LAJMI I FUNDIT:

Motra Cristina në Itali dhe muxhahedini shqiptar në Siri

Motra Cristina në Itali dhe muxhahedini shqiptar në Siri

Risia më e madhe e edicionit të njohur “The Voice of Italy” gjatë këtij muaji, padyshim që mbetet 25-vjeçarja Cristina Scuccia, e cila ka shembur të gjitha paragjykimet! Motër Cristina është një zbulim nga i cili jo vetëm është sugjestionuar publiku italian, por edhe më gjerë.

Ajo përbën rastin e thyerjes së një tabuje, kur një motër në shërbesën katolike, pa braktisur veshjen tradicionale po kor sukses të pashoq dhe ka fituar zemrën e opinionit publik. Kjo simpati është shtrirë edhe në Shqipëri.

Një pranim i shkëlqyer edhe nga Kisha Katolike në përgjithësi. Asnjë reagim ndalues apo kontestim për këtë “dalje” nga tradita e heshtësisë klerikale prej 25-vjeçares, e cila zërin e sprovuar në koret e kishës e solli edhe në variantin tjetër, atë të interpretueses së llojeve dhe zhanreve të ndryshme të të kënduarit. Adhurimi për Cristinën është shtuar, por më shumë ajo po vlen si një rast shtues për adhurimin e mendjehapjes së dëshmuar nga krejt shërbestaria dhe drejtimi klerikal në Vatikan dhe më gjerë, në Itali.


Evropa ka shumë shembuj të tillë. Është shprehshmëri e një kulture të dëshmuar në raportet mes besimit dhe artit, mes kulturës dhe nevojës publike për të, mes fuqisë që mbart muzika për të komunikuar me njerëzoren dhe tejshtrirjen e zërit të muzikës si kod gjithënjerëzor. Është triumfi i shpirtit përmes muzikës dhe këngës, duke mbetur njëherazi, i pashkëputur nga idhullsia ndaj së perëndishmes.

Kjo ngjarje mbart rastet sinonimike në fqinjërimin italo-shqiptar. Nuk shkojmë thellë në mugëtirën e kohës së shkuar dhe në visin kohor të të pazbulueshmes. Por prej dëshmisë së thërrimtë të muzikës së Jan Kukuzelit e gjer tek Onufri ynë në Berat, trashëgimia mbart episode themelore të qenësisë dhe virtytit europianist. Afresket e Onufrit janë prova e tejjetshme e një triumfi kulturor mbi tabutë e besimit dhe hijerëndësisë së kishave. Tejkalimi i atëkohshëm i atyre tabuve e ngrenë sot Onufrin në kultin e gjenialit të meritueshëm të viseve shqiptare.

Në kohë më pasuese, më të freskëta dhe më gjurmëfreskëta, kultura dhe shërbestaria e përzier religjionare shqiptare ka lënë dëshmi edhe më befasuese, edhe më sfidante për të rejat dhe të papriturat në kulturën dhe ndërgjegjen tonë mikse fetare.

Në dy kryeqendra skajore të vendit, në fundvitet ‘800 dhe në dekadën e parë të viteve ‘900, përkatësisht në Janinë dhe në Shkodër dy prej shkollave me famë ballkanike u bënë vatrat historike të kultivimit dhe formimit të elitës intelektuale dhe fetare më të rëndësishme të një shekulli të sapombyllur. Gjimnazi “Zosimea” në Janinë ishte shkolla e disa prej rilindësve më të shquar të Rilindjes Kombëtare. Mes të cilëve shkëlqimtar Naim Frashëri dhe disa sivëllezër të sendërtimit të idealit kombëtar me fytyrë dhe brendi të huazuar dhe ndikuar nga rilindja evropiane. Ndërsa në Shkodër, shkolla e françeskanëve u shndërrua në një institucion me kalibër formues universitar, në të cilën shkëlqyen dhe rezonuan pjesa më famëmadhe e elitës kulturore dhe dijesore e këtij shekulli. Shumica e tyre ishin fretër dhe klerikë të cilët me fondamentin e tyre kulturor dhe kreativ ia bënë edhe më të padiskutueshme brendinë evropiane kulturës dhe ndërgjegjes sonë kombëtare.

Në ditë të sotme, kur trashëgimia dhe vlerat e bashkëjetesës religjionare shqiptare konsiderohen kampioni sfidant përballë realiteteve të ngatërruara nëpër vise të globit, befas nga pakujdesia apo arsye më të thella, po shpërthen alarmi për një rrezik radikalizmi dhe “hithrash” fetare që kërcënojnë shëndetin e sekularizmit dhe të europianizmit si frymë dhe nevojë e përbashkët në shoqërinë shqiptare.

Pluralizmi fetar zyrtarisht ishte vlera e munguar përgjatë gati 30 vjetëve të komunizmit. Pas viteve ’90 rikthimi i tij ngjau natyrshëm dhe investimi për institucionalizimin e tij duhet konsideruar më i rëndësishmi. Mirëpo kjo periudhë rikthimi, mbart edhe përvojën e naivitetit dhe besimit të molepsur, për të cilin elita e shoqërisë në përgjithësi dhe klerikalizmi elitar në vend në veçanti, po rezultojnë detyrë pakryer.

Lajmet për muxhahedinët shqiptarë që shtegtojnë të rekrutuar nëpër vise luftërash me palë të ngatërruara dhe me ide e qëllime të kokolepsura, janë pjesëza të një realiteti që mbulon përditshmëria jonë. Pasazhet e artikulimit të tyre dhe fragmentet e qarkulluara nëpër rrjetet sociale, na bëjnë thjeshtësisht të qartë se padija dhe grupet e padijes sa lehtësisht e verbërisht mund të indoktrinohen për llogari të tjerësh dhe për ideale të ngjashme me vise e komunitete të largëta sa vetë e huaja për shqiptarët. Nuk është ekzagjeruese të shtojmë se segmente, fragmente dhe imazhe në copëza talebanizmi po ekspozohen mjaftueshmërisht dhe jo plotësisht në realitetin e sotëm të vendit dhe shoqërisë. Ky kampion i frikshëm meriton reagime dhe sidomos bashkim të të gjitha institucioneve të religjioneve zyrtare në vend.

Por po kaq i rrezikshëm duhet konsideruar predikimi në gjuhë të tjetrit nëpër kishat ortodokse të vendit, gjuhë e cila tërthorazi dhe drejtpërdrejt zhbën edhe identitetin e kishës shqiptare.

Sikundër misticizmi i disa sekteve i cili rezultuaka të jetë mbulesë për një lloj rekrutimi që jo vetëm cenon ligjet dhe konventat e nënshkruara nga shteti ynë, por mbi të gjitha, sekularizmin, si vlerën më themelore të ekuilibrit dhe përmbajtjes evropiane të shtetit shqiptar.

Në këtë kontrast, Shqipëria e sotme i mbart të dyja brenditë, të njohurën dhe të lëvduarën dhe atë të fshehtën, të rrezikshmen dhe të panjohshmen për publikun e gjerë. Matanë mjekrave që mbartin të fshehtën e njohur pamjaftueshëm, le të shohim natyrshëm me skepticizmin tonë, se sa larg vetes dhe Evropës shkojmë. Asnjë mëdyshje nuk na vlen për këtë.

Sikundër po kaq i dëmshëm është arsyetimi se mërgimtarë të tillë idealesh në botë patëm edhe në periudhën e antifrankistëve gjatë Luftës Civile të Spanjës. Në thelb të këtij kontrasti qëndron indoktrinimi dhe verbëria e mbarsur me besim patologjik dhe pse jo edhe talebanesk. Shqiptarët ekuilibrin dhe qëndresën e vet e kanë përcaktuar drejt prej vetes dhe në referencë me veten. Huazime të ikjes prej kësaj trashëgimie në ditët e sotme, janë prova dhe sfida me pasojë njerëzore. Ato e ekspozojnë bashkëjetesën tonë para një rreziku të ngjashëm me rrezikun e vdekjes prej kamikazësh. Kamikazët të veshur me këtë “eksploziv” në mendje, janë shfaqur. Të ruhemi nga shpërthimi, mos kujtoni se janë larg nesh!

(Marrë nga: Gazeta Shqip)