LAJMI I FUNDIT:

KEDS-i i dërgon Trepçës borxhin milionësh te përmbaruesi privat

KEDS-i i dërgon Trepçës borxhin milionësh te përmbaruesi privat

Ndërmarrjen “Trepça” viti 2016 e ka zënë me probleme të mëdha financiare, për shkak të borxheve ndaj furnitorëve dhe operatorëve të ndryshëm, jo vetëm atyre të krijuara nën kohën e okupimit, por edhe borxheve të krijuara viteve të fundit.

Njërin prej borxheve më të mëdha ndërmarrja e udhëhequr nga Ahmet Tmava e ka ndaj KEDS-it, borxh i cili sillet rreth vlerës 1.2 milion euro, raporton Veriu.info.

Burime të këtij portali bëjnë të ditur se KEDS-i e ka dërguar lëndën e borxhit tek përmbaruesi privat, e që sipas procedurës së zakonshme ai pas zhvillimit të disa procedurave administrative do të bëjë bllokimin e llogarive bankare të Trepçës dhe ekzekutimin e dhunshëm të borxhit, sapo “Trepça” të ketë aq të holla në xhirollogari.


I pyetur rreth kësaj çështje, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala nuk ka mohuar e as pohuar dërgimin e lëndës te përmbaruesi, por ka thënë se Trepça është konsumator i ndjeshëm, e cila luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës.

“Në këtë rast, ne jemi duke bërë biseda intensive me menaxhmetin e kësaj kompanie dhe palët e interesit që ndërlidhen me këtë kompani, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për pagesën e borxhit. Çështje tjetër e rëndësishme është se ju e dini se arsyeja kryesore pse përdorë Trepça energjinë elektrike është funksionimi i minierës. Pa energji minierat shndërrohen në rrezik për punëtorët dhe qytetarët. Për shkak të ujit në minierë, ajrit të kondicionuar, substancave të rrezikshme dhe ekipeve të ndihmës së parë, ata duhen të kenë vazhdimisht energji”, ka thënë zëdhënësi Buzhala për Veriu.

Ai ka treguar se KEDS-i nuk ia ka shkëputur rrymën Trepçës për arsye të sigurisë dhe për disa arsye teknike.