LAJMI I FUNDIT:

Informim, se jo mahi!

Gjatë raportimit të kryeministrit Thaçi në seancën parlamentare të së martës (12 mars 2013) në lidhje me negociatat që po zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi , kryeministri diskutoi edhe për luftën e fundit në Kosovë, konferencën e Rambujesë, dhe intervenimin e NATO-s të vitit 1999 mbi Serbinë. Gjatë kësaj seance, kryeministri disa herë mori fjalën ku ndër të tjera tha: “Në kohën kur Kosova fitoi lirinë më 1999, Milosheviqi deklaroi fitoren në Beograd. Në kohën kur po mbaheshin bisedimet për statusin e ardhshëm politik të Kosovës në procesin e Vjenës, Koshtunica deklaroi fitore në Beograd dhe tash kur ndodhemi në negociata me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, Toma Nikoliq po deklaron fitoren duke thënë se pala kosovare ka lëshuar pe. Dhe asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur”.

Mund të kuptohet lehtë se “fitorja” e Milosheviqit në luftën e fundit në Kosovë ka qenë një iluzion në kokën e tij dhe asgjë më shumë. Mirëpo, “fitorja” e Koshtunicës në negociatat e Vjenës nga qarqet politike të Serbisë ka mund të kuptohet si një fitore, ku Kosovës po i ofrohej plani i Ahtisaarit si zgjidhje gjithëpërfshirëse për statusin final (të rikujtojmë se ekipi i atëhershëm i unitetit disa herë ka bërë të ditur se ky plan është një kompromis i dhimbshëm, madje njëri prej anëtarëve të ekipit pati thënë se plani është një pavarësi pa emër). Tërësia e kompromiseve që ishin brenda planit të Ahtisaarit nuk u pranua nga ana e palës serbe, sepse po synohej më shumë sesa ky plan. Tash, kur Nikoliq deklaron fitore në raport me Kosovën, sigurisht se e deklaron si “fitore” në kuadër të “fitores” së Koshtunicës (2007), pra në kuadër të atij plani që iu ofrua Kosovës për zgjidhje të statusit.

Dhe, sot çështje kyçe vazhdon të mbetet se a do të fitoi Serbia (përmes negociatave për normalizim të marrëdhënieve) më shumë se sa ajo që është e garantuar me planin e Ahtisaarit për serbët në Kosovë. A po rrëshqet pala kosovare në negociata për normalizim të marrëdhënieve drejt një Ahtisaari Plus?


Para disa ditësh kryeministri serb Daçiq deklaroi se kemi hyrë në negociata me Prishtinën për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Daçiq dhe Serbia ende nuk janë dorëzuar dhe shpëtimin po e projektojnë si zgjerim të kompetencave (edhe ashtu mjaft të avancuara) të serbëve që jetojnë në Kosovë. Duket se pikënisje për negociata është plani i Ahtisaarit, e kur negocion me dikë që nuk e ka pranuar planin si tërësi (por, i ka pranuar disa prej koncesioneve që gjenden brenda këtij plani), ndodh që edhe në fund të pranosh ndonjë “plus”.

Debati më i madh në skenën politike kosovare po qëndron në atë se çfarë në të vërtetë është asociacioni i komunave me shumicë serbe? A është i paraparë me planin e Ahtisaarit ky asociacion në këtë formë siç pritet të realizohet? Ndoshta ditët në vazhdim do të kemi më shumë informata për këtë, eventualisht. Por, me siguri se nuk do të mund të informohemi drejt me këtë mënyrë se si po na informon kryeministri në Kuvendin e Kosovës, as me mënyrën se si po e informon Presidenten Jahjaga. Sepse nuk mund të quhet informim i drejtë i Kryeministrit Thaçi një informim që zakonisht e bën shpejt e shpejt, pa një debat të mirëfilltë parlamentar, pa na treguar saktësisht se çka po bisedohet apo në cilën fazë kanë arritur bisedimet. Dhe, natyrisht nuk mund të kemi informim të saktë kur për të njëjtën marrëveshje palët nga Prishtina e Beogradi japin shpjegime të ndryshme. Në këtë kuptim edhe informimi që bëhet nga ndërmjetësuesja e bisedimeve znj. Ashton është i mangët, zakonisht një komunikatë e shkurtër e përmbledhur në dy-tre fjali.

Së fundi, e kemi dëgjuar kryeministrin të thotë se bisedimet po zhvillohen në kuadër të një pajtueshmërie të gjerë të skenës politike kosovare, gjë që nuk është ashtu, sepse edhe brenda vet kësaj pajtueshmërie të skenës politike ka dallime se çka dhe deri ku mund të bisedohet. Madje ka edhe pozicionim kundër këtij dialogu. Por, gjithsesi pjesa më e dhimbshme mbetet kur ai (Kryeministri) shpesh thirret në emër të qytetarëve dhe “ngarkon” në kurriz të qytetarëve duke provuar kështu të ndërtojë një konsensus të gjerë shoqëror për çështjet jetike të Kosovës.