Kur në Prishtinë protestohej kundër Luftës së Vietnamit, invadimit sovjetik në Çekosllovaki dhe vrasjes së Martin Luther Kingut

Gjekë Gjonlekaj
Në pranverë të vitit 1968 isha student në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Më 4 prill të vitit 1968 u njoftua vrasja e udhëheqësit të të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King, Jr.
Për Kingun kisha njohuri të gjëra. Shtypi i vendit dhe mjetet ndërkombëtare të informacionit kishin komentuar e botuar shkrime të shumta për aktivitetet e tij. Për ne, studentët shqiptarë të Prishtinës, emri i këtij liberatori ishte shumë i dashur. Ne ishim një rini revolucionare, ashtu siç kishin qenë rinia universitare e vendeve më të përparuara të botës perëndimore. Ne, rinia studentore e Kosovës, përveç Kingut kishim adhuruar pa masë Ernesto Che Guevaran dhe Patrice Lumumban. Në atë kohë i nderonim për idealet e tyre revolucionare. Bile, disa prej studentëve i mbanim portretet e tyre në dhomat tona në konvikte.
Martin Luther Kingun e nderonim edhe më shumë për aktivitetet e tij kundër Luftës amerikane në Vietnam. Për rininë shqiptare në ish-Jugosllavi, ky ishte simbol lirie e barazie. Veprimtaria e tij për ne kishte domethënie të madhe.
Vrasjen e tij e pritëm me dhimbje e protesta. Studentët e fakulteteve dhe shkollave të larta të Prishtinës ishim mbledhur më 4 prill të atij viti para Fakultetit Juridiko-Ekonomik të Prishtinës. Në oborrin e këtyre dy fakulteteve ishim mbledhur për të protestuar. Atë ditë kishin protestuar edhe studentët e Universitetit të Beogradit. Në protestën e atij Universiteti kishin marrë pjesë mijëra studentë dhe disa personalitete politike. Fjalimin për vrasjen e Kingut e kishte mbajtur rektori i Universitetit të Beogradit, profesori Dragisha Ivanoviq. Ai kishte njohuri të gjëra për Shtetet e Bashkuara, sepse kishte specializuar Fizikën dhe Matematikën në këtë vend. Fjalimin e tij – kundër politikës raciste të Amerikës dhe kundër Luftës së Vietnamit – e kishte transmetuar drejtpërsëdrejti Radio-Prishtina (Ivanoviqi kishte lindur në Kuç të Malit të Zi dhe kishte njohuri të gjëra për shqiptarët. Bile Ai kishte ndihmuar shumë themelimin e Universitetit të Prishtinës më 15 janar te vitit 1970. Rexhai Surroi dhe Dragisha Ivanoviq kishin mbajtur fjalimet kryesore në ditën e themelimit të këtij Universiteti).
Protesta për vrasjen e Martin Luther Kingut ishte një hap i mirë dhe i guximshëm për studentët dhe nxënësit shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë. Studentët shqiptarë më 4 prill 1968 u mblodhën për herë të parë në një protestë liridashëse. Parullat tona “liri për popujt e shtypur” kishin domethënie të madhe, sepse edhe ashtu siç kishin qënë zezakët e Amerikës edhe ne e ndjenim veten të shtypur nga regjimi jugosllav. Mbase kjo protestë kishte qënë frymëzim për demonstratën e studenteve të Prishtinës më 28 nëntor të vitit 1968 e cila solli dhimbje të mëdha, por edhe fitore historike për Kosovën.
Rinia shkollore shqiptare e Kosovës dhe e viseve tjera arbërore ishte një rini e shëndosh, kombëtare dhe revolucionare. Ajo rini kishte vlera të larta morale dhe kombëtare. Ishte një rini e përparuar, por jo shoviniste. Sot, pas 50 vjetësh, e kujtoj atë rini studentore shqiptare me dashuri e respekt të jashtëzakonshëm. Shumë nga ata idealistë dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Pas protestës për vrasjen e Martin Luther Kingut u shpërndamë të gjithë nëpër banesat të konvikteve në qytet. Në gusht të atij viti, Bashkimi Sovjetik sulmoi Çekosllovakinë dhe përsëri studentët shqiptarë, në bashkëpunim me disa profesorë, u mblodhëm në amfiteatrin e këtyre fakulteteve për të dënuar politikën dhe sulmin sovjetik. Këtë mbledhje e kishte drejtuar profesori i Fakultetit të Drejtësisë, Ramadan Vraniqi. Ne kishim bindjen që kjo mbledhje ishte e lirë. Pyetja ime, ndoshta më shumë naive se e guximshme, ishte: “Kur do të fillojmë protestat për të drejtat tona”. Mbase për këtë pyetje studentët e Fakulteti të Drejtësisë më emëruan për të marrë pjesë me studentët e fakulteteve të tjera, në varrimin e Jan Palachut në Pragë. Delegacionin e studentëve shqiptarë të Kosovës e drejtonte profesori Gazmend Zajmi, një prej profesorëve dhe intelektualëve më të njohur shqiptarë në ish-Jugosllavi. Për mua u ndalua udhëtimi në Pragë, sepse nuk isha anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe për këtë nuk mund të më jepej pasaporta.
Më 15 janar të vitit 1970 u largova njëherë e përgjithmonë nga Kosova. U largova atë ditë që u themelua Universiteti i këtij vendi. E kujtoj edhe sot e kësaj dite ceremoninë e themelimit. Pas ceremonisë u largova i lumtur për ngjarjen më të madhe akademike dhe kulturore të Kosovës. Por, në nivelin personal atë dita humba Kosovën time të dashur.
Në janar të vitit 1970 u vendosa në Itali. Menjëherë u bashkova më mërgatën shqiptare – ekonomike dhe politike. Mërgata e shqiptarëve nga trojet tona në Jugosllavi ishte më shumë ekonomike se politike, ndërsa mërgata e Shqipërisë ishte politike. Në takimet e ndryshme ata mbanin fjalime në mbështetje të Luftës së Vietnamit. Bile, mbështetjen morale për Luftën e Vietnamit e kisha dëgjuar për herë të parë nga profesori Ernest Koliqi. Koliqi, në verën e vitit 1970, kishte shtruar një darkë të veçantë për mikun e tij nga Amerika, Peter Cikos – që në atë kohë ishte kryetar i Organizatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “Vatra”. Koliqi kishte ftuar për darkë një numër të konsiderueshëm mërgimtarësh nga Shqipëria dhe vise të ndryshme shqiptare në ish-Jugosllavi. Profesori lavdëroi Shtetet e Bashkuara për Luftën e Vietnamit. Unë nuk u ndjeva mirë, sepse në Prishtinë kishim vepruar e folur kundër asaj Lufte. Por, nuk kisha guxim të bëja ndonjë koment ose pyetje, sepse miqtë e tij mund të ma kishin bërë të pamundur migrimin për në Shtetet e Bashkuara.
Në fund të shtatorit të vitit 1970 arrita në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, në Amerikë, miliona studentë dhe qytetarë bënin demonstrata dhe protesta kundër Luftës së Vietnamit. Demonstratat kundër Luftës së Vietnamit kanë qënë demonstratat më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e Amerikës. Këto demonstrata më në fund e ndaluan këtë luftë. Disa analistë sot e kësaj dite mendojnë se Martin Luther Kingu u vra për pikëpamjet dhe fjalimet e tij kundër kësaj lufte.
Gjatë protestave tona në Amerikë për Kosovën, midis revolucionarëve amerikanë kishim gjithmonë shembull Kingun. Në prill 1999, gjatë Luftës në Kosovë, shqiptarët e Amerikës bënë një demonstratë të madhe në New York, në Bulevardin “Martin Luther King, Jr.” Në fjalimin tim vura në dukje se kjo demonstratë po mbahet në Bulevardin e nobelistit dhe trimit të madh që kishte dhënë bota. Poeti i njohur rus Yevgeny Yevtushenko ia kishte kushtuar disa vargje poetike atij, ku kishte thënë: “Ata që të vranë ty ishin të bardhë, por zemrën e kishin të zezë; ndërsa ti ishe i zi, por zemrën e kishe të bardhë”. Vargjet poetike të tij patën jehonë të madhe në botë.
Sot me rastin e 50-vjetorit të rënies tragjike e kujtoj me shumë dashuri e respekt këtë profet të lirisë dhe barazisë njerëzore. I kujtoj edhe kohanikët e mi shqiptarë që morën mundime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Franca i ofron mburojë bërthamore Evropës - aeroplanët luftarakë mund të vendosen në Gjermani

Feith thirrje Kosovës: Mos e merrni të mirëqenë mbështetjen e SHBA tani e tutje

Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Trump thotë se punonjësit federalë që nuk i përgjigjen emailit të Musk do të pushohen nga puna

Rreziku nga sulmet kibernetike, policia del me apel: Mos hapni mesazhe dhe email-e të dyshimta

Policia me aksion kundër fajdes në Prizren, arreston dy persona - konfiskon para dhe automjete

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania