëmi, mbase ndonjë ndërtim i cili e pengon. Pasi të evidentojmë problemin, do fillojmë korrektimin e tij, me ndërhyrjet përkatëse”, tha zoti Panariti, raportoi BW.

Përveç këtyre problemeve, ditët e fundit në sipërfaqe të tij u vunë re një numër i madh peshqish të ngordhur, çka dëshmon qartë se bashkë me tharjen në liqen po vdes pak nga pak si fauna ashtu edhe flora nënujore, si shkak i larmisë së ndotësve që gjithkush ka hedhur në këto njëzet vitet e fundit në këtë liqen./Telegrafi/