LAJMI I FUNDIT:

Momente të reja politike për Kosovën

Pas mendimit të GJND-së se pavarësia e Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe sidomos pas Rezolutës serbe në OKB, Kosova duket të jetë në pozitën më të mirë politike se sa që optimistët e kanë parashikuar. Një pozitë e tillë është fryt i punës deri diku të mirë që ka bërë politika jonë pas shpalljes së pavarësisë e deri me sot, duke ndërtuar një shtet që pretendon barabarësi ndërnacionale dhe prosperitet të gjithanshëm për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Duke pasur në fokus të agjendës kujdesin për pakicën serbe në veçanti, si një grup etnik që mund të shërbejë si mollë sherri me Serbinë në njërën anë, apo si faktor stabiliteti i shtetit më të ri në botë, në anën tjetër, Kosova ka treguar largpamësi të vërtetë politike. Aktivitetet politike të qeverisë në këtë drejtim mund të thuhet se kanë tejkaluar parashikimet pozitive dhe se politika kosovare është në rrugë të mirë për të arritur paqen koekzistuese me këtë faktor. Evropa do ta kishte shumë më vështirë për ta bindur Serbinë të hiqte dorë nga Rezoluta e paralajmëruar që konfrontonte atë me perëndimin, sikurse politika kosovare në planin e përmendur të kishte qëllime serioze.

Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Zotit Hashim Thaçit se Serbia me pranimin e ndryshimit të Rezolutës e ka njohur de fakto shtetin e Kosovës, nuk shpreh saktësinë e gjendjes në rrafshin diplomatik të Serbisë, por nuk është kurrsesi qesharake siç ka pretenduar idershipi i AAK-së. Deklarata e Thaçit, është një deklaratë politike që megjithëse mund t’i bëhen vërejtje, në esencë shpreh momentin e ri politik të Serbisë në raport me Kosovën dhe paralajmërimin e një kursi të ri të diplomacisë serbe rreth këtij problemi.

Pse me deklaratën e tij, Thaçi ka pretenduar të arrijë efekte politike? Kosova është në një moment delikat politik pas këtyre dy ngjarjeve të favorshme për të, pra pas mendimit të GJND-së dhe të Rezolutës së Serbisë, përkatësisht Evropës në OKB. Ky është moment kur Kosova do t’i nënshtrohet një presioni të diplomacisë perëndimore që bisedimet teknike me Serbinë të komplimentohen me bisedime politike. Deklarata e Thaçit mundohet që duke komentuar sjelljen e lidershipit serb në OKB, të shkarkojë një barrë të këtij presioni nga supet e veta. Kjo do të thotë se Serbia ka pranuar që shpallja e pavarësisë së Kosovës është juridikisht në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe se më nuk mund ta kontestojë këtë akt.


Pavarësia e Kosovës është shpallur në bazë të Planit të Ahtisarit që rregullon të drejtën e pakicave etnike e në mënyre speciale të drejtat e pakicës serbe. Pra çdo gjë në këtë drejtim mund të llogaritet si punë e kryer, kurse Kosova mund të tregojë vullnet edhe më të shtuar për ta implementuar këtë plan. Kjo nuk arrihet pa përfshirjen aktive të pakicës serbe, prandaj gjëja e parë që duhet biseduar është se si të gjenden format që serbët e Kosovës së pari ta shikojnë planin e Ahtisarit që rregullon për mrekulli statusin e tyre politik në shtetin e Kosovës. Këtu ndihmën kryesore mund ta jep Serbia nëse tregon vullnet të sinqertë të dialogut. Pasi të shqyrtohet ky plan, serbët e Kosovës vështirë se do të kenë ndonjë kërkesë të re në shtetin e ri të Kosovës, sepse ky plan i ka plotësuar të gjitha. Nëse Beogradi zyrtar i fryn serish zjarrit të copëtimit të Kosovës, atëherë është përgjegjësi e politikës serbe që bën politikë dyfytyrëshe duke nënshkruar rezoluta që promovojnë paqe dhe duke vazhduar njëkohësisht me kryeneçësinë e saj destruktive.

Bisedimet duhet të shërbejnë si mjet që pakica serbe të integrohet më gjithanshëm dhe më fuqishëm në shtetin e Kosovës e kurrsesi që të ndihmojë tendencat destruktive të dekompozimit të shtetit të Kosovës. Me miratimin e rezolutës në OKB Serbia ka humbur argumentin kryesor, mbi të cilën kishte ndërtuar një platformë të tërë politike kundër Kosovës, po edhe kundër atyre që ndihmuan Kosovën në pavarësimin e saj. Shtesa në Rezolutë se Evropa do ta marrë rolin aktiv në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, formalisht nuk paraqet kurrgjë të re, pos vazhdim të agjendës evropiane në këtë plan për të cilën Prishtina zyrtare gjithnjë ka treguar respekt dhe mirëkuptim. Se a ka ndonjë prapavijë taktike ky zotim i Evropës për rol aktiv në këto bisedime, mbetet të shihet pasi të fillojnë bisedimet me Serbinë. Deklarata e Thaçit pretendon që t’i parandalojë efektet anësorë që mund të prodhojë formulimi i ri i Rezolutës serbe i aprovuar në OKB dhe ky është një konotacion gjithsesi pozitiv.

Në planin e brendshëm, përmes kësaj deklarate Thaçi pretendon ta relaksojë faktorin politik, por edhe opinionin kosovar se frika për nevoja të bisedimeve të reja rreth statusit të Kosovës ka përfunduar. Këtu ai tregon gatishmërinë për të qenë konsistent me deklarimet e mëparshme se biseda për statusin më nuk do të ketë. Pra, ai rikonfirmon zotimin e tij, i cili në rast se ndodh e kundërta do të ketë konsekuenca jo vetëm për Kosovën, por edhe për ardhmërinë politike të vetë Z. Thaçi dhe të funksionarëve aktualë politikë.

Dhe, më në fund kjo deklaratë është mesazh për politikën aktuale serbe që pas dorëzimit të armës kryesore më të cilën luftonte pavarësinë e Kosovës, hapi i ardhshëm logjik i kësaj politike do të ishte pranimi formal apo në gjuhën e kryeministrit Thaçi “de jure” i shtetit të Kosovës. Është interesante që si Thaçi mendojnë edhe opozitarët e Tadiqit në Serbi, kurse opozitarët e Thaçit në Kosovë kanë mendim të kundërt.

Unë besoj se edhe Thaçi e di se Serbia as faktikisht e as formalisht nuk e ka njohur Kosovën dhe as që ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë në një të ardhme të afërt. Deklarata e tij politike bazohet në situatën e re të krijuar pas Reazolutës së aprovuar në OKB , e cila në perspektivë vërtet nuk lë ndonjë hapësirë tjetër pos që Serbia të fillojë një frymë të re të koordinimit të aktiviteteve të veta me diplomacinë evropiane në vend të kursit të deritashëm, kur dukej se ajo afilonte më shumë me Rusinë. Qëndrimi i Evropës rreth Kosovës është i qartë dhe ajo e di që Kosova nuk do të pranonte koncesione të reja me Serbinë. Prandaj ajo që pritet në të ardhmen është që Serbia ta ndërrojë kursin e jo Evropa apo Kosova.

Megjithatë, ajo çka është më se e qartë është se Kosova po hyn në një fazë shumë të ndjeshme kur duhet ta kënaq garancionin evropian të shprehur në Rezolutën serbe për rolin e saj aktiv në dialogun e ardhshëm që së shpejti duhet të fillojë mes këtyre dy shteteve të pavarura. Opozita kosovare, përkatësisht AAK, duhet t’i harrojë paragjykimet e veta rreth rolit të dyshimtë të qeverisë në raport me Serbinë dhe t’i bashkohet asaj në përgatitjen e platformës për bisedime, po edhe ta marrë rolin dhe përgjegjësinë historike që i takon. Duke u bërë pjesë aktive e këtij dialogu që duket se do të jetë i pashmangshëm, ajo nuk e zbeh rolin e vet opozitar, por përkundrazi e përforcon atë. Le të vazhdojë lufta kundër qeverisjes së keqe, kundër korrupsionit e dukurive tjera negative, por le të gjendet një pikë, të paktën një pikë ku qeveria dhe opozita mund të bashkëpunojnë. Ka diçka që është në interes të të gjithëve dhe rreth të cilit duhet arritur pajtimi e ky është të qenit bashkë në momentet delikate për Kosovën.

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori