LAJMI I FUNDIT:

“Minat” maqedonase…

Maqedonasit hedhin "mina", presin që në to ‘të shkelin’ shqiptarët, Njëra "shpërtheu",. Nga "xhuboksi" u nxor Enciklopedia maqedonase përplot gënjeshtra, shpifje e fyerje ndaj shqiptarëve. Provokimi tjetër, që ka prapavijën politike, është një kallëzim penal i dy partive maqedonase i dërguar në Prokurori se në këtë shtet të brishtë "25 për qindshi shqiptar nuk është i saktë", se "këtu rrojnë rreth 17 për qind shqiptarë". "Karta" e dytë doli në skenë që të neutralizohet ajo e para, e Enciklopedisë…

S’do mend, qëllimi është t’i nxisin shqiptarët, të dalin ‘jashtë rendit", në mënyrë që të paraqitet imazh i keq për ta, të thonë se shqiptarët po e destabilizojnë rajonin. Këtë dhelpëri e dinë edhe berberët, furrxhinjtë… e lëre më diplomatët. Andaj, duhet pasur kujdes të mos bihet në provokimet e ulëta.
Një gjë dihet. Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda.

"Ngreh e mos këput". Kjo është loja politike e dy politikanëve Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Kryeministri Gruevski nuk distancohet nga Enciklopedia, ndërsa Ahmeti i kundërvihet atij, kërkon distancimin dhe tërheqjen nga ky libër që fyen shqiptarët. Megjithëkëtë, në Tetovë, sot (29 shtator) është paralajmëruar protesta e shqiptarëve. Çfarë do të jetë kjo protestë, si do të rrjedhë, cilat do të jenë kërkesat e protestuesve, do të ndërhyjë, apo jo policia, kjo pritet të shihet.


Deshi s’deshi ta pranoj elita maqedonase, Enciklopedia është një material që "prodhon" krime, pasiguri në shtetin e brishtë. Si e tillë, ajo (Enciklopedia) sa më shpejtë të tërhiqet nga qarkullimi, kjo të bëhet në udhë gjyqësore, jo politike. Në politikë, politikanët i ndërrojnë llafet. Kjo është zgjidhja ideale nëse duam që kjo oazë e Ballkanit të jetë e qetë, pa trazira ndëretnike.

Zotërinj maqedonas, me këso ngarkesa, përçarje ndëretnike, nuk merret "bileta" për në Bruksel. Nëse gjendja vazhdon të jetë status quo, Maqedonia do ta ketë zor të hyjë në Bashkimin Evropian (BE).
Maqedonasit e frustruar, sadistët politikë, është mirë që të ‘zbresin në tokë’, të mos luajnë me zjarrë, të këndellën, më mirë tash, nesër është vonë.

Gruevski ka pranuar se janë fyer shqiptarët në Enciklopedi, por nuk është distancuar. Pse të distancohet kur e tërë kjo lojë është bërë me "izën" e tij. Kështu e kanë politikanët nuk i djegin duart, ngase e kanë mashën.

Akademikët, tipat si Bllazhe Ristevski e të tjerët, reagimin e trungut shqiptar dhe faktorit ndërkombnëtar, sikur i nënvlerësojnë, thuajse ata kanë monopol, s’bënë t’u përzihet politika, bën të hedhin baltë mbi shqiptarët, janë "institucion i pavarur". Shkenca nuk është monopol vetëm i shkencëtarëve maqedonas, por edhe i kolegëve, bashkëvendëseve të tyre, shqiptarëve. Merreni me mend, në këtë Enciklopedi ishin të përfshirë vetëm tre shqiptarë. Këta, shqiptarët bën vetëm amin, nuk i kundërshtuan kolegët për shpifjet dhe fyerjet që u janë bërë shqiptarëve.

Gruevski, Ristevski e të tjerët le ta ruajnë ‘për kujtim’ Enciklopedinë, ta mbajnë në shtëpitë e tyre. Ajo me çdo kusht duhet të tërhiqet, të mos dalë në qarkullim, të tërhiqet si tekst i ndaluar, tekst që nëse ndokush e përdorë, manipulon më të, të bartë përgjegjësi penale. Ligjet në një shtet normal s’janë lodra, me to të luan ndokush s’i t’i teket. Nëse ligjet s’i "prekin" maqedonasit, por vetëm shqiptarët, kësaj i thonë vrasje juridike. Në këtë kontekst, askush s’është mbi ligjin, shpatës së drejtësisë s’mund t’i shmangen as akademikët, as presidentët. Kështu është në shtetet demokratike me sistem të mirëfilltë juridik.

Edhe në Kodin penal të Maqedonisë janë të sanksionuara veprat penale të shpifjes, fyerjes… Nëse akëcili person shpif, apo fyen ndokë e "kap" ligji. Ndërkaq, akademikët maqedonas shpifën për historinë e shqiptarëve, këta s’bën t’i "kap" ligji, se bëhet kiameti. Veprohet sipas asaj, sajuesit e Enciklopedisë bën të shpifin, shqiptarët të ankohen, le të bëjnë protesta.

Akademikët maqedonas, që s’punuan me kokë të tyre, po ranë nën ndikimin e politikës, e kanë ngrënë karemin, shpifën edhe ndaj amerikanëve dhe britanikëve. Në Enciklopedinë e tyre shkruan se UÇK-ja në Maqedoni është stërvitur nga ushtarë të njësive speciale britanike SAS dhe oficerëve të ushtrisë amerikane. Theksuan se "janë trajnuar 7 mijë ushtarë të UÇK-së më 2001". Në letrën e përbashkët të Ambasadës Amerikane dhe Britanike në Shkup, dërguar ASHAM përgënjeshtrohet kjo e dhënë. "Qeveritë tona nuk trajnuan UÇK-në… Kërkojmë nga ju t’i tërhiqni këto pohime…", thuhet në letrën përgënjeshtruese të këtyre dy ambasadave.

Zotërinj akademikë, të kishit thënë "janë trajnuar 70 ushtarë…", kjo ndoshta do të ishte "përbi", por e keni tepruar, keni paraqitur shifrën 7.000, çka është tepër, tepër. Këto gënjeshtra s’i qon "as pampuri".
Luaje mace kryet e buallit! Akademikët maqedonas nuk iu frikësuan shqiptarëve. Ndërkaq, ranë në grackë, pikërisht nga diplomatët amerikanë e britanikë, të cilët ua nxorën rrenat për ledine.

Liderët partiakë në Maqedoni, jo vetëm Ali Ahmeti (BDI), por edhe Menduh Thaçi (PDSH) kategorikisht janë për atë që Enciklopedia të tërhiqet. Gazetat online, të hënën (28 shtator) kumtuan lajmin: "BDI tërhiqet, nuk mbështet protestën kundër enciklopedisë". Pra, luhet loja e Ahmetit sipas asaj "jam kundër Enciklopedisë, nuk dalë në protestë".
Ahmeti në intervistën për "Top Channeli-n" e Tiranës është shprehur se Gruevski duhet të dënoj këtë akt luftënxitës dhe enciklopedia të tërhiqet nga qarkullimi. Thënë thjeshtë, ai përmendi shprehjen "akt luftënxitës". Ndërkaq, ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko ka tërhequr vëmendjen: "Politikanët shqiptarë në Maqedoni duhet të kishin djegur në mes të Shkupit flamurin maqedonas në shenjë protestë ndaj Enciklopedisë".

Regjimi i Beogradit, i Boris Tadiqit, e solli fitilin në Maqedoni, maqedonasit e ndezën. Qëllimi s’ishte të shkruhet zi e terr vetëm për shqiptarët, por edhe për amerikanët, anglezë… Kur përmenden amerikanët dhe anglezët aludohet në NATO-n, ndaj së cilës Beogradi edhe sot ka aversion pse "ua ka mbajt anën shqiptarëve". Skenaristët serbë e maqedonas i kanë rënë të njëjtit tel që shqiptarët t’i nxjerrin si ‘element destabililzues".

Maqedonia ka dy nobelistë me prejardhje shqiptare, Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiu) dhe Ferid Muratin. Akademikët maqedonas iu shmangën fakteve, shtrembëruan personalitetin e Nënë Terezës, nuk e paraqitën identitetin e saj shqiptar. Iu shmangën këtij fakti, që të mos merr vesh bota se kush ishte ajo, thuajse për të s’kanë shkruar amerikanët, anglezët, gjermanët…. Në Enciklopedi është shtrembëruar edhe figura e heroit kombëtar shqiptar – Skënderbeut. Madje, për të qenë ironia edhe më e madhe, aty është shkruar se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë qenka bërë në vitin 1943!

Akademikët shpifën edhe ndaj Ali Ahmetit, njeriut të parë të UÇK-së, tash kryetar i BDI-së, e përshkruan si të akuzuar për krime të luftës, ndonëse nuk ka aktakuzë për të.
Sajuesit e Akademisë e dinë, apo s’donë ta pranojnë faktin se shenjtorja Nënë Tereze ishte bamirëse e njerëzimit. Andaj, ajo jo rastësisht nuk ishte, në 6 njerëzit e vetëm në botë, që kanë pasaportë nderi të SHBA-së.

Qytetaria e Nderit e SHBA-ve, deri në vitin 2008, u është dhënë vetëm 6 njerëzve në botë dhe një prej këtyre është shqiptare: Nënë Tereza. Shi për këtë hollësi informatën e publikuar në "Shekulli online", më 17.4.2009. Në këtë informatë përmendën edhe fituesit tjerë që e kanë qytetarinë e nderit: gjenerali Lafayette, një francez që shërbeu si oficer në Revolucionin Amerikan (1824), Winston Churchill, kryeministri britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore (1963), Raoul Wallenberg, diplomat suedez, që ndihmoi çifutët gjatë Holokaustit (1981), Wilson Penn, guvernatori i Pensilvanisë (1984), Hannah Callowhill Penn, gruaja e William Penn (1984) dhe në fund pason emri i Nënë Terezës (1996).

Jo rastësisht nuk u nxor nga "xhuboksi" as "karta" tjetër, ajo e një kallëzimi penal të dy partive politike – Lëvizjes Popullore të Maqedonisë dhe VMRO – Partia Demokratike të cilat kundërshtojnë "25 për qindshin zyrtar të shqiptarëve në Maqedoni". Këto dy parti kanë dërguar kallëzimin në Prokurori kundër siç thuhet sipas tyre falsifikimit të Regjistrimit të vitit 2002, ku shqiptarët zyrtarisht kanë dalë se janë 25 për qind. Sipas këtyre dy partive numri i shqiptarëve në Maqedoni është "vetëm rreth 17 për qind".

Mund të ndërhyjë ndonjë tregtar shqiptar, që t’i qetësoj maqedonasit e pakënaqur, të bëjë pazar me ta, t’u thotë: ‘për me i vu kapak kësaj pune, zgjatne dorën, po e lamë 20 përqind…’. Por me përqindjen e shqiptarëve në Maqedoni s’bëhet pazar! Së këtejmi, demografët shqiptarë në Maqedoni kanë pohuar publikisht se sikur të realizohet një regjistrim me mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtar, atëherë sigurisht shqiptarët do të jenë afër 40 për qind.

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori