Lorik Cana, kapiteni i deri sot kombëtares së Shqipërisë, ka shprehur pakënaqësinë, tani që edhe Kosova do ketë ekipin e vet të futbollit, që një pjesë e lojtarëve të kombëtares do luajnë për ekipin e Kosovës. Dhe nuk rrëfen merak vetëm për cilësinë e ekipit, por edhe më gjerë, edhe për pasojat negative që mund të ketë kjo ndarje e “kombëtares” në realizmin e ëndrrës së bashkimit kombëtar. Dhe vërtet duket paradoksale: Një komb me dy ekipe kombëtare futbolli?
***
E gjithë kjo ngatërresë i ka rrënjët në faktin që edhe sot e kësaj dite, edhe në literaturën shkencore, nocioni i kombit mbetet i papërkufizuar në mënyrë të qëndrueshme ose më saktë, i jepen kuptime që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Dhe janë dy nocione kryesore. Njeri, më i lashti, e përkufizon kombin si bashkësi e njerëzve që bashkëndajnë gjuhën, kulturën, zakonet, të kaluarën dhe të parët e tyre. Pra, e sheh kombin thuajse si një bashkësi natyrore, biologjike njerëzish. Tjetri nocion, më i vonë dhe që pretendon të jetë më modern, e përkufizon kombin më shumë si një bashkësi politike sesa biologjike. Pra, për të, njësia e kombit nuk presupozon bashkësinë e gjuhës apo trashëgimeve të tjera, sesa të qenët e njerëzve bashkë në të njëjtin territor shtetëror. Ky nocion i dytë e barazon kombin me shtetin.
***
Por, historia ka provuar se edhe pas lindjes së atij që quhet shteti-komb, vështirë të gjendet një komb kufijtë natyrorë të të cilit (të truallit dhe të gjakut), të përputhen me ato të shtetit. Ose shteti do të jetë më i madh se kombi ose kombi më i madh se shteti. Shteti dhe kombi rrallë mund të paraqiten identikë. Gjë që na shtyn në përfundimin se, jo vetëm praktikisht, shteti nuk është kombi dhe kombi nuk është shteti. Po t’i përmbahemi këtij koncepti na rezulton se kombi shqiptar është shumë më i madh se shteti i Shqipërisë apo shteti i Kosovës, veç e veç, por edhe të marrë së bashku. Kombi shqiptar, konceptuar si bashkësi e gjakut dhe e gjuhës, shtrihet (pa llogaritur diasporën dhe emigracionin) në pesë shtete.
***
Por, nëse do të pranonim nocionin se çdo shtet është automatikisht edhe një komb atëherë do të rezultonte se sot, kur ka dy shtete shqiptare, paska edhe dy kombe shqiptare, kombi i shtetit të Kosovës dhe kombi i shtetit të Shqipërisë. Një konkluzion absurd që nuk mund të pranohet nga logjika: një komb që është njëherazi dy kombe? Është njësoj si të thuash se 1-shi është njëherazi edhe 2-sh.
***
Dhe, këtu e ka themelin edhe shqetësimi i Canajt. “Përse duhet të kemi dy kombëtare kur jemi një komb?”, pyet ai. Ai pyet nisur nga koncepti i kombit si bashkësi gjuhe, gjaku, trashëgimie kulturore, historie etj.
Por, e vërteta është se Kosova, ndonëse pjesë e kombit shqiptar, është tashmë shtet më vete, ka flamurin e vet, Parlamentin dhe qeverinë e vet, Presidentin e vet, popullin (dhe populli nuk është, siç perceptohet rëndom, i njëjtë me kombin) domethënë “Demosin” e vet. Dhe si shtet ajo duhet të ketë edhe përfaqësuesen e vet.
Në këtë pikë ndeshim një tjetër emërtim të gabuar që pjell konfuzion. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) i quan ekipet e shteteve të ndryshme “kombëtare”. Duket se atje kanë përvetësuar konceptin shteti=kombi. Në këtë rast edhe ekipi i Kosovës duhet të quhet “kombëtare”. Por, e përsërisim, a nuk është absurd të ketë një komb me dy kombëtare?! Prandaj kush luan, “kombëtarja” apo përfaqësuesja e shtetit? Sipas nocionit “shteti është edhe kombi” i bie të luajë kombëtarja. Sipas nocionit “shteti nuk është kombi” i bie të luajë ekipi përfaqësues i shtetit.
Në rastin e parë kapiteni Canaj nuk do kishte të drejtë, sepse Kosova si shtet, pra edhe si komb, duhet të ketë edhe kombëtaren e vet. Në rastin e dytë nuk do kishte prapë të drejtë, sepse nëse shteti nuk është baras me kombin, nuk luan “kombëtarja”, por përfaqësuesja e tij. Dhe lojtarët kosovarë është e logjikshme të luajnë me përfaqësuesen e shtetit të Kosovës dhe jo me përfaqësuesen e shtetit të Shqipërisë.
***
Ne jemi me rastin e dytë. Atë që shteti nuk është kombi. Ndaj themi se në Evropian apo Botëror nuk luajnë “kombëtaret”, por përfaqësueset e shteteve. Është një realitet që për shkak të globalizmit, multietnicizimit gjithnjë e më të thellë të bashkësive politike (shteteve), po e nxjerr jashtë loje dhe si të vjetruar nocionin e “kombëtares”. Ky emërtim është në fakt, guaska e ngurtësuar e një realiteti krejt të ndryshuar brenda saj. Dhe këtë e provojnë rastet e shumta të futbollistëve që duke qenë shtetas të një shteti larg atdheut të tyre, kanë luajtur edhe kundër “kombëtares” së Atdheut.
Ka pasur deri edhe vëllezër që kanë luajtur në “kombëtare” (në të vërtetë në përfaqësuese) të ndryshme. Januzaj mund të luajë me Anglinë, por kjo nuk e bën atë anglez. Mund të luajë me Anglinë edhe kundër Shqipërisë apo Kosovës, kundër përfaqësueseve të tyre, por jo kundër “kombëtares”. Sepse pas daljes së shtetit të Kosovës nuk ka më një “kombëtare”. Përfaqësuesja e Republikës së Shqipërisë i merrte, simbolikisht, edhe atributet e “kombëtares”, sa kohë që në arenën ndërkombëtare të futbollit nuk luante ekipi i një shteti tjetër shqiptar. Por me të dalë ekipi i Kosovës, ato atribute bien vetiu. Por ato edhe mund të rilindin vetiu nëse një ditë Shqipëria dhe Kosova (edhe pse kombi është përsëri më i madh se kaq) bashkohen në një shtet të vetëm.
***
Termi “kombëtare” për skuadrën përfaqësuese të një shteti e ka rrënjën te barazimi i shtetit me kombin. Por është një term i vjetruar që nuk pasqyron një realitet global të ndryshuar vrullshëm nga hapja, komunikacioni, emigracioni dhe globalizimi. Dhe nuk është vetëm ai. Duke i qëndruar kësaj logjike mund të thuhet, për shembull, se edhe vetë emërtimi Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) nuk pasqyron saktë atë që, në fakt, është përfaqësim i shteteve dhe jo i kombeve. Në të vërtetë ajo është Organizata e Shteteve të Bashkuara të Botës. Por nuk është e para herë që një send është krejt tjetër nga çka na thotë emri i tij. Dhe njerëzit e pranojnë, si automatë, pa reflektim.
(Marrë nga: Gazeta Shqip)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
“Do e shkelje me këmbë siç ka bërë ajo me ty” - Xheneta Fetahu reagon ashpër ndaj pyetjes së Danjës drejtuar Gjestit

Ylli i Real Madridit u hoq nga skuadra e Spanjës për shkak të incidentit me Gavin

Macron nga Shtëpia e Bardhë: Marrëveshja e paqes me Rusinë nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës

Gjashtë persona arrestohen për sulm ndaj policisë pas përleshjes në veri të Mitrovicës

Shëndeti mendor i fëmijëve – fazat e zhvillimit, përshtatja në kopsht, adoleshenca e llojet e prindërimit, flet psikologia Mirjeta Deliu

24 ditë nga nisja e punimeve për rrethrrotullimin te rruga "C", ende nuk dihet se kur do të lëshohet për qarkullim

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania