LAJMI I FUNDIT:

Konflikti potencial etnik dhe shqiptarët e ngelur peng

Mos shkëputja nga mentaliteti shovinist i sllavëve dhe frustrimi nga kriza ekonomike e ka bërë situatën në Ballkan shumë volatile dhe të rrezikshme, dhe shkëndijat si ato të Maqedonisë dhe Veriut të Kosovës që po vihen re kohëve të fundit, mund ta shpërthejnë lehtë këtë klimë eterike.

Fatkeqësisht, pre e provokimeve të fqinjëve shovinistë shpesh po bien edhe aktorë politikë shqiptarë të cilët nuk e kuptojnë që në rrethanat dhe kushtet ku gjenden sot shqiptarët acarimi i marrëdhënieve ndëretnike nuk na leverdis aspak. Ka pjesëtarë të elitës se vjetër dhe asaj aspirante të re politike shqiptare që po e shohin ksenofobinë e ushqyer nga e kaluara si një mënyrë të mirë për të mbushur vakumin e vizionit për të ardhmen. Ka gjithashtu shumë qeveritarë në jetën politike shqiptare të cilëve u leverdisë ky defokusim nga problemet social-ekonomike të shqiptarëve që janë pasojë e performancës së keqe të politikanëve shqiptarë e jo e të huajve.

Mirëpo, kur adoptojnë një retorike agresive dhe të papërmbajtur, këta aktorë politikë harrojnë që ka shumë shqiptarë që jetojnë në territoret e tyre të ngelur peng në pozicione shumë të brishta dhe të rrezikshme, të cilët me ndezjen e situatës do ishin viktimat e para të reprezaljeve.


Po të hidhet një sy në skajet e trojeve shqiptare shihet se shqiptarët në komunën Plavë e Guci dhe Rozhajë të Malit të Zi janë vetëm një fraksion i asaj që kanë qenë dikur aty dhe vazhdojnë të largohen e asimilohen me rritëm të frikshëm. Po ashtu, të njëjtit fat po i nënshtrohen edhe shqiptarët e paktë të ngelur në komunat e Velesit, Prilepit, Manastirit dhe Ohrit. Në situatën më të keqe të mundshme në kushte getoizimi janë shqiptarët që jetojnë në Veriun e Kosovës, në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës, apo tre komunat veriore në fshatra si Cerajë, Koshtovë, Çabër, Bistricë, Boletin, Lipë e Zhazhë.

Këtu bëhet fjalë për mbi dy mijë shqiptarë që gjenden të pasigurtë të enklavizuar nën kërcënimin e forcave të atyshme të Beogradit dhe të privuar nga liria themeltare si ajo e lëvizjes. Po ashtu e njëjta mund të thuhet edhe për dhjetëra mijëra shqiptarë të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që përballen me një prezencë të skajshme ushtarake dhe që bien dendur pre e makinacioneve të Beogradit që i përdorë këta shqiptarë për t’i bërë presion Kosovës dhe për të trazuar rajonin sa herë i leverdis. Operacionet policore të ditëve të fundit në Bujanoc janë dëshmia më e fundit e mënyrës se si shqiptarët autoktonë të atyshëm mbahen nën terror të vazhdueshëm duke i shtyrë që të largohen e mos të kthehen më nga trojet e tyre.

Çdo deklaratë apo nismë politike shqiptare që merret me problemet ndëretnike duhet të ketë parasysh vendbanimet ku shqiptarët janë të katandisur në minoritet, apo ato enklava ku ata janë të mbajtur peng. Çdo trajtim i situatave ndëretnike duhet të mos bëhet me sy të mbyllur nga urrejtja historike dhe plagët e së kaluarës, por duhet të ketë përgjegjësinë morale dhe kombëtare që të marrë në konsideratë impaktin që trajtimi do ketë tek këta shqiptarë të ngelur peng.

Është shumë e lehtë të bëhen deklarata patetike e romantike nacionaliste nga Tirana, Prishtina apo Tetova ku shqiptarët janë mbi 90 për qind, mirëpo kush do t’i mbrojë prej aty shqiptarët e ngelur peng në pakicë nëse situata merr flakë.

Paralel me largimin ka vepruar masivisht edhe asimilimi, braktisja e identitetit kombëtar shqiptar dhe humbja e gjuhës shqipe si pasojë e trysnisë dhe tensionit diskriminues antishqiptar. Mjafton të hidhet një sy mbi ish-shqiptarët myslimanë të Sanxhakut në Serbi e Mal të Zi, si dhe ish-shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë dhe Çamërisë për të kuptuar se vetëm konsolidimi i pozicioneve tona, zhvillimi ekonomik e politik, rritja e solidaritetit dhe unitetit kombëtar dhe klima e paqes mund t’i bëj shqiptarët që të ndihen rehat me të qenurit shqiptarë e mos t’i drejtohen më tej asimilimit apo emigrimit.

Shqiptarët duhet të eksplorojnë e shfrytëzojnë shtigje të reja për të përmirësuar gjendjen e tyre e jo të mendojnë gjithnjë rrugën e forcës. Kjo rrugë mund të mos jetë aspak efikase nëse do të bëhej për kushtet kur shqiptarët do të kishin epërsi ushtarake. Rezultatet e një konflikti potencial varen jo vetëm nga raporti i thjeshtë i forcave nga një mori faktorësh dhe duhet pas parasysh që pothuaj çdo konflikt sot përfundon me një marrëveshje të negociuar nga ndërkombëtarët. Pikësëpari shqiptarët nuk kanë asnjë epërsi militare e jo më të flitet për konjukturë të përshtatshme ndërkombëtare.

Kuptohet që shtetet e Shqipërisë dhe Kosovës gradualisht duhet të shtojnë e konsolidojnë kapacitetet e sigurisë me teknikë moderne ushtarake e kuadro sa më të profesionalizuar në mënyrë që të marrin përsipër përgjegjësinë që kanë për sigurinë e shqiptarëve që jetojnë si pakicë në vendet fqinje. Nëse situata degradon dhe gjuha e armëve ngelet e vetmja, ne s’duhet të gjendemi më të papërgatitur e duarlidhur, por duhet të jemi të aftë përmbushur detyrën kombëtare e konstitucionale të mbrojtjes së bashkëkombësve kudo që ata ndodhen.

Mirëpo, për momentin çdo konflikt potencial do na masakronte kaq të dobët e përçarë sa jemi, ndërkohë që ka shumë hapësira të tjera për të vepruar në arenën ndërkombëtare që ende nuk i kemi marrë në konsideratë e jo më t’i kemi shfrytëzuar.

Pikësëpari duhet të mendohet përdorimi i Brukselit me efikasitet në kushtet aktuale dhe me mënyra moderne, e jo më nëpërmjet viktimizimit dhe qaramanisë. Argumentet historikë të autoktonisë pinin ujë në shekullin XIX apo atë XX, kur magjepsja me të kaluarën e antikitetit grek bëri që Evropa t’i jepte mbështetje të pakursyer këtij shteti që në gjenezë. Duhet kuptuar se nuk mban njeri pafundësisht maraz e mllef në Evropë për veprimet e së kaluarës, sepse po të gërmohet sadopak pothuaj çdo shtet evropian i ka duart e përgjakura në një moment të historisë së vonë. Vetë projekti i Bashkimit Evropian bazohet në një projekt të së ardhmes që synonte kthimin e kapitujve të luftërave të së kaluarës.

Sot në sytë e Brukselit ka më shumë indinjatë për moszbatimin e ligjit apo vjedhjet e zgjedhjeve që bëjnë shqiptarët, sesa për zotërimin e një të kaluare të pahijshme të serbëve. Përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve sot vjen vetëm nëpërmjet përqendrimit tek e sotshmja dhe e ardhmja dhe nëpërmjet mos ngeljes peng tek e kaluara. Në sytë e ndërkombëtarëve, shqiptarët fatkeqësisht nuk po shfrytëzojnë plotësisht atë që kanë në dorë sot e jo më të kërkojnë më shumë. Dhe sot sfida kryesore është pikërisht konsolidimi dhe përmirësimi i pozicioneve të shqiptarëve. Prandaj, ka ardhur koha që të ndryshojmë imazhin tonë nëpërmjet performancës.

Trungu etnik shqiptar duhet ripërtërirë duke stimuluar zhvillimin ekonomik e bashkëpunimin mbarëkombëtar në mënyrë që zbrazja e territoreve shqiptare prej emigracionit të marrë fund, madje që shumë emigrantë të kthehet trojet e veta. E gjitha kjo bëhet në klimë paqe e stabiliteti. Klima e tensionuar, retorika e ngarkuar nuk bën gjë tjetër veçse detyron largimin e mëtejshëm e shqiptarëve dhe shkakton dobësimin e pozicionit tonë në Ballkan.

Ka ardhur koha për të menduar seriozisht për vetëpërmbajtje dhe përqendrim të të gjitha energjive në konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, përmirësimin e arsimit dhe shërbimeve të tjera publike apo në ngritjen e prestigjit ndërkombëtar të shqiptarëve nëpërmjet investimit në fusha që sigurojnë reputacion nëpër botë siç janë arti, kultura, shkenca e sporti.