LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi gaboi kur shpalli të pavlefshëm referendumin në veri!

Kuvendi i Republikës së Kosovës me përkrahjen e shumicës së deputetëve bëri një hap të pamatur juridikisht edhe politikisht në momentin kur shpalli të paligjshëm referendumin e organizuar nga ana e strukturave paralele të financuara nga qeveria serbe.

Në pikëpamje juridike ky anulim i referendumit është i gabuar për faktin e thjeshtë sepse është një veprim i ndërmarrë nga struktura ilegale të cilat nuk burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Jo vetëm referendumi por, çdo veprim që ndërmerret nga këto struktura është ilegal, madje edhe vetë ekzistenca e tyre. Për këtë arsye është i gabueshëm një veprim i tillë i Kuvendit, si institucioni më i lartë i shtetit.

Nuk është detyrë e Kuvendit që të shpall të pavlefshëm çdo veprim që eventualisht mund të merret nga burra me koka të nxehta nga këngët patriotike e aty këtu ndonjë teke në ndonjë fshat të thellë të Kosovës të cilëve iu ka shkuar mendja se mund të mos i pranojnë dhe t’i sfidojnë institucionet e shtetit. Do të ishte një humbje brutale e kohës. Ky nuk është një rast kur një institucion ligjor dhe legjitim i cili buron nga Kushtetuta e Kosovës ka vepruar ultra vires (mbi kompetencën/fuqinë që ka) dhe si pasojë duhet të intervenohet nga ana e Kuvendit për të mos lejuar prodhimin e ndonjë efekti juridik i cili do të ishte në kundërshtim me rendin Kushtetues.


Nuk është detyrë e Kuvendit që të merret me çdo të marrë të cilit mund t’i shkoj mendja ta sfidoj shtetin. Kjo është në kompetencë ekskluzive e policisë dhe gjyqësisë së Kosovës. Quod nullum est, nullum producit effectum (ajo çka është në esencë e pavlefshme, prodhon efekt juridik të pavlefshëm) dhe kjo është e nënkuptueshme edhe pa intervenimin e Kuvendit.

Kuvendi do ta kishte për detyrë ta anuloj një veprim të tillë duke e shpallur të pavlefshëm, ta zëmë: nëse Komuna e Shtërpcës do të vendoste në një mbledhje të Kuvendit Komunal se nuk do t’i pranoj më tutje institucionet e Kosovës. Mirëpo jo në rastet kur këto veprime antiligjore ndërmerren nga struktura ilegale dhe jo legjitime të cilat financohen nga një shtet armiqësor kundrejt Kosovës që çdo ditë ka tendenca të ndryshme agresioni mbi Republikën e Kosovës.

Në dritën e kësaj, është inkurajuese fjalia e Kryetarit të Kuvendit i cili nuk ngurroi ti quaj gjërat në emrin e tyre të vërtetë duke konstatuar se kemi të bëjmë me agresion të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës.

Në pikëpamje politike, një anulim i tillë vetëm sa faktorizon strukturat e atjeshme ilegale. Kjo për faktin se anulimet e tilla bëhen vetëm në rastet kur këto veprime ndërmerren nga institucione e krijuara në përputhje me ligjin. Kjo i bie që Kuvendi i trajton si të tilla – si ligjore dhe legjitime.

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të duhej ta injoronte tërësisht një veprim të tillë, ashtu siç bëri edhe Bashkimi Evropian. Eventualisht me anë të një rezolute mund të dënonte tentativat për destabilizim nga strukturat ilegale dhe kriminale-shtetërore në veri dhe duke tentuar që të sensibilizoj sa më tepër problemin e ndërhyrjes së drejtpërdrejt të Serbisë në destabilizimin e veriut të vendit.

Serbia tanimë ka dëshmuar shumë herë se është e specializuar për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale (Joint Criminal Enterprises) me ndihmën e shtetit dhe brenda vetë shtetit. Për këtë gjë kanë certifikatë nga Haga. Kjo po ndodh edhe në komunat në veri të vendit. E kjo do të duhej të shfrytëzohej më shumë nga ana e autoriteteve kosovare që të bindin miqtë tanë amerikanë, e veçanërisht ata evropian, se çdo tolerim ndaj Serbisë është kthim mbrapa për tërë rajonin dhe në kundërshtim me parimet e proklamuara të Bashkimit Evropian.

Një pozicionim i qartë i Bashkimit Evropian, ku kusht i panegociushëm do të ishte pranimi i Republikës së Kosovës për tu integruar, pa i komplikuar gjërat me fusnota dhe gjëra tjera të ngjashme, është rruga e vetme për stabilitet dhe prosperitet në Ballkan.

(Autori është jurist dhe punon në kompaninë e avokatëve Interlex Associates nga Prishtina)