LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni nis nga populli

Korrupsioni nis nga populli

Deri tash kemi parë se si njerëz të ndryshëm kanë akuzuar elitën ekonomike dhe politike (që është e njëjta) për korrupsion. S’kam gjë kundër. Madje do të doja që kjo akuzë të thuhej më fuqishëm, me piskamë, me revoltë. Por, s’thuhet kështu.

Fjala korrupsion nuk është më një fjalë që mund të ndjellë vëmendjen e popullit. Është një fjalë e rëndomtë, krejtësisht e rëndomtë. T’i thuash dikujt i korruptuar është krejt një sikurse t’i thuash njeri. Kjo fjalë është ngjizur në karakterin e njerëzve të vendit tonë. S’është më një gjë e keqe. Shihet si një gjë e mirë ngase të paraqet të kapur pas frymës së kohës. Por, unë nuk pajtohem.

Në këtë shkrim dua të hedh një akuzë direkte e të qartë pikërisht ndaj popullit. Dua të them qartë se ky popull është i korruptuar. Shumica dërrmuese e anëtarëve të këtij populli kanë lënë anash nderin për të mirën e tyre materiale. Andaj, nuk ngurroj të them, madje me piskamë që shumica e popullit tonë është e zhytur në korrupsion. E zhytur në veprimtari të ndryshme korruptive.


Vetëm një minoritet që përbuzet nga shumica ka arritur që të ruajë idenë e ndershmërisë. Vetëm kjo pakicë veprimet e veta i lidh me atë që percepton si gjë të ndershme. Dhe, këto veprime, për pjesën tjetër (shumicën) të shoqërisë janë të mjera. Kjo pakicë e ndershme e kundruar nga shumica e pandershme është primitive, e vonë, e gjorë, naive. Veprimet e shumicës nisen nga perceptime përfitimesh. Është instinkti i hajdutit, vrasësit, banditit që çon në imoralitet ata njerëz. Andaj sot, pak kush ngre zërin për padrejtësinë që i është bërë dikujt. Sepse ajo padrejtësi është bërë nga dikush si ata vetë. Nga dikush që ka nevojë të përfitojë. Shumë-kush në raste të këtilla ngre vullnetin e mprehë mendjen për të bërë vetë padrejtësi që sjellin përfitime.

Disa marrin vende pune për veten, familjarë e kushërinj – përmes të afërmve. Nepotizmi është vlerë – thoshte njëri. Disa kanë punë, nuk punojnë e prapë marrin rrogë përmes të afërmve. Disa marrin tenderë – përmes të afërmve. Disa vjedhin, zhvatin e reketojnë tejdukshmërisht përmes të afërmve. Disa regjistrohen në fakultete – përmes të afërmve. Dikur disa kalonin testin e maturës – përmes të afërmve. Këtu ndoshta më duhet të përmend një gjë që e di sigurt. Lehtësimi (test për parashkollorë) i testit të maturës është bërë nga ministri Buja për një arsye të vetme: sepse atij ia teshnin të afërmit (dhe jo vetëm) me kërkesat për familjarët.

Epo mirë, të gjithë duan të kalojnë testin, le ta kalojnë atëherë.

Vazhdojmë: Disa falsifikojnë punimet shkencore, gradohen – përmes të afërmve. Disa bëhen profesorë universitarë – përmes të afërmve. Disa afirmohen në një mënyrë ose tjetrën – përmes të afërmve.

Por, këta janë vetëm disa ndër të korruptuarit. Disa të tjerë nuk kanë të afërm. Aktin e përcaktuar korruptiv e kryejnë vetë. Natyrisht, suksesi mbërrihet më vështirë. Shembull disa bëjnë korrupsion e prapë s’përfitojnë – kjo kategori nuk ka të afërm në pushtet.

Ç’ti bësh?! Por, mos të harrojmë gjysmën e shumicës. Për gjysmën e parë folëm: njerëz të përfshirë në korrupsion.

Dikush mund të pyes atëherë, pse edhe gjysma tjetër quhet korruptive nga unë, edhe pse nuk është e përfshirë në korrupsion. Epo, mëkati i tyre është se ata duan të përfshihen. Duan të përfitojnë përmes korrupsionit, përmes të afërmve. Por është e qartë: s’kanë të afërm.

Kjo s’i ndalë ata që ta dashurojnë korrupsionin. T’i adhurojnë banditët e pasur e të duan të bëhen si ata. Të shohin tek veprimet e fëmijës të tyre të lazdruar, veprimet e një banditi dhe ta thërrasin me emër përkëdhelës “mafi”. Për këtë grup njerëzish është atraktive të jesh mafioz, është atraktive të jesh vjedhës e i korruptuar.

Mendoj se shoqëria jonë është tjetërsuar. Dhe druhem se tjetërsimi vazhdon. Në vend se t’i parashtronte vetes kërkesa të larta, e të përpunonte e përmirësonte vetveten këta njerëz bien në besim. E besimi nuk konsiston me mendjen por me bindjen. Këta njerëz besojnë vetëm atë çka shohin, e pamja që iu shfaqet tregon vjedhje e korrupsion, hajdutë e vrasës që gëzojnë jetën. E janë të bindur që kjo është atraktive.

Llomotitja ime, s’do të dëgjohet nga të korruptuarit, e mbase nga askush. Mbase në momentet që shkruaj jam vetëm(duke folur vet’me’vete) por prapë: më mirë të llomotis se të korruptohem.

Në trend

Më shumë
Egli zbulon hapur produksionin e BBVA: Kemi firmosur kontratë që të mos e përmendim emrin e ish-partneres së Gjestit, 20 mijë euro është dënimi

Egli zbulon hapur produksionin e BBVA: Kemi firmosur kontratë që të mos e përmendim emrin e ish-partneres së Gjestit, 20 mijë euro është dënimi

Magazina
Problemet që u shfaqën me rezultatet preliminare, kryetari i KQZ-së e njoftoi Osmanin se janë në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë

Problemet që u shfaqën me rezultatet preliminare, kryetari i KQZ-së e njoftoi Osmanin se janë në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë

Lajme
Bebe Rexha duket thuajse e panjohur pa makijazh rrugëve të Beverly Hills, pak kohë pasi prishi kontratën e saj me shtëpinë diskografike Warner Records

Bebe Rexha duket thuajse e panjohur pa makijazh rrugëve të Beverly Hills, pak kohë pasi prishi kontratën e saj me shtëpinë diskografike Warner Records

Magazina
Vrasja në Skenderaj, të arrestuarit janë babë e bir

Vrasja në Skenderaj, të arrestuarit janë babë e bir

Kronika e Zezë
Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi

Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi

Lajme
Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit

Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit

Magazina
Kalo në kategori