Gjithkush është kureshtar të dijë se si njerëz të suksesshëm sot e kanë nisur dikur rrugën në fillesat e tyre. Ëndrra të mëdha, optimizëm, por edhe pengesa e vështirësi? Çfarë e shtyn dikë t’i çojë gjërat deri në fund dhe të mos dorëzohet.
Shumë prej nesh nuk e njohim Kreshnik Hotin përtej muzikës, por në këtë intervistë do të kemi mundësinë të hyjmë paksa në jetën e tij si shkencëtar dhe ta shohim atë nga një këndvështrim tjetër, atë personal dhe profesional.
Kreshniku, vendosi të ndiqte rrugën e tij, i bindur që do t’i sillte suksesin, siç u vërtetua edhe ndër vite, kur e nisi me “arratisjen drejt Australisë”.
Ndonëse ende i ri, ai sot ka mbi shpinë një karrierë të gjatë në fushën e farmaceutikës, por edhe shumë ide të qarta për të ardhmen.
Fillimisht na rrëfeni rrugëtimin tuaj shkencor. Si e arritët cakun e synuar?
Në Prishtinë kam mbaruar shkollën fillore “Ismail Qemali” dhe shkollën e mesme “Xhevdet Doda”. Ndërsa, rrugëtimin tim më të avancuar shkencor e kam vazhduar në Australi – pas përfundimit të studimeve themelore në Farmaci, pas vazhdimit të studimeve postdiplomike dhe rrjedhimisht mbarimit të studimeve të nivelit PhD në lëminë e Farmacisë në Curtin University. Shtytje kyçe në rrugëtimin tim (sepse nuk besoj që caku përfundimtar në shkencë arrihet) kanë qenë profesorët e mi të studimeve postdiplomike, përkatësisht Prof. Jeff Hughes dhe Emeritus Prof. Bruce Sunderland. Këta më kanë përkrahur vazhdimisht dhe pa mentorimin e suksesshëm të tyre vështirë se rrugëtimi im shkencor do të ishte ky që ka qenë deri më tash. Natyrisht, nuk ka munguar edhe përkrahja e familjes dhe miqve, sidomos Profesorit Nexhmi Rexha dhe Profesorit të ndjerë Anthony Pecotich, të cilët e kanë pasuruar rrugëtimin tim me këshillat dhe kreativitetin shkencor të tyre.
Thuhet se në shkencë ka vend për të gjithë, por atë vend duhet merituar dhe fituar me shumë djersë, mund e sakrificë. A ishte kështu edhe me ju?
Po besoj që kështu ishte edhe për mua. Megjithatë, ndoshta në krahasim me të tjerët, unë kam pasë fatin që mbarova Fakultetin e Farmacisë në një shkollë mjaft prestigjioze në Australi, që më përgatiti shumë mirë për rrugëtime të mëtutjeshme – si profesionale farmaceutike ashtu edhe akademike. Unë, në Australi, përveç punës në barnatore, kam specializuar në aspektin klinik të rishikimit të barnave. Në këtë aspekt kam qenë i mentoruar nga farmacistë komunitarë dhe farmacistë konsulentë mjaft të respektueshëm atje, ndër ta edhe Gary Finucaine. Puna në barnatore, specializimi dhe puna në rishikimin klinik të barnave, më ka mundësuar që praktikën profesionale të farmacisë ta ndërlidhi mirë me fushën e praktikës së farmacisë dhe kujdesit farmaceutik në karrierën akademike. Besoj që kjo më ka ndihmuar shumë profesionalisht dhe akademikisht. Në akademi konsideroj që isha me shumë fat që vazhdimisht isha i përkrahur nga Profesorët e mi që kanë pasur dhe ende kanë një rol shumë të respektueshëm dhe udhëheqës në Farmacinë Australiane. Kjo ka qenë një lehtësi për mua. Në Kosovë ka shumë studentë dhe talent të ri që do të performonin njëjtë ose shumë më mirë se unë, sikur ta kishin pasur fatin dhe mundësitë që i kam pasur unë.
Si u përcaktuat për këtë profesion? A mund të thuhet se ishte ëndërr e juaj dhe se e keni realizuar!
Profesioni i Farmacisë ishte zgjidhje e lehtë për mua, sepse kam qenë vazhdimisht i interesuar në mjekimin me barna. Në Kosovë, Farmacia, në vitet e paraluftës dhe fillimet e pasluftës, ishte në fazat fillestare. Prandaj, në Australi, zgjedhja e Fakultetit të Farmacisë ishte një zgjedhje e natyrshme kur u ballafaqova me një sistem aq të avancuar farmaceutik. Ndërsa, profesioni në aspektin akademik ishte diçka tjetër. Kjo erdhi besoj nga një kuriozitet (shpeshherë i tepruar) gjatë studimeve të Farmacisë në Australi dhe gjithashtu nga fakti që isha i rrethuar me njerëz e familjarë për të cilët puna kërkimore-shkencore ishte një bisedë ditore e zakonshme. Puna me pacientë, si farmacist konsulent, d.m.th. gjatë rishikimit të avancuar të terapive me barna të pacientëve pas referimit nga mjekët, involvonte hulumtim të vazhdueshëm të materialit shkencor rreth barnave apo edukim të vazhdueshëm të mjekëve australianë rreth barnave. Ky hulumtim gjatë punës profesionale besoj që me kanalizoi drejt karrierës akademike.
Për shkencën thuhet se rrënjët i ka të hidhura, por frutat i ka të ëmbla. A zë vend kjo thënie në rastin tuaj?
Varet se prej cilit kënd shikohet kjo. Shkenca shpeshherë di të jetë edhe një punë e mundimshme që ndonjëherë jep rezultate të cilat nuk i pret – qoftë pozitive apo negative. Megjithatë, rezultatet shkencore (apo frytet siç po iu referoheni ju), mund të ndryshojnë pozitivisht jetën dhe avancimin e njerëzimit. Ky ndryshim, në aspektin individual, është shumë i vogël, por kontributi shkencor ndërtohet kumulativisht prej punës shkencore të shumë individëve që jetojnë në kohëra të ndryshme. Prandaj, është me rendësi të kuptohet ky aspekt i impaktit shkencor gjatë rrugëtimit akademiko-shkencor. Për shembull, një nga projektet shkencore në të cilat punoj ka të bëjë me mundësimin e detektimit automatik të dhimbjes tek pacientët që nuk mund të komunikojnë. Fakti që nëse gjithçka shkon mirë me këtë projekt, kjo do të rezultojë në ndryshimin e jetëve të miliona njerëzve nëpër botë që nuk mund të komunikojnë dhimbjen e tyre më bënë të lumtur dhe të vullnetshëm të punoj më shumë në atë drejtim.
Si vendosët t’ju ktheheni rrënjëve – Kosovës?
Në Kosovë vendosa të kthehem pas një qëndrimi të gjatë në Australi, d.m.th. pas mbarimit të studimeve të të gjitha niveleve – një pune gati 10 vjeçare si farmacist, një përvoje tetëvjeçare si farmacist-konsulent i specializuar në rishikimin klinik të barnave, si dhe një përvoje gati pesëvjeçare si Profesor Asistent në Universitetin ku mbarova studimet, në Curtin University (para se të avancohesha në Ligjërues Senior d.m.th. Senior Lecturer). Me fjalë tjera, ishte koha kur kuptova që nëse kthehem, tani isha relativisht mirë i përgatitur për të ndihmuar arsimin dhe Farmacinë në Kosovë. Besoj që është mjaft pozitive që mua më është dhënë një mundësi për të kontribuar në Universitet në këtë aspekt. Megjithatë, në këtë drejtim duhet mjaft punë, sepse besoj se ka edhe shumë të tjerë që në një formë apo tjetër kanë dëshirë për t’ju kthyer rrënjëve dhe për të kontribuar në Kosovë, por të cilëve nuk u është dhënë mundësia për një gjë të tillë. Mendoj që institucionet në Kosovë duhet të hapen më shumë në këtë drejtim, sepse përvoja e shqiptarëve në vendet e ndryshme të botës është përvojë e shkëlqyer dhe që duhet të shfrytëzohet më shumë.
Me kthimin tuaj, e duke pasë parasysh kushtet që Australia dhe Universitetin Curtin u ka ofruar, ju keni bërë një sakrificë. A ishte sakrificë që ia vlente?
Po gjithsesi që ia ka vlejtur. Për Atdheun ia vlen të sakrifikohesh, edhepse sakrifica ime nuk është e përmasave madhore. Ka shumë të tjerë që janë kthyer në Kosovë dhe kanë sakrifikuar shumë më shumë se unë. Madje, gjatë luftës plot e dhanë edhe atë më të shtrenjtën – jetën. Prandaj, pa marrë parasysh se kushtet në Australi ishin shumë më të mira, Kosova ofron një shans për të përmirësuar dhe ndihmuar gjendjen në të cilën ndodhet populli yt. Për dikë kjo mund të konsiderohet sakrificë e për dikë, privilegj. Për mua është – privilegj.
Aktualisht jeni Profesor-Asistent në Degën e Farmacisë – Fakulteti Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe Ligjërues i Lartë i Jashtëm (Adjunct Senior Lecturer) në Curtin University, në Perth, të Australisë. A do thotë kjo se shkenca i rrafshon kufijtë ndërshtetëror?
Besoj që po. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me kolegë, sidomos ata australianë, anglezë dhe kanadezë në lidhje me projekte të ndryshme shkencore, si dhe studentët e mi të doktoraturës të cilët i mentoroj në Australi. Madje, gjatë kësaj periudhe kam ligjëruar për studentë dhe kam mbikëqyrur ose mbështetur ligjëruesit australian nga Kosova në Australinë e largët. Teknologjia i ka eliminuar shumicën e barrierave distancore që kanë ekzistuar para një periudhe jo shumë të largët.
“Mëso të jetosh” është titulli i librit të filozofit të filozofëve, Seneka. Çka keni mësuar ju në dy realitete: në Kosovë dhe në Australi?
Realiteti në Kosovë është shumë më dinamik, por në krahasim me realitetin australian, fatkeqësisht jo gjithmonë i drejtuar në progresivitet për shkak të rrethanave, të cilat, mendoj që janë në përmirësim e sipër. Shoqëria kosovare, në krahasim me atë australiane, është më shumë e politizuar, ndoshta edhe për shkak të problemeve më të shumta këtu. Megjithatë, kërkimi i llogarisë nga politika mendoj që është më aktiv në shoqërinë australiane. Atje punohet më shumë për të ardhmen afatgjate, ndoshta për shkak të një stabiliteti më të madh që e ofron sistemi. Për shkak të rrethanave në Kosovë, ndryshimet pozitive këtu vërehen shumë më shumë sesa në Australi. Kjo është normale në një shtet të ri i dal rishtazi nga lufta dhe që normalisht ka më shumë zbrazëtira dhe probleme për të adresuar urgjentisht.
Çfarë emocionesh ju ka falur profesioni i farmacistit? E ndjeni veten edhe humanist, me faktin se përmes kësaj dege i shkurtoni vuajtjet e shumë njerëzve.
Personalisht kam pasë fatin te praktikoj Farmacinë në një shtet që këtë profesion e ka shumë të rregulluar. Farmacisti është një profesionist shëndetësor shumë i respektuar në komunitetin australian. Për mua ka qenë një kënaqësi t’ju ndihmoj pacientëve në zgjidhjen e problemeve me barna, qasjes në barna, këshillimin rreth barnave dhe monitorimin terapeutik të tyre. Profesioni i farmacistit është vërtetë një profesion humanist dhe me mundësi të mëdha të ndihmës së pacientëve, duke marrë parasysh llojllojshmërinë e terapive me barna sot si dhe problemet që mund të rrjedhin nga keqpërdorimi i tyre.
Ju jeni i suksesshëm në disa fronte, sikurse profesor dhe prodekan. Si po ia dilni krahas këtyre obligimeve të merreni edhe me punë të frytshme shkencore?
Ne fakt, frytet në punën shkencore janë rezultat i angazhimit si profesor, prandaj ajo vjen si rezultat i punës standarde që vjen me këtë profesion. E kam vështirë t’i ndaj këto dy procese, d.m.th. të qenit profesor nga aktivitetet shkencore. Përveç kësaj, siç sugjerova edhe më lart, për nga natyra jam mjaft kurioz, prandaj idetë rreth hulumtimeve shkencore janë pjesë e përditshmërisë tek unë. Sa i përket punës si prodekan për mësim në Fakultetin e Mjekësisë dhe sukseseve aty, besoj që është herët të flitet për rezultate madhore, sepse rishtazi – para disa muajve – kemi filluar si menaxhment nën udhëheqjen e Dekanes, Prof. Dr. Suzana Manxhuku-Kërliu. Besoj që jemi një ekip ambicioz që ka marrë detyrën e përmirësimit dhe avancimit të Fakultetit të Mjekësisë – me shumë seriozitet dhe intensitet të theksuar. Frytet e para të punës tonë kanë filluar të shihen dhe në periudhën në vijim do të kemi progres rrënjësorë të Fakultetit të Mjekësisë. Kemi plane dhe ambicie të mëdha për Fakultetin e Mjekësisë.
Po ashtu, ju jeni edhe recensues dhe anëtar i bordit në disa revista shkencore, pastaj keni angazhime tjera shtesë. Cilat janë ato?
Po, rishtazi jam zgjedhur anëtar i Bordit Editorial në revistën prestigjioze Research in Social and Administrative Pharmacy. Kjo revistë, nga portali Scimagojr që bazohet në algoritmat e Scopus, rankohet e dyta në botë në lëminë e Farmacisë. Ndërsa, si recensues jam i angazhuar në një numër revistash shkencore duke përfshirë: American Journal of Pharmaceutical Education, Plos One, Pharmacy Practice, Australasian Medical Journal, Pharmacy, BMC Family Practice, BMC Health Services Research, BMJ Open, Integrated Pharmacy Research and Practice, Research in Social & Administrative Pharmacy, International Journal of Quality in Health Care etj.
T’i kthehemi edhe njëherë fillimit të rrugëtimit tuaj. A mund të na tërhiqni një paralele ndërmjet një studenti të atëhershëm dhe këtij të sotmit?
Po, studenti bashkëkohor ka shumë më shumë qasje në informacion në krahasim me studentin e para 10-15 viteve, e mos të flasim për studentët e viteve të mëhershme. Fatmirësisht, teknologjia informative, interneti, kanë mundësuar një qasje relativisht të mirë edhe për studentët në Kosovë (edhepse ka shumë për tu bërë në aspektin e qasjes në databaza shkencore). Megjithatë, ekzistojnë shumë burime informacionesh online që janë kredibile dhe japin informacion falas. Prandaj, konsideroj që ky është aspekti kyç dallues për sa i përket gjeneratave të studentëve. Rrjedhimisht, kjo do të thotë që në krahasim me studentët e viteve apo dekadave të kaluara, nevoja e njohurisë së gjuhës angleze është e domosdoshme dhe e padiskutueshme për studentët bashkëkohorë. Në këtë aspekt, besoj që Universiteti i Prishtinës duhet të fillojë të mendojë për ofrimin e programeve profesionale edhe në gjuhën angleze.
Si i shihni ju farmacistët e rinj; janë pasioanantë, entuziastë, studiozë, me kureshtje, të zotët, apo vetëm njerëz të interesuar për një karrierë, shpesh të diskutuar?
Po e bëj një krahasim të Australisë dhe Kosovës në këtë aspekt. Farmacistët, rrjedhimisht edhe studentët e Farmacisë në Australi, për momentin janë para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me zgjerimin e kompetencave profesionale farmaceutike me orientim tek pacienti. D.m.th. është fjala kryesisht për inovacione botërore profesionale që ndërlidhen me kujdesin farmaceutik dhe praktikën e Farmacisë në përgjithësi. Kjo është pjesë e evolucionit farmaceutik që e ka vendosur profesionin e Farmacisë në binarët e kalimit prej fokusit parësor në produkt farmaceutik tek fokusi në pacient. Nga përvoja në Australi, është një korrelacion pozitiv mes pasionit dhe entuziasmit në njërën anë të farmacistëve dhe angazhimit të tyre në aktiviteteve të avancuara klinike farmaceutike. Në anën tjetër, në Kosovë farmacistët janë para një udhëkryqi tjetër, po aq të rëndësishëm, e që ka të bëjë me ekzistencën e profesionit të Farmacisë në rrafshin bazik profesional, pra largimin nga perceptimi i gabueshëm i shitblerjes klasike të barnave. Shpresoj që profesioni i Farmacisë në Kosovë dhe farmacistët kosovarë do ta zgjedhin rrafshin profesional si të ardhme të tyre profesionale. Kjo do të hap dyert për avancim të kompetencave profesionale farmaceutike dhe rrjedhimisht përmirësim të shëndetit të kosovarëve. Ekziston një keqperceptim që në Kosovë ka shumë farmacistë. Në fakt, problemi qëndron në faktin se në Kosovë ka shumë farmacist që nuk e ushtrojnë profesionin e Farmacisë, si dhe ka pak diversitet dhe shfrytëzim të farmacistëve nga ana e institucioneve dhe sidomos spitaleve në Kosovë. Kjo duhet të ndryshojë.
Farmacisti është dora e fundit e dhënies së ilaçit-pacientit. Sa i kushtohet kujdes këtij aspekti kaq të rëndësishëm?
Është e vërtetë që farmacisti është pika e fundit në zinxhirin e kontrollit dhe dhënies së barit para se bari të merret nga pacienti. Kjo është një pikë kritike për të siguruar përdorimin e drejtë të barit dhe rrjedhimisht për të minimizuar problemet që mund të vijnë nga barnat. Fatkeqësisht, në Kosovë ka ende punë për t’u bërë në aspektin e vetëdijesimit të profesionistëve tjerë shëndetësore, si dhe popullatës për rolin e farmacistit në sistemin shëndetësor. Përveç kësaj, ka ende punë për t’u bërë për të ngritur nivelin e edukimit të farmacistëve në Kosovë, për të arritur standardet ndërkombëtare të kompetencave profesionale farmaceutike. Besoj që në degën e Farmacisë, pranë Fakultetit të Mjekësisë, jemi në rrugë të mirë për të shënuar progres konkret në këtë aspekt.
A keni vërejtur ndonjë deformim të profesionit dhe kush duhet ta luftojë këtë dukuri?
Po, në Kosovë ka deformim të profesionit të Farmacisë dhe farmacistët nuk e kanë rolin e merituar në shoqërinë kosovare, si dhe në sistemin shëndetësorë. Këtu kanë kontribuar edhe mungesa ose moszbatimi i ligjeve përkatëse që ka rezultuar në çrregullim të tregut farmaceutik në Kosovë dhe ushtrim të profesionit nga persona që nuk janë farmacist. Gjithashtu, edukimi farmaceutik në Kosovë është relativisht i ri (d.m.th. edukimi universitar farmaceutik përbrenda Kosovës ka filluar në vitet e 90-ta). Pastaj, ka pasur mungesë të stafit akademik profesional farmaceutik që nga fillimi i funksionimit të Degës së Farmacisë. Kjo ka rezultuar në gjenerata farmacistësh që zbrazëtirat profesionale farmaceutike i kanë mbushur nëpërmjet autodidaktizimit të tyre. Me fjalë tjera, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për t’i përballuar sfidat në të cilat është gjendur profesioni i Farmacisë pas luftës. Përveç Degës së Farmacisë që është në krye të edukimit të farmacistëve në Kosovë, janë dy institucione kyçe profesionale farmaceutike që mund të përmirësojnë gjendjen ekzistuese në Farmaci: Oda e Farmacistëve dhe Shoqata Farmaceutike e Kosovës. Normalisht këtu kemi edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Jemi mësuar të dëgjojmë prej vitesh sloganin “reformë”. Në fakt, çka i mungon sistemit shëndetësor që të quhet i reformuar dhe i “shëruar”?
Mendoj që sistemit shëndetësor në Kosovë i mungon një delegim më i madh i punëve në të gjitha nivelet, një specifikim i llogaridhënies prej institucionit deri tek individi, një përcjellje (‘follow-up’) e punëve të nisura dhe rezultateve konkrete, një komunikim më i mirë, si dhe një fokus më i madh në kujdesin e orientuar tek pacienti. Normalisht që, përveç kësaj, në pikëpamje afatgjate sigurohet një qëndrueshmëri e zhvillimit të sistemit shëndetësorë vetëm nëse edukimi shëndetësor në Kosovë reformohet sipas praktikave më të avancuara perëndimore. Në këtë aspekt, modernizimi i vazhdueshëm dhe progresi në cilësinë e edukimit të profesionistëve shëndetësorë në Fakultetin e Mjekësisë është i një rëndësie të veçantë për Kosovën.
https://youtu.be/uipOoRZZj5g
A janë barnat (ilaçet) edhe ‘helme’ që duhet të përdoren domosdoshmërisht, apo ka ndonjë alternativë tjetër?
Barnat duhet të përdoren duke u bazuar në protokollet terapeutike të rifreskuara vazhdimisht, varësisht nga evidenca më e re rreth përdorimit të tyre. Rrjedhimisht, kështu përcaktohet nëse duhet të përdoret bari apo ndonjë alternative tjetër.
Me gjithë angazhimet tuaja shumëdimensionale, ju gjeni kohë edhe për artin muzikor: rok grupi “Retrovizorja”, që mbase është kult bendi i vetëm në Kosovë. Në shikim të parë, nuk duket se shkenca dhe muzika korrespondojnë ndërmjet vete, por në rastin tuaj e plotësuakan njëra-tjetrën?
Po, në fakt bendin Retrovizorja e kemi formuar para shumë viteve, gjatë kohës kur isha student fakulteti në Australi. Kjo mbase më ka ndihmuar që, përveç fokusit intensiv në studime, ta kem edhe një hobi relaksues. Megjithatë, ky hobi rezultoi në një sukses të cilin nuk e kishim planifikuar. Është fjala për suksesin e albumit të parë, ku përveç që u prit shumë mirë nga publiku, njëra prej këngëve, në vitin 2004, ishte renditur edhe e para në rrjetin Cross-Radio të radiove më prestigjioze ballkanike. Në rastin tim, muzika gjithsesi e ka plotësuar angazhimin shumë intensiv rreth studimeve si dhe mund të them që e ka balansuar stresin me të cilin studentët ballafaqohen shpeshherë. Studimet themelore në Australi në Farmaci kanë qenë shumë intensive ku pothuajse çdo ditë kemi qenë prej orës 08:00-17:00 në aktivitete mësimi. Fatkeqësisht, tani kam shumë më shumë angazhime dhe rrjedhimisht është shumë e vështirë të gjej kohë për muzikën dhe Retrovizoren.
https://youtu.be/T_nKOXtRKWY
Pas suksesit të albumit të parë, filluat bashkëpunimin e frytshëm edhe me këngëtaren e njohur Elina Dunin. Si nisi ky bashkëpunim dhe cilat janë sukseset e këtij bashkëpunimi?
Në atë kohë, viti 2003, Elina Duni nuk ishte një figurë e njohur në skenën tonë, e as në atë botërore siç është tani. Në fakt, incizimin e albumin e patëm filluar kur unë isha në pushime dimërore të studimeve në Kosovë (lexo: verore në Australi), dhe së bashku me Bashkim Salihun, i cili profesion tani ka inxhinieringun dhe programimin softverik, vendosem që t’i incizojmë disa prej ideve fillestare muzikore që ishin akumuluar, kryesisht në Australi. Ishim vetëm unë dhe Bashkimi, ndërsa pasi i incizuam këngët, anën muzikore-instrumentale, iu përvishem punës në gjetjen e një këngëtari ose këngëtareje. Pas disa dështimeve me këngëtarë të ndryshëm, e kuptuam që muzika jonë ishte më ndryshe në krahasim më çka krijohej në atë kohë. Kështu, na u rekomandua Elina të cilën e kontaktuam dhe ‘eksperimentalisht’ u pajtuam që të bashkëpunonim për finalizimin e albumit të cilin e kishim filluar. Kështu u krijua një lidhje dhe miqësi speciale mes nesh e cila ende vazhdon, edhe tani kur nuk po krijojmë muzikë. Gjykimin e suksesit të këtij bashkëpunimi ua lë dëgjuesve të Retrovizores.
Sa janë të rëndësishme në jetën tuaj emocionet, veçanërisht kur bëhet fjalë për artin?
Artin e konsideroj bosh nëse nuk inkorporon emocionet e art-krijuesit. Për dallim nga veprimtaritë tjera ku jo gjithmonë emocionet janë të domosdoshme (e madje në disa raste penguese), artistët e kanë luksin që të mund të inkorporojnë lirisht emocionet e tyre në punën dhe rrjedhimisht produktin final të tyre.
Thuhet se në laboratorin e shkencëtarit nuk ka asnjë ditë bosh. Çka keni nëpër duar aktualisht?
Për momentin jam shumë i ngarkuar me rolin që kam pranuar si Prodekan për çështje mësimore në Fakultetin e Mjekësisë. Megjithatë, nuk mund të funksionoj shëndetshëm në jetën akademike pa u marrë me projekte të ndryshme shkencore. Për momentin me kolegët ne Australi dhe Zvicër jemi duke punuar në finalizimin dhe testimin e një aplikacioni që detekton dhimbjen në persona që nuk mund të komunikojnë, siç janë ata me Demenci. Këtë e bëjmë duke detektuar specifika mikrofaciale të pacientëve. Gjithashtu, punoj në disa projekte shkencore që ndërlidhen me praktikën e farmacisë dhe farmacinë klinike. Specifikisht, së bashku me studentët e mi të doktoraturës në Australi, përveç projektit të detektimit të dhimbjes, jemi duke punuar në modelet e shërbimeve klinike farmaceutike tek pacientët më sëmundje mendore ndërsa në Kosovë jam i fokusuar në hulumtime rreth bashkërendimit të barnatimit në ambiente spitalore, vet-barnatimit dhe dizajnimit të kornizës teorike që shpjegon përdorimin e barnave komplementare.
Në fund, do të dëshironim nga ju një mesazh për të gjithë ata që janë përcaktuar për këtë profesion human e të përgjegjshëm si dhe për vetë pacientët.
Mesazhi im për studentët është që të mos dekurajohen nga kushtet shpeshherë suboptimale të studimeve dhe të vazhdojnë të kërkojnë njohuri të reja, pasi që teknologjia sot e mundëson një gjë të tillë. Kosova ofron mundësi të shkëlqyeshme për studentë në aspektin e mobiliteteve jashtë vendit në institucione prestigjioze botërore. Ju kisha rekomanduar studentëve t’i shfrytëzojnë këto mundësi, të avancojnë dijen dhe të kthehen në Kosovë për ta avancuar shtetin e tyre. Ndërsa, për kolegët farmacistë, mesazhi im është të fokusohen në aspektet profesionale që i parasheh procesi i të ushtruarit të profesionit të farmacisë dhe të fokusohen në pacientin gjatë ofrimit të shërbimeve të tyre. Pacientëve u kisha rekomanduar të kërkojnë më shumë këshilla prej farmacistëve në komunitetin e tyre, para se t’i përdorin barnat e tyre. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëUEFA vjen me njoftim për ndeshjen Rumani – Kosovë, fillojnë procedurat për atë që ndodhi në Bukuresht
Martohen në Las Vegas aktori Ylber Bardhi dhe stilistja Albina Dyla
Çfarë thotë neni 55, sipas të cilit UEFA hapi hetimet për ndeshjen Rumani - Kosovë
Parandaloni lagështinë në dritare me një truk pesë-minutësh
Produksioni ia ndërroi biletën e fatit Xhenetës për t’u kthyer prapë pas eliminimit?
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian