PO, le ta themi me gojën plot se Kosova ka dhjetë herë të drejtë që refuzon “Ballkanin e Hapur“! Për shumë shkaqe dhe arsye të pakundërshtueshme, që çuditërisht disa nuk duan t’i dëgjojnë dhe kuptojnë, dhe vazhdojnë sipas parimit “pushka bam dhe Muçua tutje“,
Kosova ka të drejtë sepse merr pjesë dhe mbështet Procesin e Berlinit. OK, thonë disa, por “Ballkani i Hapur“ nuk bie në kundërshtim, as paralelizon, ai është “njësi, zgjatim dhe plotësim i Procesit të Berlinit“!
Mirëpo, Procesi i Berlinit nuk ka fare nevojë për njësi, plotësime dhe zgjatime të tjera. Kancelari Scholz ia tha sy më sy të gjashtë liderëve tanë, në Berlin në maj dhe javën e kaluar në Tiranë, Prishtinë, Beograd, në Shkup dhe në Selanik, se Gjermania synon rijetësimin e Procesit të Berlinit këtë shtator. Çka do të thotë që bashkë me Parisin, Romën, Londrën dhe metropole të tjera partnere do të riparojnë të metat dhe dobësitë e njohura dhe do ta plotësojnë me elementët e munguar. Kësisoj, nuk ka kurrfarë nevoje për “mballoma dhe arnime“ të tjera alla ballkanike! Pikërisht këtë angazhim pret Gjermania dhe Scholz me të tjerë nga ne dhe jo “avazin e Mukes“ apo “hidh e prit“ për “Ballkanin e Hapur“. Në mënyrë parimore dhe aspak tekanjoze apo inatçore, Kosova e ka thënë qartë dhe me germa të mëdha “PO“-në e saj, të tjerët me zë të mekur!
Veç sa sipër, Kosova e quan me të drejtë të panevojshme “Ballkanin e Hapur“ qoftë dhe si “njësi“ e Procesit të Berlinit, sepse ka vite që këto njësi dhe agjenci funksionojnë për realizimin e katër lirive themelore të BE-së. Është CEFTA – Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, e krijuar në vitin 2006, tejet e suksesshme; prej saj, 11 vende ish-lindore janë anëtarësuar me kohë në BE. CEFTA ka dhe Sekretariat, të cilin e kemi kryesuar dhe ne me Kosovën. Këtu Kryeministri Kurti ka të drejtë kur sugjeron ndryshimin e emrit të saj në SEFTA, që t‘i referohet pikërisht Evropës Juglindore (Southeast). Kemi dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me seli në Sarajevë, që vitet e fundit e drejton politikanja jonë Majlinda Bregu; është dhe Komuniteti Rajonal Energjetik dhe i Transportit; të gjitha këto kanë mbështetjen politike, financiare dhe institucionale të BE-së, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe shumë vendeve partnere.
Shumë e rëndësishme dhe që pothuajse nuk përmendet nga partizanët e “Ballkanit të Hapur“ është se Kosova ka të drejtë sepse ka kohë që BE-ja e ka zyrtarizuar në dokumentet e saj vendimin për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor, me të njëjtat objektiva dhe synime si “Ballkan i Hapur“. BE-ja e kuptoi qysh në fillim se Minishengeni vetëm se do të shtonte telashet dhe sherret në rajon, ndaj, në Samitin e Sofjes më 10 nëntor 2020 dhe në atë të Bërdos më 6 tetor 2021, në dokumentin përfundimtar ka fiksuar në paragrafët 10-12 se liderët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord për krijimin e tregut të përbashkët rajonal dhe planin e veprimit deri me 2024. Ky paragraf u përsërit dhe në Samitin zyrtar të BE-së më 14 dhjetor në Bruksel, madje, duke kërkuar nga të gjashtë liderët që të veprojnë sa më shpejt për zbatimin e tij.
Në fund të muajit prill, të njëjtën formulim ka bërë dhe Parlamenti Evropian, ndërsa Komisioni Evropian e ka bërë këtë qysh tetorin e kaluar. Sa për komisionierin Varhelyi apo qoftë dhe Charles Michel, ata janë prononcuar “nga halli“, ama si persona dhe jo sipas funksioneve zyrtare. Kjo mbasi në të gjitha këto dokumente zyrtare, të cilave u referohen të gjithë dhe jo broçkullave të njërit e të tjetrit, nuk gjen asnjë fjalë të vetme, jo më fjali, dhe as emrin “Ballkan i Hapur“. Tani, mos pritni që BE-ja të thotë troç dhe hapur JO; nuk ka pse ta bëjë këtë, secili vend është i lirë në zgjedhjen e vet, por “deri te sinori, jo më larg“. Ajo e ka shprehur shumë qartë kundërshtimin e saj me një JO të ngadaltë, të kujdesshme dhe të përsëritur diplomatike!.
Nuk është se Rama dhe Vuçiç nuk kanë tentuar në ato samite ku kanë qenë të pranishëm që të shkruhet diçka për “Ballkanin e Hapur“; madje kanë folur për të, duke e paraqitur gati-gati si një mrekulli të re deri në Nju-Jork, në OKB! Mirëpo, tani është tepër vonë. Sepse dhe nëse një apo disa vende do të kërkojnë të shtohet në dokumentet e tyre “Ballkani i Hapur“, përgjigja nga shumica dërmuese do të jetë “ Po PSE“ ç‘na duhet ky, kur kemi Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilët kemi rënë të gjithë dakord“?!
Kësisoj, liderët e Kosovës kanë shumë të drejtë që mbështesin Tregun e Përbashkët Rajonal, si produkt i Procesit të Berlinit; sepse ato kanë besueshmëri shumë më të madhe politike se Beogradi, Tirana dhe Shkupi; sepse janë gjithëpërfshirës dhe të gjitha palët, sidomos Kosova janë të barabarta. Tani, në rast se siç thotë ndonjë, “Ballkani i Hapur“ duhet sepse Berlini, Parisi dhe Brukseli kanë dështuar ose janë vonuar, kush na garanton se do të na “nxjerrë nga balta“ Rama dhe Vuçiqi me shokë?
Ka ndonjë gazetar që thotë se Kosova ka kohë që ulet në një tryezë dhe në nisma të tjera me Beogradin, e pamë dhe në Selanik, pra, ç’të keqe të ulet dhe te “Ballkani i Hapur“? Po, zotërinj, por nismat dhe proceset e tjera i drejtojnë BE-ja, Gjermania me ShBA-në; plus, Kosova atje është si shtet më vete, do s‘do Serbia, ndërsa te “Ballkan i Hapur“ flamurin e mban Serbia, ndërsa Tirana dhe Shkupi zyrtar si të thuash “mbajnë shkopin“! Ndërsa Kosova praktikisht trajtohet si provincë serbe.
Kosova ka të drejtë dhe asnjë krahasim nuk mund ta “ngushëllojë“ ose qetësojë atë, as me bombën e Hiroshimës, as me modelin franko-gjerman dhe as me Beneluks. Ndonëse emblematike, në rastin tonë ato nuk “pinë ujë“. Sepse, ndryshe nga Japonia, Franca, Gjermania dhe Holanda, të cilat do thënë se kanë sulmuar vendet e tjera, Kosova nuk ka sulmuar kurrkënd, ajo ka qenë vetëm viktimë e gjenocidit, diskriminimit dhe spastrimit etnik serb. Por, ndryshe nga vendet e lartpërmendura që kanë kërkuar ndjesë publike, kanë bërë dëmshpërblimin financiar dhe kanë dënuar kriminelët dhe përgjegjësit e tyre, Serbia as nuk do t’ia dijë për këto tematika përvëluese. Ndryshe prej tyre, Serbia do t’i “vejë kapakun“ të kaluarës së saj të zezë me gjoja nisma të kësaj natyre me demek vështrim nga e ardhmja! Ajo nuk njeh krimet, promovon kriminelët, nuk njeh Kosovën, vazhdon fushatën e çnjohjeve, e pengon të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, bën namin për KiE dhe pastaj pa pikë turpi e fton me hipokrizi Kosovën te “Ballkan i Hapur“! Ndaj, nëse duan vërtet “Ballkan të Hapur”, por dhe “Proces Berlini të rijetësuar“, atëherë Beogradi ta fillojë qoftë dhe me një deklaratë premtuese se do ta njohë Kosovën, por jo të bëjë të kundërtën si deri më tani!!
Gjithashtu, Kosova ka të drejtë sepse sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, ajo është treguar e denjë, duke u linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së, edhe pse nuk ka detyrim. Ndërsa Serbia nuk pranon të vendosë sanksione, duke iu kundërvënë hapur linjës zyrtare të ShBA-ve dhe BE-së, me të cilën ajo ka nënshkruar marrëveshje këtu e 8 vite më parë si vend kandidat! Ndaj, Kryeministri Kurti kërkon me të drejtë që përpara se të hapë Ballkanin, Serbia duhet të hapet ndaj Kosovës.
Ndaj, të mos të merremi më me Kosovën, nuk është aty problemi dhe ngërçi, por të shtojmë trysninë ndaj Serbisë, derisa të vendosë përfundimisht se në cilin “livadh do të kullosë“. Koha nuk pret!
Kosova ka të drejtë, sepse “Ballkani i Hapur“ pavarësisht nga sa thuhet është nismë serbe, me bekimin e Rusisë, në kuadrin e krijimit të botës serbe; e ka pohuar këtë shkoqur vetë Vuçiq publikisht më 2017, por e tha troç fare Lavrovi disa ditë më parë, madje akuzoi BE-në se dashka “Ballkan të Mbyllur“! Kësaj i thonë “i zoti e shet, tellalli se jep“
Lind pyetja, çfarë duhet më tepër që ta besojmë këtë realitet të zymtë dhe të nxjerrim mësimet e duhura, në vend të llomotitjeve dhe krahasimeve infantile dhe absurde me peshkaqenë deti!
Kosova ka shumë të drejtë dhe për faktin se agresioni rus ndaj Ukrainës dëshmon qartë dështimin e globalizmit naiv bashkë me teorinë se me para, bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, me krijimin e tregjeve unike do të zgjidhen edhe problemet dhe grindjet politike; po, vërtet sot mund të të falin apo të të japin lirë miell e vaj, siç synoi të bënte Gjermania me Rusinë me gazin dhe naftën, por nesër mund t‘i paguash më keq se “frëngu pulën“ kur ke të bësh me vende pa garanci politike! Pa këto garanci, gjithçka tjetër, sado emra tërheqës të ketë është pesë me hiç! Mirëpo, Kosova e ka kuptuar drejt se këto garanci i jep vetëm BE-ja dhe ShBA-të, Procesi i Berlinit, dhe më konkretisht Tregu i Përbashkët Rajonal.
Ja, pra ku u bënë dhjetë herë pse Kosova ka të drejtë në JO-në e saj të prerë për “Ballkanin e Hapur“, por me fakte kokëfortë, me logjikë shteti dhe në përputhje me realpolitikën. Fatmirësisht, Prishtina e ka ndarë mendjen që në Bruksel të mos shkojë nga Beogradi, por nga Roma, Parisi, Berlini dhe vende e tjera aleate.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë
"Hykmete ku është paswordi?" - Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë euro
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër
Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit