LAJMI I FUNDIT:

Odisejada e Institutit Albanologjik nëpër qeveritë tona

Nuk është hera e parë që po shkruaj për problemin e Institutit Albanologjik, por jam e detyruar, pasi problemi i tij po bartet nga ministria në ministri e nga qeveria në qeveri, dhe kështu po vazhdon të mbetet çështje e pazgjidhur dhe, më e keqja, po vazhdon të ekzistojë mosgatishmëria për ta zgjidhur.

Instituti Albanologjik i Prishtinës, institucion ky i cili edhe emrin e ka të trashëguar nga sistemi i vjetër monist, e ka një histori 57-vjeçare të mbijetesës dhe që nga fillimi i punës së tij e deri më sot, është penguar shumë herë në përpjekjet e tij për ta mbajtur gjallë veprimtarinë e vet – hulumtimin dhe studimin e kulturës kombëtare shqiptare. Por, derisa në periudha të tjera të qeverive të huaja i ka sfiduar ata që ia pengonin punën, tani, në kohën e qeverive tona, e ka më të vështirë se kurrë të qëndrojë. Tani më shumë se kurrë i duhet të luftojë për ta mbajtur gjallë qenien e vet, qenien kombëtare, në një shtet multietnik, çfarë po proklamohet se është Kosova me mbi 90% popullatë shqiptare.

Paslufta i kushtoi shumë këtij institucioni, pasi nga një organ që e kishte themeluar Kuvendi i Kosovës (ai i paraluftës), pas luftës “u dënua” të futet nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, dhe kështu të mbetet nën mëshirën e ministrave të akëcilës parti e të drejtuesve të tjerë të dikasterëve të arsimit e shkencës, të cilët shumë herë pa e pas lexuar asnjë libër, nga afër 400 sosh që përmban deri tani lista e botimeve të këtij institucioni, merrnin guximin t’ia vlerësonin atij punën si edhe veprat e punonjësve shkencorë. Madje-madje, edhe merrnin guximin të lëshonin vendime, nëpërmjet shërbyesve të tyre, për t’u penguar hyrjen në vendin e punës punonjësve shkencorë, të cilët i kishin meritat më të mëdha për vlerat e këtij institucioni, duke u fshehur nën justifikimin se kinse e kishin plotësuar moshën për pensionim, apo se ishin nën masa disiplinore.


Sjelljet e tyre i trimëronin edhe disa gazetarë, të cilët pastaj nuk kursenin gurë e dru të hidhnin mbi punën e këtij institucioni e të njerëzve të tij, edhe këta po ashtu pa e pasë një fije njohurie për veprat e tij dhe as edhe një fije vetëdije për rëndësinë e tij në formësimin e ruajtjen e vlerave kombëtare. Shtoji kësaj edhe politikën e qarqeve joshqiptare e të huaja, për kinse krijimin e një kombi të ri me gjuhë e histori të re – kombit kosovar, i cili “nuk kishte asgjë të bënte me kombin shqiptar” dhe si rezultat i tërë kësaj Instituti Albanologjik i Prishtinës, mbeti nën mëshirën e kohës e të harresës. Sikur të mos mjaftonin këto, por edhe me rastin e nivelizimit të pagave të punonjësve të Arsimit të lartë, vendim ky që e mori qeveria e kaluar, e cila i fitoi zgjedhjet edhe në mandatin e dytë, aktual, punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, mbetën t’i takojnë kategorisë së shërbyesve civilë të Kosovës dhe të konsiderohen të barabartë me kategoritë e nëpunësve të ministrive, pa çka se arsimimi i tyre ishte superior dhe që ata kishin grada e tituj shkencorë – doktorë shkencash. U nënvlerësuan duke mos u konsideruar të barabartë me kolegët e tyre mësimdhënës në universitet.

Ndonëse ata nuk e pranuan këtë status dhe vazhduan të kundërshtojnë duke ia bërë me dije ministrisë, por edhe qeverisë, se i kanë trajtuar pa të drejtë, përkundër që pushtetarët i dëgjuan ankimet e tyre, asnjëherë deri tani nuk iu dhanë më shumë se premtime. Madje, ministri i Arsimit që sapo shkoi, i njoftuar me problemin e Institutit që nga koha kur ishte në krye të Komisionit për arsim dhe shkencë në kuadër të qeverisë së vjetër dhe më pastaj edhe në krye të MASHT-it, në qeverinë e kaluar, për tre vjet, nuk bëri tjetër, veç dha premtime e tha fjalë të mira, të cilat asnjëherë nuk i realizoi. Shkoi dhe i mori edhe premtimet me vete. E Instituti Albanologjik i Prishtinës, vazhdon të mbetet: në pikëpamje fizike – i parenovuar (edhe pse një renovim filloi vitin e kaluar nga MASHT-i, por u ndërpre); në pikëpamje organizative-strukturore – i pareformuar; në pikëpamje kuadrovike – i papërtërirë; në pikëpamje financiare – shumë i reduktuar; dhe në pikëpamje të përgjithshme – i lënë pas dore. Problemi i tij vazhdon të bartet nga njëri ministër tek tjetri, nga njëra qeveri tek tjetra dhe për më tepër, të mbetet temë e përgojuar nga diletantët e gazetarisë dhe të arsimit.

Mungesa e seriozitetit ndaj punës si dhe mungesa e vetëdijes për vlerësimin dhe ngritjen e vlerave të kulturës kombëtare nga personat që po vihen në krye të institucioneve të shtetit, të cilët nuk po përtojnë të bëhen servilë të ndërkombëtarëve dhe të pranojnë imponimin e politikave multi-etnike, janë shkaktarët e moszhvillimit të punës së këtij institucioni. Mungesa e vetëdijes për vlerat e projekteve madhore të kulturës kombëtare, të kulturës së mbi 90% të popullatës së Kosovës, e cila përbën më pak se gjysmën e njësisë shqiptare në Ballkan, e pamundëson inicimin dhe realizimin e projekteve kombëtare, të cilat do të duhej të hynin në interesin e politikave të shtetit, dhe të cilat do të duhej të aktivizonin studiuesit e vjetër dhe të joshnin studiuesit e rinj, për të punuar në projekte shkencore të rëndësisë kombëtare.

Nëse nuk dimë vetë, atëherë mjafton të marrim modelet e instituteve kombëtare në rajon e më gjerë, dhe të shohim se si institucionet shtetërore i përkrahin institutet kombëtare dhe i financojnë projektet e tyre. Le që nuk do të duhej të vihej në dilemë se –“çka po na duhet Albanologjia?” (të provojmë të kërkojmë nga gjermani të privohet nga Germanistika, francezi nga Frankofonia, serbi nga Sllavistika, apo një tjetër nga kultura e vet kombëtare dhe e shohim si do të përfundojmë), por është detyrë së pari e institucioneve (e atyre buxhetore, por edhe e atyre mediatike) dhe pastaj edhe e studiuesve, që të institucionalizojnë sa më shumë vlerat e kulturës kombëtare. Vetëm kultura kombëtare është ajo që na dallon nga të tjerët, se përndryshe e kemi shumë të vështirë të tregojmë veçantitë tona si banorë të këtij globi. Po e kujtoj këtu një koleg timin që thotë se “Albanologjia është i vetmi produkt që ne do të mund t’ia japim botës, se të gjitha tjerat ajo i ka më të mira se tonat”.

Le të shpresojmë se ministri i ri (ndoshta edhe nga përbërja pak e ndryshuar e qeverisë), do të gjejë kohë për të menduar për Institutin Albanologjik, drejt dhe në mënyrë të merituar, dhe kështu do të kontribuojë paksa në dinjitetin tonë kombëtar dhe njerëzor.

(Autorja është doktore e Shkencave Filologjike dhe studiuese në Institutin Albanologjik të Prishtinës)

Në trend

Më shumë

"Kështu duket demokracia" - mijëra qytetarë në mbarë SHBA-në protestojnë kundër politikave të Trumpit

Amerika

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori