LAJMI I FUNDIT:

Newborni në trupin e plakut

“Çdo gjeneratë e ka rrugën e vet”- kështu thuhet në këngën e njohur të një këngëtari amerikan. Edhe në retoriken politike, me pompozitet thuhet se rinia është pasuria jonë më e madhe. Madje disa marrin guximin të pohojnë se rinia është motori i zhvillimit ekonomik dhe aset ynë kryesor. Mirëpo, nëse do të përballeshim me realitetin, e kuptojmë shumë shpejt se kjo është ironi e pastër, cinizëm i llojit të vet. Asnjëherë me pare rinia e Kosovës nuk ka qenë më larg proceseve politike e shoqërore sesa tash kur kemi shtetin.

Nëse do të kujtojmë historinë tone të re, e të cilën ende e kemi gjallë në memorien tonë kolektive, do të shohim se ato subjekte politike dhe ata bartës të procesit shtetformues, me vite, të mos themi me dekada të tëra, mbesin po ata të njëjtit. Tash kur shtetndërtimi ka mbaruar dhe Kosova po hyn në fazën e konsolidimit të shtetit, legjitimitetit ndërkombëtar dhe zhvillimit ekonomik, udhëheqësia aktuale politike nuk ka as vizion të qarte por as kapacitete t’i përmbushin nevojat e kohës. E nevojë imediate e kësaj shoqërie dhe veçanërisht për këtë rini është punësimi dhe hapja e mundësive për arsimim të duhur. Sa ka rritje të punësimit në Kosovën e pavarur? Përkundrazi, ka rritje te papunësisë dhe emigrimit (legal e ilegal) dhe kjo është më se evidente.

Politikanët dhe qeveritarët mund të formatizohen e riformatizohen tërë ditën, por kërkesat elementare të qytetarëve ende nuk po mund t’i përmbushin sa duhet. Kjo për arsye te papërgjegjësisë dhe aftësive te kufizuara vepruese, e qe i kane edhe si rezultat i veprimit te tyre te gjate ne sisteme paralele, si para 1999 ashtu edhe pas 1999 gjate kohës se UNMIKistanit. Këto struktura politike nuk po munden te gjejnë veten në rolet e tyre të reja, në atë të autoritetit shtetëror. Ndërsa, në këto rrethana ekzistuese dallimet në mes partive janë minimale si në substancë ashtu edhe në performancë. Nëse lëvizja paqësore dhe rezistenca e armatosur ishin dy anë të një medalje. Në dhjetëvjetëshin e fundit dallimet ishin me shumë kush me kënd të marrin pushtetin dhe për cila pozita sesa rreth politikave sektoriale apo rreth pikëpamjeve për çështje të interesit kombëtare.


Skenës politike në Kosovë iu është ndal koha, sado që ndërrohen postet e zëvendësohen ministrat me figura te njëjta. Problemet jetësore me këtë veprim nuk po adresohen në mënyrë të duhur e as nuk do të zgjidhen kështu. Qytetarët janë për çdo dite dëshmitar te një tragjikomedia sui generis, pikërisht ashtu siç është edhe ky vend. Tashmë mbreti është cullak!

Demokracia në Kosove është sterile, ku çdo përpjekje për demokratizim brendapartiak bllokohen e torpedohen nga klanet e caktuara duke krijuar kështu një mendësi politike që si rrjedhoje e ka një pasivitet letargjik të shoqërisë. Ndoshta duhet të formohen prapë dy lëvizje të ndryshme politike për të ngjallur shpresën për një dinamizëm dhe ndryshime. Ndoshta rinia duhet të aktivizohet me shume për te sjellë ndryshime pozitive. Ndoshta duhet pritur prape “ndihmën” nga bashkësia ndërkombëtare për te na administruar.

Sidoqoftë, diçka duhet të përmirësohet në këtë shoqëri ku po mbytet shpresa, vullneti e dinjiteti i qytetarëve të rëndomtë, shumica e të cilëve papunë e paperspektivë, e që sigurisht presin më shumë nga shteti i tyre i ri.

Fund të fundit, çdo gjeneratë e ka rrugën e vet, e kjo rruge definitivisht s’është rruga e duhur e as ajo që e meritojnë këta breza.

(Autori është profesor i shkencave politike ne Universitetin e Prishtinës)