Koalicioni ta pranojë ofertën e LDK-së
Kryeministri Hashim Thaçi, nën udhëheqjen e të cilit Kosova ka marrë lëvdata nga miqtë ndërkombëtarë për lëshimet e bëra për hir të paqes e stabilitetit rajonal, duhet tani të tregojë edhe njëherë bujarinë e vet. Duke pranuar ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e një presidenti me konsensus, zoti Thaçi ka rastin të dëshmojë një largpamësi të rrallë dhe qëndrimin e një prijësi vegimtar që mendon për të mirën e vendit.
Pas anulimit të zgjedhjes së presidentit të Republikës, Kosovës i kanë mbetur dy kahe: (1) që qeveria të fitojë përkrahjen e opozitës për të zgjedhur Behgjet Pacollin në krye të shtetit ose (2) që me moszgjedhjen e ish-kryetarit të AKR-së të prishet koalicioni qeverisës dhe të rrezikohen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por në rrethanat e tanishme, opsioni i parë mbetet rrugë më e volitshme përderisa vendit i nevojitet të ndërmarrë përgatitje e reforma si dhe të shmangë disa telashe politike para mbajtjes së votimeve të reja mbarëpopullore.
Duke njohur rolin e vet në zbatimin e alternativës së parë, Lidhja Demokratike e Kosovës doli me një ofertë konkrete për koalicionit qeverisës të kryeministrit Hashim Thaçi. Kryetari i grupit më të madh opozitar, Isa Mustafa, shprehu gatishmëri për të arritur një konsensus. Deputetët e LDK-së, tha Prof. Mustafa, do të qëndronin në sallën e Kuvendit për të mundësuar kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Por për këtë, kërkojnë garancinë e zotit Thaçi për ndryshime të nevojshme kushtetuese rreth zgjedhjes së presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale brenda një viti.
Opozita, së cilës zoti Thaçi i kërkonte të jetë konstruktive, ka bërë lëvizjen e duhur. I takon tani kryeministrit, partisë së tij dhe partnerëve të koalicionit, të luajnë figurën e radhës.
Pse duhet të pranojë PDK-ja?
Partisë Demokratike të Kosovës nuk i shkon për shtati të rrezikojë mbajtjen e zgjedhjeve në mes të gjithë atyre kritikave për “qeverisjen e pakicës”, kundërshtimit të opozitës ndaj bisedimeve me Serbinë dhe ankesave rreth përmbajtjes së ligjit për buxhetin. PDK-ja vetëm sa ka dalë nga zgjedhjet për të cilat akuzohet se i ka manipuluar dhe prej fillimit të legjislaturës së re është ndeshur me vështirësi që mund ta dobësojnë përballë zgjedhësve. Një periudhë njëvjeçare do t’i jepte kohë partisë që të rimarrë veten dhe të angazhohet për rezultate pozitive në qeverisje, në mënyrë që të zhvillojë një fushatë me më pak stres. Në të kundërtën, programi i qeverisë së tanishme dhe në veçanti ai i PDK-së mund të humbasë mundësinë të dëshmojë potencialin e vet dhe njëkohësisht të perceptohet si i pavlerë e i gabuar në dinamikën e politikës sonë të dëshpëruar. Një skenar i tillë do pak mend se do t’i jepte vrull pikëpamjeve më radikale, që jo detyrimisht mund të jenë më të përshtatshme.
Në një kohë kur partia më e madhe në vend po përjeton mosmarrëveshje të brendshme, shtyrja e zgjedhjeve mundëson përfitimin e kohës, që mund të përdoret për dialog dhe për të ruajtur unitetin partiak. E për më tepër, kreut të PDK-së i kuvendon t’i shmangë votimet për hatër të vetë kundërshtarit të zëshëm, njëherësh nënkryetar i partisë, Fatmir Limaj. I përballur me akuza nga EULEX-i, deputeti nga Banja e Malishevës, po e humbi imunitetin pas shpërbërjes së mundshme të Kuvendit, mund të humbë edhe lirinë. Kryeministri Thaçi dhe partia e tij kanë në dorë mundësinë që t’i shmangen burgosjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të një aksioni që më fort i ka vënë në shënjestër shqiptarët viktima të luftës sesa agresorët serbë. Duke u treguar bujar me bashkëluftëtarin e vet, Hashim Thaçi mund jo vetëm të ruajë PDK-në, por edhe ta forcojë atë.
Pse duhet të pranojë KKR-ja?
As AKR-ja dhe grumbulli partive të tjera të Koalicionit Kosova e Re (KKR) nuk ndodhen në ndonjë pozitë më të lakmuar se partneri kryesor në bashkëqeverisje. Kritikët e kanë shpallur KKR-në bashkëfajtore për “sundimin e pakicës”, duke ia përmendur vazhdimisht të metën kryesore: mungesën e zgjedhësve. Mirëpo, një periudhë qoftë edhe njëvjeçare mund të ndryshojë baraspeshën në favor të këtij subjekti politik. Tani që ish-kreu, Behgjet Pacolli, ka humbur tri poste – të kryetarit të partisë, të deputetit e më në fund të presidentit të republikës – bashkëpunëtorët e tij nga KKR-ja duhet të përpiqen me çdo kusht që ta risjellin në detyrën më të lartë të shtetit.
KKR-ja do të mund të realizonte në këtë mënyrë edhe një qëllim të kamotshëm – domosdoshmëria e të cilit është bërë e padiskutueshme – që zgjedhja e presidentit të bëhet me votën e popullit. Koalicioni i vogël shumëpartiak duhet, megjithatë, të kërkojë që detyra njëvjeçare, që do të mund t’i jepej Behgjet Pacollit, të mos e pengojë atë të rizgjidhet dy herë të tjera si president. Kësisoj, biznesmenit të suksesshëm i mundësohen dy mandate që populli mund t’ia dhurojë nëse arrin që me punën e tij brenda vitit të zgjerojë përkrahjen. Ndonëse e cunguar për ish-partinë e tij, mbështetja popullore për vetë zotin Pacolli duket se nuk është gjithaq e paktë. Por mundësia e tij për t’u bërë president i vendit mund të mos rikthehet, nëse shpërfillet oferta e LDK-së për një zgjidhje kalimtare.
Po partitë opozitare?
Qëndrimi i urtë i drejtuesve të LDK-së mund t’i japë përparësi këtij subjekti që, për dallim nga pjesa tjetër e opozitës, të arrijë shumë synime të veta edhe duke mos qenë në pushtet. Ndonëse edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ose Lëvizja Vetëvendosje mund të gjejnë arsye që t’i bashkëngjiten kolegëve të tyre opozitarë. Ato mund të vënë kushtet veta sado të vështira: pengimi ose rishikimi i negociatave me Serbinë ose ndalimi i shitjes së post-telekomit, për shembull, mund të jetë në duart e këtyre dy subjekteve.
Por mbase ato do të mund ta shfrytëzojnë rastin që, duke u veçuar nga veprimi i partisë rugoviane, ta paraqesin veten si të vetmet grupe që nuk kanë pasur gishtin në “keqqeverisjen” e zotit Thaçi. AAK-së dhe VV-së mosbashkëpunimi do të mund t’ua pamundësonte avancimin e interesave të tyre edhe për një vit të tërë. Por një e mirë mbetet, përderisa nuk arrijnë të ndikojnë në ecurinë e reformave; dy grupet e vogla të opozitës nuk ia mundësojnë koalicionin qeverisës t’ua vjedhë meritat – çfarë do të mund të ndodhte me Lidhjen Demokratike.
Mirëpo përfituesi i padyshimtë është vendi dhe meritori kryesor është populli. Qytetarët që – pa marrë parasysh parregullsitë zgjedhore – hodhën votën për subjekte të ndryshme politike nuk dëshirojnë që aspiratat e tyre të ngecen për shkak të mungesës së konsensusit. Kur deputetët s’mund të merren vesh dhe se asnjëra palë s’ka kaçik sa për ta “rrahur” tjetrën, popullit sovran i takon të zgjedhë kuvendin e ri. Por kur asnjë nga reformat e nevojshme në sistemin zgjedhor nuk janë ndërmarrë dhe kur akoma s’kemi pushuar nga lodhja e zgjedhjeve maratonike që filluan njërin vit e mbaruan në tjetrin, zor se mund të organizojmë menjëherë votime të reja.
Kryeministri Hashim Thaçi, nën udhëheqjen e të cilit Kosova ka marrë lëvdata nga miqtë ndërkombëtarë për lëshimet e bëra për hir të paqes e stabilitetit rajonal, duhet tani të tregojë edhe njëherë bujarinë e vet. Duke pranuar ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e një presidenti me konsensus, zoti Thaçi ka rastin të dëshmojë një largpamësi të rrallë dhe qëndrimin e një prijësi vegimtar që mendon për të mirën e vendit. Përderisa qeveria jonë u ka bërë lëshime atyre që ende nuk po na e dinë për të mirë, tani është rasti për një ujdi me vëllezërit, që mund ta ketë edhe uratën e popullit.
(Autori është gazetar i pavarur në Washington, D.C.)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDalin shifrat, sa emigrantë nga Shqipëria e Kosova në SHBA mund të dëbohen pas urdhrit të Trump
Tre lojtarët që Ronaldo i kishte kërkuar Real Madridit t'i transferonte në vitin 2017 - por Perez refuzoi
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
Vinicius i dërgon mesazh Arabisë Saudite pas mega-ofertës që ka pranuar
Astronomët kanë shënjestruar një asteroid që është nisur drejt Tokës - çfarë duhet të dijmë
Plani për vrasje në Pejë, Sylejmani i rreptë: Policët të shkojnë edhe në klube të natës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Dalin shifrat, sa emigrantë nga Shqipëria e Kosova në SHBA mund të dëbohen pas urdhrit të Trump
Tre lojtarët që Ronaldo i kishte kërkuar Real Madridit t'i transferonte në vitin 2017 - por Perez refuzoi
Dyshime se planifikonin vrasje, avokatja e familjes Elshani: Familja ishte e gatshme të ofronte gjithçka që kishin
Vinicius i dërgon mesazh Arabisë Saudite pas mega-ofertës që ka pranuar
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
Ronaldo thotë se Man City do të ketë 'frikë' nga Real Madridi, pasi është bërë parashikimi i Ligës së Kampionëve