LAJMI I FUNDIT:

“Kirurgët” me tapi?!

Prokurorët e gjykatësit janë "kirurgë", operojnë publikisht në sallat e gjykimit. Operojnë, si hetues, nxjerrin aktakuza, bëjnë gjyqe, me "myhyr" të huaj, si të zgjedhurit e UNMIK-ut. Këtyre "s’ u ka dalë afati". Ndërkaq, tash dy vjet, pas shpalljes së pavarësisë, zvarritet procedura e emërimit!
Pse?!

Gjatë dhjetorit të 2009-ës ishte paraparë emërimi i prokurorëve dhe gjykatësve, të rangut më të lartë. Ishte paraparë betimi para presidentit të shtetit, dr. Fatmir Sejdiut. Por, ceremonia dështoi.

Njëri nga ish – gjykatësit, tash avokat, Fatmir Celina shprehu habinë e dështimit të ceremonisë në fjalë. "Gjykatësit nuk janë ‘argatë’ me i endë poshtë e lartë…Te ne gjykatësit s’i bëjmë hesap, ndërsa në Amerikë, presidenti Barack Obama e ka dhënë betimin para kryegjykatësit…", tha ai.


Një nga arsyet e ceremonisë së dështuar ishte "embargoja" e zonjës Nesrin Lushta, e përzgjedhur si gjykatëse e Gjyqit Suprem. Meqë ajo e ka postin e kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ-së), nuk u bë emërimi i saj dhe i të tjerëve, ngase, siç është thënë, kemi të bëjmë me "konflikt të interesit". Do të thotë: Dy bostane nuk mbahen në një dorë.

Zonja Lushta, e cila tre muajt e fundit ka qenë dhe është në "top listë" të mediave, ende ka punë me fushatën e zgjedhjeve lokale, ka punë me "hapjen e kutive", numërimin e votave.

Ndoshta, emërimi i prokurorëve në Prokurorinë e Kosovës dhe gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, bëhet kur të nxehet moti, në muajin mars. Kë do ta lëshojë shosha, pritet të shihet. Vendi fqinj, Serbia i ka "rrëzu" në provim, nuk u ka dhënë "vizën" prokurorëve dhe gjyqtarëve të sistemit të kaluar.

Gjyqësia jonë ka nevojë për rifreskim, gjak të ri, shtim të kuadrit, për të zbutur sado pak gjendjen në këtë segment të shtetit. Nëse sërish zgjidhen "pensionistët", puna s’ është "për mashallah".

Në Evropë, prokurorët e gjykatësit i zgjedhin institucionet shtetërore, ndërsa në Amerikë – i zgjedhë populli. Andaj, mu për këtë, në Amerikë, gjykatësit gëzojnë autoritet, para tyre "dridhen si thupra" edhe presidentët e shtetit.

Kush do të jenë prokurorët e gjykatësit, të zgjedhurit e institucioneve të Republikës së Kosovës ? Kjo është tema për të cilën flitet jo vetëm aty ku bëhet "politika e lartë", por edhe në çarqe të ndryshme. Flitet se disa janë "në shënjestër", do të thotë – nuk do të marrin "vizën" për të ushtruar funksionin.

Studentët e drejtësisë, e dinë se kush janë subjektët e procedurës penale, i dyshuari, i arrestuari, i paraburgosuri, i pandehuri, i akuzuari, dëshmitari, eksperti…E njohin teorinë, por jo praktikën. Andaj, shi për këtë, është mëse e domosdoshme që t’i ndjekin seancat gjyqësore, të bëjnë praktikën.

Në praktikë, shpesh ngjet që akëcili i akuzuar, i gjendur në lajthim, të mos di kush është prokurori. I akuzuari i drejtohet kryetarit të trupit gjykues:"Për ty e di se je gjykatësi, po qyky ngat meje, që po më shan, kush është…".

Ka prej tyre me "dizgjinë të gjatë", shefa para luftës, shefa sot, "s’lëvizin nga vendi". Sikur e kanë marrë postin me tapi ! Dy prej tyre, Rexhep Haxhimusa e Hilmi Zhitia kanë bërë stazh të gjatë në funksionet që kryejnë. Haxhimusa ka ushtruar funksione ‘shoqërore politike’ në Ferizaj, kryetar i Komunës, i Gjykatës Komunale, një kohë para lufte shijoi edhe profesionin e avokatit, ndërkaq pas luftës është kryetar i Gjykatës Supreme.

Jo vetëm në këtë gjykatë, por edhe në ato më të ulëta, është numri i madh i lëndëve që "mrizojnë" me vite. Ndërkaq, Zhitia para luftës kishte rolin e gjykatësit, atij hetues dhe të trupit gjykes, ndërsa pas luftës është kryeprokuror shtetëror.

Në kohën kur në Kosovë "lulëzoi krimi", doli në skenë tenderomania, Zhitia nuk i "ra pusit", nuk iu dëgjue zëri. Madje, u tregua i shurdhër. Ndaj gazetarëve kishte aversion, s’ bisednote me ta, s’ u jepte deklarata, thënë thjeshtë, aso "rutinore", sa për t’u informuar lexuesi se ç’ po ngjet me botën e krimit.

Ndokujt që i bëhet padrejtësi, zakonisht reagon, shpreh mllefin: "Hajt se do të shihemi në gjyq…". Ndërkaq, gjyqet tona ‘ flejnë ‘, bëjnë gjumë ariu, nuk qajnë kokën për "malin" e madh të lëndëve. Njëri nga ata që nget pas gjyqeve, tash gati tri dekada, është ferizajasi Mustafë Zejnullahu. Ai u kthye nga Franca, më 1979-ën hapi fabrikën e konfeksionit, inkuadroi 64 punëtore. Fabrikën e tij e plaçkitën… e bënë rrush e kumbulla.

Pushtetarët ferizajas, të kohës së Titos, e përzunë nga puna, si të papërshtatshëm "moralo politikisht". Udhëheqësit e atëhershëm e quanin kapitalist, milicia ia hapi dosjen të koduar "Singer", ndërsa këta të pasluftës e quajnë "uzurpator" ! Fabrikës së tij, e cila gjendet afër stacionit të policisë dhe atij të zjarrfikësve, i kanë mbetur vetëm "zorrët", kabllotë elektrike….

Megjithëkëtë, i fitoi gjyqet. Në favor të tij pati vendosur edhe Gjykata Kushtetuese. Ai e ka paditur Komunën e Ferizajt, e ka fituar gjyqin. Por, lënda endet poshtë e lartë. E kam ndjekur procesin e Zejnullahut për gazetat ku punoja. " Në kohën kur unë i fusja njerëzit në punë, pushtetarët i mbushnin burgjet me shqiptarë.

Edhe tash më shajnë, më ngjesin etiketa. I kam vendimet e gjyqeve në favor timin, vendimet e ‘ burgosura ‘, e drejta nuk jetësohet. Më shkoi jeta nëpër gjyqe…", shpreh zhgënjimin e tij "parisieni" Zejnullahu.

Prokurorët e gjykatësit janë pasqyra e shtetit. Zgjedhja e tyre s’ bën të behët shkel e shko. Këta "njerëz të ligjit" të jenë profesionistë, njohës të mirë të drejtësisë, pse jo edhe psikologjisë, ngase merren me ata që kanë "probleme me nerva". T’ i përmbushin kriteret etike, të mos kenë damka të së kaluarës, ngase i qesin hije të keqe shtetit.

Në trend

Më shumë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Lajme
Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Politikë
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

Politikë
Ancelotti emëron ekipin e vetëm që mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

Ancelotti emëron ekipin e vetëm që mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori