LAJMI I FUNDIT:

Koha për lider

Prishja e koalicionit PDK – LDK në vend se t’i gëzonte partitë opozitare i trishtoi ato. Kjo shihet qartë në deklaratat e eksponentëve të tyre. Në vend se ato të përpiqen të krijojnë një qeverisje teknike duke hequr nga pushteti partinë më të madhe dhe për të zënë pozicion të barabartë në zgjedhjet e ardhshme, po mjaftohen me akuza partnerëve të koalicionit të deritashëm. Në anën tjetër as në LDK, pas dy lëvizjeve të fuqishme politike (dorëheqja e presidentit dhe prishja e koalicionit) nuk po shihet se është në horizont lëvizja e tretë politike (krijimi i një koalicioni me opozitën e deritashme për qeveri teknike deri në zgjedhje) e cila do t’i siguronte fitoren në zgjedhjet që po i pret Kosova. Por, për të qenë ironia deri në fund, as PDK nuk është e interesuar që ta mbajë pushtetin deri në zgjedhjet e ardhshme edhe pse askush nuk po ia trazon këtë pushtet.

Dje takova gjeneralin Agim Çeku që më falënderoi për atë që e kam propozuar të jetë kryeministër konsensual deri në zgjedhje të reja, por më tha se nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Kur e pyeta se përse, ai më tha se në këtë kohë askush nuk e dëshiron këtë përgjegjësi, madje as Hashim Thaçi, i cili prej gjithë neve ka më së shumti qejf me qenë kryeministër. Tani PDK po ankohet se i mbeten këmbët e arushës në dorë, duke e akuzuar LDK-në për tradhti. Përse do të ishte tradhti? Vallë a nuk ishte koalicioni me LDK-në i imponuar? PDK e LDK mund të jene aleatë karshi Beogradit, por në skenën e brendshme ata që nga fillimi ishin kundërshtarët më ekstremë politik. Pse pra kjo na qenka tradhti?

Si shpjegohet kjo?


Një kohë, për pushtet bëheshin edhe vrasje politike, ndërsa tani kur pushteti u ofrohet si mundësi shumëkujt, e refuzojnë të gjithë. Shpjegimi është i thjeshtë. SHBA-të si protektor i shtetit të Kosovës, ka marrë qëndrim që ta lejë krijesën e vet politike (Republikën e Kosovës) të ecën vetëm që të sheh se ku është klasa e saj politike dhe sa është pavarësuar. Prandaj klasa politike Kosovës është e trullosur. Kot po i pyesin amerikanët se çfarë të bëjnë. Përgjigjet e tyre që të respektojnë kushtetutën e ligjet, demokracinë etj, në veshët e politikanëve kosovarë po tingëllojnë “hiquni qafet, bëni si të doni”.

Politikanët kosovarë nuk janë mësuar t’i bëjnë vetë lëvizjet politike, por të instruktohen nga amerikanët se çka të flasin e si të veprojnë. Tani që amerikanët u thonë “bëni çfarë të doni” se jeni shtet i pavarur, politikanët kosovarë po trembën nga përgjegjësia. Derisa lëvizjet e tyre politike ishin të instruktuara nga amerikanët, ata jepnin përgjegjësi vetëm para amerikanëve. Tani që amerikanët nuk u thonë as bëni këtë as bëni atë, ndihen të frikësuar para përgjegjësisë, sepse çfarëdo që bëjnë nuk do të kenë mundësi të thonë se kështu na kanë thënë amerikanët e as t’u thonë amerikanëve se kështu na keni thënë ju.

Politikanët kosovarë si zëdhënës të Ambasadës Amerikane në Prishtinë

Situata kur amerikanët e kanë vënë në sprovën e parë të mëvetësisë foshnjën e tyre politike (Republikën e Kosovës) është koha kur mund të vijnë në shprehje liderët e vërtetë politikë. Ky është një rast jo vetëm për politikanët në skenën politike kosovare (të cilët ishin më tepër zëdhënës të Ambasadës Amerikane se sa kreatorë të politikës kosovare) por edhe atyre që pretendojnë të dalin në skenë: Vetëvendosja dhe FER-i.. Por as këta ende nuk kanë dalë me vizion të qartë se si të dilet nga kjo situatë. Kështu del se pretendimi i marrjes së tyre me politikë nuk është pretendim për lidership, por pretendim se ata mund të jenë zëdhënës më të suksesshëm të Ambasadës Amerikane jo vetëm sepse e dinë anglishten më mirë se politikanët aktualë, por edhe pse pretendojnë të vjedhin më pak.

Kush nga liderët politikë ka gjasë të përfitojë më së shumti nga kjo situatë?

Behxhet Pacolli e ka shansin jetësor të bëhet President i vendit pasi numri deputeteve të tij përbën masën kritike të njërit tabor (PDK) apo taborit tjetër (LDK, LDD, AAK). AAK ka shansin të ndërmjetësojë mes LDK dhe LDD dhe nga ky ndërmjetësim të nxjerrë përfitimin e vet. Por para se gjithash rastin më ideal e ka LDK. Më duhet ta citoj Astrit Haraçinë, i cili tha se çdo gjë varet nga Fatmir Sejdiu. Këtu Haraçia ka plotësisht të drejtë, vetëm se këshilla ime është e kundërt me atë të Astritit. Astriti e këshillon të tërhiqet ndërsa unë e këshilloj ta vazhdojë betejën duke bërë gjërat që ia sjellin fitoren LDK-së, ku përfshihet edhe gëlltitja e gjësë më të padëshiruar për të: afrimi me Nexhat Dacin.

Shumë veta në LDK mendojnë se meqë një pjesë anëtarësisë së LDD-së edhe ashtu po kthehet në LDK, afrimi me LDD-në është i panevojshëm. Ky mund të jetë një gabim fatal. Edhe nëse LDD mbetet vetëm me 2%, pikërisht ky 2% mund të jetë vendimtar se cila nga partitë do të jetë e para, PDK apo LDK. Në pozitën më të vështirë është Hashim Thaçi. Nëse arrin të mbijetojë, atëherë amerikanët do të binden se Kosovës i mungojnë liderët politikë dhe se edhe për një kohë duhet ta shtyjnë më zëdhënës. Zëdhënës për zëdhënës, Thaçi mbetet i pazëvendësueshëm.

Por pse për Hashim Thaçin tani është më vështirë se sa për pretendentët tjerë për liderë?

Ja përse.
Kur ndërkombëtarët erdhën në Kosovë, ata vlerësuan se shoqëria kosovare është një shoqëri primitive dhe duke parë PDK-në krahun më të ashpër politik, paragjykuan se kjo forcë politike është përfaqësuesja e vërtetë e shoqërisë kosovare. Madje edhe kur Ibrahim Rugova fitoi me 2/3 në zgjedhjet e para, në zgjedhjet më fer e më demokratike të mundshme të cilat vetë ndërkombëtarët i organizuan, kjo nuk ua hoqi paragjykimin. Ndërkombëtarët, nuk mund ta kuptonin se si intelektuali më i fortë i kalibrit siç ishte Ibrahim Rugova mund të ishte përfaqësues i vërtetë, siç mendonin ata, i një shoqërie kaq primitive si Kosova. Ambasadorë dhe zyrtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë e kishin bërë mendjen top se kryeministri i Kosovës duhet të jetë dikush nga ish-UÇK. Kur u propozoja atëherë Gani Gecin që ishte i partisë fituese dhe ish-UÇK, thoshin jo, jo, duhet të jetë nga PDK. Tek kur u propozoja Bajram Rexhepin si variantin më të butë të PDK-së thoshin aha mirë, se kështu mund ta “civilizojmë” PDK-në e me këtë edhe shoqërinë kosovare.

Gjithsesi duke vepruar në bazë të këtij paragjykimi, ndërkombëtarët harronin se ishin vetë ata që po i jepnin krah PDK-së, saqë në publik u krijua përshtypja se “pa e qitë PDK-në në pushtet nuk na e jepnin pavarësinë” andaj shumica e qytetarëve nuk dolën në zgjedhjet e vitit 2007 duke i lënë hapur rrugën fitores së PDK-së. Ndërkombëtarët i mbyllën sytë para keqpërdorimit të votave edhe pse në këto raste reagimi i publikut çdo kund në botë do të ishte shpërthyes. Në Kosovë këto gjëra kaluan vetëm me pëshpëritje e pakënaqësi individuale në emisionet televizive “Vox Pop” e “Hajt Pak”, sepse çfarëdo hapi kundër pushtetit paragjykohej si akt kundër Amerikës që na shpëtoi nga gjenocidi.

Por, pse Hashim Thaçi e ka më së vështiri? Sepse tani kur amerikanët po thonë respektojeni kushtetutën e ligjet e që për politikanët e Kosovës kjo do të thotë bëni çfarë të doni, matni punët vetë, del se Hashim Thaçi më nuk është i favorizuari i amerikanëve por i barabartë me të tjerët në lojën politike të Kosovës. Ai është mësuar të jetë më i favorizuari dhe kjo situatë për të është e vështirë.

Kosova është në test komb-formimi e jo në krizë politike

Kosova nuk ka arsye të jetë në krizë politike, protektori i saj SHBA nuk kaq hequr dorë nga Kosova. Ky protektor vetëm është duke e zhvilluar fazën e katërt të komb-ndërtimit kosovar, mëvetësimin e klasës së saj politike për çka duhet qenë mirënjohës njësoj sikur për atë që na shpëtoi nga gjenocidi, për atë që na i ndërtoi institucionet, për atë që na njohu dhe loboi për pavarësinë e Kosovës. Edhe kjo çfarë po ndodhë tani është po ashtu e rëndësishme dhe pozitive për Kosovën.

P.S.

Nëse asnjë nga politikanët kosovarë nuk janë të gatshëm që në këtë kohë të marrin përsipër përgjegjësinë e të qenit kryeministër, atëherë le ta propozojnë autorin e këtyre rreshtave, i cili di se çfarë është interesi i Kosovës dhe cilat janë interesat amerikane e evropiane në rajon dhe që do të dinte që t’i harmonizonte këto interesa duke qenë lider politik i Kosovës duke mos qenë zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Miku im Behxhet Shala do të thoshte se Nexhi e ka të lehtë ta propozojë veten kryeministër pasi e di që nuk e bëjnë. Unë e di këtë, por e kam për obligim t’ua them atyre që nesër do të thonë: ua dhamë mundësinë, por nuk patët njeri për lider.