LAJMI I FUNDIT:

Lubonja, qytetar i botës!

Ky shkrim si material bazë, si dokument të cilin e ka për ta vlerësues është shkrimi “Nën qiellin e Evropës”, të publicistit të njohur Fatos Lubonja, ndaj të cilit – në këtë vorbull të jetës publike – u krijua një keqkuptim me dashje, që të justifikohej subjekti dhe te damkosej autori.

Si fillim, thelbi bazë i shkrimeve të këtij autori është karakteri dialektik që kultivohet me koherencë dhe të cilat asnjëherë nuk ishin kopje konceptuale e një truri tjetër. Pra, origjinaliteti i tij në asnjë moment nuk vihet në dyshim. Kritika e autorit është akomoduar çdo herë që ta luajë opozitën. Ai luajti opozitën jo të ligjshme aso kohe, por legjitime ndaj Enver Hoxhës. Edhe pas rënies së komunizmit, Lubonja më dialektik se kurrë më parë vazhdoi ta bëjë opozitën e të gjithë udhëheqësve.

Prandaj, pajtohem se analiza e Lubonjës është e mirëfilltë, në kuptimin që i hodhi poshtë të gjitha ato ide konspirative se Lubonja krijoi miqësinë e parë në Ballkan dhe humbi mëvetësinë mendore të tij, e së bashku me të edhe karakterin dialetik të saj.


Reflektimet ndaj shkrimit të Lubonjës varen nga pozicionimi i ynë në hapësirën e ideve. Në qoftë se ne përkufizohemi ta shikojmë para një pasqyre të oreksit patriotik, doemos daljet nga leximi do të pasqyrojnë “të drejtën” e subjektit të akuzuar dhe do të sintetizohen në hipotezën e pafajësisë kombëtare. Në qoftë se vendosemi para një pasqyre cilën po e quajmë empirike (para së cilës mendoj se u vendos edhe vetë autori), daljet konsideroj se do të jenë pak a shumë të njëjta. Problemi qëndron edhe të një grup i tretë të cilët vendosen para një pasqyre të tejdukshme, të pajisur me patriotizmin irracional, daljet e të cilëve shoqërohen me një varg fyerjesh ndaj autorit, të cilat përveçse nuk janë etike, ato po i bëjnë një nder të madh autorit meqë i japin brumin që hipoteza e tij rreth “skizofrenisë” në mos të vërtetohet; të qëndrojë si diskutabile.

Mendoj se në këtë zhurmën e fundit rreth shkrimit të autorit, duhet të fokusohemi me shumë “çfarë tha” sesa tek “pse tha”, pasi nëpërmjet pse-hit përpiqet të kontaminohet ajo “çfarë u tha”. Si u kontaminua me dashje përbërja e shkrimit? Të vetëdijshëm, mbrojtësit e subjektit të akuzuar u drejtuan tek: “Pse i tha”? Sepse, ajo “çfarë tha” nuk mund të hidhej poshtë nëpërmjet logjikës së përditshme. Ata kaluan direkt te: “Pse i tha”. U përpoqën qe të mbrojnë subjektin e akuzuar; filluan të problematizojnë të kaluarën e Lubonjës dhe të gjejnë një lidhje nëntokësore me kuzhina që gatuante ide. Pra, Lubonjën e vendosën në rolin e servirësit të ideve dhe nëpërmjet këtij roli provuan të hidhet poshtë ose, akoma më keq, të mos kalohej fare ajo se “çfarë u tha”. Pra, përbërja e asaj se çfarë u tha, u kontaminua me dashje nëpërmjet preteksit se arsyeja pse i tha Lubonja ato gjëra rridhte nga një vend tjetër. Dhe, në një shoqëri të tillë të zhytur në moçalin e ideologjisë kombëtare , Lubonja në formën më të mire u paraqiste para publikut nga mbrojtësit si i pa lagur nga ai moçal, ndërsa në më të keqën si i zhytur në moçalin e fqinjëve gjeografik.

Lubonja thjesht u shfaq i shqetësuar për të gjithë këto vlerësime shoqërore, madje edhe politike, që po ngrenë heronj dhe figura virtutoziteti pa menduar si “qenie individuale”, por duke iu ngjizur pas karvanit të njerëzve të cilët nuk mendojnë empirikisht për arsye se krijohet një idiofoni ose jehonë jo shumë e këndshme për shtetin. Ai vetëm vë në dyshim autenticitetin e këtyre epiteteve të cilat po e po janë të rishqyrtueshme, dhe duam a nuk duam, arsye te forta flasin në favor të tij.

Ai vetëm na fton të jemi dëshmitarë individualë në gjyqin e hapësirës shoqërore ; na thërret që pohimet tona të përputhen me faktet; që mendimet tona të jenë të iluminuara dhe jo të jenë thjesht aprovime të ndikuara nga ideologjia kombëtare dhe se të thuash atë çka e mendon për individë përbrenda një tërësie të tillë si UCK-ja, nuk do të thotë të jesh anti-tradicional e aq me pak anti-kombëtar. Të gjykosh drejt individët të cilët kanë marrë pjesë në një proces të tillë si lufta, ku ligjet janë të heshtura, nuk do të thotë se ju jeni anti-kombëtar, por do të thotë të luftosh për pastërtinë e idealit tënd.

Në njërën anë, shkrimi i Lubonjës u vulgarizua nga shumëkush, duke mos u përpjekur për ta pranuar si dokument ku flet për individë dhe jo për një tërësi të tillë si UCK-ja; dhe, nga ana tjetër, nga shumë kush u degjenerua në forma më ekstreme dhe tejet ofenduese që u referoheshin fakteve të falsifikuara ose të pathëna nga Lubonja. Kjo krijoi një situatë ku mungoi një kritikë esencialisht objektive.

Ata që vulgarizuan u fshehën nën ombrellën e një përgjithësimi të papraktikuar nga Lubonja, si UÇK-ja, ndërsa ata që degjeneruan ekstremisht mendimin e Lubonjës në përpjekje për t’u shfaqur si idealist, keqinterpretuan me dashje apa dashje etiketimin individual. Shkuan deri te një etiketim i një tërësi si UÇK si një organizatat kriminale. Për këto dy grupet njerëzish vlen kjo: Lubonja si një qytetar i botës beson në njeriun e thjeshtë, të panjohur në krah, pa dashtë të dijë “etninë” e tij e aq më pak se a bën pjesë tek “masa” apo “elita”.

Me sa kam kuptuar unë shkrimin, Lubonja fajësimet për rezultatet e luftës të cilat realisht në raste të veçanta mund të jenë krime, asnjëherë nuk ua hedhë kolektiviteteve. Përkundrazi, shkrimi paraqet një hap drejt një teorie të guximshme e cila flet për individë në shoqëri dhe jo si deri më sot që kolektiviteteve t’ju atribuohet pafajësia. Mendoj se ajo se çka duhet të provojmë të vërtetojmë është jo pafajësia e individëve, pasi që do të jetë e pamundur, por të shkëpusim lidhjen në mes të individit hipotetik kriminel dhe idealit të shoqërisë. Duhej të kuptojmë konceptin e përgjegjësisë individuale.

Unë e shoh shkrimin e Lubonjës plotësisht ndryshe. Ai s’na thotë gjë tjetër veçse jo çdo njeri mund t’i transmetojë vlerat e luftës suaj. Ai na fton që të pastrojmë luftën nga individët, pastërti e cila nuk arrihet me dekrete entuziaste shtetërore ndaj figurave të ndryshme. Ai na flet për një lloj bashkimi të njerëzve në një sistem të të menduarit jo autonom, në të cilin vlerat dhe imazhet për mbrojtje janë të përcaktuara nga elita akulturore, pse jo edhe nga vetëharresa jonë. Kozmopoliti, Lubonja, vetëm se është ofenduar. Ndaj tij mungoi një kritikë racionale!

Por, për fund, në një shoqëri të tillë, ku militarizimi kulturor i luftës ka depërtuar thellësisht në masë, ku nocioni themelor shoqëror është “ushtar” dhe pa zotëruar këtë nocion në shumë raste nuk pranohesh si autoritet, e ku është krijuar një rryme politike që etablon heronj të “pashqyrtueshëm” nga perspektiva e atyre, çdo gjë është e diskutueshme përveç “heronjve” milionerë pa të cilët shumë njerëz nuk marrin oksigjen. Në të kundërtën me prezencën e tyre disa nuk arrijnë të thithin më oksigjen.