“Oj Kosovë, oj nana ime!”
Jo moti, kjo këngë na motivonte, sidomos ne kurbetçinjve, të cilët mbase edhe ishim arsye kryesore që u kompozua kjo këngë. Atëbotë, duke i parë vendet perëndimore (ku jetonim) se si ishin të organizuara, dhe të mllefosur me terrorin që e bënte Milosheviqi, por mbase edhe për shkak të kompleksit të inferioritetit që s’do mend e kishim karshi vendeve ku jetonim, në bisedat tona plotë pasion, shpeshherë e dizajnonim shtetin e Kosovës. Merrnim eksperiencat më të mira nga secili shtet, si bie fjala sigurinë dhe interesin e shtetit (jo pushtetit) nga Izraeli, organizimin social nga shtetet skandinave, demokracinë dhe konkurrencën nga shtetet anglosaksone, përgjegjësinë profesionale nga Japonia, etj., dhe dilte Kosova edhe më e mirë sesa vargjet romantike të këngës “Oj Kosovë, oj nana ime”.
E kush do të besonte se ne, pas gjithë asaj eksperience që e patëm nën Serbi, por edhe nën okupatorët e tjerë, do të ndërtojmë kësi shteti. Sigurisht që edhe ish-punëtorët e UDB-së (edhe ata të cilët Milosheviqi i përjashtoi nga sistemi) nuk do të besonin, se ne të tjerët jo se jo. Kujt do t‘i shkonte mendja që institucionet do t’i ndërtojmë për interes të pushtetit, bile edhe duke ia vjedhë votat sovranit “në mënyrë industriale”, siç vlerësuan vëzhguesit ndërkombëtarë. Është e pakuptueshme si mundet një patriot i cili ka sakrifikuar aq shumë dhe ka qenë i gatshëm edhe jetën ta japë për shtetin, të vjedh vullnetin e qytetarit. Prandaj, tashti, çka e dallon “patriotin” me okupatorët.
Siç dihet, dikur okupatorët fare nuk e pyetnin qytetarin, vetëm një klikë e kolaboracionistëve përfitonte. Atëbotë, patrioti (i cilësdo ngjyrë) i rezistonte dhe i luftonte ata. Por, tashti, çfarë po e dallon të themi një “komandant” (të vetëquajtur) i cili e ka abuzuar vullnetin e qytetarit, të themi me rankoviqistët. Siç dihet, në kohën e Rankoviqit, vullneti i qytetarit është abuzuar nga bashkëpunëtorët e tij, dhe edhe atëherë jetonin mirë disa shqiptarë (bashkëpunëtorë të tij, që mjerisht disa edhe tashti pas luftës i patëm dhe i kemi në pushtet, të cilët na mbytën duke na shitur patriotizëm). Pra, dallim në formë mund të ketë, por në esencë jo. Sepse, Rankoviqi ka përdorur shumë dhunë, kurse “komandantët” kanë përdorur forma të tjera.
Por, pas asaj që pamë në demonstratën e Vetëvendosjes, dyshoj që “komandantët” nuk do të bënin edhe marrëzira të ngjashme me kohën e Rankoviqit. Zaten, kamera, gjatë zgjedhjeve të fundit, pati xhiruar disa rrugaçë duke i kërcënuar votuesit, sigurisht nën urdhrat e bosëve të tyre. Andaj, logjikisht shtrohet pyetja se pse i bënë gjithë ato sakrifica këta “patriotë”? A i bënë për këtë vend dhe për këta njerëz, apo nuk e kanë ditur as atëherë se çka po bëjnë, ose… Pastaj, si mund të vjedhin bashkëpartiakët njëri-tjetrin dhe pastaj, qoftë në Kuvend apo në institucione të tjera shtetërore, të na flasin për interesin e qytetarit. Si është e mundur që, njerëzit që ia vjedhin qytetarit gjënë më të shtrenjtë, të dalin e të flasin për interesin e qytetarit pa u skuqur fare.
E të mos flasim për hajnitë e tjera komerciale apo tenderomanisë publike që disa po i referohen përndryshe. Dhe, e keqja është se nuk janë vetëm të një partie, por janë pothuajse te të gjitha partitë, dhe hajnat më të mëdhenj të votave (dhe hajnive të tjera) na shtiren për patriotë të mëdhenj.
Njashtu, se çfarë shteti ndërtuam na tregon edhe garancioni bankar i 16.2 milionë eurove. Në ditën e fundit që duhej të ekzekutohej ky çek, institucionet shtetërore heshtin, dhe një gazetë (që shihet si e afërt me pushtetin) jep lajmin se kush tentoi të bëjë atentat mbi ish-shefin e ART-së, i cili ishte pjesë e asaj afere.
Logjikisht, pyetja e cila shtrohet është: pse mu atë ditë kur skadoi afati i çekut u dha ky lajm me bujë dhe nuk u tha asgjë zyrtarisht për 16.2 milionë euro?! Sigurisht se tentimi për atentat është krim i rëndë dhe duhet hetuar deri në fund, pa marrë parasysh se kush është mbrapa, por ama ky lajm ka mundur të jepet përpara ose pas, dhe në ditën e skadimit të garancisë bankare institucionet shtetërore është dashur të merren me 16.2 milionë eurot. Veç nëse qëllimisht kanë dashur t’ia tërheqin vëmendjen opinionit nga 16.2 milionë eurot në diçka tjetër.
Është e pakuptueshme pse nuk u mor askush në përgjegjësi për falsifikimin e çekut prej 16.2 milionë eurosh?! Sepse, nëse çeku emetohet pa mbulesë, d.m.th., ajo është false, e që është krim shumë i rëndë! Bile, ishte grotesk shefi i ART-së, i cili një medie me nonshalancë e kishte refuzuar t’iu japë shpjegime për arsyen e mosekzekutimit të kësaj garancie, duke thënë se “gjithçka që lidhet me të, e ka përshkruar në një raport konfidencial, të cilin ia ka paraqitur Kuvendit të Kosovës”.
E, nëse është ai raporti që e pati dërguar sa unë isha deputet, sikurse të ishte shteti, ashtu sikurse dikur e ëndërronim, ky zotëria ose dikush tjetër, pikërisht për atë raport tashmë do të ishte në burg i dënuar me shumë vite. Të shpresojmë se ky rast dikur do të qartësohet dhe, edhe përgjegjësit për tentim atentati do të merren në përgjegjësi (kushdo qofshin ata), sepse në shtetin të cilin dikur e ëndërronim (dhe e ëndërrojmë) të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe askush mbi.
Edhe demonstrata e 14 janarit tregoi se çfarë shteti kemi ndërtuar. Sidomos ndërhyrja e policisë ndaj deputetëve. Si është e mundur që aty të jetë edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, dhe policia të sillet krejt ndryshe me të? A është se, të themi, Liburn Aliu është më pak deputet se Rexhep Selimi, apo se Liburn Aliu në atë demonstratë ka qenë për të protestuar për interesa të veta e Rexhep Selimi për interesa të shtetit. Pra jo për një qëndrim të një lëvizjeje, së cilës i takojnë që të dy. Pse atëherë ndaj njërit të sillen në një mënyrë e ndaj tjetrit ndryshe?
Apo e marrim rastin e nënkryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca? Sigurisht se policët nuk do të silleshin njëjtë edhe me nënkryetarët e tjerë të Kuvendit, Si, bie fjala, po të ishte aty duke protestuar ta zëmë Xhavit Haliti apo Sabri Hamiti (e të mos flasim për Petroviqin) për çfarëdo arsye qoftë, nuk besoj se policët do të silleshin ngjashëm me ta. Me siguri se do ta respektonin “institucionin e nënkryetarit të Kuvendit”.
Mjerisht ka edhe shumë shembuj të tjerë, të cilët ilustrojnë se çfarë shteti kemi ndërtuar deri tani dhe jemi duke e ndërtuar në vazhdimësi. Këto po i bëjnë ish-udbashët dhe titistët, të duken me të vërtetë patriotë. Zaten, edhe ashtu po thonë, në kohën tonë ishte më mirë, kishte siguri sociale, shëndetësore, punësim, sistem shkollor më të avancuar, etj., e që mjerisht ashtu edhe është.
Zot, na i ruaj fëmijët, se ne qysh po e lypim ashtu edhe e kemi!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje