LAJMI I FUNDIT:

Ora e ndalur shqiptare

Çfarë do të mendonim ne për dikë i cili me ushtrinë e tij e ka çliruar vendin nga pushtuesi dhe më pas, gjatë ushtrimit të pushtetit të tij ka themeluar universitetin e parë në shtet, akademinë e shkencave dhe gati të gjitha institucionet më relevante mbi të cilat ndërtohet një shtet: si ato politike, të sigurisë, kulturore e ekonomike, ushtrinë, policinë, teatrin kombëtar dhe televizionin shtetëror?

Nëse gjykojmë vetëm sipas këtyre të dhënave mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një burrështetas i cili i ka dhënë më së shumti popullit dhe shtetit të tij. Por, çfarë do të ndodhte nëse këtyre të dhënave u shtojmë informacione plotësuese, nëse themi se po ky person ka ushtruar pushtet në mënyrë absolute për 40 vite me radhë dhe gjatë kësaj kohe janë persekutuar, likuiduar, vrarë dhe dënuar me burg të përjetshëm me mijëra njerëz?

Atëherë gjykimi ynë me siguri do të ndryshojë. Nëse e krahasojmë gjendjen e shtetit në kohën kur ky person vdes me gjendjen e shteteve në rajon dhe në botë, është fare lehtë të konstatohet (dhe është konstatuar) se ky vend është gjendur në vendin e dytë më të varfër në botë, me një diktaturë të skajshme, pa asnjë të drejtë politike, kulturore, ekonomike e pronësore, i izoluar nga rajoni dhe bota dhe me një gjendje të rëndë të të drejtave të njeriut.


Tashmë e keni lehtë ta qëlloni se bëhet fjalë për Enver Hoxhën dhe për Shqipërinë në kohën e tij (1944-1985). Prandaj parashtrohet pyetja: cili qytetar në botë do të votonte për një diktator si Enver Hoxha, edhe po qe se ai do t’i numëronte rezultatet e tij, se ka bërë atë e këtë, duke e ditur edhe se në çfarë mënyrë i ka arritur këto rezultate dhe në kurriz të kujt? Pastaj, cili qytetar shqiptar do ta votonte Enver Hoxhën nëse do të kishte mundësi ta krahasonte gjendjen e Shqipërisë me gjendjen e shteteve të rajonit në kohën kur ai po ushtronte pushtetin?

Duke u nisur nga këto premisa, politikanët shqiptarë gjithandej duhet ta kuptojnë se nuk guxojnë të na i çajnë kokat me disa arritje, çfarëdo qofshin ato (fundja asnjëri prej tyre nuk ka bërë më shumë se Enver Hoxha). Por, nëse gjendja aktuale e shqiptarëve është e tillë çfarë është aktualisht, askush nuk ka të drejtë të numërojë “suksese”. Derisa qytetari shqiptar është më i varfëri në rajon, më i papunësuari, më i izoluari në integrime, me sigurinë më të ulët, me të ardhurat më të ulëta, me investimet më të ulëta, me nivelin më të ulët të zhvillimit kulturor, ekonomik, social, politik e demokratik, atëherë vërtet nuk ka vend për lëvdata e fushata.

Gabimi esencial është se ata krahasohen me vetveten, e jo me të tjerët. Nuk mund të quhet Shqipëria vend i suksesshëm kur po i bën 22 vite nga rënia e diktaturës dhe ende nuk ka mundur të instaloj sistem të qëndrueshëm politik dhe as kulturë minimale politike, sistem të mirë ekonomik, media të paanshme, kapacitete demokratike elementare për zhvillim, e aq më pak siguri për qytetarët (Shqipëria 1997).

Ta marrim shembullin e Gjermanisë sa për të kuptuar se çka paraqesin 20 vite për një shtet. Gjermanisë iu deshën vetëm 20 vite pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore që sërish të ngrihet si një superfuqi botërore dhe e tillë e filloi Luftën e Dytë Botërore. Edhe pas dështimit dhe shkatërrimit të madh që pati në këtë luftë dhe më pas edhe ndarjes në dy Gjermani (Lindore e Perëndimore 1945-1989), asaj iu deshën vetëm 20 vite që të rikthehet përsëri në mesin e shteteve me të zhvilluara botërore. Po ashtu, pas rënies së Murit të Berlinit (1989), dallimet e skajshme në zhvillim që kishin Perëndimorja me Lindoren shumë shpejt u niveluan dhe tashmë Gjermania pa dyshim është ndër superfuqitë botërore.

Kur flasim në këtë këndvështrim, as Kosova nuk mund të quhet një vend i sukseseve. Sepse, edhe pas 13 viteve liri nga Serbia dhe 4 viteve pavarësi, ajo ende lëngon nga “sëmundje” më elementare dhe me insuficiencë institucionale: niveli i punësisë është më i ulëti në Evropë, sistemi shëndetësor e pensional është ende i pakonsoliduar, furnizimi me rrymë është me restrikcione etj.

Gjendja e njëjtë është edhe në Maqedoni, ku po bëhen 21 vjet nga mëvetësimi i saj nga ish-Jugosllavia dhe 10 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila me garancitë ndërkombëtare që kishte (SHBA, BE dhe NATO) duhej të implementohej për 4 vite, ndërsa edhe sot (2012) është ende e paimplementuar plotësisht.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë të njëjtin hall“: gjendja e tyre sot është edhe më e vështirë se në kohën e Millosheviqit, edhe pse në vitin 2000 dhe 2001, pas një lufte që kishin me pushtetin serb, nënshkruan një marrëveshje (të Konçulit), gjithashtu me garanci ndërkombëtare. Por, edhe ajo nuk u implementua, ndërsa situata në përgjithësi vazhdon të përkeqësohet.

As shqiptarët e Malit të Zi nuk janë përjashtim: ata ishin “thembra e Akilit” në suksesin e referendumit për pavarësi të këtij shteti nga federata me Serbinë, por nuk dëshmuan se dinë ta valorizojnë këtë situatë në drejtim të avancimit të të drejtave elementare etnike dhe qytetare. Madje, kohëve të fundit doli në sipërfaqe anemia politike që kanë në lidhje me përdorimin e simboleve etnike, siç ishte shembulli me përdorimin e flamurit shqiptar.

Shqiptarët në Çamëri as që i përmend dikush. Ata nuk kanë arritur ende të alarmojnë për gjendjen e tyre, që ajo të bëhet “çështje” dhe kështu nuk arrijnë të futen në asnjë rend dite në forumet e ndryshme ndërkombëtare. Për një gjendje të këtillë të Çamërisë, çamët nuk mund të amnistohen, por as edhe të fajësohen plotësisht, sepse Çamëria nuk është vetëm çështje e çamëve: ajo është brengë mbarëshqiptare dhe si e tillë duhet trajtuar.

Problemi serioz që kanë elitat politike shqiptare është pikërisht humbja e ndjesisë se me çfarë shpejtësie po lëvizim dhe cili është drejtimi. Nëse u referohemi ligjeve të fizikës ku lëvizja përkufizohet si ndërrim i pozitës së një trupi në krahasim me trupat e tjerë për një kohë të caktuar, i bie që kur një politikan dëshiron të dijë se a është duke lëvizur dhe me çfarë shpejtësie, ai duhet medoemos të krahasohet me vendet e tjera që ta kuptojë drejt gjendjen, e jo me vetveten. Sepse, kohëve të fundit shumë shpesh politikanët shqiptarë po na e kujtojnë të kaluarën tonë duke na thënë: Po harroni ku keni qenë, e ku jeni sot! Çka kërkoni më shumë nga ne? Këto punët e politikës janë kështu, ecin ngadalë, çfarë po mendoni ju? Dhe, kur njeriu i dëgjon kështu politikanët tanë, duhet të turpërohet nga vetvetja se pse ndonjëherë i ka shpëtuar nga goja ndonjë kritikë e vogël për ata.

Megjithatë, nëse u kthehemi kritereve dhe standardeve mbi të cilat realisht do ta përkufizoni gjendjen në të cilën jemi, atëherë ajo do na shfaqë rezultatet, të cilat tregojnë se shqiptarët në përgjithësi në Evropë kanë zhvillim më të ngadaltë se secili komb tjetër, ndërsa nga ana tjetër lidershipi shqiptar këtë ngecje përpiqet ta shesë si sukses. Ata madje e pandehin vetveten se janë te vetmit që janë meritorë për këto "suksese" të mëdha shqiptare dhe moti kanë shpallur monopolin mbi patriotizmin shqiptar. Ata e kanë përvetësuar “licencën” e të qenit patriotët e vetëm shqiptarë, duke e pandehur veten se ata dhe vetëm ata dhe asnjë shqiptarë tjetër nuk mund të jetë më kompetent dhe më i përshtatshëm për çështjen shqiptare.

Një situatë e tillë e ngulfat debatin dhe idenë se a ekziston ndonjë qasje tjetër për ta avancuar çështjen shqiptare dhe ky është një problem “kancerogjen” për indin mbarëshqiptar.

Prandaj është koha e fundit që ta themi troç se "mbreti është i zhveshur". Mënyra e vlerësimit të gjërave dhe ajo e konceptimit të dimensionit kohor të tyre duhet të ndryshojë patjetër. Përfundimisht duhet thënë gjërat me emrin e tyre të vërtetë, sepse kështu si jemi sot, kjo nuk stimulon zhvillim, por përkundrazi është një përkundje më shumë e djepit në të cilin po bën gjumë shoqëria shqiptare.

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori