LAJMI I FUNDIT:

Jam lezbik e nuk kam frikë!

Jam lezbik e nuk kam frikë!

Vapa dhe komentet e shumta për vrasjen tënde vazhdojnë ta përvëlojnë këtë vend. Ti e ke ditur shumë mirë që pa intriga, poshtërsira, përgojime dhe thashethemnaja nuk rrimë dot. E nisim në mëngjes me kafen e parë duke përgojuar gjithë dynjanë dhe përfundojmë në krevatët bashkëshortorë duke sharë veten dhe atë që kemi në krah. Sidomos po ka tema bisede me seksin apo devijimet seksuale, ne taborët dhe ushtria e pafundme e atakuesve moralistë turremi si osmallinj duke iu futur viktimës nën rroba, nën brekë, nën lëkurë dhe përgjatë damarëve derisa ia kaplojnë qelizat dhe indet e trurit. Pra e vdesim dhe e ngordhim dyfish.

Vapa vazhdon të djegë ashtu sikur dje kur të varrosën familjarët e tu. Tregojnë se babai të kishte veshur nuse dhe nuk e quajti mort vetëvrasjen tënde ngase ishe vetëm 20-vjeçe. Ti nuk ke fjetur të përjetshmin gjumë sa prej vapës, sa prej sikletit, sa prej turpit dhe sa prej marazit. Policia ende nuk e ka gjetur Xhoin, shoqen tënde për të cilën t’i sakrifikove edhe të paimagjinueshmen, por të garantoj se Xhoi ishte sot në plazh për qejfin e vet dhe e pabrejtur nga asnjë lloj brenge…

Po, po e pashë Xhoin në Durrës tek hante një drekë të rëndë me fruta deti, peshk, karkaleca, verë italiane të shtrenjtë. Ishte me një laçian, me atë tipin me makinë X6 të bardhë. Me atë tipin që vesh ato bluzat Versace me tantella dhe ka në krahun e djathtë një tatuazh me zebra, kobra dhe tigra. Xhoi ishte në Durrës duke plazhitur tërë pordhë dhe bënte foto selfie me iPhone-in që ia bëri dhuratë Baftjari nga Fushë-Kruja. Baftjari që shet C4 me shumicë.


Policia ende nuk e ka gjetur Xhoin, shoqen tënde për të cilën ti sakrifikove edhe të paimagjinueshmen, por të garantoj se Xhoi ishte sot në plazh…

Po, po e pashë Xhoin në Vlorë tek hapej bythësh në një “shkuma party” andej nga Uji i Ftohtë. Pinte koktejle të shtrenjta me atë tipin nga Sevasteri që ka një Audi Q7 të zi. Ai tipi që ka dhëmbët e zinj dhe vesh këmisha të zeza, pantallona të zeza, këpucë të zeza me çorape të bardha. Xhoi nxirrte herë pas here celularin e saj të dytë Samsung dhe bënte foto belfie duke tërhequr vëmendjen e disa shqiptarëve nga Maqedonia të cilët vetë laheshin ndërsa gratë i linin poshtë çadrës të pazhveshura.

Policia ende nuk e ka gjetur Xhoin, shoqen tënde për të cilën ti sakrifikove edhe të paimagjinueshmen, por të garantoj se Xhoi ishte sot në plazh…

Po, po e pashë Xhoin në Jalë tek shtriqej në rreshtin e parë të shazlongeve në një plazh privat. Lyhej me krem të shtrenjtë dhe pinte shampanjë me Xhikun e Sefqeres. Xhiku që është marrë me kurva në Itali dhe si përfundim mori për nuse nga frika një prej viktimave të tij. Xhiku që ka bërë goxha lekë dhe ka investuar në pizzeri, shkollë private dhe klinika mjekësore. Xhiku argëtohej me Xhoin jo për hesap të tyre, por thjesht të binin në sy se aty te ai plazh shumica vinë nga Tirana.

Policia ende nuk e ka gjetur Xhoin, shoqen tënde për të cilën ti sakrifikove edhe të paimagjinueshmen, por të garantoj se Xhoi tani në darkë e di ku është?

Në Bllok te kafja përballë me atë shoqen tjetër se po gjuajnë ata dy burrat që merren me ndërtime rrugësh. Ata dy 60-vjeçarët që kanë miqësi edhe me Bashën edhe me Ramën. Më duket se deri tani po u ecën gjuetia dhe besoj nga darka vonë mbarojnë punë me ndonjë gojore të shpejtë te makinat e tyre…

2./

Dhe ti vrisje mendjen dhe gdhije netët duke lexuar për tu bërë një arkitekte e zonja. Vrisje mendjen dhe ëndërroje të ardhmen tënde me një shoqe në krah si Xhoi. Xhoi nuk kishte faj aspak. Xhoit i pëlqeu afrimiteti dhe flirtimi me ty, por pasi të studioi e ta piu lëngun t’u zhduk si lakuriqi i natës kur shfaqet dielli i mëngjesit. Xhoi kujtoi se ti kishe prindër të pasur, kujtoi se kishe shtëpinë tënde në Tiranë, kujtoi se kishe makinë, kishe kartë krediti dhe shpenzoje si e çmendur. Xhoi dhe raca e Xhoit nuk kanë aspak shqetësim se çfarë roli u ngarkon. Xhoi dhe raca e Xhoit brenda natës bëhen heteroseksuale, aseksuale, homoseksuale, zoofile, pedofile, nekrofile…

Lekët, ku janë lekët?

Lekët, ku është qyli?

Lekët, ku janë dhuratat e shtrenjta, favoret, udhëtimet, trajtimet?

Xhoi po të ishte shoqe dhe mikeshë e mirë të fliste hapur, me zemër në dorë, të tregonte që të donte, por jo seksualisht, të zbuste dhimbjen, të orientonte dhe të dyja do të ndjeheshit të lehtësuara. Ti nuk vrisje veten dhe as Xhoi nuk fshihej si skuthe.

3./

Ndaj ndjehu e lënduar, jo e turpëruar. Seksualiteti yt është njerëzor dhe shqiptar. Është evropian dhe shqiptar. Është urban dhe shqiptar. Është rural dhe shqiptar.

Feminiteti i mashkullizuar i Jozefinës të duket ilegal?

Mashkulliteti i feminizuar i Lulit apo ndonjë ministri të majtë të duket jashtëtokësor?

Sa vajza fatzeza janë martuar prej sikletit dhe vuajnë dyfish tjetërsimin e tyre, por ende jetojnë?

Sa djem e burra shtiren si feministë të thekur në sy të botës, ndërkohë përvëlohen së brendshmi nga dëshirat e parealizuara?

Sa gra budallaçka ankohen ”se burrave të tyre iu kanë bërë magji e nuk u çohet penisi ndërkohë që burrat bëjnë kërdinë me shoqi-shoq?”

Sa shqiptarë vinë nga Greqia e varfër por të kamur, sepse pronari i do si djemtë e tij duke i respektuar në çdo detaj?

Sa politikanë aktrojnë me sekretaret e tyre ndërkohë që këshilltarët dhe bodyguardët i duan të gjatë dhe me muskuj?

Sa artistë kompozojnë e këndojnë për dashurinë, por vajza në videoklip është personazhi i gabuar dhe në vend të saj duhet të ishte një djalë?

Sa emigrantë kthehen nga Perëndimi me makina të shtrenjta dhe thasët me euro e po t’i pyesësh të gjithë “si i bëtë tërë këto para?” përgjigjen njëzëri që paratë i bëjnë me drogë sikur Evropa e ha drogën me garuzhde?

Trishtohu vetëm për jetën, trishtohu që nuk kthehesh më te ne të gjallët, sepse për turp, turpin lërua këtyre kurvave dhe perversëve pa seksualitet të përcaktuar.

Ti ike nga kjo jetë e dëshpëruar dhe e dashuruar, por mos kujto se do të të kujtojmë gjatë. Ne jemi materialistë ateistë dhe ateistë materialistë, sepse e shesim bythën, gjoksin, penisin dhe vaginën në çdo kohë e në çdo stinë, kujtdo pa dallime moshe, krahine, besime apo xhendëri.

Rehatou aty ku je dhe ler familjarët e tu të vuajnë, ti shpëtove. Para se të iki, të të pyes diçka:

– Votove më 21 qershor? Votove për ne apo për ata? Kjo ka rëndësi se të tjerat rregullohen.

Hajde të qoftë dheu i lehtë dhe gëzuar. Gëzuar se sot Shqipëria u dënd me mish, me raki dhe me birra. Gëzuar se jemi bërë tapë fare. Festuam Fiter Bajramin dhe ti e di që ne nuk pyesim për doktrina muslimane apo të krishtera. Si racë, ne jemi unikë në besim fetar, seksualitet dhe bindje politike. Boshti ynë kolektiv është materializmi dhe qyli. Morali dhe vetvetja vdiqën pa u fituar pavarësia…

Gëzuar dhe lamtumirë. Lamtumirë engjëll i bukur dhe mos e bëj më herën tjetër gabimin e vetëvrasjes.

Lamtumirë arkitektja e shkatërrimit tënd!