LAJMI I FUNDIT:

Ju nuk më dëmtoni mua, por Kosovën!

(Letër e hapur e Presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli drejtuar Presidentit të Kosovës, Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm)

Të nderuar zotërinj,
Ju, por tashmë edhe opinioni publik e dini se gjatë gjithë kohës ka munguar bashkëpunimi i ndërsjellë në mes nesh, përkundër faktit që insistimi im ka qenë për koordinim dhe për të bashkërenditur veprimet. Megjithatë kam vazhduar dhe po vazhdoj fushatën time lobuese pa asnjë mbështetje nga institucionet e Kosovës dhe kjo pa dëshirën time. Kjo letër e hapur është forma e vetme e komunikimit me Ju si përfaqësues të institucioneve tona, sepse format e tjera të komunikimit janë injoruar deri më sot.

Pavarësisht obstrukcioneve, injorimit dhe mungesës së bashkëpunimit, fushata ime lobuese ka dhënë rezultate të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e Kosovës. Është pikërisht Kosova dhe populli kosovar që më japin forcë në këtë punë të mundimshme e të kushtueshme, gjithmonë i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij misioni të shenjtë.


Kjo letër është ftesa ime e radhës për Ju si përfaqësues të institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës që të reflektoni për të ndjerë përgjegjësinë publike që keni, për t’i tejkaluar dallimet politike dhe për të gjetur pikat e përbashkëta të bashkëpunimit në drejtim të njohjeve të reja të Kosovës. Nuk është e lehtë për mua të kërkoj bashkëpunim nga dikush që më ka injoruar vazhdimisht, por po e bëj për hir të vendit tonë, duke qenë se është momenti shumë i përshtatshëm për të pasur njohjet që aq shumë i duhen Kosovës si Shtet i Pavarur dhe Sovran.

Pse fillova lobimin?

Jo për ju, por për qytetarin, dua të tregoj pse papritmas unë lashë angazhimet e mia politike, të biznesit, familjare dhe kaloj një pjesë të mirë të jetës sime në aeroplan duke fluturuar sa nga njëra anë e globit në anën tjetër, për të lobuar për Kosovën, duke takuar me dhjetëra përfaqësues të lartë të shteteve për t’i shpjeguar dhe bindur secilin nga ata, se pse duhet të njihet Pavarësia e Kosovës.

Unë e dija se për konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, një shteti të porsalindur i nevojitej shumë punë. E dija sa e vështirë ishte të ngrije në këmbë nga hiçi një ministri të jashtme, të gjeje diplomatë, të gjeje seli për ambasada e të mundësoje udhëtimin e tyre nëpër botë. I mirëkuptoja këto vështirësi që vinin qoftë prej të kaluarës ku populli ynë s’pati mundësi të formojë diplomatë, qoftë prej sot kur buxheti i varfër i Kosovës nuk mund të përballonte njëherësh shpenzimet për shtëpitë e djegura, spitalet, kopshtet e fëmijëve dhe shkollat, rrugët dhe administratën. Ndaj i përvesha mëngët personalisht dhe pa publicitet vendosa të bëja diçka. Kam bërë shumë vepra humanizmi për të cilat nuk është bërë asnjëherë publicitet apo nuk kam pasur ndonjë tendencë për të marrë merita.

Unë hyra në politikë ndërkohë që kisha shumë vepra të mëdha nëpër gjithë botën ku kam ngritur fabrika, spitale, shkolla, objekte te kultit, universitete kryeqytete të tëra, qendra administrative dhe isha i njohur për këto. Në aktivitetin tim të madh në biznesin ndërkombëtar ku nuk kam abuzuar ligjin, duke investuar shpirtin tim në marrëdhëniet me njerëzit dhe nga një punë e palodhur dhe e përgjegjshme kam krijuar shumë miq, kryeministra, mbretër, presidentë e personalitete të tjerë të cilët më respektojnë jo pse jam FUNKSIONAR politik por pse unë jam NJERIU I PUNËS. Kështu kam dashur që kapitalin e madh të miqësive që e posedoj në të gjithë botën ta vendos në shërbim të Kosovës. etj. Duhet të pyesja dikë para se ta bëja këtë? Jo! Unë e përfaqësoj një numër të madh të qytetarëve të Kosovës të cilët me votën e tyre më kanë dhënë lejen për veprim dhe mua më duhen vetëm vlerësimet e tyre pozitive.

Njeriu ka krenari të ligjshme për veprat e veta në shërbim të popullit që e rriti. Më besoni nuk ka gjë të bukur sesa kur për secilën prej shume njohjeve në të cilat kam kontribut të drejtpërdrejtë dhe thuajse tërësor, më mbërrijnë fjalë të bukura dhe përgëzime nga qytetarë të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës. Më vijnë fjalë vlerësimi nga faktorët politikë të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe qytetarët e tyre; pranoj përgëzime edhe nga përfaqësuesit e shteteve të cilat unë i kontaktoj, të cilët më quajnë edhe përfaqësues të denjë të Kosovës, por jo nga ju – sa bukur është kjo! Ndihem shumë mirë dhe marr shumë energji prej fjalëve të inkurajimit dhe vlerësimit që ata kanë për mua.

Në këtë punë, për të mirën e Kosovës, për suksesin e Kosovës, duhej dhe fjala juaj, duhej bashkëpunimi juaj. Unë i kam bërë publike dhe ftesat për ju që të krijohet një grup koordinimi kombëtar për njohjet e Kosovës, dhe më gjerë për politikën e jashtme të Kosovës, gjegjësisht për bisedimet me fqinjin tonë. Unë e di sesa i rëndësishëm do të ishte ky koordinim dhe sa komode do të ishte puna jonë! E di se kështu do të fitonte Kosova, në kohë, në hapësirë, në energji njerëzore dhe institucionale. Duke bërë këtë, unë sigurisht nuk rivalizova askënd, siç shkruan ndonjë i paditur që insiston se unë nuk duhet të loboj pse kështu rivalizoj institucionet e Kosovës. Unë doja që punën ta bënim bashkë dhe rezultateve t’i gëzoheshim bashkë me popullin e Kosovës.

Tani dhe po më pengoni!

Tani kur populli i Kosovës i beson dhe i gëzohet rezultateve të mija, njohjeve të reja të arritura pa ndihmën tuaj, disa nga Ju kanë filluar, jo vetëm të më injorojnë por edhe të më pengojnë. Unë pata dëshiruar që të kem në krah përfaqësuesit e institucioneve tona sepse unë i respektoj thellësisht ato, për t’i dhënë karakter shtetëror këtij lobimi. Përkundër këtyre pengesave unë gjithmonë i kam lavdëruar institucionet tona në sytë e botës. I kam lavdëruar dhe kur nga ana e bashkëbiseduesve të mi më kanë ardhur në formë jehone fjalët tuaja të papërshtatshme në adresën time. Para dhe gjatë punimeve të AP të OKB-së ku e gjithë bota votoi me unanimitet një rezolutë de facto të Bashkimit Evropian për Kosovën derisa ju qëndronit në Nju York bashkë me ekipin tuaj tepër të madh (vetëm Zoti e din sa do t’i kushtojnë këto shpenzime qytetarit të Kosovës) kjo atmosferë presioni, denigrimi, pengesash ndaj meje arriti kulmin.

I nderuari President, i nderuar Ministër i Jashtëm, jam i informuar për çdo veprim, çdo detal dhe çdo telefonatë që kishte për qëllim refuzimin e prezencës time në Nju Jork. Është shqetësuese të dëgjosh nga përfaqësuesit me të cilët bisedoja, komentet e juaja për prezencën time atje. Zotërinj, unë në Nju Jork kam qenë, isha dhe do të jem, derisa dikush nuk provon me forcë të më heqë mandatin që më ka dhënë qytetari i Kosovës. Unë kam qenë prezent, kam vepruar, e dini mirë kundër kujt dhe sot jam jashtëzakonisht i pastër para qytetarit të Kosovës se asnjë cent nuk i kushtoj buxhetit të Kosovës. Dhe në këtë pikë zotërinj qëndrojmë në pozita të ndryshme. Unë nuk mbledh fatura nga drekat dhe darkat për të dhënë llogari diku, as prej taksistëve, as prej restoranteve as prej hoteleve.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme unë u ngrita prej sallës ku isha për t’ iu zgjatë dorën juve. Dikush u ngrit në këmbë për të më përshëndetur, kjo është njerëzore, por të tjerët mezi ma shtrinë dorën. Të mos flasim për propozimet që të ulem diku me Ju. Sa dobësi e madhe është kjo! Për një moment e ndjeva vetën të fyer, por ndërkohë u frymëzova edhe më tepër me energji dhe me vullnet. Në vend që t’i kthehem familjes sime si të tjerët, unë vendosa të vazhdoj në Amerikën Qendrore.

Sa jam penguar nga ju në njohjet e mëtutjeshme opinioni publik e din dhe nëse do të ketë nevojë do t’i dëshmoja ato publikisht. Kam qenë në takim me krerë shtetesh që na kanë njohur dhe më kanë treguar se nuk kanë marrë falënderime nga përfaqësuesit e Kosovës për njohjet. Ne kaq mund t’ju japim atyre- një letër mirënjohjeje dhe vlerësimi, por nuk kemi bërë asgjë. Unë e di se njohjet e shtetësisë së Kosovës janë një vepër e madhe kombëtare ku nuk ka monopole të askujt. As tuajat, pra.

Të nderuar zotërinj, po ju a shkruaj këtë letër se sot Kosova nuk pret. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë të krijuar nga vendimi i fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe miratimi në unanimitet i Rezolutës në OKB, për të siguruar sa më shumë njohje. Vetëm kështu vitin tjetër mund të arrijmë të aplikojmë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Kjo është oferta ime e radhës për bashkëpunim dhe le t’i vlerësojë populli punët që po bëjmë në favor të Kosovës. Pres që ju të reflektoni, të kërkoni falje publike apo jopublike dhe ta shtrëngoni dorën time të zgjatur për bashkëpunim. Do të vazhdoj t’ju shkruaj prapë, jo juve si individë, por juve si përfaqësues të zgjedhur të popullit të Kosovës, për hir të këtij populli, në emër të një jete më të mirë për fëmijët e Kosovës, për fëmijët tuaj, për fëmijët e mi.

Në trend

Më shumë
Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Lajme
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Kronika e Zezë
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Magazina
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Lajme
Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Drejtësi
Kalo në kategori