LAJMI I FUNDIT:

Mediat dhe personat me aftësi të kufizuar

“Njerëzit me aftësi të kufizuar nuk duan që të shikohen si objekte keqardhjeje dhe bamirësie, madje as të shikohen si superheronj. Ata duan të portretizohen si anëtarë të një shoqërie të emancipuar që pranon diversitetin”.

10 për qind është numri i përafërt i personave me aftësi të kufizuar që përfaqësojnë sot popullsinë në vendin tonë, si dhe një audiencë prej më shumë se 50 milionë njerëzish vetëm në vendet e Bashkimit Evropian. Sot, edhe pse kemi një treg potencialisht mjaftë të fuqishëm të mediave, personat me aftësi të kufizuar janë mesatarisht të dukshme në media, e shumicën e kohës edhe të harruar dhe në një mënyrë jo të mirë të trajtimit.

Roli i mediave dihet: është një instrument i fuqishëm për të krijuar një mentalitet dhe kulturë për të respektuar dhe njohur të drejtat e tyre në shoqëri – madje edhe për të ndryshuar qëndrimet dhe paragjykimet ndaj këtij komunitetit. Duke e njohur realitetin në shoqërinë tonë dhe paragjykimet ndaj personave me aftësi të kufizuar, padyshim që mund të themi se mediat kontribuojnë në mënyrë aktive integrimin në shoqëri. Që të kemi një trajtim të drejtë dhe të barabartë, konsideroj që kërkohet një ndërgjegjësim i gazetarëve që të merren me këtë çështje për të sensibilizuar opinionin mbi jetën dhe pozitën e personave me aftësi të kufizuar dhe të kontribuojnë në përmirësimin e imazhit ekzistues për ta; të rrisin vizibilitetin e këtyre njerëzve në të gjitha fushat; të mundësojmë pasqyrimin e përpjekjeve të tyre integruese, të rolit të tyre aktiv dhe vlerave shoqërore, pjesë e të cilave ata dhe familjet e tyre janë; të tërheqin vëmendjen dhe të vënë para përgjegjësisë institucionet e ndryshme që kanë përgjegjësi direkte për zgjidhjen e problematikave të aftësisë së kufizuar.


Andaj, për këtë është e rëndësishme promovimi i përpjekjeve të personave me aftësi të kufizuar mbi bazën e të drejtave që ata kanë, mbi bazën e dinjitetit që ata meritojnë dhe jo duke u nisur nga stereotipet negative apo mbi bazën e mëshirës për ta. Pra, mediat duhet të jenë avokati më i mirë i integrimit të tyre në shoqëri, duke pasqyruar pengesat e vështirësitë që personat me aftësi të kufizuar ndeshin në përpjekjet e tyre integruese. Tani problemet shëndetësore, ekonomike, sociale për personat me aftësi të kufizuar janë probleme të përfshira për zgjidhje në politikat qeveritare dhe është detyrë e medias të ndikojë në përshpejtimin e këtyre proceseve (pasqyrimi i problematikës së aftësisë së kufizuar nuk duhet të shikohet i shkëputur nga problematikat e tjera shoqërore).

Shumë vende të botës kanë adoptuar një legjislacion të plotë kundër diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara. Është momenti dhe koha ku kërkohet më së shumti që ky komunitet të prezantohet sa më shumë në media, pasi që sot kemi numër të madh të OJQ-ve që kanë ngritur produktivitetin e personit me aftësi të kufizuar në shoqëri, madje edhe krijimin e një infrastrukture ligjore në vend (ku u mundëson atyre që të gëzojnë të drejtën e shkollimi punësimit, shfrytëzimit të skemave sociale dhe shumë çka tjetër). Janë mediat ato të cilat duhet të kenë një koncentrim më të madhe drejt ngritjes së shumë çështjeve të cilat janë lënë anash.

Që të jemi real, aftësia e kufizuar normalisht që prezantohet në një masë të vogël në media. Duhet të jemi kritik ndaj angazhimit dhe prezencës sa më të madhe të mediave në aktivitete e tyre, ku dihet fakti që shumë aktivitete të tyre që janë të njohura dhe shumë pak janë të paraqitura në media. Paraqitja e personave me aftësi të kufizuar ka ndodhur që është prezantuar shpeshherë dhe rrallëherë si pjesë integruese e shoqërisë dhe më shumë është trajtuar aspekti social dhe pamundësia e tyre për të qenë pjese e barabartë e shoqërisë.

Të flitet dhe të shkruhet shumë për aftësinë e kufizuar në Kosovë nuk do të thotë monotoni, por domosdoshmëri, pasi që me të vërtet kemi nevojë për informacione mbi jetën dhe aktualitetin e tyre jetësorë.