LAJMI I FUNDIT:

Në mes varësisë materiale e diktatit politik

Mediet dhe politika (1)
Gazetat dhe mediet elektronike të cilat i mbijetuan edhe represionit të Milosheviçit, duke e kundërshtuar me të gjitha format e mënyra, më vonë u detyruan të pushojnë aktivitetin, ose të kthehen nga subjektet politike a nga subjektet ndërkombëtare duke e mbyllur kaptinën e pavarësisë me të cilën dikur mburreshim.

Të gjitha mediet elektronike e të shkruara në Kosovë dhe në Shqipëri thonë se janë të pavarura. Disa prej tyre këtë “pavarësi” e deklarojnë shpesh, të tjerat e kanë në impresum, ndërsa asnjëra nuk thotë se është e varur nga ky apo ai subjekt politik a grup interesi. Por ky vetëdeklarim nuk nënkupton pavarësinë apriori. Përkundrazi, kjo përpjekje për imponim ve në dyshim pavarësinë e tyre. Pse kanë nevojë ta thonë që janë të pavarura, nëse vërtet janë të tilla? Çka përpiqen të fshehin kur e theksojnë një element që do të duhej të vetëkuptohej, meqë nuk janë organ i një partie, apo medium publik.

Prandaj, që në fillim do të duhej të definohej se cili është raporti i medieve me politikën? Çfarë marrëdhëniesh kanë mediet me shtetin dhe institucionet shtetërore? Sa janë të pavarura mediet elektronike e të shkruara dhe sa janë objektive? Cilit grupim a ngjyrim politik i takojnë? Kjo do të duhej të jetë përafërsisht ajo që nënkupton tema: “Mediet dhe politika. Por para se të bisedohet raporti i medieve me politikën, duhet të qartësohet edhe: ku qëndron vartësia e medieve nga politika- nga financimi, nga diktati apo nga përcaktimi i njëjtë polikë.


Me fjalë të tjera cili është ai faktor që e kushtëzon vartësinë e medieve nga politika, që këtu nënkupton partinë në pushtet, apo partitë politike në përgjithësi, qofshin ato edhe në opozitë. Ndërkaq, grupet e interesit mund të mos hyjnë në këtë mes, nëse nuk kanë interesa ekonomike, por edhe grupet e interesit kur qëndrojnë prapa një gazete a televizioni, të njëjtën funksion kryejnë: përgatitjen e opinion politik për një qëndrim të caktuar që u shkon për shtat atyre, sepse edhe me një vendim politik realizohet pastaj interesi i tyre ekonomik për një projekt apo për një program të tërë ekonomik që tumiret nga shteti.

Grupet e interesit a gjigantët ekonomik investojnë në medie për të realizuar përfitimin ekonomik dhe pastaj për të realizuar edhe fuqinë politike, përmes forcës ekonomike.

Pavarësia reale dhe fiktive e medieve

Mediet bartin mesazhin e caktuar të cilin pastaj ia japin në vlerësim të gatshëm apo të dhënë me ekuivoke opinionit publik. Se a është ajo porosi e partive politike, e qytetarëve të zakonshëm, e liderëve autoritativ, e grupeve të interesit a individëve me nam, është çështje tjetër.
Thuhet se qëllimi parësor i medieve elektronike e të shkruara është lajmi, pra informimi. Mirëpo, me ose pa qëllim harrohet fakti kryesor se përmes transmetimit të lajmit apo plasimit të informatës në opinion, bartet edhe qëndrimi i caktuar i pronarit të gazetës, a medies elektronike, i grupeve të interesit, partive politike dhe liderëve. Çdo lajm ka ngjyrimin e vet politik, ose mund t’i jepet ngjyrim politik, nëse këtë e pretendon media.

Natyrisht edhe mediet pretendojnë të bëhen të pavarura, kur kanë mundësi, por edhe shtresa intelektuale, opinioni demokratik dhe analistët në përgjithësi e mbështesin dhe e gjakojnë medien e pavarur, sepse sa më të pavarura që të jenë mediet elektronike e të shkruara, aq më të fuqishme janë në korrektimin e veprimeve e të aktiviteteve të partive politike, të grupeve të interesit apo të veprimeve e të vendimeve të institucioneve shtetërore, në të mirë të popullatës.

Mirëpo, pa pavarësimin ekonomik është i pamundur që ta kenë pavarësimin politike, pra mediet janë të pavarura atëherë kur kanë mjetet e veta të fituara nga puna e tyre, nga marketingu, shitja a shërbimeve tjera. Ndërkaq, nëse këtë pavarësi nuk e kanë, s’kanë se si të jenë të pavarura, sepse ai që ua jep mjetet, pra ai që ua paguan rrogat, i heq shpenzimet e shtypit a të transmetimit, ai e dikton edhe politikën redaktuese, e dikton kahen e zhvillimit të gazetës dhe mënyrën e intonimit e të plasimit të lajmit dhe të komenteve. Ai e krijon opinionin publik politik dhe u prinë vendimeve politike, varësisht nga fuqia transmetuese dhe nga tirazhi i gazetës.

Objektiviteti absolut është postulat i synuar, por kurrë nuk mund të arrihet, megjithëse edhe kjo gjë është relative, çka nënkuptojmë me objektivitetin dhe paanshmërinë. Është më rëndësi që objektiviteti dhe paanshmëria duhet të synohen vazhdimisht dhe në çdo kohë. Kur gazeta ka afri me një përcaktim politik, kjo ende nuk nënkupton varësinë nga ai përcaktim derisa nuk e ka diktatin e atij subjekti.

Ndikimi i medieve është i jashtëzakonshëm për të mirë dhe për të keq. Mirëpo, mos të harrojmë se në shoqëritë pak më të mbyllura, ekziston edhe komunikimi tjetër, ai interpersonal, i cili e pengon efektin e synuar të porosisë së bartur përmes radios, televizionit apo të gazetave, sepse shoqëritë e mbyllura janë mësuar me mosbesim, qëndrim sipas tyre kundër tyre, apo që jo rrallë mesazhin e synuar ta lexojnë edhe në mes të rreshtave, prandaj me rezerva e mosbesim e presin çdo mesazh, i cili u ngjallë dyshim.

Është po ashtu ideal i synuar i medieve t’u prijnë ngjarjeve e fenomeneve, sidomos zhvillimeve të hovshme, por është fatkeqësi nëse mediet mbeten në bisht dhe vetëm informojnë për këto ngjarje e fenomene, pa qenë në gjendje që të kryejnë një mision më të rëndësishëm, kultivimin e opinionit publik.

Si paraqitet gjendja në Kosovë?

Gati të gjitha partitë politike më të mëdha në Kosovë kanë ndikimin e vet më të madh apo më të vogël në mediet elektronike e të shkruara. Gati të gjitha partitë politike kanë gazetat e tyre dhe televizionet. Madje kjo garë për medie ka qenë e madhe, për jetë a vdekje në mes të partive politike që nga viti 1999, të vetëdijshme për peshën e fjalës publike dhe për mundësinë e ndikimit politik, pra edhe për marrjen e pushtetit me propagandën e synuar pa pagesë apo me çmim më të vogël, që është synimi kryesor i të gjitha partive politike.

Falë këmbënguljes dhe lojërave të tjera tash ato subjekte e kanë shtrirjen e vet horizontale e vertikale, kanë ndikimin e vet, kështu që është vështirë të thuhet se ka medie të pavarura, financiarisht apo politikisht. Edhe ato medie të cilat nuk patën sukses në zgjedhjet e fundit me subjektin politik që e mbështesin, prapë bëjnë politikë që të krijojnë opinion për të ardhmen, duke peshkuar në gabimet e partive në pushtet për të imponuar pastaj programin e liderit që e mbështesin, apo programin tjetër që është i kundërt me partitë e tjera.

Por kemi edhe medie që financohen nga subjektet ndërkombëtare, madje janë tepër të privilegjuara në raport me mediet që financohen nga subjektet “lokale” pra subjektet vendëse. Si do të duhej trajtuar këto medie? Të pavarura, të dirigjuara apo të varura nga të huajt? Të gjitha së bashku dhe të pavarura nga opinioni vendës. Edhe ato medie janë të varura, janë të dirigjuara, që kultivojnë një frymë të caktuara të diktuar nga financuesi i jashtëm. Madje ndonjëra syresh financohet për të krijuar opinion për kombin surrogat “kosovarë”.

Mediet e partive politike

Partitë politike në Kosovë më shumë apo më pak e kanë shtrirë ndikimin e tyre në medie përmes grupimeve dhe orientimit politik. Përmes promovimeve politike, mesazheve të paguara të marketingut, kryejnë të njëjtin funksion, por në një formë tjetër pak më të zbutur dhe jo në formën tradicionale kur lideri del nga zyra apo kur spikerja lexon se çfarë bëri a çfarë tha akëcili lider.

Krahas kësaj janë themeluar gazeta a medie, të financuar nga buxheti i partisë për të transmetuar mesazhet, për të krijuar opinionin dhe për të pasur pastaj përmes këtij opinioni ndikimin e tyre. Janë edhe format e tashme të dhënies së reklamave e të marketingut mjet i fuqishëm diktues që e rrezikon seriozisht pavarësinë e medieve elektronike e të shkruara.

Një burim i rëndësishëm i marketingut, pra i të ardhurave të një mediumi është qeveria me konkurse, tenderë dhe me shpallje të tjera milionëshe, që natyrisht asnjë gazetë në Kosovë nuk e refuzon, nëse i afrohet mundësia që t’i ketë ato reklama. Mirëpo, asnjë gazetë në Kosovë nuk rrezikon që për hir të paanshmërisë dhe objektivitetit të humbas reklamat, pra të bëhet kritike ndaj burimi më të fuqishëm të të ardhurave. Ky është njëri ndër kufizimet më të mëdha në objektivitet dhe në paanshmëri. Sepse, gazeta apo televizioni i tillë nuk mund të deklarohet i pavarur, nëse nuk ka qëndrim kritik ndaj qeverisë bie fjala, apo ndaj partisë a partive në pushtet.

Një monopol të këtillë e kanë edhe kompanitë e mëdha publike, të cilat kanë kapital të madh, bëjnë po ashtu reklama milionëshe dhe natyrisht diktojnë në pjesën më të madhe medieve në Kosovë. Të tilla janë PTK-ja, Aeroporti, KEK-u, IPKO etj që kanë ndikim e tyre në media. Janë të pakta ato medie që i rezistojnë joshjes së kapitalit nga marketingu, duke rrezikuar me plasimin e ndonjë shkrimi i cili nuk u shkon për shtati këtyre financuesve të fuqishëm. Ato nuk kanë nevojë të bëjnë gazetën e tyre, ato i kanë të gjitha gazetat, apo shumicën e medieve nën ndikimin e tyre.

Kultivimi i kulturës demokratike

Mediet nuk duhet të jenë vetëm regjistrues të lajmeve e të fenomeneve, ato duhet të përpiqen të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në opinionin, të cilit i referohen në shumë plane: në kultivimin e kulturës politike demokratike, në ngritjen e vetëdijes qytetare për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të luftuar shëmtitë, në ngritjen e vetëdijes kombëtare e qytetare, në mënyrë që opinioni të ngritët dhe të avancoj për të qenë më të aftë për sfidat e shekullit XXI. Por kjo bëhet kur ka pluralizëm mendimesh, shumësi mediesh dhe sidomos medie të pavarura që marrin qëndrim kritik ndaj vendimeve politike apo vendimeve të partive në pushtet që bien ndesh me interesat e opinionit.

Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet kur bëhet seleksionimi i njëanshëm i lajmeve dhe i analizave, kur bëhet plasimi i individëve a grupe të njëjta, thua se një komb a një shtet ka mbetur në këta njerëz, ndërsa të tjerë nuk ka. Kjo gjë është e pranishme në mediet elektronike në Tiranë, kjo gjë është e njëjtë edhe në televizionet e Prishtinës, por ma merre mendja që as në Shkup nuk bëjnë shumë përjashtime, ose mbase e kam gabim.

Dhe ata njerëz që sonte i shikon në RTK, nesër do t’i shikosh në televizionet tjera në Prishtinë dhe në Tiranë, sillet një rreth i mbyllur, më i mbyllur se sa në kohën e komunizmit që të gjithë e shajmë me arsye. Ndërkaq, të njëjtit zor se mund të thonë diçka të re, por qendrave mediele a të shkruara më shumë u duhen, sepse kanë një ngjyrim të caktuar politik, duke i privuar të tjerët që ta thonë mendimin e tyre, apo duke e varfëruar mendimin politik, sepse opinioni nuk do te këtë rasti t’i shoh ata që mendojnë ndryshe.

(vijon)

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori