“Si mundet me qenë mirë kur ta merr dikush gjuhën e s’të lë me fol shqip”. Është kjo një thënie e një të moshuari shqiptar nga Sanxhaku, që në të njëjtën kohë duhet kuptuar si kumt i një tragjedie kombëtare që po shfaqet para syve krejt shpërfillës të shtresës politike dhe elitës institucionale në “dy shtetet shqiptare” në Ballkan. E thënë në një dokumentar televiziv të realizuar nga Top Channel para disa javësh, kjo më së miri tregon për fatin e një pjese të mirë të popullsisë shqiptare të lënë jashtë kufijve të shtetit shqiptar, fat ky që edhe sot i shoqëron shqiptarët e Sanxhakut. Kjo thënie po ashtu duhet kuptuar si thirrje dëshpëruese dhe qortuese e ndërgjegjes kombëtare në Kosovë, Shqipëri e kudo tjetër ku vetëqeverisin shqiptarët, për rrezikun e asimilimit që u kanoset sot, në shekullin XXI, shqiptarëve të Sanxhakut.
Gjendja socio-kulturore e shqiptarëve të mbetur në Sanxhak është tepër alarmante. Shumë të intervistuar, teksa flasin për shqetësimet e tyre, nuk ngurrojnë të identifikojnë mungesën e shkollave shqipe dhe efekteve kulturore që po prodhon kjo situatë, si faktor të akulturimit dhe asimilimit të gjeneratave të reja. Kjo, në fakt, pasqyron faktin që në mungesë të institucioneve edukative në gjuhën shqipe gradualisht është vështirësuar edhe ruajtja e identitetit kombëtar. Kësisoj, kushdo që proceson në mënyrë kritike atmosferën shoqërore atje, vëren simptoma të një akulturimi masiv. E, akulturimi është faza e parë e asimilimit. Kjo politikë diskriminuese, po ashtu, është edhe tregues i karakterit përjashtues dhe shtypës të politikës serbe.
Mirëpo, duhet pranuar fakti që kjo gjendje e mungesës totale të të drejtave elementare të sanksionuara në të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare sa është rezultat i mohimit dhe shtypjes që u bëhet shqiptarëve të asaj pjese nga Serbia, po aq është edhe produkt i shpërfilljes totale të shtetit shqiptar dhe elitave politike shqiptare në Serbi, Kosovë e Mal të Zi. Të gjendur në një situatë të tillë të mohimit dhe shpërfilljes, s’do mend që “boshnjakizmi” dhe “muslimanizmi” (si kategori etnike, që akoma është në përdorim në Sanxhak) mbesin alternativa identitare që sigurojnë sadopak mbrojtje politike. Andaj, s’është për t’u çuditur që elitat politike boshnjake me në krye myftiun Zukurliq janë të vetmit artikulues të interesave të këtij komuniteti, që për pasojë ka edhe zbehjen e elementit shqiptar dhe përvetësimin e trashëgimisë së tij etnike, kulturore e historike. Në këtë dritë duhet parë edhe vendosjen e paradokohshme të pllakës përkujtimore për Mufti Aqif Blytës në Pazar të Ri (Novi Pazar).
Sa i përket Serbisë, ajo me mjeshtri ka parcializuar dhe tkurrur elementin shqiptar në Serbi, duke e lokalizuar atë vetëm në Luginën e Preshevës. Por, fatkeqësia është që edhe aty ku njihen si pakicë kombëtare, pra në Luginë të Preshevës, shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen, e t’u mohohen të drejta elementare si ajo e përdorimit zyrtar të simboleve kombëtare. Jo më larg se para rreth një muaji, në Luginën e Preshevës autoritetet inspektoriale serbe konfiskuan të gjitha materialet shkollore shqipe të nxënësve shqiptarë. Ky veprim ishte ndërmarrë nën arsyetimin që këto tekste nuk janë në kuadër të programeve mësimore të Serbisë. Në fakt, një veprim i tillë, para se të jetë tendencë për të vendosur autoritetin shtetëror serb, është përpjekje për të kufizuar afirmimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ky rast, që po ashtu kaloi në heshtje të plotë në Kosovë e Shqipëri, gjithsesi, shpërfaq një kontekst shoqërisht tepër problematik që ekziston tashmë në Serbi.
Për më tepër, një ngjarje tjetër, paralele, që po ashtu nuk tërhoqi shumë vëmendje të opinionit, është shumë domethënëse në këtë drejtim. Në fund të vitit 2013 në qytetin e Fierit është hapur shkolla e parë në gjuhën serbe. Pas insistimit serioz të Serbisë, në këtë drejtim, u miratua kërkesa për të garantuar shkollimin në gjuhë amtare të një grupi sllavfolës. Realisht, kushdo që njeh sado pak kontekstin socio-kulturor të atjeshëm, e din fare mirë që një pakicë e tillë nuk është serbe por i takon komunitetit boshnjak. Këta persona sllavfolës në fakt janë me origjinë nga Sanxhaku dhe janë myslimanë. Mirëpo, meqë shteti boshnjak nuk gëzon fuqinë e konsoliduar ligjore dhe institucionale për të realizuar projekte të tilla, shteti serb e istrumentalizoi politikisht një kërkesë të tillë duke e hapur shkollën e parë atje. Natyrisht që secilit minoritet i takon e drejta e patjetërsueshme për t’u arsimuar në gjuhën e tij, por është indikative qysh Serbia synon të shtrijë ndikimin e saj edhe në hapësira të diskutueshme, ndërkohë që prerazi i mohon të njëjtat të drejta tek minoriteti shqiptar në Serbi.
Pas Greqisë, e cila veç ka shtënë në dorë Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, të krijuar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra besimtarësh ortodoksë e atdhetarësh shqiptarë, si dhe rritjen në mënyrë artificiale të “pakicës greke” përmes politikës së saj së stimujve ekonomikë dhe shpërndarjes së “kartave të homogjenitetit” (karta të veçanta të identitetit që jepen për personat me origjinë apo vetëdije greke) apo dhënies së shtetësisë, edhe Serbia po synon që me metoda të ngjashme të shtrijë ndikimin e saj në Shqipëri. Strategjia serbe mbështetet në Ligjin për Diasporën dhe Serbët në Rajon (2009) dhe Strategjinë për Ruajtjen dhe Forcimin e Marrëdhënieve në mes të Shtetit Amë dhe Serbëve në Rajon dhe Diasporë (2011).
Me çfarëdo kriteriumi, pakicat shqiptare mbesin ndër më të diskriminuarat në Evropë. Ndërkohë, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, nëse për asgjë tjetër, mbajnë një standard të lartë të mirëtrajtimit të minoriteteve. Porse, prapë në këtë drejtim ato u nënshtrohen kërkesave të vazhdueshme për më shumë gjenerozitet. Ndërkaq, Serbia ndonëse nuk respekton përmbajtësisht asnjë standard për të drejtat e minoriteteve, e me theks të veçantë të shqiptarëve, është duke lëvizur pa kurrfarë vështirësish në këtë kontekst. Kjo, natyrisht, është e kuptueshme nga perspektiva e BE-së që vepron mbi terma real-politik. Por, këtu duhet të adresohet edhe një përgjegjësi tjetër.
Në krejt këto zhvillime, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kanë pasur një qasje krejtësisht indiferente. Për më shumë, derisa Qeveria e Kosovës ka pranuar obligime të njëanshme në këtë drejtim, Qeveria e Shqipërisë e ka përkrahur pa kushte këtë proces. Mbase mund t’iu atribuohet sikur disfatë politike që të dy qeverive fakti që ato kanë dështuar që ta ngrisin sikur çështje shumë shqetësuese faktin që Serbia sot nuk respekton asnjë konventë ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve. Kësisoj, kjo qasje pasive, përveç tjerash, ka kontribuuar që Serbia të fillojë me integrime evropiane pa e pasur nevojë ta trajtojë çështjen e minoriteteve fare.
E drejta për përcaktim kombëtar dhe edukim në gjuhën amtare është e drejtë e patjetërsueshme dhe Shqipëria e shqiptarët duhet respektuar atë. Mirëpo, shqiptarët duhet kërkuar me ngulm që një e drejtë e tillë të respektohet edhe në rastin e shqiptarëve të Sanxhakut dhe Çamërisë. Më shumë sesa për shprehje patetike të patriotizmit folklorik në fjalime që kanë qëllime të pastra elektorale, shqiptarët e Sanxhakut kanë nevojë për ndihmën e institucioneve të shtetit shqiptar para së gjithash. Mbi të gjitha, ata kanë nevojë për shkollë shqipe. Andaj, fondi i paralajmëruar nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën e Preshevës, duhet rimenduar dhe riformatuar si fond për shqiptarët në Serbi. Sado që shqiptarëat në Luginë të Preshevës kanë nevoja të panumërta financiare, gjendja e shqiptarëve në Sanxhak është tepër alarmante. Andaj, nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse dhe afatgjate, me bashkëpjesëmarrje dhe financim nga Kosova dhe Shqipëria, që parasheh hapje të shkollave shqipe, qendrave kulturore, kurseve te gjuhës, si dhe bursa për studentë nga Sanxhaku për studime në Kosove e Shqipëri etj.
Mbase, e tëra duhet të fillojë me hapjen e një konsullate të shtetit shqiptar në Pazarin e Ri, që do merrej ekskluzivisht me shqiptarët në Sanxhak (në të dy anët e kufirit). Nëse shtetet si Serbia dhe Greqia, përkundër vështirësive të panumërta financiare kanë luksin të investojnë shuma marramendëse për bashkëkombësit e tyre real dhe atyre të trilluar a sajuar me mjete politike e ekonomike, Shqipëria dhe Kosova të paktën mund të kontribuojnë në edukimin dhe kultivimin e kulturës së shqiptarëve që jetojnë në rajon. Sa i përket Kosovës, sa për fillim, mjetet e shpenzuara nga Ministria e Diasporës për “argëtim” të diasporës kosovare përmes koncertesh e ngarjesh kuazi kulturore gjatë muajve të verës, do të mjaftonin për adresimin e gjendjes tepër alarmante në Sanxhak.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania