LAJMI I FUNDIT:

Kreu i shërbimit amerikan rrëmbeu gruan nga Shqipëria

Kreu i shërbimit amerikan rrëmbeu gruan nga Shqipëria

Gazetari me origjinë shqiptare, Peter Lucas, rrëfen në librin e tij “Misioni amerikan në Shqipëri”, se si kreu i shërbimit sekret për Shqipërinë, Tom Stefani, u martua me armiken e Enver Hoxhës, Lulu Vrionin, dhe vdiq i alkoolizuar.

Nik Kukiçi kishte filluar të fuste nëpër valixhe sendet për rrugëtimin e shumëpritur të kthimit në shtëpi. Do të iknin brenda pak ditësh. Lufta për të kishte mbetur prapa. Grupi i OSS-it në Tiranë ishte duke u shkrirë, për t’u zëvendësuar nga civilët. Ai ishte në pritje të mikut të tij Tom Stefani. Në mëngjes Kukiçi kishte vizituar Enver Hoxhën në zyrë në një takim lamtumire për t’i shprehur respektin e tij. Me vete kishte marrë një qese me ndonjë çerek kile bathë që i kishte blerë në pazar. Hoxha së fundi kishte urdhëruar vendosjen e qindra hunjve me majë të mprehtë përqark Aeroportit të Tiranës. Ushtarët e tij i kishin ngulur hunjtë në tokë gjoja si për të mbajtur bathët. Por, ideja ishte të pengohej ndonjë zbarkim i parashutistëve anglezë që Hoxha mendonte se mund të pushtonin vendin e tij. Lufta e Ftohtë kishte filluar dhe Hoxha kishte zgjedhur anën tjetër.

Lulu Vrioni

Stefani mbërriti i shoqëruar nga dy gra. Ato ishin motrat Vrioni, Luluja dhe Liliana. Të dyja ishin tërheqëse dhe të veshura mjaft bukur. Stefani ishte parë shpesh me Lulunë, më të bukurën midis tyre. Kukiçi e kishte takuar Lulunë me Stefanin nëpër mbrëmjet festive. Ajo fliste mirë anglisht dhe ishte mjaft inteligjente. Familja e tyre bënte pjesë në elitën e Tiranës, të cilën Hoxha e urrente. Kjo elitë përbëhej nga pronarë tokash, intelektualë dhe tregtarë, pronat e të cilëve ai i konfiskoi. Ata ishin anëtarë ose mbështetës të Ballit që ishin futur në rreth të kuq për hetime, arrestime, pyetje, gjykime, burgime dhe ekzekutime.


I shoqi i Lilianës, një anëtar i Ballit, sapo ishte arrestuar, ishte në burg në pritje të gjyqit. Ajo nuk e dinte se në cilin burg ishte. Xhaxhai i tyre, Qemal Vrioni, mezi i shpëtoi ekzekutimit. I gjykuar nga gjykata speciale si një kriminel lufte, Qemali u gjend fajtor dhe u dënua me vdekje. Megjithatë, dënimi i tij u zbut në burgim të përjetshëm me punë të detyruar. Të 17 të bashkëpandehurit e tij u gjendën fajtorë dhe u ekzekutuan në të njëjtën ditë, më 15 prill, duke përfshirë Kol Tromarën dhe Bahri Omarin, kunatin e Hoxhës. Familja Vrioni, si shumë të tjera në Tiranë, kishte qenë e kamur dhe mjaft e respektuar. Hoxha kishte konfiskuar ndërtesat e tyre, por nuk mund të konfiskonte emrin e tyre.

Martesa me Stefanin

Stefani i tha Kukiçit se ai sapo ishte martuar pa bujë me Lulunë. Ai hezitonte për dasmën. Luluja ishte e lumtur, por nervoze. Liliana ishte vetëm nervoze. Ai nxori nga brezi nëntë monedhat angleze prej floriri që i kishte me vete dhe ua dha atyre si dhuratë për martesën. Stefani ia dha florinjtë Lulusë. Pastaj, ai foli për planet që kishte për ta nxjerrë Lulunë jashtë Shqipërisë. Nuk bëhej fjalë për ikjen e Lilianës: ajo ishte e vendosur të qëndronte aty dhe të ndihmonte të shoqin, nëse do të gjente dot se ku mbahej i burgosur.

Stefanit i mbetej fare pak kohë për të gjetur një mënyrë jashtë rregullave për ta nxjerrë Lulunë jashtë shtetit, përderisa amerikanët brenda pak ditëve do të iknin për në Romë. Ndoshta Hoxha, po të merrte vesh martesën, nuk do ta linte kurrsesi Lulunë të ikte.

Së pari ata menduan ta fusnin kontrabandë me një grup refugjatësh hebrenj të cilët po i ndihmonin për t’i nisur për në Romë, por Stefani e kundërshtoi prerë atë ide. Ai vuri veton. "Unë do ta nxjerr vetë", tha Stefani. Dhe, ai vërtet do ta nxirrte vetë. Me anë të kufirit ishte e pamundur. Hoxha e kishte mbyllur vendin. Por, Luluja ishte martuar me një oficer amerikan, pavarësisht se ai në këtë kohë ishte distancuar disi nga Hoxha.

Luluja dhe familja e saj e kishin marrë parasysh të qenit ballistë, domethënë armiq, dhe Stefani kishte lidhur martesë me një nga këta. Vetëm ai mund t’i kapte shanset për ta nxjerrë atë jashtë. Stefani e dinte që Balli nxirrte ilegalisht njerëz jashtë shtetit nga deti nëpërmjet rrjetit të tij që ende funksiononte. Ai sigurisht që kishte miq ballistë. "Unë nuk e di nëse Tomi u martua me të nga dashuria apo për ta nxjerrë atë jashtë vendit. Ndoshta për të dyja", thotë Kukiçi. "Tomi nuk i tha lamtumirë Hoxhës. Ata nuk shkonin më me njëri-tjetrin. Tomi filloi të pinte së tepërmi në Tiranë dhe ai shkonte në të gjitha llojet e mbrëmjeve që organizoheshin nga ballistët. Vetëm ballistët ishin në gjendje të organizonin partí të tilla. Partizanët ishin trokë. Hoxha nuk i pëlqente këto lloj partish. Unë i thashë Tomit dhe O’Kifit se do të ishte më mirë të qëndronim larg tyre. O’Kifi dhe unë e bëmë, por Tomi vazhdoi të shkonte në to dhe atje takoi Lulunë. Dhe Luluja, sigurisht, ishte në anën tjetër. Unë nuk e di se si do të jetë bërë Hoxha kur ka marrë vesh martesën e tij me Lulunë. Hoxha kurrsesi nuk mund ta pëlqente atë”.

Plani i arratisjes

Plani i Stefanit për të dalë nga Shqipëria bashkë me Lulunë ishte më i thjeshti që mund të imagjinohet. Ditën e fundit të detyrës në Tiranë ai i paketoi pajimet e tij në një Jeep dhe e ngau makinën nga shtëpia e Lulusë dhe e rrëmbeu atë. Mandej, tok me Kukiçin, O’Kifin dhe disa pjesëtarë të tjerë të Grupit të OSS-it në Tiranë në një Jeep tjetër, shkuan drejt aeroportit. Megjithëse Hoxha e kishte forcuar sigurinë në aeroport dhe përqark Tiranës, fluturimet e përditshme ushtarake të Dakota C-47 nga Roma në Tiranë ishin bërë aq rutinë saqë rojet e aeroportit vetëm sa i përshëndesnin me dorë amerikanët që zbrisnin apo hipnin në aeroplan. Shpesh amerikanët u jepnin atyre ndonjë shishe me uiski skocez, apo paketa me cigare. Stefani ishte familjarizuar aq shumë saqë ata i kushtuan shumë pak vëmendje kur ai hipi në aeroplan bashkë me të tjerët, përfshi edhe Lulunë. Tri orë më vonë Tomi dhe Lulu Stefani kishin hapur një shishe shampanjë dhe trokëllinin gotat në Hotel Excelsior në Romë.

Lulu Vrioni, e cila shumë shpejt u bë e pakënaqur nga Stefani, u nda nga ai dhe pastaj i kërkoi divorcin. Ata nuk kishin fëmijë. Stefani u zhduk. Ai bridhte nga një mik i OSS-it te tjetri. Ai vizitoi Xhon O’Kifin në Lonoke të Arkansasit, ku O’Kifi punonte për zyrën e shërbimit postar. Miqtë e tij të OSS-it thanë se ai iku pa ndonjë qëllim poshtë për në Teksas dhe mandej për në Meksiko ku dëgjuan se ishte vrarë në një burg meksikan. Ata tundën kokat. Shpejt do ta harronin Stefanin.

Stefani në kujtimet e Enver Hoxhës

Pjesëtarët anglezë të SOE-s në luftën shqiptare që kanë shkruar libra mbi përvojën e tyre – njerëz si Smajli, Emeri dhe Kempi – nuk e përmendin Stefanin. Shkrimtari anglez Xhon Hallidei, në librin e tij për Hoxhën dhe luftën, e poshtëron Stefanin. Në një shënim në fund të një faqeje në librin e tij, i ndikuar dukshëm nga komentet fyese të Hoxhës, shkruan: "Misioni i parë i OSS-it nuk mundi të mbërrinte në shtabin e Hoxhës para majit 1944. Ai kryesohej nga një figurë e parëndësishme, Tom Stefani, të cilin Hoxha e trajtonte me njëfarë përçmimi". Hoxha, në kujtimet e tij të shkruara dekada më vonë, e largon nga vëmendja Stefanin. Hoxha thotë se Stefani ishte një spiun i dërguar për t’i bërë keq popullit shqiptar.

Kujtimet e anglezëve për amerikanët në Shqipëri

Rexhinald Hiberti, i cili ka shërbyer për SOE-n dhe shkruan për të, është i vetmi anglez që thotë diçka pozitive për Stefanin. Hiberti i cili u takua më Stefanin në Shqipërinë jugore në pranverë të 1944-ës, komenton mbi njohjen që kishte Stefani për Shqipërinë. "Ne takuam gjithashtu Kapiten Tom Stefanin, oficer i ndërlidhjes së SHBA me partizanët. Ai ishte nga prejardhja shqiptar dhe dukej se e kishte plotësisht në duar situatën në Shqipëri. Ndryshe nga oficerët anglezë në Shqipëri, të cilët e kishin si kusht që të mos shfaqnin interesim për politikën dhe ishin shpallur se përqendroheshin vetëm e vetëm në luftën kundër gjermanëve, Stefani fliste lirisht se merrte udhëzime nga Departamenti i Shtetit nëpërmjet Zyrës së Shërbimeve Strategjike. Kjo mënyrë e hapur nuk dukej që t’i kishte shkaktuar atij ndonjë vështirësi".

Ndryshe nga homologët e tyre anglezë, amerikanët në Shqipëri nuk ishin njerëz të letrave. Ata nuk shkruan libra apo artikuj për kohën që kaluan në Shqipëri. Historia e OSS-it amerikan në Shqipëri nuk është rrëfyer kurrë. Shqipëria mbeti një histori angleze e treguar nga shkrimtarë anglezë. Më 1995 Xhejms Hudsoni botoi vetë kujtimet e tij për Shqipërinë në “Përtej OSS-it”.

Lulu Vrioni nuk merr pjesë në varrimin e Tom Stefanit

Tom Stefani vdiq ne rrugët e Los Anxhelosit më 6 shtator 1959. Ishte vetëm. Nuk i dihej adresa. Nuk kishte shtëpi. Ishte 42 vjeç. Gazeta Laconia Evening Citizen botoi nekrologjinë e Stefanit një javë pasi kishte vdekur. "Ai u shemb në rrugë, ndërsa me të mbërritur në spitalin e Los Anxhelosit u mor vesh se kishte vdekur", thuhej në nekrologji. Ai ishte vetëm dhe nuk kishte asnjë adresë me vete.

Kur unë kontaktova me zyrtarët e policisë së Los Anxhelosit për shkakun e vdekjes së tij, policia tha se dokumentet për vdekje të tilla, kur nuk janë shkaktuar nga ndonjë veprim keqdashës, zhduken pas dhjetë vjetësh.

Laconia Evening Citizen shënonte tri motrat e Stefanit, por nuk përmendte Lulu Vrionin. Tom Stefani u varros më 14 shtator 1959 në Union Cemetery në Lakoni. Varreza është vendosur jo shumë larg nga qendra e qytetit, pas ndërtesës së gjykatës, por njëherësh edhe jo shumë larg nga shtëpia ku Stefani kishte jetuar dikur. Një burizan nga Korpusi vendor i Ushtrisë së Shpëtimit i kishte rënë burisë. Në varrim morën pjesë motrat e tij si dhe pak miq nga New Hapmshire dhe Massachusetts. Lulu Vrioni nuk mori pjesë. As ndonjë nga shokët e dikurshëm të Stefanit që kishin punuar për OSS-in. Ata nuk e dinin që ai kishte vdekur. /Shekulli/