LAJMI I FUNDIT:

NATO, themel për stabilitet

NATO, themel për stabilitet

Për 65 vjet, NATO, aleanca më e suksesshme dhe e qëndrueshme në histori, ka shërbyer si themel për paqen dhe sigurinë transatlantike. Ndërsa, kërcënimet kanë ndryshuar formë dhe muret kanë rënë, aleanca ka vazhduar të jetë themel për stabilitetin dhe prosperitetin, e siguruar nga një angazhim i palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta demokratike dhe mbrojtjes kolektive.

Në Samitin e NATO-s në Uells, muajin e kaluar, udhëheqësit e NATO-s u bënë bashkë për të riafirmuar këto angazhime thelbësore në një pikë kthese strategjike në aleancë. Misioni luftarak më i madh dhe më afatgjatë – ai ISAF në Afganistan – i afrohet fundit këtë vit. Aleatët po përballen me sfida të reja sigurie, për sa i përket shtrirjes dhe kompleksitetit, që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe rritja e ekstremizmit të dhunshëm në periferi të NATO-s, deri te kërcënimet e reja, si sulmet kibernetike. Në të njëjtën kohë, vendet anëtare të NATO-s kanë filluar vetëm tani, ta marrin veten nga recesioni më i rëndë ekonomik në historinë e aleancës.

Samiti i Uellsit ishte i veçantë për nga rëndësia, pasi aty një NATO e bashkuar iu përshtat kërcënimeve të sotme dhe atyre që parashikohen në të ardhmen. Udhëheqësit e NATO-s filluan të marrin në shqyrtim sfidat aktuale të sigurisë me të cilat aleanca përballet.


Në fillim, aleatët u fokusuan mbi “punën e papërfunduar” në Afganistan. Për mbi 12 vjet, NATO ka punuar me autoritetet afgane dhe me partnerët për të krijuar një forcë afgane të sigurisë prej 350 mijë anëtarësh, duke krijuar kushtet e nevojshme për qytetarët afganë, që të ndërtojnë një të ardhme të sigurt dhe demokratike. Prova më e fundit e këtij përparimi është transferimi historik i pushtetit politik drejt udhëheqësve të rinj afganë.

Angazhimi i aleancës ndaj sigurisë dhe stabilitetit nuk do të përfundojë kur misioni luftarak i ISAF-it të marrë fund në dhjetor 2014. Tani që qeveria e re afgane ka nënshkruar marrëveshjet e nevojshme dhe ka ftuar NATO-n që të fillojë misionin post-2014, aleanca do të vazhdojë të trajnojë, këshillojë dhe asistojë forcat afgane të sigurisë.

Në Uells, aleatët dhe partnerët gjithashtu, ripërtërinë angazhimet e tyre financiare për të mbështetur forcat afgane të sigurisë dhe riafirmuan angazhimin e tyre për të zhvilluar më tej në afat të gjatë një partneritet të qëndrueshëm me Afganistanin. Udhëheqësit haptazi pranuan se shumë punë mbetet për t’u bërë; sfida politike, ekonomike dhe ato të sigurisë shtrihen para nesh. Por, NATO do të vazhdojë të mbështesë popullin afgan, duke ruajtur arritjet e 12 vjetëve të kaluar dhe duke siguruar për ta mundësitë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Udhëheqësit e NATO-s, më tej e kthyen vëmendjen ndaj fqinjëve lindorë të aleancës, ku agresioni i Rusisë ka sfiduar qëllimin themelor të një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Në një takim me presidentin ukrainas Poroshenko, aleatët dënuan veprimet e Rusisë dhe afirmuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të atij vendi.

NATO përcaktoi një paketë konkrete mbështetjeje financiare në fusha funksionale, të cilat Ukraina i ka identifikuar si kritike, duke koordinuar ndërkohë mbështetje dypalëshe nga aleatë të veçantë dhe duke rakorduar ofertat e mbështetjes me nevojat specifike. Duke u përballur me sfidën më serioze të sigurisë që nga rënia e Murit të Berlinit, 25 vjet më parë, 28 aleatët u përgjigjën në mbështetje të Ukrainës.

Në një sesion të veçantë, udhëheqësit e NATO-s diskutuan spektrin e plotë të sfidave të sigurisë. me të cilat aleanca përballet në periferi të saj, me një fokus të veçantë te Siria, Iraku dhe kërcënimi në rritje që ISIS paraqet për rajonin. Ata ranë dakord që kërcënimi i ISIS-it duhet të përballohet nga një koalicion i gjerë ndërkombëtar që përfshin vendet në rajon dhe ku NATO mund të luajë një rol mbështetës. Pas vlerësimit të kësaj game të gjerë sfidash të sigurisë, udhëheqësit vazhduan duke marrë vendime konkrete për të adresuar këto sfida në mënyrë frontale.

Pikësëpari, aleatët riafirmuan angazhimin e hekurt ndaj mbrojtjes kolektive – misioni qendror i NATO-s – ku një sulm mbi njërin konsiderohet sulm mbi të gjithë. Udhëheqësit ranë dakord mbi një plan veprimi gatishmërie që përfshin ndryshime brenda aleancës që i përgjigjen drejtpërsëdrejti sfidave të sotme të sigurisë, jo vetëm në Lindje, po kudo ku ato mund të shfaqen. Nën këtë plan veprimi, NATO do të vazhdojë të mbështesë masat e veta garantuese në Lindje për sa kohë të jetë e nevojshme. Stërvitjet detare, tokësore dhe ajrore do të vazhdojnë nga Deti Baltik deri në Detin e Zi për të demonstruar se NATO i merr seriozisht angazhimet e tij të mbrojtjes.

Plan i Veprimit, gjithashtu, e përshtat strukturën e forcave të NATO-s ndaj realiteteve të reja, duke përfshirë një sërë bazash pritjeje përgjatë kufijve lindor të aleancës, të përgatitur për të pranuar përforcime të reja, operacione dhe stërvitje të komandës dhe pajisje e furnizime të gatshme për përdorim. Aleatët ranë dakord për të reformuar Forcën e Gatshme të NATO-s, një forcë shumëkombëshe dhe e përhershme që përfshin forca tokësore, ajrore, detare dhe të operacioneve speciale – në mënyrë që aleanca të jetë më mirë e pajisur për kërcënimet e sotme. Këto reforma përmirësojnë kohën e vënies në gatishmëri, në mënyrë që aleanca t’i përgjigjet me forcat më të përshtatshme, më shpejt dhe me më shumë eficencë krizave potenciale.

Në samit NATO gjithashtu ndërmori hapa të rëndësishme për të forcuar partneritetet. Përgjatë dy dekadave të fundit, mbi 40 vende partnere, nga Skandinavia deri në Afrikën e Veriut, nga Lindja e Mesme deri në brigjet e Paqësorit kanë përforcuar operacionet e aleancës dhe kanë kontribuar për diversitetin politik të saj. Në Uells, aleatët krijuan mundësi të reja për partnerët që të ruajnë arritjet e vështira në ndërveprim që u zhvilluan gjatë dy dekadave operacionesh në Ballkan, Afganistan, Libi dhe gjetkë. Si një investim në partnerët, NATO miratoi dy programe të reja: një për të rritur aftësitë e partnerëve më ndërveprues, që të punojnë në mënyrë më efikase me aleancën, dhe së dyti, një program për të ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së partnerëve, që kërkojnë asistencën e NATO-s.

Së fundmi, duke pranuar faktin se siguria kërkon investime, të 28 udhëheqësit aleatë bënë zotime konkrete për shpenzimet për mbrojtjen, i pari angazhim i këtij lloji në nivel kryetarë shtetesh. Ndërsa vendet anëtare të NATO-s dalin nga kriza më e keqe ekonomike në historinë 65-vjeçare të aleancës, udhëheqësit ranë dakord t’i japin fund tendencës për të shkurtuar buxhetet e mbrojtjes, dhe të synojnë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në terma realë, ndërsa ekonomitë marrin veten, dhe të lëvizin drejt objektivit të NATO-s për shpenzime mbrojtjeje në masën 2 për qind të PBB-së brenda një dekade. Këto burime do të bëjnë të mundur zbatimin e vendimeve të marra në samit.

Në Uells, presidenti Obama e përshkroi këtë moment në historinë e NATO-s si “një periudhë tranzicioni dhe testimi”. Në samit, udhëheqësit tanë u përballën me një rang të gjerë sfidash dhe u përgjigjën me solidaritet, vendime konkrete dhe zotime për të siguruar që NATO të ruajë rekordin si aleanca më e suksesshme dhe më e qëndrueshme e historisë.

(Autori është Ambasadori i SHBA-ve në NATO)

Në trend

Më shumë
E konfirmon Trump: Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës

E konfirmon Trump: Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës

Botë
Dëshmitari i akuzuar për spiunazh: Na ofruan para që vëllai ta tërheq deklaratën e dhënë lidhur me shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”

Dëshmitari i akuzuar për spiunazh: Na ofruan para që vëllai ta tërheq deklaratën e dhënë lidhur me shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”

Drejtësi
Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

Boks
Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Kronika e Zezë
Pas dënimeve, Dodik: Nga sot më nuk ekziston Bosnja dhe Hercegovina që keni imagjinuar

Pas dënimeve, Dodik: Nga sot më nuk ekziston Bosnja dhe Hercegovina që keni imagjinuar

Bosnja
Trump ishte pajtuar me Putinin, por tani Rusia i 'hanë' fjalët për paqeruajtësit në Ukrainë

Trump ishte pajtuar me Putinin, por tani Rusia i 'hanë' fjalët për paqeruajtësit në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori