Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës bota do të zhytej në kaos. E pohoj këtë bindje i mbështetur në shumë argumente historike.
Dihet botërisht se aleancat dhe koalicionet krijohen me qëllim të përfitimit material, territorial, apo çfarëdo përfitimi tjetër. Kjo është në rregull përderisa është përfitim reciprok.
Ata që e njohin sado pak historinë amerikane, jam i bindur se do të mendojnë përafërsisht kështu.
Formimi i SHBA-ve (1776) ndodhi pa bujë të madhe në atë kohë, sepse Evropa dhe bota e asaj kohe ishin të zhytur në luftëra, vrasje, prerje kokash, pushtime, shkatërrime, tmerre… thënë më ndryshe: ishte e zhytur në kaos.
SHBA, heshtur, mbështetur në vizionin e “Etërve themelues”, ndërtuan një perandori vlerash, jo mbi gjak e urrejtje, por bazuar në liritë themelore njerëzore, ide kreative dhe liri të mendimit. Shpirti i amerikanëve u la i lirë të veprojë mbi bazën e dijes dhe intuitës pozitive. Ligji ishte bazë e veprimit për të gjithë, pavarësisht pozitës shoqërore. Natyrisht pati edhe devijime, por shoqëria amerikane veproi mençur dhe me vendosmëri, duke u vetëpastruar.
Fillimisht zgjodhën të merren vetëm me veten. Me kalimin e kohës kjo u dëshmua jo efikase, sepse bota vazhdonte të jetonte nën pushtetin e dhunës dhe represionit. Mjafton të kujtojmë tragjeditë e popujve të vegjël, disa prej të cilëve më nuk ekzistojnë për shkak të egoizmit të të mëdhenjve dhe grabitqarëve.
Në këtë kontekst mjafton të kujtojmë historinë tonë, atë të shqiptarëve. Mjaftoi një ndërhyrje e vendosur e një presidenti amerikan (Wudrow Wilson), për t’i dhënë fund, mbase zhbërjes së kombit shqiptar. Në atë kohë amerikanët nuk kishin ndonjë përfitim të madh nga mbajtja e këtij qëndrimi. Kjo për shumë arsye të thjeshta: shqiptarët nuk kishin shtet të konsoliduar dhe ishin popull shumë, shumë i varfër. Mirëpo, ky qëndrim miqësor në atë kohë duket të ketë qenë shumë vizionar.
Amerikanët fituan simpatinë e shqiptarëve, duke qenë ndër kombet më pro amerikanë në botë. Për shqiptarët kjo ishte shumë e dobishme, sepse të gëzosh mbështetjen e një kombi të madh, të fuqishëm dhe me ndikim absolut, është më shumë se fat.
Por, si e arritën amerikanët këtë ndikim? Kjo pyetje ngërthen në vete shumë argumente historike dhe nuk është e mundur të dëshmohet në një shkrim të kësaj natyre. Ata, amerikanët, mençur zgjodhën politikën edhe të karotës edhe të shkopit. Gjithnjë duke llogaritur në interesat e tyre afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Mirëpo, në këtë rrugëtim përfituan edhe të tjerët.
Më të humburit qenë kombet apo qeveritë që shtypnin e shfrytëzonin pamëshirshëm popujt e vegjël, që robëronin e dhunonin njerëzit e varfër, ata që dëshironin të ndërtonin mirëqenien e tyre mbi fatkeqësinë e tjetrit. Në këto rrethana shpëtimtarët “të dërguar nga Zoti” shiheshin amerikanët. Historia jonë më e re e dëshmon këtë katërçipërisht. Madje edhe sot këtë mund ta vërtetojmë nëse vërejmë krimet, vrasjet, dhunën dhe absurditetin e luftës në Siri, Irak, në disa vende afrikane, ku po ndeshen idhshëm kulturat dhe besimet.
Ndërhyrja amerikane përsëri shihet si shpëtim ose si fatalitet. Derisa evropianët kujdesen më shumë për mirëqenien e tyre, në të shumtën e rasteve të ndërtuar mbi fatkeqësitë e popujve të varfër, që ata i konsideronin inferior, amerikanët vazhdojnë të përballen me këto sfida botërore. Natyrisht se këto fushata ushtarako-diplomatike janë të kushtueshme për popullin amerikan, mirëpo kanë logjikën e funksionimit të “rendit botëror”.
Pa këtë ndërhyrje bota do të zhytej në kaos dhe “fuqitë e së keqes” do të bënin kërdinë. Kjo më kujton thënien e rilindësit tonë Sami Frashëri, “… duhet ta kërkojmë me fjalë, por duhet mbajtur në dorë pushkën plot”.
Çuditërisht historia po përsëritet, vetëm se tani kemi aktorë të tjerë. E kemi të freskët ekspansionin ushtarak rus, ku në retorikën diplomatike shpesh përmenden edhe armët bërthamore. Ishte ideja naziste gjermane që e çoi botën buzë katastrofës njerëzore dhe me miliona të vdekur e të gjymtuar. Tani në skenë është një politikë rusomadhe, me synime të qarta ekspansioniste që e sfidon Amerikën, Evropën dhe popujt rreth Rusisë. Përsëri mendoj se varet nga qëndrimi amerikan çfarë kahe do të marrë ky konflikt.
Tani bota pyet: Si do të veprojë Amerika karshi këtij kërcënimi botëror?
Në këtë kontekst edhe faktori shqiptar gjithsesi që duhet të jetë i involvuar. Kërcënimi serb vazhdon të mbetet tepër serioz dhe ne kemi përgjegjësitë tona, si komb i “shpëtuar” nga amerikanët kohë më parë dhe tani në historinë më të re të përjetuar nga ky brez.
Rreshtimi në aleanca nganjëherë është dëshmuar shumë i gabuar, por në disa raste edhe shpëtimtar. Shqiptarët kanë detyrim të jenë të rreshtuar në krahun perëndimor, ngase koalicionet e hapura e të fshehta ruso-lindore, që vetëm fatkeqësi i kanë sjellë kombit tonë. Kam besim të fortë se shqiptarët do të kenë forcë të kundërshtojnë çdo prurje të huaj që nuk korrespondon me vlerat e veta morale. Në këtë rast edhe të skenave të tmerrshme jonjerëzore të heqjes së kokave njerëzve. Prandaj, kundërshtimi i rrymave ekstremiste, qofshin politike apo fetare, është ndër detyrimet tona ndaj aleatëve tanë historik. Nëse mbështetemi në thënie të mençura të popullit tonë, atëherë thënia që ende funksionin është, “Armiku i mikut tim, është armiku im!”.
Mosmirënjohja shkakton zhgënjim dhe zhgënjimi sjell braktisjen. Natyrisht se ne nuk dëshirojmë të jemi të braktisur nga aleatët dhe miqtë tanë, aq më tepër nga Amerika.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

Lushtaku: Nëse Limaj do që të marrë fund politikisht, mund të shkojë në koalicion me Kurtin

SHBA i bashkohet Rusisë në votimin kundër rezolutës së OKB-së që dënon agresionin e Moskës

Publikohet video e rrallë e komandantit legjendar, Adem Jashari

Rizarta i drejtohet Gjestit: Kam kërkuar nga Vëllai i Madh që të mos fle më me ty

Putin do të pranonte paqeruajtës në Ukrainë si pjesë e marrëveshjes së paqes, thotë Trump

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Zelensky: Kemi nevojë për 20 sisteme raketore Patriot, do t’i paguajmë

E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri