LAJMI I FUNDIT:

Mendime të komplikuara nga qyteti

Shpesh na ndodh që në jetën e përditshme të përballemi me sfida të ndryshme. Herë të lehta, herë ca më të rënda dhe, të paktën si qytetarë, me kohë fitojmë zotësi e shkathtësi që me sa më pak efekte negative të gjejmë zgjidhjen më pozitive. Qytetaria është të jetuarit bashkë me të tjerët, në të mirë e në të keqe, me tolerancë, mirëkuptim, bashkëpunim dhe respekt. Politikani modern duhet patjetër që të jetë i qytetëruar, ndërsa mund të jetojë kudo, në qytet, fshat, thellë në mal, në pallat, në shtëpi, në kasolle e kudo tjetër.

Ne qytetarët i kemi ngritur disa njerëz në tempujt e përfaqësimit të shtetit dhe ata kohëve të fundit janë në rrugë e sipër së kërkuari ndihmë, mendime, plane, projekte, platforma, bashkëpunëtorë të ndryshëm, për të arritur tek bisedimet politike me shtetin fqinj, Serbinë. Ato bisedime shihet qartë se do të ndodhin, në mos paçin ndodhur tanimë!

Sepse, si entitet në Jugosllavinë e dikurshme, herë me më pak e herë me më shumë të drejta e shumë herë krejt pa to, Kosova dhe populli i saj ka bërë dialog të vazhdueshëm politik, pikërisht me Serbinë e cila madje edhe sot Kosovën e pretendon për të veten. Këtë nuk e di se kush mund ta mohojë! Se si ishte dhe se si është paraqitur ai dialog është këngë tjetër, ai dialog ka ekzistuar. Ajo që është e rëndësishme, ai dialog e ai “dia-log” e solli Kosovën këtu ku është, të pavarur, gjysmësovrane, e njohur nga shtete, që krahasuar me punën dhe lobimin që e bëjmë, janë goxha shumë.


Kosova Republikë! Prapë bisedime! Komplikimi fillon këtu. Mendimet zgjohen nga kllapia dhe sikur në ndonjë demonstratë të dhunshme fillojnë të acarohen dhe humbet kontrolli. Godisin njëra tjetrën sikur vala shkëmbin dhe të forta siç janë të dyja, luftojnë deri sa të lodhen dhe gjithçka qetësohet më pas, për të nisur sërish më vonë. Mendime qytetari. Për bisedime politike. Në një kohë kur standardit super të ulët dhe izolimit XXL nuk iu shihet fundi. Në këtë kohë kur edhe shkolla edhe puna edhe drejtësia, të gjitha janë politizuar. S’ka se si të mos i shkoj mendja edhe për bisedime politike. Fundi i fundit krejt po e thonë që edhe bisedat e thjeshta janë bërë politike. Shkurt e shqip, interes. Bisedat e interesit. Për Zotin, nëse kjo del të jetë kaq e thjeshtë dhe del diçka, le të bisedojnë bre!

Nëse i përkthejmë mirë mendimet e qytetarit, dhe nëse para kësaj atë e kemi trajtuar mirë e i kemi ofruar komoditet në rrethin e tij, temat e tilla të nivelit “luksoz” janë të tepërta, për të mos thënë vdekje për të. Këto e të tjera si këto janë temat dhe preokupimi i shoqërive të lodhëta qytetare, kur pushteti e qeveria, në mungesë e në mosdashje të punës së mirëfilltë, fabrikojnë mendime dhe ua shesin ato qytetarëve. Në anën tjetër, qytetarët, gjithashtu në mungesë të punës e aktiviteteve dhe standardit meritor, si me pahir zhyten në to, duke u bërë politikanë të shtëpisë. Fabrikimi i tyre nga ana e qeverisë dhe vendosja e tyre në “tregun qytetar” nuk bëhet nga arsyeja se këto bisedime janë të pavlera dhe të parëndësishme. Përkundrazi, këto bisedime janë aq të rëndësishme, me përmasa shtetërore, por pasiqë dizajni i tyre besohet të jetë i përfunduar, atëherë është e mirëseardhur që qytetarët edhe ashtu të lodhur, të vazhdojnë edhe më tej drejt rraskapitjes. Që të mos u shpëtojë asgjë përpos jetës së mirëfilltë qytetare, e cila iu mungon në masë të madhe.

Komplikimet vazhdojnë! Jo sepse qytetarët nuk duan të mendojnë për punë të mëdha shtetërore. Madje, janë ata më të eturit e më të mërziturit për Kosovën që ta shohin një ditë në Evropë. Mund të themi lirisht shumë herë më të etur e më të mërzitur sesa politikanët, por sepse qytetarinë duhet ta mbajnë e ta kultivojnë ata, me të cilët matet Kosova. Kosova matet me qytetarët e saj. Politikanët duhet të kenë kujdes se si i përfaqësojnë ata dhe vetat e tyre karshi botës. Zinxhiri qytetar-përfaqësim shtetëror lëngon nga defekte serioze, duke i vënë të gjitha barrët dhe duke e bërë të paguajë vetëm qytetarin.

Komplikimet vazhdojnë!

Në trend

Më shumë
Egli zbulon hapur produksionin e BBVA: Kemi firmosur kontratë që të mos e përmendim emrin e ish-partneres së Gjestit, 20 mijë euro është dënimi

Egli zbulon hapur produksionin e BBVA: Kemi firmosur kontratë që të mos e përmendim emrin e ish-partneres së Gjestit, 20 mijë euro është dënimi

Magazina
Bebe Rexha duket thuajse e panjohur pa makijazh rrugëve të Beverly Hills, pak kohë pasi prishi kontratën e saj me shtëpinë diskografike Warner Records

Bebe Rexha duket thuajse e panjohur pa makijazh rrugëve të Beverly Hills, pak kohë pasi prishi kontratën e saj me shtëpinë diskografike Warner Records

Magazina
Ambasadori gjerman largohet nga

Ambasadori gjerman largohet nga "X" dhe i bashkohet “Bluesky”, shkak përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave

Lajme
Vrasja në Skenderaj, gjithçka që dihet deri tani

Vrasja në Skenderaj, gjithçka që dihet deri tani

Lajme
Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit

Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit

Magazina
Kthimi i Ukrainës në kufijtë e para 2014 dhe anëtarësimi në NATO janë 'jorealiste', thotë Sekretari amerikan i Mbrojtjes

Kthimi i Ukrainës në kufijtë e para 2014 dhe anëtarësimi në NATO janë 'jorealiste', thotë Sekretari amerikan i Mbrojtjes

Evropa
Kalo në kategori