LAJMI I FUNDIT:

Në Tetor 2011 u Hapë Lajmi i Vërtetë: Cila është Republika e Kosovës?

Edhe pse në moshë paksa të shtyrë ndoshta, ata që ngritën zërin për shtetin e Kosovës kundër federatës jugosllave të vitit 1968 nuk mund të mos e kujtojnë kohën kur po bënin përgatitjet e fundit për demonstratat e 6 tetorit 1968 për të kërkuar status të republikës për Kosovën. Ata kishin një ideal, kishin guxim, dhe mbi të gjitha, kishin ndjenjë të fortë të kombëtarizimit. I mbante të bashkuar shpresa e besa aq sa i mbante të përkushtuar dëshira për të parë simbolin kombëtar, flamurin kuq e zi, duke u valëvitur i lirë nëpër Kosovë.

Bijë e bija të Kosovës nuk u mposhtën para një Jugosllavie të tërë, por ngritën zërin për të drejtat e tyre. Ngritën zërin për Republikën e Kosovës, të cilën, disa prej tyre do të kishin fatin ta shijonin hiq më pak se thuajse dyzet vite më vonë, më 17 shkurt 2008. E disa të tjerëve, u qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Republika që u kërkua publikisht e demonstrativisht në atë kohë erdhi pas thuajse dyzet viteve, por a ishte kjo republika që shqiptarët e Kosovës e priten kaq gjatë?
Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse donin që mbi atdheun e tyre të valëvitej i lirë flamuri kuq e zi.
Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse donin që në atdheun e tyre të mos kishin nevojë të mësonin qirilicën, por shqipen, e që në dokumentet e tyre të shkruhej shqip e jo qirilicë.
Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse donin që të ishin zot të shtëpinë e tyre, në trungun e vet.


Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse donin që në të – të jetonin të lirë, që në të – të punonin, të krijonin familje; e donin republikën e tyre që të zhvilloheshin e të mos kishin më nevojë të shkonin në kurbet.
Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse donin që të arsimoheshin në shkolla e universitete me cilësi të lartë, e jo në shkolla të dorës së dytë e në universitete sllave.
Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse donin që të kishin një standard me të mirë të shërbimeve mjekësore, të kishin spitalet e tyre ku do të mund të shëroheshin pa patur nevojë të shkonin në Beograd apo diku tjetër.
Shqiptarët e Kosovës e donin republikën e tyre sepse mbi të gjitha donin që të mbeteshin shqiptarë, e jo jugosllavë, apo shiftarë, apo diçka tjetër.

E këto kërkesa të shqiptarëve të Kosovës kundrejt Jugosllavisë së asaj kohe ishin thuajse të njëjta edhe me ato që ishin bërë kundrejt Portës së Lartë apo pushtuesve tjerë që zaptonin tokat e tyre. A thua vallë ishin kërkesa të mëdha këto? A thua vallë ishin kërkesa luksoze? Mendoj se pajtoheni me mua që këto janë kërkesa minimaliste për një jetë normale si qenie njerëzore me identitet. Dhe, të gjitha këto kërkesa mendoj e besohej se do të realizoheshin me Republikën e Kosovës. Andaj, gjenerata të tëra iu përkushtuan këtij ideali—njerëz të shumtë punuan ditë e natë për të realizuar kërkesën për Republikën e Kosovës, njerëz të shumtë u flijuan, shumë u dëbuan, u masakruan, u vranë, e dënuan, u dogjën, deri sa një ditë ky ideal u kthye në realitet. Për vite të tëra, shqiptarët e Kosovës me mund e lidhshmëri me njeri-tjetrin ia dolën t’i përballonin torturat dhe terrorin e regjimit jugosllavo-serb për të ardhur deri tek Republika e tyre, shteti i tyre i pavarur.

Qoftë përmes rezistencës paqësore që plasoi storjen e Kosovës nëpër botë dhe krijoi simpati tek qarqet vendimmarrëse ndërkombëtare për kërkesat legjitime të shqiptarëve, qoftë përmes luftës çlirimtare që nxori në pah fytyrën e vërtete të regjimit serb mbi Kosovë dhe vendosmërinë përfundimtare të shqiptarëve për liri a vdekje, bota më në fund e kuptoi se durimit i kishte ardhur fundi dhe reagoi duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë sundimit serb mbi Kosovë. Dhe, pas përpjekjeve të njëpasnjëshme politike, më në fund, erdhi edhe e shumëpritura Republikë e Kosovës, shtet i pavarur.

Normalisht, pritej që kjo Republikë të përmbushte ato kërkesat bazike që shqiptarët e Kosovës i kishin ngërthyer në këtë ideal. Dhe tani, thuajse dyzet-e-tri vite pas demonstratave të 1968-ës për Republikën e Kosovës, sa prej këtyre kërkesave i ka përmbushur Republika e Kosovës që po e gëzojmë ne sot?!

Në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, valëvitet flamuri i kaltër, me një hartë të Kosovës dhe gjashtë yje. Flamuri kuq e zi ka mbetur përsëri në duar të popullit dhe duhet të ruhet nga populli e jo shteti. Për shtetin, ai është flamur i një shteti tjetër. Por, për popullin ai është flamuri i tyre, është identiteti i tyre që nuk mund të shlyhej as nga krali as nga sulltani.

Në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, përdoren dy gjuhë zyrtare në nivel nacional – shqipja dhe serbishtja, kurse ne nivel lokal edhe gjuhë tjera si turqishtja apo edhe boshnjakishtja. Serbishtja bile është në qirilicë dhe si e tillë paraqitet në çdo dokument zyrtar të Republikës sonë, si psh. në pasaporta, letërnjoftime, etj. Në të njëjtën kohë, shqiptarët e Luginës nuk gëzojnë as çerekun e të drejtave që kjo Republika jonë moderne u ka dhënë serbëve pakicë të Kosovës.

Në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, zot shtëpie me mandat ekzekutiv është Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, i cili, në mes të drejtave të tjera, ka edhe të drejtën që të largojë nga pozita secilin zyrtar të Kosovës nëse ai ose ajo besohet të ketë shkelë mbi Pakon e Ahtisaarit. Tutje, Kushtetuta e Kosovës përcakton se pa votën e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, Republika e Kosovës nuk mund të marrë vendime të rëndësisë së veçantë, siç është psh ndryshimi i kushtetutës. Kush qenka zoti i vërtetë në këtë vend?!

Në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, përparësi në punësim (veçanërisht në atë shtetëror) u jepet minoriteteve. Në përgjithësi, në Republikën e Kosovës tregu i punës, edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës, mbetet shumë i varfër, dhe ambiciet e njerëzve që të ikin nga Kosova sa shkojnë e rriten. Kurbeti përsëri ka mbetur një rrugëdalje për jetë më të mire, eventualisht. Shikoni numrin e shqiptarëve të Kosovës që u pajisën me pasaporta serbe vetëm e vetëm që të udhëtojnë pa viza në Evropë! A thua pse?!

Në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, cilësia e arsimit është vënë në pikëpyetje pas “reformave” të ndërmarra në kohën e UNMIK-ut që ishin eksperiment në vete dhe që dëmtuan rëndë procesin dhe cilësinë e arsimit në Kosovë. Shikojeni kaosin që mbretëron në Universitetin e Prishtinës, mandej paramendojini problemet me Universitetin e Prizrenit, sfidat me rregullimin e shkollave e universiteteve private, dhe e shihni se në çfarë niveli është arsimi ynë! E nëse të gjithë kësaj i shtoni edhe përpjekjet për të ndryshuar planprogramet, e bile kohëve të fundit edhe tekstet e historisë, vendosni vet se çfarë po iu mësohet fëmijëve tuaj sot dhe kujt i shërbejnë këto mësime?!

Në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, dihet se problemet në sektorin e shëndetësisë janë marramendëse. Nëse ndonjëherë keni qenë të sëmurë dhe keni pasur nevojë për ndihmën e mjekut, e dini për çka e kam fjalën. Po ashtu, e dini se sa njerëz ikin jashtë shtetit për të kërkuar shërim, e sa të tjerë përfundojnë nën dhe se nuk kanë kushte për shërim jashtë vendi e nuk ka kushte as për shërimin e tyre brenda vendit. Nuk kam dyshim se secili prej juve e njehë dikë në rrethin e gjerë familjar apo shoqëror që ka kërkuar shërim jashtë vendit – posaçërisht në Shqipëri, Maqedoni, Turqi e bile edhe Serbi. A thua pse?!

E përfundshmit, në Republikën e Kosovës sot, zyrtarisht, shqiptarët janë vetëm një nga popujt e kësaj republike, janë vetëm qytetarë të këtij vendi multietnik. Dikur shqiptarët detyroheshin të prezantoheshin si jugosllavë e më herët edhe si arnautë, e tani me terme të sofistikuara të kohës së re, jemi bërë “evropianët e rinj”. Mirë, shqiptarët janë evropianë, por ndoshta janë ndër evropianët me të vjetër. E sa ironik është ky term kur vetëm shqiptarët e Kosovës, nga të gjithë vendet tjera në Ballkan, ende nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm nëpër Evropë?! A thua pse?!

Gati dyzet-e-tri vite pas demonstratave për Republikën e Kosovës të vitit 1968, Republika që kemi fituar është kjo! Është republikë që duket se lenë shumë për të dëshiruar. Është republikë që iu ka mundësuar një pjese shumë të vogël të shoqërisë pasurim të paskajshëm, gjersa shumicës së popullit asgjë më shumë se mbijetesë. Është një republikë që të ka zhveshur nga identiteti kombëtar dhe të nga ngërthyer në një ideal të ri, në një “evropian të ri” që siç duket duhet rritur për një kohë goxha të gjatë para se t’i mundësohet të futet në Odën e Madhe të Evropës (BE)! Është një republikë e shumëpritur, por e lodhur shumë. Është një republikë e shumë premtimeve, por e pak realizimeve. Është një republikë e idesë, por jo e realitetit. A thua a është kjo republika jote?!

(Autori është ligjërues i ekonomisë dhe politikës në Dalhousie University, si dhe president i Kolegjit Kanadez për Studime Ndërkombëtare në Halifax, NS, Kanada)

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij

Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Kalo në kategori