LAJMI I FUNDIT:

Mitrovica e Mostari

Në kohën e Perandorisë Osmane, kudo në Bosnje e Hercegovinë e veçanërisht në Mostar, muslimanët ishin pakrahasimisht më të pasur se të krishterët. Madje këtë diferencë sociale le që nuk kishte arritur ta zhdukte Jugosllavia e kralit serb, po as Jugosllavia komuniste e Titos. Por lufta e fundit dhe konferenca e Dejtonit le që e kishin zhdukur diferencën sociale që ishte në favor të popullsisë muslimane, por e kishin përmbysur atë thellë në favor të popullsisë së krishterë.

Konferenca “Uniteti e Pluraliteti në Evropë” organizuar nga Rusmir Mahmutcehajic, ish-zv/kryeministri i Bosnje e Hercegovinës, ishte rast i mirë për ta vrojtuar qytetin me të cilin shpesh e krahasojnë Mitrovicën.
Dalja nga autobusi në stacionin e autobusëve në Mostar me huton me pyetjen bërë vetvetes se në cilën pjesë të qytetit ndodhëm: në pjesën boshnjake a kroate.

Qyteti duket shumë më i vogël se Mitrovica dhe për dallim nga Mitrovica këtu ende duken shkatërrimet e luftës.
Jugu i Mitrovicës i djegur ne masën 80% është rindërtuar plotësisht ndërsa në veri të Mitrovicës, xhamia më e vjetër e qytetit dhe shumë shtëpi shqiptare, turke e boshnjake janë rrafshuar me buldozer dhe nuk dihet se 11 vite më parë ato kanë ekzistuar.


Në Mostar vëren shtëpi e ndërtesa të granatuara sa nuk mund t’i numërosh. Tjetra çfarë i dallon është pastërtia. Mostari dhe Sarajeva janë qytete pakrahasimisht më të pastra e më të gjelbëruara se Mitrovica e Prishtina.

Por si ta gjej se në cilën pjesë të Mostarit ndodhem. Për dallim prej Kosovës, ku shqiptarin e serbin mund t’i dallosh nga avioni, në Mostar kjo punë është e vështirë. E vetmja mënyrë për të gjetur se në cilën pjesë të qytetit ndodhem është t’i afrohem lumit Neretva dhe të shoh rrjedhën e saj.

Sapo bëj hapat e parë shoh në kodrën përballë një kryq të madh katolik. Kjo më jep idenë se ana përtej lumit qenka pjesa kroate kurse kjo këndej lumit pjesa boshnjake. Por këtë ide ma sfidojnë 10 minaret e xhamive që i shoh të jenë në të dyja anët e lumit. Më vonë kuptoj se në Mostar paskësh edhe po aq xhami tjera dhe se kufiri ndarës nuk qenka lumi por një rrugë në pjesën perëndimore mu ashtu si në Jerusalem.

Për dallim nga Mitrovica ku që të gjashtë xhamitë e qytetit janë rrafshuar me tokë gjatë luftës dhe të gjitha pos asaj në pjesën veriore janë rindërtuar, në Mostar janë rrënuar të gjitha urat dhe të gjitha janë rindërtuar.

Lë valixhen në Hotel “Bristol” dhe i futem kryq e tërthor Mostarit. Mbrëmja më zë në sheshin “Spanja” në pjesën kroate të Mostarit.
Një çift turistësh italianë po luante shah me figura të mëdha plastike në fushën e vizatuar në shesh. Më ftojnë edhe mua. Ende pa filluar lojën ia bëhen “rojat e urave”. Njëri prej tyre me cigare në gojë kërkon cigare. I vetëdijshëm se emri im mund t’i bëjë të mendojnë se jam boshnjak ia preva me kohë: “Unë jam shqiptar adhurues i Hitlerit dhe adhuruesit e Hitlerit nuk pinë duhan”.

Djaloshit i ngeli cigarja në buzë, nuk dinte se nëse duhej ta hidhte apo jo cigaren si ustash i përbetuar e adhurues i Hitlerit. Natyrisht, kjo formulë më liroi nga pyetjet e mëtutjeshme. Dyshimi i tyre vazhdoi me turistin Italian derisa u gjend njeri që dinte italisht dhe u tha “e sigurt se nuk janë bali (boshnjakë)”.

Sapo përfundoi “intervistimi” i italianit në shesh ia behu një djalosh 17-18 vjeçar duke ulëritur i përgjakur në fytyrë. Dikush nga pleqtë pyet se çfarë ka ndodhur ndërsa disa fëmijë përgjigjen se “e kanë rrahur tanët se është musliman”. Ndonjëri nga pleqtë shprehë keqardhje, tjetri thotë se “mirë ia kanë bërë se çfarë ka dashur që ka ardhur këndej”, një tjetër qetëson ndërgjegjen se “do të hanë dajak edhe ata nga të tijtë”.

Në koktejin e hapjes së konferencës pos botës akademike marrin pjesë edhe ambasadorë e diplomatë tjerë të akredituar në Sarajevë. Sapo lexojnë bexhin tim ku shkruan edhe vendi nga vij (Kosova), diskutimi sillet rreth Kosovës. Të pranishmit rreth meje drejtohen me vëmendje nga unë në momentin kur njëri nga akademikët serbë tha se “Përendemi po përkrahë me fjalë Kosovën e po e mban me ndihma, por po investon më të madhe tek ne në Serbi”.

Thash se në këtë çfarë po thotë kolegu është edhe zgjidhja e gjithë problemit të Ballkanit. Mos investoni në Serbi. Ngrini me të marrëdhëniet diplomatike derisa Qeveria e Beogradit ta njeh pavarësinë e Kosovës e derisa ta dorëzojë Karaxhiqin e Mlladiqin në Hagë. Beogradi do të detyrohet të zgjedh mes Perëndimit dhe Rusisë dhe ai sigurisht se do ta zgjedhë Perëndimin. Kësisoj nuk do të keni problem as me Serbinë as me Rusinë.

Për një moment u stepën të gjithë. Vallë kaq e thjeshtë qenka zgjidhja? Ca nga intelektualët e politikanët boshnjakë më pyesin përse atëherë politikanët tuaj nuk bashkëpunojnë me ne në adresimin e kërkesave të përbashkëta bashkësisë ndërkombëtare?
Këtu e kam të vështirë të përgjigjem. Ua le fajin politikanëve boshnjakë që kanë më shumë vite përvojë në këtë drejtim se sa kosovarët.

Të nesërmen vizitojmë dy pjesët e Mostarit, një intelektual kroat më thotë shihe se sa më e pasur e e zhvilluar është pjesa kroate. Kjo sepse këta këtu shfrytëzojnë taksat që paguaj unë. Po po edhe ky i ha ca para të mia iu drejtua një prifti katolik të Sarajevës. Vërtetë dallimi social duket drastik.

Në kohën e Perandorisë Osmane muslimanët ishin pakrahasimisht më të pasur se të krishterët kudo në Bosnje e Hercegovinë e veçanërisht në Mostar. Madje këtë diferencë sociale le që nuk kishte arritur ta zhdukte Jugosllavia e kralit serb, po as Jugosllavia komuniste e Titos. Por lufta e fundit dhe konferenca e Dejtonit le që e kishin zhdukur diferencën sociale që ishte në favor të popullsisë muslimane, por e kishin përmbysur atë thellë në favor të popullsisë së krishterë.

Kjo më kujtoi një ngjashmëri me Mitrovicën. Pas luftës pjesa jugore e shkrumbuar nga zjarri po e merrte veten. Po qarkullonte paraja e cila mungonte në veri të Mitrovicës. Tani po ndodhë e kundërta. Në Jug të Mitrovicës po vlon fukarallëku në veri po qarkullon paraja. Qeveria e Sërbisë po investon në Veri të Mitrovicës, qeveria e Kosovës, le që tallet se investon në Veri po as në Jug të Mitrovicës. Përkundrazi buxhetin më të vogël Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës e kanë ndarë pikërisht për Mitrovicën.

Në Bosnje marr vesh se nuk bëhen diskriminime nga të tilla qeveritë konfederale, federale, kantonale etj, po diferenca vjen ngase Kroacia ndihmon kroatet, Serbia serbët ndërsa boshnjakët nuk ka kush t’i ndihmojë. Kur vjen puna të ndihmohen boshnjakët atëherë kjo ndihmë duhet të ndahet barabarsisht edhe tek kroatet edhe tek serbët.