LAJMI I FUNDIT:

Lakmojmë të huajën, sepse e jona nuk është e mirë

Në Kosovë rren mjeku, bukëpjekësi, automekaniku, miku, profesori, pemëshitësi, zyrtari i shtetit… Të gjithë rrejnë. Dhe, kjo shikohet si diçka normale, thuajse nga të gjithë. Kur shprehë pakënaqësi në ndeja rasti (në kafene i rrethuar “me miq e shokë”), për këtë dukuri negative të shikojnë si të marrë. “Pse po flet kështu”. “Fillo dhe ti rrej”. “Bëjë pisllëqe”. Ndalem dhe shikoj i habitur: o Zot, kjo është më shumë se e tmerrshme, e dhimbshme, e turpshme… Nuk është njerëzore.

Ne e bëjmë shtetin të rrej. Nëse ne nuk rrejmë, nuk do të rrej edhe shteti, sepse njerëzit që udhëheqin shtetin kanë dal nga mesi jonë.

Ne duhet të ndryshojmë që të ndryshojë shteti. Kualiteti i jetës rritet kur shteti funksionon si duhet, kur krijojmë raporte të pastra, korrekte e njerëzore.


Nga shoqëria jonë shteti shikohet si diçka e huaj e që nuk është e jona. Për këtë heshtim të gjithë. Tjetra është se ne mendojmë se shteti është i atyre që e udhëheqin shtetin (na udhëheqin neve ).
Pse është kështu? Shteti është i atyre që e udhëheqin apo i atyre që i shërbejnë shtetit? Ose, më mirë do të ishte të ishte i të gjithëve, si i atyre që e udhëheqin dhe i atyre që o shërbejnë.

Cili është roli i shtetit ndaj qytetarit dhe cili do të duhej të ishte dhe roli i qytetarit ndaj shtetit? E dimë apo nuk e dimë? Nëse nuk e dimë pse nuk kërkojmë të mësojmë se cili do të duhej të ishte? Se si duhet të sillemi ne ndaj shtetit dhe shteti ndaj nesh?

Kur flitet për shtetin në biseda apo ndeja, ne më shumë i frikësohemi shtetit se që e duam. Por, kur i frikësohesh nuk ke mundësi ta duash. Duhet të largohet frika ndaj shtetit që të fillojë dashuria ndaj shtetit. Një filozof thotë se frika u përket të pa diturve.

Të gjithë e duan një shtet më ndryshe. Më ndryshe mundet të bëhet kur ne fillojmë e ndryshojmë, e bëhemi më ndryshe. Pa ndryshuar ne nuk ndryshon as shteti. Ne e bëjmë shtetin. Shteti nuk na bën neve.

Të ndryshuarit ndodh kur ne vetëdijesohemi për sjelljet, për qëndrimin dhe obligimin që duhet të mbajmë përball shtetit.

Mendësia e mashtrimit dhe hipokrizisë duhet të ndryshojë. Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë do të lakmojmë të huajën. Kur tonën ta bëjmë të mirë, nuk do ta lakmojmë të huajën.

Heshtja përballë të keqes, mungesa e iniciativës, e veprimeve konkrete, nuk mund të zëvendësohen me fjalë të bukura. Fjalët e bukura mbesin fjalë të bukura. Asgjë më shumë.

Qytetari i denjë e bënë shtetin e mirë e të denjë. Puna e mirë, sjellja e mirë krijon mirëqenie e rehati. Është njëjtë kur i ke mollët e tua në oborr e nuk i lakmon të fqinjit.

Shtetin e mirë e bëjnë qytetarët e mirë. Ata e bëjnë kur të vetëdijesohen se shteti u përket atyre, se ata janë vetë shteti, e jo pushtetarët. Kur e largojnë frikën ndaj shtetit, fillon dashuria, respekti për të.

Këtu nuk të lënë ta duash shtetin. Ata të detyrojnë ta duash në mënyrën e tyre. Dhe, e tyrja është kjo: “Njëherë duhet ta vjedhësh mirë, pastaj të poshtërosh, pastaj të hiqesh se e do e se po sakrifikohesh për të”.

Të mos jesh i kënaqur dhe të protestosh ndaj të keqes, të shëmtuarës, të padrejtës, megjithatë nuk do të thotë që nuk je optimist.