LAJMI I FUNDIT:

Konferencomania

Konferencomania

Me siguri sikurse unë këto dy vitet e fundit, edhe ju kolegë të mi shpesh keni marrë në inboxin tuaj thirrje pa fund për pjesëmarrje në konferenca të ndryshme, brenda e jashtë vendit. Mendimi i parë: Sa mirë! Sa mirë që universitete të ndryshme publike ose private, organizata qeveritare ose joqeveritare organizojnë të tilla evente shumë të mirëseardhura për komunitetin profesional e akademik. Një mundësi e shkëlqyer për të ndarë punën dhe idetë me njëri-tjetrin, për të parë ku jemi, për të mësuar nga eksperiencat, besa për t’u qartësuar apo pasuruar edhe me tej në aspektin metodologjik (meqenëse një pjesë e madhe e pjesëmarrësve janë studentë të studimeve master apo doktoratë), pa lënë mënjanë edhe mundësinë e “ngacmimeve” për ide ose punime të tjera dhe krijimin e lidhjeve profesionale ndërmjet kolegësh.

Fakti që në këto thirrje janë me shumicë edhe premtimet e shumta për botime të punimeve të plota në revista të ndryshme me rëndësi shkencore dhe kriteret e forta për pjesëmarrje, i bën këto thirrje akoma më joshëse. Assesi nuk mund të lë pa përmendur edhe përbërjen brilante të këshillave shkencore të këtyre konferencave me emra dhe tituj që të impresionojnë, madje globalisht përfshirës (shpresoj të mos kem shpikur një togfjalësh të ri…).

E pra, nisur nga të gjitha këto, një ndjenjë shumë e lartë përgjegjësie më ka kapluar sa herë kam aplikuar dhe kam marrë pjesë në këto konferenca.


Nuk janë pak konferencat ku kam marrë pjesë dhe kam prezantuar, brenda dhe jashtë vendit këto dy vite. Plotësimi i pritshmërive të mia? Do t’ju lë të vendosni ju, pasi t’ju kem treguar eksperiencat e mia. Kam një bindje se do të kemi shumë ngjashmëri në këto eksperienca…

Pothuajse të gjitha konferencat kanë filluar me një hapje gati madhështore, me fjalë nga të ftuar nderi nga brenda dhe jashtë vendit dhe fjalime e lavdërime në superlativë e premtime edhe më në superlativë. Përjetim i mirë (real?). Më pas, më ka ndodhur që më është dashur të vrapoj nëpër qytet për të gjetur vendin apo sallën ku do të zhvilloheshin prezantimet, pasi në shumicën e konferencave kanë munguar sinjalet orientuese, ose ka munguar organizimi me mjete transporti deri në godinën ku do të zhvillohen seancat.

Më ka ndodhur edhe që të marr pjesë në prezantime në ambiente (dhomë) të shtëpisë, e përshtatur për prezantim në njërën prej “konferencave ndërkombëtare shkencore”! Por, dikur kam mbërritur (sigurisht duke ndërprerë rrjedhën dhe duke kërkuar ndjesë për vonesën?).

Respekt për komisionin përgjegjës të çdo seance që ka kryer detyrën në ruajtjen e radhës së prezantimeve dhe kohën e përcaktuar për secilin prezantim. Atë detyrë kanë pasur, pavarësisht se në shumicën e rasteve nuk kanë lejuar që të ketë diskutime rreth prezantimit, sepse “nuk kemi kohë?”, sepse “kemi filluar me vonesë?”… Dhe unë, pjesëmarrësja, e kthyer tashmë në një dëgjuese aktive, por me “gojë të mbyllur”, nëse rastësisht marr guximin dhe propozoj që më mirë të humbas ose të shtyhet koha e drekës ose të ndahen pjesëmarrësit në dy grupe për të mos humbur mundësinë e madhe të diskutimit të prezantimeve, marr një “leksion” për respektimin e kohës, i cili na merr pa problem edhe disa minuta të tjera të shtrenjta.

Dhe, ne shkojmë në drekë e pas saj në seancë janë të pranishëm vetëm ata që do të prezantojnë. Kolegët e tjerë nuk e kanë parë të arsyeshme të qëndrojnë. Dita e konferencës përfundon në të kundërtën e nisjes së saj – vakët.

Dua ta pranoj: pjesa e mbetur e ditës është përgjithësisht e organizuar shumë bukur me vizitat në vendet historike apo turistike. Nuk dua të jem edhe këtu kritike, por meritat më të mëdha për këtë në fakt i kanë vendet tona të mrekullueshme dhe pasuritë që ato ofrojnë.

Kthimi në shtëpi shoqërohet me pritjen për përmbledhjen e abstrakteve, megjithëse jo gjithmonë, pasi më ka ndodhur që edhe përmbledhjen e abstrakteve edhe botimin me punimet e plota, të na i ofrojnë ditën e konferencës.

Zhgënjimi i radhës (për mua): përmbajtja e abstrakteve dhe punimeve të plota. Deri diku edhe “përtypen” vështirësitë teknike, pjesëmarrja pasive në prezantime (edhe pse mund të kesh/kenë pyetje) duke menduar që këshilli shkencor ka bërë punën e tij sa të lodhshme aq të mrekullueshme, dhe abstraktet dhe punimet kanë cilësinë e duhur kështu që leximi/studimi i tyre do të zvogëlojë apo sqarojë deri-diku pyetjet që ke dhe sigurisht do të të prezantojë edhe me ide dhe punë të tjera. Por, si mund të biesh dakort me abstrakte në të cilat përdoret koha e ardhshme; të cilat nuk përmbajnë qëllimin e punimit; të cilat nuk prezantojnë fare rezultatet ose nuk japin informacion për instrumentet e përdorur? Për më tepër si mund të konsiderosh një punim shkencor cilësor dhe të denjë për tu botuar, punimin që nuk të ofron qartësi dhe saktësi metodologjike dhe mundësinë e përsëritjes së tij?.

Jam e bindur që kolegët e mi të shkencave sociale dhe anëtarët e nderuar të këshillave shkencorë të konferencave që kanë “bërë” redaktimin e abstrakteve dhe punimeve i dinë mjaft mirë qasjet, modelet dhe kriteret metodologjike. Atëherë, çfarë po ndodh? Kujt i shërben organizimi dhe zhvillimi i konferencave të këtij niveli? Cili është dëmi i tyre? A ka mundësi që këto abstrakte e punime të mos jenë parë fare nga shumica e anëtarëve të këshillit shkencor? A ka mundësi që gjithë ata emra nga universitete të njohura në mbarë botën të kenë lejuar pasaktësi të tilla? A është e mundur që edhe organizimi i konferencave shkencore [po të vini re gati të gjitha vetëquhen ndërkombëtare] të jetë kthyer në një “mani”?

E dini si mendoj unë: dëmi më i madh është për hulumtuesit e rinj, të cilët ende janë në rrugën e formimit të tyre dhe prezantimi e për më tepër “legalizimi” (botimi) i eksperiencave të tilla do të lërë gjurmë në formimin e tyre. Edhe për kolegët e mi të nderuar tashmë dr.sc. dëmi është prezent, pasi përforcohen apo mbeten të pasqaruara mjaft mëdyshje metodologjike.

Obligimi ynë profesional akademik nuk përfundon me fitimin e gradës Dr. Sfida e të qënit në rrjedha me studime relevante, sfida e mentorimit të studentëve në studimet master e doktoratë, sfida e ballafaqimit të punës sonë me punën e kolegëve perëndimorë vihen në dyshim për t’u realizuar me sukses nëse vetë ne tolerojmë parregullsitë duke u përpjekur për të qënë të “mirë” e të “butë” me të gjithë.

Po për mendimin tim, këto konferenca janë një shans shumë i mirë për pseudointelektualët që tashmë kanë “zënë” një vend në universitetet publike të Kosovës dhe e ruajnë atë vend duke listuar punime të tilla të pavlera, por… shumë e rëndësishme?!… të botuara. Këto konferenca ju shërbejnë edhe një grupi tjetër të pseudointelektualëve të lulëzuar si kërpudhat pas shiut vitet e fundit, të cilët i kanë dhënë të drejtën vetes për të ofruar “shërbime” akademike kundrejt pagesave për studentët e studimeve master dhe doktoratë, duke pretenduar ti ndihmojnë (sakatojnë) në realizimin e obligimeve të tyre akademike.

E pra, plotësimi i pritshmërive të mia? Vërtet shumë i ulët. Dekurajuese, apo jo? Po, çfarë të bëjmë? Unë personalisht përgëzoj të gjithë ata që organizojnë evente të tilla, por fuqishëm kërkoj nga të gjithë ata që të ruajnë me çdo kusht vlerat dhe arsyet e organizimeve të tilla. Unë personalisht do të vazhdoj të marr pjesë në konferenca (sigurisht jo ne te gjitha); do të vazhdoj të përpiqem fort e të prezantoj dinjitetshëm punët e mia; do të vazhdoj të kërkoj nga kolegë të mi të më debatojnë, të më kundërshtojnë, të ngrenë pyetje e te me japin sugjerime për përmirësim; do të vazhdoj të kërkoj që organizime të tilla të ruajnë vlerat për të cilat bëhen, e do të vazhdoj të “flas”.

Ata që i bezdis kjo gjë, le të vazhdojnë si zakonisht të flasin pas shpine e ata që kanë kurajo e ndjenjë përgjegjësie le të japin kontributin e tyre.

Në trend

Më shumë
E konfirmon Trump: Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës

E konfirmon Trump: Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës

Botë
Dëshmitari i akuzuar për spiunazh: Na ofruan para që vëllai ta tërheq deklaratën e dhënë lidhur me shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”

Dëshmitari i akuzuar për spiunazh: Na ofruan para që vëllai ta tërheq deklaratën e dhënë lidhur me shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”

Drejtësi
Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

Boks
Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Kronika e Zezë
Pas dënimeve, Dodik: Nga sot më nuk ekziston Bosnja dhe Hercegovina që keni imagjinuar

Pas dënimeve, Dodik: Nga sot më nuk ekziston Bosnja dhe Hercegovina që keni imagjinuar

Bosnja
Trump ishte pajtuar me Putinin, por tani Rusia i 'hanë' fjalët për paqeruajtësit në Ukrainë

Trump ishte pajtuar me Putinin, por tani Rusia i 'hanë' fjalët për paqeruajtësit në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori