LAJMI I FUNDIT:

Kush ka faj!

Nuk ka mbetur pothuajse asgjë pa u thënë në lidhje me “çuditë politike”, që kanë përfshirë vendin dhe institucionet e shtetit tonë, që në përvjetorin e tretë të shpalljes së tij. Këto nuk mund të quhen ndryshe veç se “çudi politike” dhe, për këtë, bartësit e këtyre institucioneve, tash e tri vjet, edhe ia vlen të shpërblehen për shpikje të re. Se çfarë shpërblimi, këtë është vështirë ta përcaktosh. Tashmë, “çuditë politike” kanë arritur deri në atë nivel, sa që janë shndërruar në rutinë. Është e vetëkuptueshme, që kur gjërat kthehen në rutinë, nisin e bëhen edhe mbytëse të vullnetit për t’i kundërshtuar apo ndryshuar ato.

Nuk dëshiroj të futem shumë në komente të ngjarjeve për të cilat pjesa dërrmuese e opinionit vendor dhe ndërkombëtar është i njoftuar deri në detaje. Janë folur e përfolur, janë shkruar e komentuar, janë kundërshtuar e pranuar, por pikërisht për shkak të trendit rutinë, rezultati ka mbetur ashtu siç është. Të sharë, të turpëruar, të lodhur, pa moral dhe të varfër. Ky është vendi dhe shteti ynë. Tendenca për krijimin e fajtorëve fiktiv, si shkaktar të “çudive politike” po shfaqet trend i kohës për largimin e vëmendjes së opinionit nga fajtorët real. Përndryesh ky fenomen ka një emërtim, mashtrim dhe hutim. Në zhargonin popullor, kësaj i thonë “kafshatë që s’kapërdihet”.

Kërkimi i fajtorit…


Për tri vjet me radhë, u mësuam me skandalet, gënjeshtrat dhe mashtrimet e njëpasnjëshme të institucioneve shtetërore. Sa për t’i kënaqur disa, nuk po pretendoj që nuk është bërë ndonjë punë e mirë aty këtu, se ky është argumenti që iu ka mbetur që nga optimistët më të mëdhenj e deri tek ndonjë anëtar i ndonjë klani përfitues tash e disa kohë. Mjafton për t’i kënaqur këta.

Për të mos shkuar më tej, mjafton të fillojmë që nga 17 Shkurti 2008. Ka një të mirë këtu, përpjekja shekullore shqiptare u realizua (jo në plotni), por duhet rikujtuar fakti se me dhjetëra e qindra njerëz meritorë për këtë të arritur, u përjashtuan nga akti final. A mendoni se për këtë fajtor ishte “ai që po qëndron në qeli në burgun e Hagës”!?

Vazhdojmë me çështjen e veriut të vendit. Para datës 17 Shkurt, institucionet tona kishin sadopak qasje atje. Nuk janë të nevojshme komentet rreth ndodhive që tani shfaqen andej pari. Ndoshta edhe për këtë fajtor është “ai që po qëndron në qeli në burgun e Hagës”!?

Vazhdojmë me marrëveshjen e koalicionit, siç i thoshin, “për shtetin”. Për dy vjet me radhë, me vetëdije të plotë, në njohurinë e të gjithëve dhe pa asnjë ndërhyrje, u bë shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës. Ata që e hartuan së bashku, po ashtu, në bashkëpunim, e shkelen atë. E, po, sigurisht fakti që, “ai që po qëndron në qeli në burgun e Hagës” bëri aq shumë zhurmë asaj kohe për këto shkelje, ndoshta është edhe fajtor për këtë.

Nuk mund të tejkalohet çështja e korrupsionit qeveritar, për të cilin mjaftojnë raportet ndërkombëtare dhe s’ka nevojë më shumë koment. Shkuan deri në atë shkallë sa institucionet e shtetit më të ri në botë u bastisen turpshëm. Thënë të drejtën, të gjithë u ndjemë të fyer. Dhe a ju kujtohen paraqitjet e Kryeministrit asaj kohe, duke deklaruar se ai do të jetë në ballë të luftës kundër korrupsionit!? Çfarë hipokrizie! Politikat e gabuara, korrupsioni dhe keqmenaxhimi shkaktuan debalanc në zhvillimin ekonomik të vendit. Për tri vite patëm rritje të GDP për 800 milionë euro, por njëkohësisht u rrit edhe shkalla e varfërisë. Kjo nuk është shumë normale. Ndoshta fajtori mbetet i njëjti, “ai që po qëndron në qelinë e burgut të Hagës”, ku i dihet !?

Opinionit i kujtohen shumë mirë të tjera “çudi politike” të po këtyre që ishin atëherë bartës të institucioneve e, që, një pjesë janë edhe tani, e që mbrapa tyre qëndrojnë shumë pikëpyetje. Rindërtimi i ndërtesës së “Rilindjes”, CD e famshme e rastit “Bllaca”, bastisjet në Qeveri dhe PTK, koncesionimi i Aeroportit “Adem Jashari”, në kohën kur ajo Qeveri ishte në dorëheqje, përpjekja për ta shitur PTK-në me vlera të përcaktuara paraprakisht, rreth 160 milionë euro tenderë njëburimorë, investimi i rreth 200 milionë eurove në letra me vlerë jashtë vendit, para këto nga taksat e qytetarëve dhe, në kohën kur ky vend kishte nevojë më tepër se kurrë për para, më në fund pasoi nënshkrimi i kontratës mister për ndërtimin e autostradës, e cila që në start dhe këtë vit e ka futur buxhetin e Kosovës në deficit prej më shumë se 400 milionë eurosh. Të gjitha këto nuk mbarojnë këtu, por ne po ndalemi. Për të gjitha këto, ka adresa dhe fajtorë, vetëm nëse ka tendencë për lajthitje dhe t’i shkojnë në llogari po ashtu atij “që po qëndron në qeli në burgun e Hagës”.

Të gjitha “çudi politike”, kanë qenë pjesë e pandashme e institucioneve në mandatin e kaluar dhe e politikave të tyre. Janë premtuar 100 njohje, rrymë e ujë 24 orë, zhvillim ekonomik, liberalizim të vizave (të paktën udhërrëfyesin), ulje të shkallës së papunësisë, luftë krimit të organizuar, zhvillim të arsimit, rritje të pagave, shumë e shumë të tjera, ndërkohë na dolën më tepër se 100 rrena. Ndoshta, ishin premtime në eufori, por prapë mashtrime mbetën.

Dhe për ta mbyllur kapitullin e rënies së asaj qeverie, në krahasim figurativ, më përgjason në fabulën kur miu i kërkon mejdan elefantit (po e potencoj, pa dashur të ofendoj, është vetëm krahasim figurativ). Kjo ishte mocioni i votëbesimit për rrëzimin e qeverisë nga ana e z. Pacolli. Edhe tani më vjen të qesh për atë kohë. Miu e rrëzoi elefantin. A ju besohet kjo? Sigurisht që jo, dhe në këtë rast nuk do ta bëj pyetjen e radhës për fajtorin. Është e tepërt, mendoj.

Gjetja e fajtorit…

I kthehemi zhvillimeve të fundit. Qeveria e rrëzoi veten, sepse ashtu ishte dizajnuar që në fillim. Në nguti e sipër, me qëllim ose jo, mbetet në vlerësimin e secilit, u shpallën e u rishpallën zgjedhje, të parakohshme e të jashtëzakonshme, u bënë votime e rivotime, u munduan e stërmunduan qytetarët e vendit, u shkel e u nëpërkëmb besimi dhe vullneti i tyre në format më të çuditshme, deri në atë masë ku fantazitë e manipulimeve zgjedhore tejkaluan limitet e të menduarit normal. Shtegu dalës i kësaj situate, dihej nga vetëm dy persona, që tashmë dolën në sipërfaqe.

E gjithë periudha zgjedhore e, sidomos, ajo paszgjedhore, përveç manipulimeve në vota, u karakterizua nga një hutim dhe manipulim i opinionit publik në lidhje me koalicionet e mundshme qeverisëse për këtë mandat. U përfol shumë, dhe mund të mos jem i saktë në këtë pikë për shkak të volumit të madh të informatave në treg, por kam bindjen se Hashim Thaçi, asnjëherë nuk ka qenë i interesuar të jetë në koalicion me AAK-në, pavarësisht fjalëve dhe bisedave të ndryshme. Jo për faktin se numrat nuk i hynin në punë, por për faktin se shkollat dhe konceptet qeverisëse midis tij dhe z. Haradinaj janë aq larg njëra-tjetrës sa vështirë përafrohen. Këtë z. Thaçi e ka ditur mirë, ashtu apriori edhe vendimin e AAK-së për të mos qenë pjesë e projekteve të dëmshme për vendin. Megjithatë, e përgëzoj për lojën me “çuditë politike” të radhës. Ai, më në fund, e realizoi atë për të cilën edhe ishte i përcaktuar. Të vazhdojë të ruajë pozicionin e tij dhe të realizojë premtimin e dhënë tashmë Presidentit të kontestuar, z. Pacolli.

Hipokrizia e gjithë kësaj tragji-komedie është gjetja e fajtorit. Pas të gjitha atyre “çudive politike”, sa qesharake aq edhe të dhimbshme e shqetësuese për vendin tonë dhe demokracinë që po mëtojmë ta zhvillojmë, ka shumë njerëz që po përpiqen, qoftë indirekt, përmes metodave SHIK-iste, qoftë direkt, përmes deklaratave në media, që për të gjitha këto ndodhi të gjejnë një fajtor. Tash po del që fajtori për të gjitha këto është “ai që po qëndron në qeli në burgun e Hagës”, do të thotë, z. Ramush Haradinaj. Për ata që e dinë, nuk ka nevojë t’ua rikujtoj, e për ata që nuk e dinë, është e nevojshme. Po ky njeri, në të mirë të vendit, përfshirë këtu imazhin ndërkombëtar dhe stabilitetin e brendshëm të vendit (mjafton të lexohet shtypi ndërkombëtar dhe vendor dhe vetëkuptohet), ofroi dorëheqjen nga posti i tij dhe shkoi aty ku gjendet aktualisht. Për më tepër, shkoi, u kthye, shkoi prapë dhe do të kthehet shpejt. Posti nga i cili ai u dorëhoq është pikërisht i njëjti me atë për të cilin, shumë të tjerë, po shihet qartë, se deri ku janë të gatshëm të shkojnë, vetëm e vetëm për ta mbajtur për vete. Besoj, ky argument është i mjaftueshëm edhe për ata naivë që ende besojnë dhe mendojnë se AAK nuk hyri në koalicion për shkak të pozitës së Kryeministrit.

Një gjë është e vërtetë, AAK nuk hyri në koalicion sepse ishte kundër Hashim Thaçit Kryeministër, jo për shkak të fizikut të tij, por për shkak të mentalitet të keq dhe të dëmshëm të qeverisjes që ai e ka instaluar në vend. Ky mentalitet, u vërtetua për më tepër se dy vjet. Po ashtu, u pa edhe pak ditë më parë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare. Nuk janë të nevojshme komentet rreth kësaj, përveç faktit që pikërisht kjo seancë shënon fillimin e fundit të këtij mentaliteti qeverisës. Kjo do të vërtetohet shumë shpejt, ani pse shqetësimet për dëme të pariparueshme ndaj vendit janë shumë të mëdha.
Për fund, asnjëherë më parë nuk kam qenë i bindur se “çudirave politike” dhe eksperimenteve politike, bazuar në interesa dhe ego personale, vetëm sa iu ka filluar fundi.

Një lutje njerëzore për të gjithë ata që bërtasin në kërkim të fajtorit, të paktën për hir të “kombit multietnik”, ju lutem lëreni të qetë Ramushin, sepse fajtorë jeni vetë ju!

(Autori është zyrtar i AAK-së)

Në trend

Më shumë
Aksident në Kroaci, autobusi nga Kosova del nga rruga - policia jep detajet e para

Aksident në Kroaci, autobusi nga Kosova del nga rruga - policia jep detajet e para

Kroacia

"Ia dolëm", Parashqevi Simaku lirohet nga spitali i New York-ut - biznesmeni Elton Ilirjani publikon pamje të artistes

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Kështu duket demokracia" - mijëra qytetarë në mbarë SHBA-në protestojnë kundër politikave të Trumpit

Amerika
Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, autopsia zbardh të vërtetën

Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, autopsia zbardh të vërtetën

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Kalo në kategori