LAJMI I FUNDIT:

Martinaj…

Treva e Plavës dhe Gucisë paraqet një nyje kombëtare në mes të dy anëve tjera të trekëndëshit shqiptar, bashkë me Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa sot ajo është shndërruar faktikisht në një pikë mbrojtjeje të identitetit kombëtar dhe të vazhdimësisë së këtij trungu. Prandaj, jo rastësisht është përqendruar pesha e presionit pikërisht në këtë pjesë apo për një arsye në dukje të thjeshtë dhe jo shumë të rëndësishme.

Këto ditë ne Martinaj të komunës së Plavës, të banuar ekskluzivisht nga shqiptarë, nisi përpjekja e paralajmëruar e shtetit malazez me kërkesë dhe në emër të kishës ortodokse serbe të ndërtojë një kishe në mes të fshatit që nuk ka asnjë banor të ndonjë përkatësie tjetër etnike apo fetare. Nuk është hera e parë që pushteti malazez provokon ndjenjat dhe trazon shpirtrat e banorëve malësor të kësaj ane me një të kaluar të lavdishme që bartin me krenari në mbiemrat e tyre gjithë peshën e kohëve dhe identitetin e lashtë të të parëve.

Pak kohë përpara veprimit të fundit, pushteti nisi ta shndërrojë në deponi mbeturinash në territorin e fshatit të krahinës që shquhet për bukuri të jashtëzakonshme natyrore.


Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, banorët shprehën kundërshtimet e tyre duke protestuar cenimin e të drejtave të tyre si komunitet autokton në trojet e tyre nga pushteti që merr vendime arbitrare. Kësaj radhe policia special malazeze arrestoi së paku 22 burra të Martinajve, mes të cilëve edhe disa pleq e shumë të tjerë të rinj, të cilët i gjobiti me para që kush s’i ka i duhet t’i paguajë me burgim.

Banorët malësorë të kësaj ane si dhe historikisht ditën të dallojnë rrezikun dhe të reagojnë guximshëm në mbrojtje të vetes dhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Fatkeqësisht, kjo ngjarje e shëmtuar në Kosovë jehoi si një lajm i rëndë, edhe pse zyrtarisht u mor më me pak bujë se të kishte ndodhur diku në Siri. Madje, deri më sot mbizotëroi një ndjenjë mosinteresimi, me atë pak jehonë që kryesisht u përcoll nga njerëzit me prejardhje apo lidhje farefisnore të kësaj ane.

Me këso metodash të regjimeve në dekada është cunguar qenia kombëtare shqiptare në Malin e Zi, saqë sot më shumë shqiptarë të këtyre trojeve ka qoftë në Amerikë dhe në Kosovë ndaras, se në vendlindjen e të parëve. Ky duhet të ketë qenë dhe mbetet synimi final për zhbërjen përfundimtare, duke e futur një gurë shahu me të cilin shqiptarëve aty do t’u jepet edhe një goditje e ulët.

Ndryshe s’ka si të mos jetë kur pak kilometra më tutje në Nokshiq, vendbetejën historike të vitit 1879 ndërmjet shqiptarëve dhe Malit të Zi, varrezat e këtyre të parëve të mbuluara me grumbuj mbeturinash për të humbur dhe denigruar çdo kujtim dhe shenjë, si hakmarrje për humbjen e atëhershme dhe luftën heroike të tyre. Për të mos u zgjatur në historinë e pasur të kësaj ane me shumë dhembje e krenari, dëshiroj të kthehem në realitetin e sotëm dhe perspektivën e nesërme të saj.

Si duket as sot qëndrimi i pushtetit nuk ka ndryshuar shumë, përveç se format e veprimit janë sofistikuar. Ndoshta duhet të pyetemi: a thua ka lidhje kjo me faktin se pikërisht këtu mund të ndërpritet komunikimi mbarëkombëtar me anë të rrugës që do të lidhte Kosovën nëpërmjet Deçanit (po të jepte lejen Manastiri) me Plavën, Gucinë dhe duke kaluar në Shqipëri për të dalë përsëri pastaj në rrugën Ulqin-Tivar. I gjithë ky itinerar kalon pra nëpër troje të banuara me shqiptarë, që gjeografikisht është zgjidhja më e shkurtër dhe e shpejtë si funksion kryesor që merret në konsideratë për çdo rrugë.

Pra, qëndrimi zyrtar i të dyja autoriteteve shqiptare nuk duhet të jetë sjellja reciproke, por përkundrazi komunikimi si mundësi teknike dhe vlerë e progresit bashkëkohor për të vendosur bazat e lidhjes dhe jo të ndarjes.

Republika e Kosovës duhet të shfaq vendosmëri lidhur me ngjarjen dhe veprimin e pamatur malazez, duke dënuar zëshëm dhunimin e të drejtave të vëllezërve të pakët në numër që kanë mbetur në këto treva. Aq më tepër, kur Mali i Zi njëkohësisht kërkon njohjen e një pakice etnike malazeze në Kosovë me të drejta të plota, ndërsa vepron sikur të ishte pjesë e shtetit të dikurshëm të përbashkët me Serbinë e regjimit të Millosheviqit, nga i cili u nda dhe u pavarësua me votën e shqiptarëve që sot ua shpërblen në këtë mënyrë. Prandaj, këtij shteti aspirant për Bashkimin Evropian me më pak se një milion banorë, bashkë me të gjallë e të vdekur – duke llogaritur këtu edhe “qytetarët” e tij shqiptarë – i duhet bërë me dije qartë se veprime të tilla ndaj këtyre të fundit janë të patolerueshme.

Kosova dhe shteti amë, Republika e Shqipërisë, duhet të kërkojnë respektimin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe atyre kolektive në bazë të kartave ndërkombëtare dhe evropiane, të cilat përfshijnë dhe garantojnë ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës si dhe decentralizimin e pushtetit, punësimin dhe plotësimin e kushteve të caktuara për komunitetet pakicë, ashtu siç u kërkohet edhe atyre si shtete për pakicat.

Përndryshe, nesër do të jetë vonë dhe nëse mund të kalojmë nëpër Martinaj me një tjetër emër, me pak ose pa banorë, përskaj një kishe serbe “të vjetër” dhe deponie të tharë mbeturinash, do të jemi në një fshat fantazmash mesjetare me bukuri të rrallë natyrore dhe pa të drejtë për t’u ankuar ose thënë ndonjë fjalë.