LAJMI I FUNDIT:

Milaim Rama, në historinë e futbollit zviceran‏

Milaim Rama, në historinë e futbollit zviceran‏

Me 113 gola, mbi 355 ndeshje, Milam Rama luajti për 13 vite, 10 herë veshi fanellën e kombëtares zvicerane, duke u bërë futbollisti i parë shqiptarë që luajti për këtë përfaqësuese dhe i pari që luajti në një Kampionat Evropian, atë të vitit 2004.

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Milaim Rama, futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane, i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist në ndeshjen e Thunit përballë Zurichut në stadiumin “Arena”. Pas pjesës së parë që u mbyll me një rezultat 1: 0 për Cyrihun, në pjesën e dytë u shënua goli i barazimit dhe në minutën e 57-të Milaimi, i thotë fund futbollit, i cili për disa minuta u duatrokitë. Ai, tashmë, është pjesë e historinë së Thunit dhe gjithë Zvicrës.


Z. Rama, ju përgëzojmë suksese edhe në të ardhmen, para pak ditësh përfunduat karrierën tuaj në futboll. Si po ndjehesh?
Jam shumë i lumtur që kam bërë diçka të mirë, që kam qenë shembull për të tjerët, se me punë arrihet suksesi. Nuk gjej fjalë në këto momente, po e ndjej, se zemra po rrah shumë, edhe lotët po dalin, këto janë lot zemre, janë lot falënderimi për tifozët e shumtë nga e gjithë Zvicra, që vazhdimisht më kanë përkrahur, këta më kanë dhënë gjithmonë elan, që të jem i mirë.

A ka qenë e lehtë të arrish gjithë këtë sukses?
Nuk ka qenë e lehtë të arrish këtu që jam, falënderoj edhe ish-trajnerin tim, stafin, juve, që para shumë viteve më keni përkrahur dhe më keni ndarë edhe çmime, por edhe mediet tjera. Tash ky klub ka 6 shqiptarë, kjo është kënaqësi. Në stadium pashë edhe flamurin tonë kombëtarë dhe atë të Kosovës, kjo më dha edhe më shumë emocione, shihja lotët familjarëve të mi, por edhe të gjithë tifozëve; kjo është madhështia, modestia dhe kjo do të më mbajë krenarë gjithmonë.

Ku do ta shohim Milaimin?
Gjithsesi me futboll. Kam ca projekte, nuk dorëzohem lehtë, sepse zemra dhe shpirti më rrahë për futbollin.

Kur keni ardhur në Zvicër?
Jam larguar nga Kosova në vitin 1993, babai im punonte në Zvicër prej vitesh. Ne jemi nga fshati Zhiti, komuna e Vitisë dhe normalisht si shumë mërgimtarë të tjerë kemi ardhur për një jetë më të mirë.

Prej cilit vit keni luajtur në Thun?
Prej vitit 1997 deri më 2004 luajta në Thun, pastaj kalova te Augsburg, një vit në Schaffhausen dhe sërish u ktheva tek Thuni (2006-12).

Kur keni qenë më në top formë?
Kam qenë gjithmonë, sa herë që kam dalë në fushë, por vitet 2001-2004, kanë qenë vitet më të mira; atëherë, vërtet kam shkëlqyer.

Ju ishit sulmuesi kryesor që kthyet Thunin në elitën e futbollit zviceran?
Po, ashtu edhe më kanë thënë e gjithë kryesia dhe ma thonë edhe sot e kësaj dite. Kam qenë sulmuesi kryesor që ktheva Thunin në elitën e futbollit zviceran pas 47 vitesh pritjeje, isha kryesori sepse i shënova 25 gola në atë stinor.

Sa ndeshje i keni luajtur?
Tifozët i dinin mirë, ata kishin përgatitur pamflete të mëdha, që shiheshin nga katër anët e stadiumit. Kam luajtur në 355 ndeshje.

Sa gola i keni shënuar?
Eh, golat, kjo është kënaqësia e çdo futbollisti, po 115 gola kam shënuar. Përpara, ekipi im Thun, kishte një stadium të vjetër që mbushej me tifozë, e tash, e kemi stadiumin me kushte shumë më të mira.

I ke ndërruar sigurisht fanellat me lojtarë të njohur?
Po, si çdo futbollist edhe unë kam ndërruar fanellat me plot yje të futbollit. Kjo ka qenë vërtet ëndërr e imja, që të luaja në stadiume të ndryshme të Evropës dhe botës.

Sa ndikon fati në lojën e futbollit?
Normalisht, se edhe fati është në pyetje në ndeshje. Por, duhen përgatitje dhe punë shumë serioze, ndërsa tek futbollisti është me rëndësi, në këtë rast, fati, që të mos ketë lëndime. Unë, shpesh jam lënduar dhe kjo ka ndikuar që të mos isha pjesë e ndonjë skuadre të njohur evropiane.

Ke pasur ftesa nga ndonjë ekip i njohur evropian?
Po, kam pasur, por ja që nuk pata mundësi të jem atje, por kryesore, në ekipin tim Thun, kam dhënë kontribut dhe kjo më bënë krenar për gjithë jetën.

Pse vendosët të ndaheni nga futbolli?
I dhashë fund karrierës, jo se nuk kisha opsione për të luajtur, qoftë në ligën e parë apo edhe të dytë, por sepse ndjeva që ka ardhur koha për një fazë të re në jetë, për projekte më të gjata jetësore.

Normalisht, se keni pasur takime me shumë futbollistë të njohur, cili ka qenë takimi që ju nuk do ta harroni për jetë?
Kam pasur mundësi të takoj shumë futbollistë të njohur, por me Zinedin Zidan, nuk do ta harroj asnjëherë. Ai vërtet ka qenë futbollist i madh dhe ka dhënë shumë në futbollin profesionist.

Krenoheni se jeni futbollisti i parë shqiptarë që keni luajtur për kombëtaren zvicerane?
Gjithsesi, krenohem. Falënderoj trajnerin e kombëtares zvicerane, ekipin dhe lojtarët, sepse më është dhënë mundësia që të luaj edhe unë në këtë kombëtare. Ka qenë një eksperiencë e madhe për mua dhe nuk do ta harroj asnjëherë.

Sa ndeshje i ke zhvilluar për kombëtaren e Zvicrës?
Kam luajtur në shtatë ndeshje. Çdo ndeshje ka pasur një histori në vete, e kjo histori është e veçantë.

Keni luajtur në Kampionatin Evropian të vitit 2004. Çka ju kujton ajo kohë?
Në atë kampionat kam takuar shumë futbollistë, trajnerë, ekspertë të futbollit dhe kam shfrytëzuar rastin që gjithmonë, kudo që isha, të flas për Kosovën, për shqiptarët.

Në stadiumin e Gjenevës, trajneri nuk ua dha mundësinë të luani kundër Shqipërisë. Iu patët gëzuar këtij vendimi?
T’ua them të drejtën, kur kam veshur fanellën e kombëtares zvicerane, me shpirt dhe zemër kam dashur të jetë fituese gjithmonë Zvicra. Por, gëzohem shumë që nuk kam luajtur, sepse vetëm kur u ekzekutua himni kombëtar shqiptar, mua trupi m’u dridh i tëri, isha me shumë emocione, gati sa nuk më dolën lotët. Prandaj, më mirë që nuk kam luajtur, sepse kishte me qenë shumë e vështirë, por loja është lojë.

Sa ka qenë e vështirë të fitosh numrin 9 të fanellës?
Shumë e vështirë, por me punë e kam arritur dhe shokët e ekipit më kanë përkrahur.

Sa vjet keni luajtur në Thun?
Në këtë klub kam luajtur 13 vjet.

Ke dëshirë që fëmijët tuaj të merren me futboll?
Djali edhe vajza merren me futboll, ata po ushtrojnë në Thun. Unë si prind, e kam për detyrë t’i dërgoj nëpër klube sportive dhe ata vendosin për fatin e tyre. Mundësitë në Zvicër janë të mira, prandaj, pse të mos i shfrytëzojmë.

Nëse do të marrësh ndonjë ofertë nga FC Thun për të dhënë kontribut, do të kishe pranuar?
Deri tash nuk kam marrë, edhe pse kam disa oferta tjera nga klube që nuk e kam pritur. Unë kam dhënë shumë për këtë klub dhe normalisht, se do të kisha pasur dëshirë të jap kontribut, por do të shohim në ditët në vazhdim se çka do të bëhet.

Gjatë karrierës suaj iu ka mbetur peng ndonjë dëshirë?
Dëshira ime më e madhe ka qenë të jem pjesë e kombëtares së Kosovës ose Shqipërisë.

Prisni ndonjë ftesë nga këto kombëtare?
Së pari, më duhet të pushoj dhe pastaj të vendosi. Kryesore është se nuk do të ndahem nga futbolli, me shpirt dhe zemër, besoj se diku do të jap kontribut.

Sa je i kënaqur me futbollistë e rinj që tash më janë bërë emër jo vetëm në Zvicër, por edhe në klube të njohura?
Gëzohem mjaft kur shoh, sepse janë jo më pak se njëzetë dhe në të ardhmen shpresoj se do të rritet numri i tyre. Bashkatdhetarët kanë dhënë provimin e dëshmisë në futbollin zviceran.

Si e sheh të ardhmen e futbollit në Kosovë?
Kemi shumë talent futbolli, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Do të mundohem edhe unë me kontributin tim të jem sa më afër vendlindjes për të kontribuar.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave

Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave

Turqia
Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

La Liga
Kalo në kategori