LAJMI I FUNDIT:

Kush e theu pasqyrën e Brukselit për shqiptarët e Maqedonisë?

Kush e theu pasqyrën e Brukselit për shqiptarët e Maqedonisë?

Lojërat oborrtare të partive politike shqiptare në Maqedoni, kanë trimëruar kryeminstrin Gruevski që të projektojë ide për shtendërtim pa shqiptarët (liderët politikë), të cilët me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, jo rrallë, kanë lajthitur edhe faktorin politik maqedonas, tek i cili kanë injektuar një lojalitet blanko për shumë çështje, e sidomos për çështje të karaketrit ndëretnik.

Në disa raste fitohej përshtypja se ndonjë lider shqiptar, në tentativën e tij të pasuksesshme për të korrigjuar imazhin e keq të Maqedonisë në botë, bënte edhe ministrin e Jashtëm, por pa dimensionin e përfaqësimit shqiptar. Shumë kancelari të botës që ishin vizituar nga liderë të tillë, sot janë shumë të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kurrfarë problemi me politikën agresive maqedonase dhe se çdo përpjekje tani për ta prezantuar këtë politikë ndryshe nga ajo që është proklamuar kohë më parë, del qesharake dhe e paefektshme.

Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve ka rrezik të degradohen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt ne gjetjen e një kompromisi afatgjatë, ndonëse kjo është vështirë të arrihet pasi që kemi një disnivel brengosës përfaqësimi – në njërën anë kemi nivelin superior dhe arrogant maqedonas dhe në anën tjetër kemi nivelin inferior dhe eklektik shqiptar.


Sigurisht që Gruevski nuk do ta përdorte këtë diskurs ksenofobik sikur të mos kishim edhe një qëndrim jo shumë të qartë të bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Shkupit zyrtar, sidomos të Brukselit, për faktin se ajo si tepër i ka kushtuar vëmendje raporteve të jashtme të Maqedonisë dhe fare pak është marrë me raportet e brendshme të saj. Marrja gjatë gjithë kohës e bashkësisë ndërkombëtare me kontestin që ka Maqedonia me Greqinë dhe sfidat që ajo i kishte në rrugën e (mos)integrimeve euro-atlantike, krijoi një bindje të sforcuar tek forcat nacionaliste maqedonase se politikat e tyre retrograde, të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, mund të kalojnë pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Ende nuk është e qartë se pse Brukseli dërgon në Shkup përfaqësues të vet sa herë që këtu dikush nga shoqëria maqedonase tregon pakënaqësi dhe rebelim ndaj regjimit aktual? A ka pyetur dikush në Bruksel se çka po ndodhë me pakënaqësitë e shoqërisë shqiptare këtu dhe kush po i artikulon ato pakënaqësi?

Nëse Brukseli zyrtar i konsideron Ahmetin dhe Thaçin përfaqësues legjitim të shoqërisë së pakënaqur shqiptare në Maqedoni, të cilët haptazi janë në anën e Gruevskit, atëherë kemi të bëjmë, ose me një keqinformim total të tyre, ose me një naivitet diplomatik që qëndrimin e mbështet në përshtypje të çastit, e jo në një studim më të thellë të situatës në terren.

Ahmeti dhe Thaçi janë përfaqësues legjitim, por jo të pakënaqësive të shqiptarëve. Ata përfaqësojnë vetëm oligarkitë e tyre partiake, por jo gjithë popullin e pakënaqur, dhe pikërisht kjo mënyrë përfaqësimi do të duhej të brengoste diplomacinë ndërkombëtare.

Është e padrejtë që e gjithë diplomacia evropiane e Brukselit të alarmohet gjithmonë kur në Maqedoni ndodhin probleme vetëm në hapësirën politike me parashenjë etnike maqedonase, ndërkohë që probleme edhe më drastike ka në krizën e përfaqësimit politik të shqiptarëve.

Projektimi i gabueshëm nga ana e Brukselit i pasojave politike, sikur këto që po ndodhin kohët e fundit, që vijnë nga deformimet demokratike vetëm në hapësirën etnike maqedonase dhe amnestimi qorrazi i problemeve që kanë shqiptarët në raport me institucionet që abuzojnë me barazinë etnike të tyre, është problemi më madhor pa zgjidhjen e të cilit as që mund të mendohet për Maqedoni stabile.

Brukseli vetëm parcialisht po e stabilizon Maqedoninë, sepse janë problemet e pambyllura dhe të pazgjidhura të shqiptarëve ato të cilat e determinojnë fatin e këtij shteti.

Qasja selektive e organeve të ndjekjes, sidomos e Policisë së shtetit, ndaj incidenteve nëpër rrugët dhe autobusët e Shkupit, ku keqbërësit maqedonas lihen të lirë të organizojnë banditizmin e radhës, kurse shumë efikas e energjik ndaj ndonjë të mituri shqiptar, vazhdimi i politikës recidiviste maqedonase për të reduktuar përdorimin zyrtar e publik të gjuhës shqipe, nxitjen e urrejtjes ndëretnike përmes projektve monoetnike, të financuara edhe me paratë e shqiptarëve, diskriminimi buxhetor i projekteve e institucioneve kulturore, sociale, shkencore të shqiptarëve, janë disa nga pikat neuralgjike të realitetit në Maqedoni që nuk janë përfshi gati në asnjë raport zyrtar të kancelarive ndërkombëtare vendimmarrëse, sidomos të Brukselit pos rasteve kur ato përmenden shumë shkarazi dhe jo me një dioptri të qartë.

Por, ky perceptim i gabueshëm për zhvillimet e brendshme në Maqedoni, sidomos në pjesën shqiptare, nuk ka ardhur vetëtiu. Përkundrazi, këtë pasqyrë të Brukselit e kanë thyer vetë politikanët shqiptarë, të cilët për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, kanë degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz institucional të shqiptarëve.

Edhe BDI edhe PDSH kanë bërë, kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më tinëz, që të jenë më afër VMRO-së dhe agjendës së saj për ta marr edhe një mandat qeverisës. Partitë politike janë legjitime në zgjedhjen e rrugëve dhe strategjive për të synuar pushtetin, por kur ato bëhen jotransparente dhe shumë ordinere, për qëllime të ngushta grupore e individuale, atëherë janë të kota përpjekjet e tyre për të na bindur se të gjitha këto manovrime i bëjnë për të mirën e shqiptarëve. Mjafton të shikohet në restrospektivë se cilat kanë qenë marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me situatat e caktuara në prag të zgjedhjeve. Me saktësi matematikore mund të vërehen se ata u ngelin besnik manireve të tyre për të bërë politikë të pasinqertë e besëprerë ndërmjet veti, por shumë të hapur e të sinqertë me partnerët maqedonas.

Perceptimi i vetvetes si oborrtarë të vegjël në “qiflikun” maqedonas me ambicie të mëdha për përfitime personale, i bënë politikanët shqiptarë edhe më të lexueshëm para publikut shqiptar, sepse përvoja dhe memoria kolektive ka siguruar një minimum standard sa për të dalluar sinqeritetin nga dallaveret, interesin publik nga ai personal. Patriotizmi i harxhuar i këtyre tipave mund të zgjojë ndonjë adrenalinë të fjetur diku, por ajo që pritet si kundërvënie ndaj politikave arrogante të Gruevskit projektohet më tepër si material që do t’u shërbejë konkurrentëve shqiptarë për të baltosur njëri tjetrin. Sepse, Gruevski ende perceptohet nga politikanët shqiptarë si faktorizuesi i vetëm i tyre.

Deri më tani nuk ka ndodhur që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të tyre, Gruevski, në prag të çdo zgjedhjeje prodhon karamele për të joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të politikanëve shqiptar. Të dalë si pula të lagura nga këto takime me “shefin e madh”, politikanët shqiptarë, sidomos ndonjëri prej tyre që opozitarizmin e tij e këmben brenda natës me ndonjë karamel me afat të skaduar, nuk mund t’i fshehin gjurmët e puplave të ndukura nga “gjeli” agresiv. Të lagura e puplashkalafitura, këto pula të kotecit politik shqiptar në Maqedoni, ka të ngjarë që të përhapin epideminë e nënshtrimit në trajta të tilla ku edhe një politikan maqedonas, si Gruevski, me shtat liluputi, në sytë e shqiptarëve të duket si një gjigant, përmasash dinozauri.

Në mungesë të alternativës për të zgjedhur midis shiut e breshrit, shqiptarët janë të kufizuar të demonstrojnë ndonjë refuzim më frontal kundrejt këtij liliputanizmi politik maqedonas dhe të gjithë ata zëra kritikë nga shoqëria dhe mediat shqiptare që marrin guximin të kritikojnë Gruevskin apo ndonjë padron tjetër injorant maqedonas, nga politikanët shqiptarë kualifikohen si tradhëtar e plangprishës. Duke luajtur rolin e gardianit, këta politikanë jo vetëm që po e mbrojnë Gruevskin nga kritikuesit shqiptarë dhe ndonjë lëvizje politike opozitare, por ka rrezik që ta burgosin edhe aspiratën e një gjenerate të tërë shqiptarësh për të jetuar në një shtet normal.

Në trend

Më shumë
Drilonit i dridhen duart, videoja që ka ngritur shqetësim tek përdoruesit në internet: A është mirë me shëndet?

Drilonit i dridhen duart, videoja që ka ngritur shqetësim tek përdoruesit në internet: A është mirë me shëndet?

Magazina
Ia përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët

Ia përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët

Magazina
Gjesti në BBVA por Xheneta i kërkon produksionit që t'ia sjellin brenda në shtëpi

Gjesti në BBVA por Xheneta i kërkon produksionit që t'ia sjellin brenda në shtëpi

Magazina
Pankarta për Kosovën në protestat e studentëve në Serbi

Pankarta për Kosovën në protestat e studentëve në Serbi

Lajme
Kurti uron qytetarët për hapjen e degës së Bankës Ekonomike në Leposaviq, thotë se të punësuar janë tre serbë e dy shqiptarë

Kurti uron qytetarët për hapjen e degës së Bankës Ekonomike në Leposaviq, thotë se të punësuar janë tre serbë e dy shqiptarë

Lajme
Policia në kërkim të një personi në Prishtinë, publikon fotografinë e tij

Policia në kërkim të një personi në Prishtinë, publikon fotografinë e tij

Kronika e Zezë
Kalo në kategori