LAJMI I FUNDIT:

Ngërçi në Kuvend dhe gjyqësia kushtetuese!

Ngërçi në Kuvend dhe gjyqësia kushtetuese!

Është fakt notor dhe i njohur botërisht, se kushtetutshmëria nënkupton respektim të shtetit juridik, respektim të rendit juridik dhe aplikim të së drejtës, në veçanti nga bartësit e funksioneve publike.

Gjykata Kushtetuese, në Republikën e Kosovës, është brenda fazës së zhvillimit të gjyqësisë kushtetuese, marrë parasysh parashtrimin e kërkesave të ndryshme nga shumë drejtime për shqyrtim brenda kuadrit të së drejtës materiale, mbi ligjshmërinë, rregullat dhe aspektet procedurale të vendim-marrjes kushtetuese, nëse po apo jo!? Kështu që, konform Kushtetutës (Kapitulli VIII) dhe Ligji (Nr. 03-L-121/2008) për Gjykatën Kushtetuese, i njihet e drejta e ushtrimit të sigurimit të parimit mbi sundimin e së drejtës dhe shtetit juridik, si dhe ruajtjes së hierarkisë së rendit juridik, duke interpretuar kushtetutshmërinë në vend. E, me të drejtë mund të themi se Kushtetuta është deklarata zyrtare e detyrimeve, kufizimeve, procedurave dhe institucioneve themelore të saj.

Mbrojtja gjyqësore e vendimmarrjes institucionale, në vete ngërthen faktorë të ndryshëm që ndikojnë në kërkesën për mbrojtje gjyqësore kushtetuese dhe mund të jenë rrethanat politike e administrative nëpërmjet të cilave kërkohet manifestimi i shtetit të së drejtës. Ç’është e vërteta, kërkesa për gjyqësinë kushtetuese, madje shikuar edhe kronologjikisht, ka qenë dhe mbetet vlerësimi kushtetues i kushtetutshmërisë së akteve ligjore, mbështetur dhe vlerësuar rrethanat politike të kohës. Madje në terminologjinë juridike quhen edhe padi kushtetuese, e që përmes saj mund të atakohen si aspektet ligjore ashtu dhe ato faktike, të secilit akt, nga autoritetet publike, në këtë rast edhe nga Kuvendi, dhe se gjeneza e saj buron nga praktika gjermane e gjyqësisë kushtetuese.


Por, themelet e demokracisë kushtetuese moderne u hodhën gjatë iluminizmit evropian – rrymë filozofike e shekullit XVIII, e përfaqësuar nga filozofi Anglez Xhon Llok dhe juristi e filozofi Francez Monteskie. Prandaj, të gjithë ne, duhet kuptuar se Gjykata Kushtetuese ‘apriori’ nuk e shkruan të drejtën, por ajo e shqyrton, vlerëson dhe vendos se çka nuk është e drejtë dhe në pajtueshmëri me Kushtetutën. Andaj, si organ i jurisprudencës, si pushtet gjyqësor, mbetet kontrollues i akteve të autoriteteve publike. Dajena Revic, me të drejtë thekson se “demokracia kushtetuese ka të bëjë me sjelljet, praktikat dhe normat që përcaktojnë aftësinë e një populli për tu qeverisur”.

Jo-stabiliteti politik apo vakumi ligjor në të drejtën materiale, padyshim, që ka reflektim institucional, e nganjëherë situata të caktuara jo të parapara me ligj krijojnë mundësinë e të thirrurit edhe në vakum ligjor mbi rrethanën e krijuar. Jo rrallë herë, krijon edhe mundësinë e jo-stabilitetit institucional, ngase rrethanat mund të bëhen edhe pengesa serioze të ndërtimit institucional, zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale, madje edhe gjendja e veriut të Republikës etj., kështu që karakteri institucional i Gjykatës Kushtetuese në vete ngërthen edhe karakter politik, sepse vendimet e gjykatës kushtetuese, kanë përcaktuar (shih rastet: Sejdiu, Ref. Nr. AGJ 43/10 dhe Pacolli, Ref. Nr. AGJ 107/11) dhe përcaktojnë raportet politike të marrëdhënieve ndër-institucionale.

Pra, për këto arsye, dhe mbi kërkesat e natyrave të tilla mbi zgjidhjen e situatave ngërç (kur dyja palët mendojnë se kanë të drejtë), bie në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese për interpretim të kushtetutshmërisë, e në një aspekt, paraqitet edhe si institucion politik “sui-generis” ngaqë ofron zgjidhje të një situate politike-juridike mbi interpretimin e të drejtës, duke ndihmuar aspektet e rregullimit shtetëror.

Eksperti i të drejtës kushtetuese, Xhon Frenk, thekson se “gjykata kushtetuese nuk duhet lënë vend për padrejtësi”, andaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, cilido qoftë ai, zbardh paqartësitë mbi aspektin e rregullimit normativ. Në vete po ashtu bartë porosinë e pjekurisë demokratike të vendit; respektimin e së drejtës, ndikimit për shkak të zgjidhjes së procesit dhe rrugëtimit politik, përcaktimit të legjitimitetit apo jo të veprimeve të ndërmarra në kuvend, si dhe përcaktimit të rolit të faktorëve politikë. Për më tepër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për nga përmbajtja mund të jetë këshillues, neutral, apo i karakterit juridik-politik. Me këtë dhe raste të tjera zhvillohet gjyqësia kushtetuese.