LAJMI I FUNDIT:

Mbi qepimin dhe pushtetin

Mbi qepimin dhe pushtetin

Se një media ka synim goditjen e pushtetit dhe të fuqishmëve, kjo nuk përbën lajm. Madje, ky synim është edhe fisnik; është në zemër të profesionit.

Një gazetar që nuk do ta godasë (qepojë) atë që është në pushtet, qoftë për arsye të frikës, interesit ose besimit se ai ose ajo po kryen detyrën me nder, nuk është gazetar në kuptimin e plotë të fjalës.

Frika arsyetohet disi, por të shitesh për para ose të besosh verbërisht se qeveria e ka mirë, atëherë nuk je më gazetar. Je ose mercenar, ose zëdhënës myhib.


Qëllimi i gazetarit është e vërteta, para së gjithash. Por, e vërteta është shumëdimensionale,  e thellë dhe gjerë, dhe s’mund ta kërkosh pafundësisht.

E vërteta e plotë mund të jetë një ideal i paarritshëm. Por, në përballje me pushtetin, gazetari nuk ka synim të vërtetën, por goditjen si mjet për të arritur te e vërteta.

Pushteti, Qeveria, Presidenca, me një fjalë shteti – ka të gjitha mundësitë, mekanizmat (edhe paratë), për t’u mbrojtur nga një qepim.

Gazetari duhet të ketë kujdes që goditja të mos jetë e pamenduar, sidomos të mos jetë e gënjeshtërt. Sepse, atëherë lind pyetja: Përse godite? Për para, apo je zëdhënës i opozitës?

Prandaj, nuk ka asgjë të çuditshme pse një media kosovare u zbulua se paska synim ta godasë (me çdo kusht) presidenten Osmani. Po të zbulohej e kundërta, se një media kosovare ka synim ta mbrojë (me çdo kusht) presidenten, kjo do të ishte lajm, do të ishte për t’u çuditur.

Kjo, në teori. Në praktikë, muhabetet tona për median aktuale kosovare në raport me pushtetin aktual kanë edhe një dimension tjetër. Dimensionin e perceptimit shoqëror. Opinionin publik.

Pushteti aktual në Kosovë vërtetë është i plotfuqishëm, me kontroll pothuajse absolut mbi shtetin, por a mund të thotë dikush, me mendje të shëndoshë, se ky pushtet mbështetet mbi një pushtet tjetër, të padukshëm, parapolitik, siç perceptohej se mbështeteshin pushtetet e mëparshme (shumica prej tyre)?

A janë të frikshëm Albin Kurti e Vjosa Osmani, sepse kanë fuqi të angazhojnë struktura të tilla të nëntokës për ta luftuar opozitën ose median e lirë (siç besohej se pushtetet e kaluara mund ta bënin)? Si dhe, a ka dikush që vërtetë beson se Vjosa Osmani nga posti i saj presidencial mund të fillojë përndjekjen e mediave me masa shtetërore/policore.

Pas pavarësisë, mediat në Kosovë asnjëherë nuk janë përndjekur nga pushteti.

Edhe pas luftës së fundit, mediat në Kosovë kanë vepruar lirshëm. Ka pasur media e gazetarë të pushtetit, mercenarë a myhibë, por në përgjithësi skena mediale ka qenë plurale, si dhe shprehja e lirë. Ndoshta edhe për arsye se pushteti ka qenë i dobët dhe shumëpjesësh. Prandaj, frika e përndjekjes nga një pushtet absolut, i sotëm, mund të jetë racionale, pra legjitime. Në teori. Në praktikë gjërat janë më të komplikuara.

Shoqëria kosovare është e re, vazhdon të jetë plurale, plot energji dhe vitale: pothuajse e egër. Një shoqëri e tillë vështirë mund të zaptohet. Vetëm një shoqëri e lodhur, e dërmuar, i nënshtrohet fatalitetit.

Në Kosovë nuk mund te instalohet një pushtet i tillë abuzues. Jo se pushteti është i mirë e nuk do, ose se nuk e lënë ndërkombëtarët, por sepse nuk mund ta zaptojë egërsinë.

Për Vjosa Osmanin mund të thuhet se u rrit politikisht duke iu qepuar bashkëpartiakëve, duke i kontribuuar ndarjes së dytë të partisë që e rriti. Por, Vjosa është personi politik më i votuar në Kosovë. Askush nuk mund ta akuzojë se i vodhi votat apo mashtroi. Ajo u votua, sepse njerëzit, në një moment të caktuar historik, besuan në të ose te kampi politik, nën sqetullën e të cilit hyri.

Tani, sado e drejtë, e mirë, atdhedashëse dhe guximtare të jetë presidentja, mediat janë në të drejtën e tyre për t’i qepuar. Si një paralajmërim i llojit të Nasradinit që i qeponte shuplakë të birit sa herë shkonte për të mbushur ujë – “kujdes se e thyen gastaren”!

Por, a janë vërtetë disa nga këto media dhe gazetarë qepues pjesë e ndonjë ndërmarrje të përbashkët kriminale? Punëtorë me pagë të strukturave parapolitike të shfronësuara në zgjedhjet e fundit?

Edhe mund të jenë.

Por, në qoftë se këto media ishin të pafuqishme për të ndaluar revolucionin elektoral të 14 shkurtit, kur padronët e tyre ishin në pushtet, si mund të kenë sukses ato në “helmimin” e trurit të publikut tani qe padronët ranë nga pushteti dhe janë pikë e pesë?

Prandaj, as presidentja (apo burri i saj) nuk kanë nevojë të kenë frikë nga ndonjë përmbysje e forcave të errëta, nën orkestrimin e “mediave kriminale”.

Pra, në krejt këtë histori të qepimit, involvimi i Prindonit ishte i panevojshëm. Ai, me, ose pa vetëdije, devalvoi imazhin e tij prej diplomati dhe i kontribuoi edhe më shumë dëmtimit të imazhit të bashkëshortes së tij, presidente. Sepse, jo përfitimi i presidentes nga kompensimi i shpenzimeve të paligjshme të udhëtimit, derisa ishte deputete, por Prindoni u bë shkas dhe nxitës i qepimeve të reja, me postimet e tij të pamenduara në rrjetet sociale.

Sidoqoftë, debati aktual mbi autokracinë dhe ndërmarrjen e përbashkët kriminale është debat i padobishëm. Një, sepse autokracia s’mund të ndodhë (pos në teori) dhe, dy, sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk ekziston (nëse dikush beson se po, edhe ky perceptim është në grahmat e fundit).

Ky debat  ka vetëm një produkt: tensionin artificial në studiot televizive dhe në kafenetë e mëhallës. Sa për të kaluar kohën dhe për të treguar sa të “thellë” jemi në proceset politike.

Sot debati real duhet të jetë mbi ekonominë. Krizën energjetike. Humbjet që na shkaktoi avaria në KEK. Përgjegjësit dhe mbi motivet. Daljen nga situata pa e ngritur çmimin e energjisë.

Jo kush është ma hajn. Sepse, siç e thashë herën e fundit, të gjithë jemi hajna.

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

Ligat tjera
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Premier League
Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të

Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të "dy shpërthimeve” në Rusi

Botë
Kalo në kategori