LAJMI I FUNDIT:

KB – Pse u eliminua Italia?

KB – Pse u eliminua Italia?

Botërori Afrika e Jugut 2010, pos që është Botëror i veçantë për vendin në të cilin mbahet, është i veçant edhe për befasitë që na ka sjellur. Duke filluar që nga skandali francez, e që vazhdoi me formën e dobët të Anglisë dhe humbjen e Gjermanisë nga Serbia, ndërsa jo më e vogël është disfata e Spanjës nga Zvicra. Megjithatë, mbi këto befasi, si zakonisht ekziston dhe ‘qershia mbi tortë’ e që kësaj radhe është si rallë herë, kampioni i botës në fuqi, Italia.

Natyrisht, prapa çdo skandali dhe befasie, qëndron fajtori i saj, e që përbëhet nga jo pak elemente. Nëse shikoni ecurinë e Italisë, që nga faza përgatitore, deri në vazhdimësi të Botërorit, do të vëreni se diçka nuk shkoi si duhet për Azzurët. Mediumet italiane ishin frikësuar për një fushatë të mundshme ‘apokalyptike’ që në fund doli të jetë e sakt dhe gjithë kjo falë një njeriu – Marcello Lippit.

Ne jemi shumë të vegjël për ta vlerësuar punën e këtij njeriu, marrë parasysh sukseset e tija në të kaluarën, por me të vërtetë, ajo çfarë bëri me kombin e tij për këtë Botëror është skandaloze.

Megjithatë, vlen t’i hedhim një sy ecurisë së Italisë në Botëror, para se t’i japim shkaqet dhe t’i precizojmë gabimet e ‘të madhit’ Lippi. Italia e startoi fushatën e saj në ‘mondial’ me duelin ndaj Paraguait, skuadër që në kualifikimet e Amerikës Latine, mposhti Argjentinën dhe Brazilin. Si të lartpërmendurit, ashtu dhe Italia nuk shpëtoi lehtë, pasi që verdikti përfundimtar i sfidës ishte një barazim i brishtë 1-1, plus lëndimi i Buffonit. Pas ndeshjes, Lippi kishte bërë thirrje për konsolidim dhe mobilizim të forcave për ndeshjen e dytë, të cilën premtoi se do ta fitonte bindshëm.


Zelanda e Re hyri me një besim të hekurt ndaj kampionit të botës, duke shënuar që në fillim të takimit, e që natyrisht përbëu dhe shokun fillëstar për italianët. Në vazhdim Daniele De Rossi, autori i golit të vetëm edhe ndaj Paraguait, fitoi një penalti inekzistente, e cila u shndërrua në gol nga Iaquinta, por në fund, kjo Itali që konsiderohej favorit për titull nuk arriti të nxjerrë asgjë më shumë se një barazim 1-1, ndaj një skuadre që në radhët e veta ka futbollistë amaterë.

Mirë, pas befasisë më të madhe deri në atë moment, Lippi me shokë premtoi se do ta përmirësonte lojën në ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakisë, në të cilën Italia hyri me dy pikë nga dy barazime dhe nga e cila i mjaftonte një barazim i vetëm. Megjithatë, ky përmirësim i lojës erdhi vetëm në pjesën e dytë të kësaj sfide, pasi Lippi pësoi një herë e mirë dy gola, të cilat në fund ishin dhe shkaktarë të kësaj disfate të jashtëzakonshme. Nuk vlen të akuzohet gjyqtari për dy golat e anuluar të Quagliarellas pa të drejtë, sepse kemi të bëjmë me kampionin e botës dhe kampionët nuk akuzojnë për disfata dikë tjetër, pos vetes.

Në fund të ditës, Lippi me kontigjentin e tij do të kthehen kokëulur, të raskapitur e të sakatosur, keq të turpëruar, në apeninet e dashura, ku natyrisht pason dhe ‘ekzekutimi’ nga mediat për dështimin skandaloz.

Por, cilët ishin shkaktarët e eliminimit të Italisë?

T’i kthehemi dhe njëherë anës problematike që nuk shihet nga shikimi i parë. Nga ana taktike, Marcello Lippi veproi njëjtë si në vitin 2006, kur fitoi me mjaft fat në tokën gjermane atë titull. Taktikë e njëjtë, lojtarë pothuajse të njëjtë, por duket se maestro Marcello ka harruar se vitet po kalojnë dhe Botërori organizohet çdo katër vjet. Duke u bazuar në faktorin e lartpërmendur, Lippi ftoi një kontigjent mjaft të vjetër në Itali, marrë parasysh faktin se kombëtaret tjera, si p.sh Gjermania, erdhi me gjeneratën e saj të U-21.

Nga ana taktike, Lippi kishte harruar përsëri se më në skuadër nuk kishte futbollistë të tipit Alessandro Del Piero apo Francesco Totti, të cilët nuk vendosi t’i ftonte, për arsye se besonte që ishin harxhuar. Ndoshta, kishte të drejtë në këtë aspekt, por është e papranueshme se pse nuk ftoi pasardhësit e këtyre, Antonio Cassanon dhe Mario Balotellin. Italia kishte mungesë ekuilibrash në krah, me një lojë momentale të diktuar nga pasimet githashtu momentale të mesfushorëve, të cilët janë gjithçka, pos kreativë. Cassano dhe Balotelli do të përbënin zgjedhje mjaft të mira për Lippin, kreativitet dhe mjaft potencial në krah, e për më shumë, ekuilibra mes sulmuesve të dështuar qëndrorë dhe krahut të stërvjetruar dhe jo të talentuar të përbërë nga Criscito dhe Zambrotta.

Fajtori tjetër dhe kryesori për dështimin e Italisë në këtë Botëror e ndoshta edhe në Botërorët tjerë në vijim është Massimo Moratti. Po, presidenti i Interit, ka krijuar një skuadër e cila që gjysmë-dekade nuk njeh konkurrent në Itali, rrëmbeu të gjithë titujt e mundshëm, por gjithë këtë me futbollistë joitalianë. Edhe atë një italian që e pati në skuadër Interi (Balotelli), nuk e ftoi Lippi, për shkaqe të urrejtjes së shfaqur hapur ndaj këtij klubi.

Për shkak të faktit të lartpërmendur, Marcello Lippi preferoi t’i ftonte seniorët e skuadrës së Juventusit, të cilët ishin aq të dashur për të, sa që sakrifikoi dhe ‘sëpatën mediale’ të përmendur në fillim. Kombëtarja italiane përbëhet nga mëse gjysma e futbollistëve të Juventusit, që në sezonin që sapo përfundoi, përjetoi një nga sezonet më katastrofale në histori të klubit dhe zuri vetëm vendin e shtatë. Lippi preferoi të lë në shtëpi kampionë të tillë si Balotelli, Fabrizzio Miccoli dhe Antonio Cassano, të cilët ishin në nivelet më të larta të futbollit italian dhe evropian, për të ftuar Vincenzo Iaquintan, Fabio Cannavaron dhe Alberto Gilardino, të cilët në asnjë moment nuk shfaqën atë që kishte pritur trajneri.

Në fund vijmë në një përfundim. Ndoshta arsyet e lartpërmendura mund t’i hedhim në ujë, nëse marrim parasysh faktin që Italia fiton Kupën e Botës çdo 22 vite! /Telegrafi/