LAJMI I FUNDIT:

Kultura masive dhe media

Shkruan: Ali Dula

Kultura masive paraqet githëpërfshirje të prodhimeve kulturore dhe pseudokulturore, të cilët i janë dedikuar për përdorim shtresës së gjerë të qytetarëve (masave të gjëra popullore). Në ndërkohë kultura masive është bërë realitet i kohës, pjesë dominante e përditshmërisë kohore, si dhe vlerë e pashmangshme e mënyrës dhe stilit të jetës. Kultura masive në masë të madhe ka marrë pjesën e madhe të hapësirës shoqërore dhe për një kohë relativisht të shkurtër ka arritur të pushtojë masën dhe botën e saj përjetuese.

Ndikimi i saj është aq i prekshëm sa mund të paraqet një kërcënim, ku me formën e saj më të lartë mund jo vetëm të deformojë çdo shije, por edhe t`i brutalizojë ndjenjat. Në pasqyrimin e saj, ajo shpesh të shëmtuarën e paraqet si të bukurën, zbrazëtirat i paraqet si plotësime, varfërinë si pasurinë etj. dhe në këtë mënyrë sikur po krijohet një botë fiktive, e cila pretendon t`ia zë vendin e botës reale. Dhe, çfarë është më e keqe, ajo anon rrugës së totalitarizmit, por edhe pranimi i saj është bërë në mënyrë jo kritike e demagogjike.


Çfarë është e gjithë kultura masive që shohim ne?

E gjithë makineria reklamuese, pastaj shtypi i verdhë, po ashtu editimi i librave të xhepit, moda, lojërat shpërblyese, telefonat celularë, restorante të Mekdonalldsit, muzika e turbo-folkut, rok e hip hop muzika, sajtet e internetit, lojërat olimpike, soap opera, pushimet, mitingjet përkrahëse politike, veturat, bestsellerët, romanet kriminalistikë, hitet në toplista, etj. nga kjo themi që kultura masive indentifikohet edhe nga niveli më i ulët kulturor. Këtë e vërteton edhe teoricientja Antonjina Klostovska në një studim të saj “kultura masive” ku thekson se kultura masive më së shpeshti identifikohet me kulturën vulgare dhe kulturën e nivelit më të ulët.

Shoqëria mediatike perëndimore çdo ditë e më shumë përdorë shprehjet popullore nga gjuha popullore, gjuha e filmit, nga teknologjia, shprehjet ushqimore, moda, deri tek shprehjet sportive që dëgjohen nga transmetimet e drejtpërdrejta, duke krijuar kështu trajtat e reja të kulturës popullore sipas nevojave dhe interesave të njeriut. Ai (njeriu) është edhe prodhues edhe konsumues i kulturës popullore, prandaj si në prodhimin ashtu edhe në konsumimin e trajtave dhe shprehjeve të reja të kësaj kulture, ai gjen kënaqësinë e tij. I pari që e përdori shprehjen “kultura masive” është teoricienti Dvajt Mekdonald, i cili më 1944 në një artikull të shkruar “A Theory of Popular Culture” kritikoi ashpër trendin e barazimit të përgjithshëm të kulturës dhe homogjenizimin e saj.

Shprehja e kulturës masive në periudhën e industrializmit, është e ndërlidhur edhe me migrimin e njerëzve nga zonat rurale të fshatit në zonat urbane të qyteteve. Kur këta njerëz vijnë nga zonat fshatare, atëherë me veti tërheqin dhe mbartin po ashtu edhe elemente të asaj kulture tradicionale popullore. Kur ndodh ky migrim atëherë do të duhej të gjendet diç që do të qëndronte midis kulturës elitare (e cila përfshin një numër jo të madh njerëzish) dhe kulturës popullore. Atëherë vjen në pah kultura masive, e cila do t`i plotësojë dhe kënaq mentalitete nga më të ndryshme. Natyrisht, pas ardhjes së individit në zonën e qytetit, ai duhet doemos të inkuadrohet dhe të topitet në atë kulturë-qytetare, prandaj aty pikërisht qëndron magjia e kulturës masive, ku shundi dhe kiçi jepet si zëvendësim për mungesën intelektuale dhe arsimore. Me kalimin e kohës, njerëzit me këtë kulturë bëhen shumica në shoqëri. Dhe tani pakica e arsimuar tenton të jetë shumica e paarsimuar, për shkak të konformizmit, nga frika e përgjithshme e izolimit e cila natyrisht shkakton një formë të re të kulturës masive – një udhëzues për zbrazjen totale të qelizave të trurit..

Andaj, mund të përfundojmë se përmbajtjet e shprehjeve popullore paraqesin njëkohësisht pasqyrën e aspiratave, vlerave dhe qëndrimeve që janë popullore dhe që dalin si reflektim momental (kohor) i realitetit shoqëror. Rezultatet e disa shembujve që mund t`i shohim, janë edhe pasqyrim i kohës për trendin dhe realitetin kulturor të vendit tonë: Shikimi i serialeve televizive të prodhuara nga kulturat e serialeve në Turqi apo ato latinoamerikane në një ose tjetër mënyrë janë edhe treguesi momental për trendin dhe statusin kulturor të shoqërisë. Shprehjet dhe trajtat popullore e artistike të kulturës masive ekzistojnë gjithmonë, ato po ashtu transmetohen dhe ndiqen nga mediat masive andaj ne nuk mundemi assesi t`i analizojmë ndaras nga ato.

Kultura masive e përhapur me mjete teknike të massmedias i drejtohet gjithnjë masës shoqërore. Kulturologu francez Edgar Moren thotë se ajo kështu po kryen “një rikolonizim të dytë” shoqëror, duke e gllabëruar globin dhe duke imponuar një sistem normash, i cili me entuziazëm po pranohet. Duke falënderuar mjetet e komunikimit masiv, informacionet janë pafundësisht të shumuara dhe të standardizuara, andaj dhe secili mund të arrijë lehtë tek ato e po ashtu edhe lehtë t`i kuptojë. Sot, duke komentuar qasjet kulturore në medie, nuk bën që të mendojmë se ajo do ta përcaktojë fatin e kulturës masive. Diskutimet për kulturën masive gjithmonë kishte mendimet pro dhe contra.

Çdo medie e ka fuqinë e saj të pavarur transmetuese në kuadër të hapësirës së saj vepruese. Kur flasim për përdorim të medias në rrafshin e kulturës masive, atëherë mendja më së shpeshti na shkon në përparësitë e mundësitë të marketingut. Kështu metodat “klasike” të marketingut i përdorin mediat e zakonshme siç janë televizioni, radio, revistat, gazetat, pllakatet, shpalljet, broshurat etj. Të gjitha këto media i kanë anët e tyre pozitive dhe negative, që duhet t`i marrin parasysh kur e mendojnë promovimin e produktit të tyre në pajtim të karakterit prodhues, saktësisht qëllimit publik.

Mjetet massmediatike të komunikimit (shtypi, radio, TV) kanë fuqinë dhe të manipulimit masiv… “Në njërën anë gjenden redaksitë që krijojnë programet, në anën tjetër auditoriumi pasiv i milionave” (libri – Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Izetbegovic Alija). Televizioni si media e fuqishme ka arritur të transmetojë elemente të kulturës masive të të gjitha produkteve të kërkuara dhe interesante.

Nga shumë trendët e kulturës popullore, po përmendim trendët e muzikës që kanë bërë të jenë sinonim i periudhave të kulturës popullore, veçmas ato të “shpirtit dhe zemrës”, që janë konsideruar: era e xhazit, era e rokut etj. Kjo muzikë popullore në atë kohë preku tema popullore, artikulonte kundërshtime shoqërore, parashtronte pyetje politike. Por, sot gjeneratat e reja i njohin si vlerat vetëm ato që janë afër identitetit dhe pikëpamjeve të tyre për botën dhe jetën. Sot këta i mahnitin spektaklet glamuroze që i transmeton televizioni, pamja e jashtme, skenografia, veshja, sjellja në skenë dhe jo pjesa e vërtetë kualitative. Mediat sot përshkruajnë edhe si kulturë masive, individët që janë bërë ikona të stilit, bukurisë, seksualitetit, pra elemente të imazhit, që dalin më të rëndësishme se sa të arriturat reale, profesionale e kualitative. Nga to mund t`i përmendim Rihanna, Lady Gaga, Beyonce e Madonna etj., ku në çdo emision argëtues të televizionit përmenden dhe shihen si personazhe që paraqesin këtë kulturë.

Kjo ndodh edhe me kulturën shqiptare ku imitohet tendenca që e tërë krijimtaria kulturore, bile edhe ajo elitare, të bëhet pjesë e kulturës masive, madje mediale. Modeli estradesk dhe medial i kulturës, fama e artistëve mbërrihet nëpërmjet shundit dhe kiçit medial. TV-moderatorët, manekinet, valltaret me këngëtaret ndajnë hapësira shumë të mëdha kulturore. Edhe tek shtypi: gazetat, revistat si medie e shkruar, sot i gjejmë këto personazhe duke zënë hapësirën relevante në to. Si pjesë e hapësirës massmediatike, që paraqesin një reaksion kundër realitetit të pakënaqur shoqëror, është zhanri i muzikës rap, që është shfaqur si shprehje e filluar nga zezakët e rrugës, që paraqisnin kulturën urbane, por që sot kjo rrymë e muzikës rap identifikohet me madhërimin e parave, simbole të shtrenjta statusore, argëtimet luksoze private etj.

Element tjetër në këtë rrafsh që ka përfshirë ambientin tonë kulturor, që sot nga muzika komerciale po konvertohet në kulturën masive është edhe e ashtuquajtur muzika tallava, rrymë kjo që tani ka marrë jehonë aq të madhe dhe që ka arritur të jetë deri në përmasa të kulturës masive, por që në fakt është pjesë e shundit dhe kiçit. Rryma e kësaj muzike tallava si dhe këngëtarët që kultivojnë këtë rrymë sot gjejnë hapësirë mbështetëse thuajse në të gjitha mjetet massmediatike, ku i serviren publikut në mënyra të ndryshme të marketingut.

Edhe shtypi, përpos mjetit informues u bë edhe burim zbavitës. Periudha më e ndritur e krijimit të kulturës masive përmes shtypit të shkruar, është atëherë kur gjatë garimit të ofrimeve për publikun, më shumë shtyhen ato materie serioze që krijojnë sensacione dhe temat me përmbajtje zbavitëse. Sot mendohet se gazetat më të shitura janë ato gazeta që trajtojnë dhe përshkruajnë tri motive: dhunën, paranë dhe seksin. Po ashtu shtypi arrin që lexuesit t`i drejtohet edhe me fotografinë. Kjo është si rezultat i paraqitjes së formave të reja të informimit nga radio dhe televizioni, por po ashtu edhe krijimi i koncepteve të reja për detyrën dhe misionin e shtypit. Sa më bombastikë të jenë tituj të gazetave aq më shumë pritet të ngritet numri i tirazhit.

“Lajmet e këqija” janë pika kyçe e shitjes së gazetave dhe janë të domosdoshme për lëvizjen edhe pranimin e “lajmeve të mira” nga publiku që janë asgjë më shumë se propagandë dhe argëtim, që në një mënyrë krijojnë edhe kulturën masive. Edhe revistat për gratë që bëjnë tregime të shkurtra, reklamat për modën, shëndetin, kuzhinën, kanë ndryshuar objektivin e tyre informues, andaj karakteri i editimit të tyre sot është në informimin e femrave për stilin e jetës, duke imponuar në një formë këtë si një kulturë masive që mëton të jetë. Një fakt interesant dhe mjaft i çuditshëm që sërish mëton të futet si element i kulturës masive në shtyp është edhe përdorimi i gjuhës ne formën e përdorimit të masës së përditshme dhe jo sipas rregullave të saj. Ky trend vazhdon të konsumohet nëpër gazeta të ndryshme duke përdor rregullat e veta të drejtshkrimit, gramatikës apo stilit shkrues.

Në shtypin e shkruar është futur gjuhë e kafeve dhe e rrugës. Disa media për ta ngritur tirazhin e tyre sa më të madh e përdorin gjuhën e folur masovike, prandaj sot në gazeta çdo ditë e më shumë hasim në shprehjet e ndryshme masovike duke përdorur barbarizma, shkurtesa e akronime të ndryshme , por që janë të deformuara nga ato letrare e standarde (si p.sh hi, hello, tung, paçim, flm, sps, etj.). Këto shprehje edhe pse janë bërë pjesë e kulturës komunikuese nëpër rrjete sociale të internetit (faceebook, twitter, myspace, hi5 etj.), ato sot mund t`i hasim edhe nëpër disa gazeta, që një përdorim të tillë përpos në temat e showbizit, atë e hasim shpeshherë edhe në temat serioze e informative.

Pavarësisht konkurrencës dhe parashikimeve pesimiste të kritikës, shtypi ka arritur që të mbahet edhe sot e kësaj dite, dhe kjo ndodh ndoshta për shkak të përshtatjes së shtypit me mediat e reja duke i përfshirë ato në përmbajtjet e tij (editimi i shtypit me programin televiziv dhe kritikës së filmit, që gjithmonë shiten më shumë), ndoshta me paraqitjet e elementeve sensacionale, apo ndoshta edhe nga fakti se fjala e shkruar asnjëherë nuk do të jetë e dënuar me dështim. Artistë të njohur dhe sociologët konsiderojnë si kulturë masive çdo gjë që mund të riprodhohet dhe në përgjithësi për të njëjtën nuk kanë mendim të prerë, përpos muzikës klasike, pikturat e përkryera dhe letërsisë. Kështu p.sh. mund të themi se edhe solistët e flokut, por edhe CD me muzikë klasike janë produkte të kulturës masive. Kurse përjetimi i vërtetë elitar për muzikën klasike është atëherë kur dikush është i edukuar muzikalisht dhe paraprakisht i njohur me prapavijën e tregimit të asaj vepre, e cila fshihet prapa disa kompozimeve klasike.

Pra, rreziku qëndron në faktin se kultura e vlerave reale të mos shformësohet nga karakteristikat e saj origjinale për shkak të interesave dhe trendëve momentalë të publikut masiv, por me kalimin e kohës dhe për shkak të fuqisë dhe ndikimit të madh të mediave në formësimin e publikut, ajo pastaj realisht dhe e bën.

Kështu, problemi i përfaqësimit të kulturës masive e që ka dalë më vonë edhe në media, është se kjo kulturë është parë si pjesë e industrisë argëtuese, e jo si vlera të vërteta kulturore e sociale, dhe përgjegjësia më e madhe për plasimin atyre materialeve që serviren për publikun i mbajnë vet mediat (televizioni, radio, shtypi i shkruar: gazetat, revistat etj. ).