LAJMI I FUNDIT:

Lezhë, shtohen aksidentet

Lezhë, shtohen aksidentet

Në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës ditët e fundit është rritur ndjeshëm numri i aksidenteve automobilistike, ku thuajse çdo ditë po shënohet një aksident. Vetëm në 4 ditët e fundit 28-31 maj janë shënuar katër aksidente me një bilanc një i vdekur dhe gjashtë të plagosur.

Rreth orës 08:30 në superstradën Lezhë-Milot, në kryqëzimin e Ishull Shëngjinit u shënua një aksident i rëndë, ku mbeti i plagosur drejtuesi i motoçikletës.

44-vjeçari Pashk Çaku nga fshati Tale i Lezhës po lëvizte me motoçikletë dhe si rezultat i shpejtësisë së madhe rrëshqiti disa metra, duke përfunduar në anë të rrugës. 44-vjeçari mori dëmtime të rënda. Ai fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal të Lezhës, por për shkak të plagëve të rënda i dëmtuari është transportuar për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Referuar statistikave të komunikatave zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, vetëm në 15-ditëshin e dytë të muajit maj janë shënuar pesë aksidente të rënda me një bilanc dy të vdekur dhe nëntë të plagosur. Dy aksidentet me pasoja fatale janë shënuar në kryqëzimin e Gjadrit, si edhe në atë të rrugës së Kosovës në Milot, raportoi Shekulli./Telegrafi/